back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 18 Nëntor, 2024

Maria e Lasgushit: Persekucioni komunist ndaj babait tim vazhdon… – intervistë nga Bardha Nergjoni

Gazeta

Lasgushi, Maria dhe Cuci
Lasgushi, Maria dhe Cuci

Maria e Lasgushit:

Persekucioni komunist ndaj babait tim vazhdon…

Vlerësimi më i madh nga Noli e Zogu

intervistë nga Bardha Nergjoni

Maria ka trashëguar shumë nga babai dhe nuk bëhet fjalë për prona e para, por për arkivën e një poeti të madh si Lasgush Poradeci. Bashkë me të motrën është kujdesur që ai të përkujtohet dhe të botohet. Për trajtimin në komunizëm e demokraci, mendimi i saj nuk ndryshon shumë. Një lloj tisi heshtjeje e mosvlerësimi e ndjek figurën e Poradecit si hije. Vetëm me përpjekjet e dy vajzave ka pasur botime të reja dhe kanë dalë në dritë shumë detaje që e lartësojnë figurën e babait të tyre. Në një realitet zhgënjyes, siç e quan ajo të djeshmen dhe të sotmen, të jesh vajza e një poeti kombëtar nuk është shumë e thjeshtë. Lasgushi të mahniste si prind, si artist, me thjeshtësinë e tij, me dashurinë për njerëzit, me aftësinë për t’i mbijetuar një sistemi, pa u përfshirë, pa mëkate. E mbështetën si Fan Noli ashtu dhe Ahmet Zogu në kohën e studimeve dhe në punësimin e tij, ndërsa sistemi komunist e përdori si një përkthyes të rëndomtë. Sipas Maries, gjërat nuk kanë ndryshuar dhe aq për mirë. Heshtja vazhdon të mbulojë një figurë si Lasgush Poradeci dhe ende poezitë e tij nuk janë aq popullore sa meriton një shkrimtar i të tilla përmasave.
Maria zbulon disa ndodhi në jetën e Lasgush Poradecit dhe hedh dritë mbi poezi e fakte të rralla që vijnë për herë të parë nëpërmjet një interviste për tesheshi.com…

Marie Gusho - E bija e Lasgushit
Marie Gusho – E bija e Lasgushit

Marie, kur e kuptuat madhështinë e figurës së Lasgush Poradecit dhe këtu nuk flas vetëm për poezinë e tij? Sigurisht jo menjëherë, por ditë pas dite, vit pas viti, dhe mendoj se akoma nuk e kam kuptuar, sepse një gjeni nuk kuptohet plotësisht. Po të kuptohet, qoftë edhe nga njerëz që kanë jetuar me të, që kanë gjakun e tij, ai nuk është më gjeni, mendoj unë.
Keni të drejtë kur thoni jo vetëm për poezinë e tij, sepse në fakt jeta e tij i kalon përmasat e veprës së tij. Babai im e kishte fituar titullin “Poet kombëtar”, por këtë nuk e kishte të shkruar në ballë. Ai kish fituar zemrat e njerëzve, edhe të njerëzve të thjeshtë dhe për këtë krenohem, por vetëm kaq, të tjerat unë duhej t’i njihja kohë pas kohe. Unë, që e vogël, nuk e kam lexuar veprën e tij, e kam mësuar përmendësh. Thellë edhe me naivitetin e një fëmije e ndjenja madhështinë e njeriut, që fati e kish caktuar të ishte babai im. Vija re me shumë vëmendje, sidomos kur ai bisedonte me njerëz, që e vizitonin. Më bënte përshtypje sa shumë gjëra dinte, çdo gjë. Vija re diferencën kulturore mes tij dhe biseduesve. Im atë zotëronte mbi 6 gjuhë dhe mund t’i fliste lirshëm ato sikur t’i kishte gjuhët e nënës. E pyesja për vitet kur studionte në Universitetin e Grazit, studime të cilat i përfundoi me marrjen e doktoraturës, duke fituar titullin e lartë Profesor. Ai nuk lodhej, me tregonte plot gjëra dhe më mahniste. Më mahnisnin sytë e tij të mrekullueshëm që i merrnin një lloj shkëlqimi që nuk e kam ndeshur në asnjë njeri deri më sot. Edhe kur isha e pakujdesshme në pyetjet e mia, ai dinte ta gjente përgjigjen. Im atë nuk më ka gënjyer kurrë. Pyesja veten: “Përse babai im nuk punon si ata, që i thërrasin “Profesor”, por punon si punëtor i normuar përkthimi në Ndërmarrjen e Botimeve me një rrogë qesharake prej 5700 lek në muaj? Im atë u bë prind rreth moshës 60 vjeç dhe doli në pension kur ishte 75 vjeç. Mendo pak, me atë rrogë qesharake, me shëndet të dobët, probleme familjare të tmerrshme, që duhej të shkonte në farmaci natën, kur fëmija i sëmurej, kur fëmija qante etj. Mendo, në këto kushte janë përkëthyer të gjitha ato kryevepra të letërsisë botërore si Gëte, Hajne, Mickieviç, Lenau, Pushkin, etj…”
Unë nuk e kisha parë arkivën e tij, deri në moshën 20 vjeç.  Isha rritur me atë edukatë që nuk mund të fusja hundët në ato gjëra që nuk më përkisnin, përderisa ai nuk më ftonte dhe të më tregonte se çfarë kishte atje. Por tani e kuptoj pse-në. Nuk kishte ardhur koha! Atje ishte e gjithë jeta e tij me të gjitha të mirat, vështirësitë, sekretet e të vërtetat e shumë gjëra që duheshin hapur në një kohë tjetër. Dhe koha tregoi që të vetmit njerëz, besnikë të tij ishim vetëm ne, familja e tij, mamaja dhe ne dy vajzat e tij.
Kur kam parë arkivën e tij kam ngelur pa frymë dhe kam thënë: Zot i madh e i vërtetë, shyqyr që e ruajte këtë arkivë, aq sa munde, nga injorantët e Sigurimit të Shtetit, sepse në shtëpinë tonë hynin si miq edhe njerëz të dërguar të sistemit, që për fat të keq tani dalin që nuk kanë patur atë qëllim që reklamonin, por detyra të tjera. Kjo arkivë është pasuri kombëtare. Unë me motrën e kemi sistemuar nëpër dosje, duke ruajtur me shenjtëri çdo gjë të tij dhe herë pas here kemi botuar nga ky thesar gjëra të mrekullueshme.

Lasgush Poradeci i ri
Lasgush Poradeci i ri

Pse Lasgushi mbetet ende i panjohur për shqiptarët? Kush ka ndikuar në heshtjen jo të zakontë që mbulon poetin kombëtar? Shqiptarët e vërtetë e duan, madje e duan shumë, por unë mendoj se në këtë heshtje janë persona të caktuar që ndikojnë, jo të pakët, që në mënyrën më të kamufluar kanë penguar dhe pengojnë që ai të shfaqet njerëzve, siç është në të vërtetë. Po ju tregoj disa fakte; Në socializëm, gati 50 vjet ai nuk u promovua kurrë, nuk ju botua vepra asnjëherë me përjashtim të ndonjë libërthi të vogël, që sa doli “humbi”. Nuk ju njoh titulli i profesorit në Filologji që e kishte fituar me tërë shkëlqimin që mbante ky titull. Unë e motra e kemi botuar në një libër të veçantë edhe disertacionin e mbrojtjes së këtij titulli. E kam botuar me njëmijë mundime, me shpenzimet tona. Kemi qenë vetëm. Atyre që ju kërkuam ndihmë na kthyen krahët. Por kjo nuk na lodhte. Na lodhnin shkopinjtë nën rrota që na vendosnin njerëzit e këqinj, ata që i zhuritte zilia, pasi nuk kishin një të tillë me çfarë të mburreshin. Nëqoftëse i kanë, le t’i botojnë këta “Profesorët” fallso. Po nuk kanë asgjë. Kanë vetëm tituj, që ja ka dhënë komunizmi si sahanlëpirësa.
Im atë ishte filolog. Kush më bukur se ai dinte ta shkruante gjuhën shqipe? Përse nuk e bënë anëtar të Akademisë së Shkencave?
Mbas atij, që i thanë çlirim, zërat për tim atë heshtën. Komunizmi shpalli de fakto vdekjen e tij. Në shkollën e mesme ai bëhej kalimthi, kurse në Universitet, në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, vetëm dy orë. Si do njihej ai? Shumë njerëz e dinin të vdekur.
Ata njerëz të paktë të letrave që vinin në shtëpinë tonë, që ndoshta edhe e markonin, ose vinin për qëllime të caktuara, nuk shkruanin për të. Ndoshta kishin frikë, ruanin veten e tyre.
Ju me të drejtë më pyesni: akoma vazhdon heshtja për të? Sigurisht që vazhdon, përderisa janë po ata që ishin dje. Por tani janë më të egër sepse çdo gjë e masin me para. Deri më sot asnjë institucion shqiptar, nuk e ka festuar tim atë. Të gjitha këto organizma të krijuara, gjoja kulturore, që janë mbushur me injorantë ose nuk e njohin ose nuk e konsiderojnë. Edhe ndonjë përpjekje e vogël, që është bërë, është bërë për të parë se çfarë do fitojnë organizatorët. Festohen dhe promovohen vetëm ata që ishin dhe janë të lidhur me të djeshmen socialiste me njëmijë fije. Nëse duket sikur bëhet diçka për ndonjë të persekutuar, bëhet për të ngatërruar të vërtetën.
Unë dhe motra ime i kemi botuar poezitë e tij me shpenzimet tona, por çudia është se prapë poezia e tij nuk është futur nëpër bibliotekat e shkollave, e kanë penguar vetëm me qëllim përfitimi. Në vend të veprës së tij, kanë futur për turp një libër të një pogradecari, që s’dua t’ia përmend emrin, gjoja me kujtime. Një libër i porositur, me sajesa. E si do ta njohin nxënësit veprën e tij? Qëllimi dashakeqës i tyre është edhe të mos e njohin edhe t’i molepsin nxënësit me gënjeshtra edhe të fitojnë ca para. Poeti njihet nëpërmjet veprës së tij jo çfarë duan të thonë të tjerët me meselera kafeneje.

Lasgush Poradeci pati një jetë tepër të vështirë për shkak se nuk u pajtua asnjëherë me pushtetin. I dinte pasojat që do të kishit ju vajzat e tij? Po me ardhjen e demokracisë pati ndryshim në jetën tuaj? Babai im bën pjesë tek ata njerëz, që çdo komb po ta kishte, do të ndihej krenar. Nuk kishte se si ai, me gjithë atë kulturë që zotëronte, të bëhej sahanlëpirës për disa njerëz pa vizion. Ai nuk shkroi për ta sepse ishte poet i përjetësisë. Të shkruash për politikën e një partie do të thotë që kur vdes politika e asaj partie ka vdekur edhe vepra jote. I dinte pasojat që do të kishim edhe ne vajzat e tij por gjithmonë na thoshte: “Ju nuk duhet ta harroni kurrë që jeni vajzat e Lasgush Poradecit!” Mbas vitit 1944, komunistët që erdhën në pushtet e përjashtuan babain tonë nga “Festa”. Këtë gjë bënë edhe postkomunistët në vitin 1991, kur morën pushtetin. Na përjashtuan mua dhe motrën time nga “Festa”. I shpërblyen të gjithë fëmijët e atyre që iu kishin shërbyer komunistëve. I bënë drejtorë, ambasadorë, shefa, kurse mua dhe motrës time vazhduan të na e nxijnë jetën, me gjëra të vogla në dukje, njësoj si më parë. Pikërisht për atë që përfaqësoj, sepse nuk jam si ata, që kanë uzurpuar postet shtetërore, ma kanë nxirë punën dhe vazhdimisht më kërcënojnë të më heqin. E çfarë jam unë? Një specialiste vendosur aty në përputhje me të gjitha ligjet e shtetit. Sjellja e tyre tregon se im atë, i ka shkelur fort, se ai nuk shkroi asnjë fjalë për socializmin, për etërit e tyre dhe ata nuk e harrojnë. Vazhdojnë hakmerren me fëmijët. Më keq për ta.

Lasgushi me Vajzat - Marien dhe Kostantinen
Lasgushi me Vajzat – Marien dhe Kostantinen

Ju ruani edhe një ngjarje të veçantë të regjistrimit të babait tuaj në Akademinë e Arteve të Bukura në Bukuresht kur nuk lejohej regjistrimi i të huajve? Po, është një histori që ma ka treguar im atë. Qeveria rumune për të ndaluar regjistrimin në Universitet, të çifutëve, kishte shpallur që: “Ndalohej regjistrimi në Universitet i të gjithë të huajve”.  Kështu që, Lasgushi duhej të merrte një leje speciale nga Ministri rumun i Arsimit. Po si mundej ta takonte ky djalosh 21-vjeçar, i ardhur nga Shqipëria, ministrin rumun dhe t’i kërkonte atij një leje speciale për t’u regjistruar në Akademi? Ky ishte një problem i madh. Por dëshira e madhe, që ai të shkelte pragun e lartë të Universitetit, e mësoi atë që zgjidhja të gjendej. Bashkë më një shokun e tij rumun morën një karrocë pasanikësh dhe një kostum pasaniku me qira. Karrocieri i mësuar më parë do t’i hapte derën Lasgushit të veshur shik, kur karroca të ndalonte para Ministrisë. Kështu portieri i ministrisë, duke kujtuar se ai ishte djalë pasaniku, nuk do t’i kërkonte fletëhyrje. Dhe ashtu ndodhi. Babai më thoshte: “…Hyra brenda në Ministri, po nuk dija ku të shkoja. Fillova të hap me radhë dyert. Duke hapur dyert më qëlloi që në një sallë, ishte Këshilli ministror. Kur hapa derën unë, ata u shtangën. Kishte pak vite, që ishte kryer Revolucioni i Tetorit dhe në botë qarkullonin terroristë.  Unë fillova të flas, duke ju thënë, mos kini frikë, unë jam një djalosh nga Shqipëria dhe dua të takoj z. Ministër për t’i kërkuar një leje speciale që të regjistrohem në Akademinë e Arteve të bukura. Flisja me një rumanishte të shkëlqyer të cilën e kisha mësuar në Liceun rumun të Manastirit. Ju thashë se kisha lexuar poetët e tyre dhe se e dija përmendësh poetin e madh Mihaii Eminescu. Filluam të bisedonim dhe ata çuditeshin me kulturën time.  Vendosën të më jepnin një leje speciale për t’u regjistruar në Akademi. Por duhej t’i nënshtrohesha konkursit.  Konkursi zgjaste pesë ditë. Të gjithë konkurrentët mbylleshin në një sallë dhe duhej të vizatonin skulpturën e Venerës ose Afërditës, perëndeshën e bukurisë. Unë e fitova konkursin, dola i pari, sepse kisha filluar të vizatoj qysh i vogël, në Pogradec dhe m’u duk provim shumë i thjeshtë. Dhe kështu u regjistrova në Akademinë e Arteve të Bukura…”

Lasgushi me familjen... në Liqenin e Tij...
Lasgushi me familjen… në Liqenin e Tij…

Lasgushi nuk u bë kurrë politik në poezinë apo pikturën e tij, por ka një poezi të shkruar në gjuhë të huaj që ka një mesazh të fortë dhe është përdorur nga politika. Ka një histori të veçantë kjo poezi? Pikërisht këtë po thoja më lart. Babai më ka treguar: Unë vizatimin e mbarova që ditën e parë dhe pastaj ditët e tjera po bëja portretet e shokëve, që ishin në sallë. Kam bërë edhe një  vjershë në rumanisht, që unë e kam quajtur POEMUL (Poemë), për pesë ditët e konkursit në Akademinë e Arteve të Bukura në Bukuresht. Këtë poemë shumë të bukur, shkruar me një rumanishte të shkëlqyer unë, vajza e tij, ia dhashë për ta përkthyer Dionis Bubanit dhe e kam botuar para shume viteve.
Pjesa e fundit, mbyllëse e kësaj poeme është kjo:

Lamtumirë!/ A jeni gjigandë,/ Apo shkurtabiq,
Me mall ju përshëndes/ O të dashur miq!

Qofshit porsi dimëra,/ O të trishta fare.
Përshëndetje dhe nderime/ Artiste krenare!

Këtë pjesë një deputet shumë i kujdesshëm karshi kulturës e përdori në parlament, por të jem e sinqertë, kjo vjershë nuk ka konotacion politik, por ai e përdori sepse ju duk si zgjidhje shumë e bukur në atë kontekst që e kishte ai.

Ka një ngjarje të veçantë në jetën e babait që lidhet me qeverinë e Nolit? Babai, vërtet arriti të regjistrohej në Akademi, por ai nuk kishte bursë. Nuk kishte me çfarë të jetonte dhe për ta përballuar ai ka bërë punë të ndryshme, atje në Bukuresht. Ka shitur gazeta, shpërndante fuçitë me birrë nëpër restorante, ka punuar si kopist në hekurudhë, ka dhënë mësime frëngjishteje për fëmijët e pasanikëve të Bukureshtit etj. Kolonia shqiptare e Bukureshtit, ku babi ishte sekretar, me ardhjen e qeverisë së Fan Nolit në pushtet, i bëri kërkesë qeverisë për t’i dhënë Lasgushit një bursë për të studiuar. Por babi e donte këtë bursë me një kusht: të ishte në një nga vendet gjermanishtfolëse. Një ditë babi shkon në Konsullatën shqiptare në Bukuresht dhe Asdreni i gëzuar i thotë: po ku je more Lasgush, ka ardhur telegram nga Shqipëria dhe të është aprovuar bursa. Telegrami thoshte: “Lasgush Poradeci emërohet bursier i shtetit shqiptar. Të studiojë albanologji! Të niset për Berlin!”. Mbaruan hallet. Babai niset dhe shkon në Berlin, por atje nuk kishte katedër albanologjie, shkon në Lajpcig po ashtu edhe atje nuk kishte dhe kalon në Austri. Në Vjenë nuk kishte dhe përfundon në Graz ku gjithashtu nuk kishte dhe ai regjistrohet në Universitetin e Grazit, në fakultetin e gjuhëve romano-gjermanike. Atje përfundon me sukses studimet dhe në maj të vitit 1933, mbron doktoraturën me temën “Eminescu i injoruar dhe lidhja e tij me filozofinë popullore vendase”.

 Lasgushi në qendër me nxënës të Gjimnazit të Tiranës (foto e arkivit tPoradeci botohet për herë të parë)
Lasgushi në qendër me nxënës të Gjimnazit të Tiranës
(foto e arkivit Poradeci botohet për herë të parë)

Çfarë titujsh nderi ka marrë Lasgushi nga vendlindja dhe shteti shqiptar? Pse nuk u njoh asnjë herë doktoratura e tij? Unë mund të hamendësoj plot arsye pse nuk ja njohu shteti shqiptar titullin Profesor-Doktor që mori në Austri, mund të ketë qene për arsye politike, xhelozie, inati, zilie, etj. E vërteta ndoshta do të dali pasi të hapet dosja që ai me siguri ka patur në Sigurimin e Shtetit.
Qyteti i tij i lindjes i ka dhënë titullin e nderit “Nderi i qytetit” dhe qarku titullin e nderit “Nderi i qarkut”. Ndërsa shteti shqiptar i ka dhënë Dekoratën “Nderi i Kombit”.  Por dua të theksoj se të gjitha këto janë vetëm letra pa asnjë shpërblim megjithëse Ligji “Për dekoratat dhe titujt e nderit”, e përcakton qartë mënyrën se si jepet shpërblimi. Kanë ngritur edhe një monument në Pogradec, por varrin e tij e kanë mbuluar barishtet, asnjëherë nuk janë kujdesur që t’i botojnë veprën dhe biblioteka e qytetit asnjëherë nuk ka blerë asnjë libër të tij. Një copë kopësht të vogël që kishim trashëgim nga babai, buzë liqenit, na e kanë vjedhur me paturpësinë më të madhe, e kemi me dokumente të rregullta por vetëm na hedhin nëpër gjyqe. Kemi 20 vjet, na kanë mërzitur. Me shtëpinë e tij nuk merren fare, vetëm dinë të na fajësojnë ne vajzat. Ka 20 vjet që ka dalë vendimi i qeverisë për kthimin e saj në shtëpi muze dhe mafia e fsheh. Ish-kryetari i Bashkise së Pogradecit, Artan Shkëmbi, është i vetmi, që ka bërë diçka me të vërtetë. Na ka lehtësuar shpenzimet e shtypshkronjës për katër libra. Unë e falenderoj. Duhej të bënte më shumë, por ndoshta nuk ka mundur.

Dekretimi i Ahmet Zogut për emërimin e Lasgush Poradecit si profesor i gjuhes shqipe
Dekretimi i Ahmet Zogut për emërimin e Lasgush Poradecit
si profesor i gjuhes shqipe ne Gjimnazin e Tiranes

Jeni vajza e një shkrimtari të madh shqiptar. Si e keni ndjerë këtë? Për këtë gjë zakonisht nuk më pëlqen të flas, por unë jam e ndërgjegjshme sepse ky fakt është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhi një personi. Ka brenda shumë lumturi, por ka edhe shumë dhimbje. Unë ndjehem krenare kur njerëz me kulturë sapo marrin vesh që jam e bija e tij ju ndriçon fytyra, shprehin habi, kuriozitet, dashuri, fillojnë recitojnë vargje të tij. Dhe kjo bën pjesë te lumturia e këtij fakti. Por dhimbja është me mediokrit. Ata që nuk dinë çfarë është një poet, që nuk kanë lexuar kurrë në jetën e tyre një libër. Ka pastaj edhe ziliqarë, që sëmuren kur e dëgjojnë këtë gjë. Duhet të jesh e përgatitur për t’i përballur të gjithë.

Ju keni nxjerrë shpesh materiale të veçanta nga arkiva e babait tuaj duke iu përshtatur edhe një periudhe të caktuar. Çfarë dokumenti do të kemi kënaqësinë të publikojmë në portalin tesheshi.com? Po, dua që këtë herë të ekspozoj Dekretin e Mbretit Zog për emërimin e tij si profesor i gjuhës shqipe në gjimnazin e shtetit Tiranë. Atëherë, profesorët emëroheshin me dekret mbretëror. Ja duket firma e mbretit Zog, e kryeministrit dhe ministrit të Arsimit. Mbaj mend babi më thoshte: “Në kohën e Mbretit Zog unë bëja dy kostume në vit, në komunizëm nuk kam mundur të bëj në dyzet vjet as një kostum”. Dhe ta mendosh që Zogu e ftoi që ai të jetonte në pallatin e tij, por im atë nuk pranoi. Megjithatë Zogu e respektoi vendimin e tij dhe nuk u hakmor.
Marrë nga tesheshi.com/ 20gusht, 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.