back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Gjaku Blu i Europës në Tiranë në Dasmën e Princ Lekës së II me Elia Zaharian

Gazeta

Princ Leka dhe Elia Zaharia
Princ Leka dhe Elia Zaharia

Gjaku Blu i Europës në Tiranë

në Dasmën e Princ Lekës së II me Elia Zaharian

me 8 Tetor 2016

Të vetmen dasëm mbretërore që ka ndodhur në Shqipëri shumë vite më parë, shqiptarët e njohin vetëm përmes pamjeve filmike dhe fotografike, por shumë shpejt ata do të përjetojnë një ngjarje të ngjashme, që pritet të bëjë xhiron e botës.
Nipi i mbretit Zog, do të kurorëzojë martesë me një vajzë nga Shqipëria, artisten Elia Zaharia.
Ambientet e Pallatit Presidencial do të mirëpresin ceremoninë madhështore të dasmës ne datën 8 tetor, që me ç’parashikohet, do të tërheqë vëmendjen maksimale të publikut. Gjithë familjet mbretërore europiane dhe më gjerë, janë ftuar të jenë dëshmitarë me gjithë shkëlqimin dhe sharmin që i karakterizon. Tingujt e kambanave kanë rënë me kohë për Princin Leka i II dhe zonjushën Elia Zaharia.
Një vajzë, si gjithë vajzat shqiptare, Elia Zaharia që si në përralla e gjeti “Princin e Kaltërt”! Thotë… se dasma e saj nuk do të jetë një dasmë si gjithë të tjerat. Të paktën jo si dasmat e organizuara dekadat e fundit në Shqipëri.

Princ Leka i II dhe Elia Zaharia
Princ Leka i II dhe Elia Zaharia

Martesa e parë mbretërore

Dasma mbretërore që jo për koincidencë, do të zhvillohet në datën e lindjes se Mbretit Zog, do këtë pikëtakime me dasmën e gjyshit të Princ Lekës, me atë që quhej “Trëndafili i Bardhë Hungarez”.
Në 27 prillin e vitit të largët 1938, në një ceremoni madhështore të zhvilluar në ambientet e Pallatit Mbretëror në Tiranë, sot Akademia e Shkencave, Monarku Ahmet Zogu vuri kurorën martesore me princeshën Geraldina Apony. Kontesha hungareze kishte bukuri të rrallë, aq sa në enciklopedinë e princeshave europiane njihej me emrin “Trëndafili i Bardhë Hungarez”. Geraldina ishte vetëm 25 vjeçe, kur vuri kurorë me 42-vjeçarin, Ahmet Zogu.

Mbreti Zogu i I dhe Kontesha Geraldina Apony
Mbreti Zogu i I dhe Kontesha Geraldina Apony

Takimi i parë mes tyre u realizua në Tiranë në vigjilje të Vitit të Ri, ku diplomatët shqiptarë i prezantuan mbretit në një ballo vajzën 21-vjeçare, për të cilën gazetarët shkruanin më shumë adhurim e dashuri. Në kujtimet e saj Geraldina është shprehur se “…ishte dashuri me shikim të parë dhe tregon se në momentin kur do të trokiste gotën me mbretin, dora iu drodh dhe gota i ra në dysheme…
Asnjëherë nuk e largoi vështrimin nga unë, ndërsa më ofroi një gotë shampanjë. Gishtat tanë u prekën dhe në atë çast dritat u vagëlluan… Ishte pikërisht mesnatë dhe kështu e donte zakoni shqiptar. Ngaqë isha në angështi, e lëshova gotën, e cila u thërrmua në mijëra cifla kristalesh të vogla. E ndjeva se u zbeha në fytyrë, por Mbreti qeshi. Ciflat sjellin fat, – tha ai në gjermanisht dhe më ra në dorë si për të më siguruar. Jehona e dymbëdhjetë tik-takeve të mesnatës ende nuk ishte fashitur, kur një valë e fortë duartrokitjesh dukej se do ta shembte dhomën. Nga të gjitha anët dhe në të gjitha gjuhët u dëgjua thirrja: Fat të bardhë! U ndjeva si asnjëherë më parë. Kisha rënë në dashuri!”.

Mbreti Zogu i I dhe “Trëndafili i Bardhë Hungarez”
Mbreti Zogu i I dhe “Trëndafili i Bardhë Hungarez”

Në një ceremoni mondane, me pjesëmarrjen e dhjetëra diplomatëve të huaj, u zhvillua ceremonia e martesës mes Ahmet Zogut dhe konteshës Geraldinë Apony.
Edhe një fakt tjetër do t’i shtonte notat e rëndësisë kësaj ceremonie krejt të rrallë. Dasma u mbulua nga 80 gazetarë vendas dhe të huaj. Lajmi bëri xhiron e botës duke dalë në faqet e para të gazetave.

Mbreti Leka i I dhe Susan Cullen-Ward
Mbreti Leka i I dhe Susan Cullen-Ward

Martesa e dytë mbretërore

Çdo vajzë ndihet si një princeshë në ditën më të veçantë të jetës. Edhe për Elian me siguri do të jetë kështu dhe ndoshta pak më shumë. Elia Zaharia, është tashmë princesha që rrëmbeu jo vetëm zemrën e princit Leka, por edhe te publikut. Elia Zaharia, dikur pjesëtare e grupit muzikor “Spirit Voice” rrëfen detaje kur takoi Princ Leken. Takimi në një bar të Tiranës në vitin 2002, do të pasohej nga shumë takime të tjera.
“Takimi ynë ndodhi në vitin 2002, në atë kohë kam qenë pjesë e grupit “Spirit Voice”. Ky takim u pasua nga shumë takime të tjera”

Prin Leka i I dhe Susan Cullen-Ward
Mbreti Leka i I dhe Susan Cullen-Ward

Mediat më me zë të Europës, si Hola TV nga Spanja, apo M6 nga Franca janë vetëm disa nga televizionet që po përcjellin ndërkombëtarisht përgatitjet e dasmës, dhjetëra gazetarë të tjerë të huaj pritet ta mbulojnë ceremoninë martesore. Ka edhe revista si ajo suedeze me emrin “Svensk Damtidning”, e cila i ka kushtuar një reportazh dasmës mbretërore te Zogut dhe Geraldines, vite me vone e njëjta revistë ka shfaqur të njëjtën interes për dasmen e princit Leka dhe Elias.
Përveç intervistave, çifti Elia dhe Princ Leka duan që dasma të shërbejë si reklamë për Shqipërinë, pasi gazetaret që po e pasqyrojnë atë janë bërë pjesë e turit turistik nga Alpet deri në Rivieren shqiptare.
“Vendosëm të ftojmë personalitete për t’i dhënë mundësi Shqipërisë të promovohet. Media ndërkombëtare është ftuar të ndjekin eventin, por kemi projektuar edhe udhëtime me ta nga Alpet e Veriut deri ne Rivierë. Janë akredituar shume gazetarë, kemi pasur median që kanë ardhur të na takojnë për të realizuar reportazhe si ajo spanjolle Hola TV, atë franceze M6, etj.”. Elia tregon se përgatitjet për dasmën kanë nisur prej kohësh. Ftesat siç e kërkon protokolli iu janë shpërndarë familjeve mbretërore europiane dhe jo vetëm, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar shumë prej tyre, por për çështje sigurie emrat nuk mund të bëhen publik.
“Ftesat familjeve mbretërore europiane u janë shpërndarë prej kohësh siç e kërkon protokolli. Lista e konfirmimeve është përtej pritshmërive tona. Emrat e tyre nuk mund t’i bëjmë publik për arsye sigurie. Ndërsa ftesat janë shpërndarë brenda vendit vetëm për familjarët tanë deri tani!”.

Princ Leka i II dhe Elia Zaharia
Princ Leka i II dhe Elia Zaharia

Ceremonia e dasmës së dytë mbretërore

Pallati i Presidencial pas kaq shumë viteve duket se do të marrë shkëlqimin mbretëror qoftë edhe për një natë. Kujtojmë se Mbreti Zog dhe mbretëresha Geraldina nuk jetuan asnjë ditë në rezidencën, e cila u projektua nga tre arkitektë italianë. Mbreti nuk e mori kurrë me mend se para se të ndërtohej pallati do të detyrohej të linte vendin nga pushtimi italian. Ndërkaq, italianët e mbaruan ndërtimin për mbretin e tyre Viktor Emanuel, i cili gjithashtu nuk e përdori as edhe një ditë të vetme, për të rënë më pas në duart e komunistëve, të cilët nuk e shkatërruan!
Dasmorët do të akomodohen në ambientet e jashtme ndërsa ceremonia e kurorëzimit është planifikuar të mbahet në Dhomën e Fronit ose siç quhet ndryshe në “Sallën Skënderbe”. Dekori do të jetë romantik. Nusja e ardhshme nuk ngurron të na zbuloje disa detaje lidhur me fustanet që do të veshë, për unazat të cilat janë porositur në Belgjikë si dhe për pjesëmarrjen e gjithë klerikëve në dasme, një tradite tipike kjo e familjes mbretërore shqiptare.
“Nuk do të jetë vetëm një fustan, do të jenë disa të tillë. Fustanet do dizenjohen nga stilistë shqiptarë, ende nuk e kemi vendosur nëse do të ketë elementë tradicionale, folklorikë. Unazat janë porositur në Belgjikë, ndërsa gjithë kleri shqiptar do ta bekojë këtë dasmë me një lutje. Duam të tregojmë që Shqipëria edhe pse një vend kaq i vogël, përcjell një mesazh universal siç është toleranca fetare”.

Elia Zaharia
Elia Zaharia

Çifti po ndihmohet për përgatitjet e dasmës nga kompani të specializuara europiane për këtë lloj eventesh si dhe po merr këshilla protokolli nga familje mbretërore mike.
Historia përsëritet në mënyrën e saj, asgjë nuk është rastësi…
Një detaj interesant, janë ftesat te cilat janë shkruar me kaligrafinë e piktorit Avni Delvina, nipit te ish-ministrit të Drejtësisë Hiqmet Delvina, njeriut që dikur firmosi martesën e monarkut Zog dhe Geraldines, moment ky i përjetësuar ne këtë fotografi. Dasma mbretërore shqiptare me të ftuar elitarë të gjakut blu nga të katër anët e botës do të jetë padyshim Dasma e Vitit që do të mbahet mend gjatë.
https://www.voal.ch

Elia Zaharia dhe Avni Delvina me ftesat e Dasmës së 8 Tetor 2016
Elia Zaharia dhe Avni Delvina me ftesat e Dasmës së 8 Tetor 2016

Elia Zaharia – Princesha e Vjeshtës 2016*

Elia Zaharia prej ditësh tregon në Instagram udhëtimin e saj në Gjermani së bashku me të fejuarin Princ Leka II. Gjatë qëndrimit atje, çifti ka vizituar një sërë pallatesh, kështjellash dhe kullash përrallore dhe ajo çfarë bie në sy në fotot e publikuara është stili i veshjes dhe look-u Elias.
32-vjeçarja, një princeshë pa kurorë, duket se nuk ka nevojë për këtë të fundit për të shpalosur elegancën e saj tipike princeshash. Fustanet e gjata, kapelet e panumërta janë disa prej karakteristikave të garderobës që nuk mungojnë në look-un e saj, siç nuk mungojnë as në atë të Kate Middleton, Princeshës së Suedisë, apo në ikonat mbretërore si Grace Kelly apo Lady Diana.
Me stilin e saj elegant të veshjes, Elia duket se nuk gabon thuajse asnjëherë në zgjedhjet që bën, pavarësisht vendeve që i duhet të
frekuentojë.

Elia Zaharia si pjesë e grupit "Spirit Voice"
Elia Zaharia si pjesë e grupit “Spirit Voice”

Të njëjtën gjë bëri edhe në eventin që organizoi në Tiranë në nder të 77 vjetorit të martesës së mbretit Zog, me veshje të frymëzuara nga vitet ’30, dhe nuk ka zhgënyer as në ballon mbretërore të fundvitit apo në mbrëmjet mondane që organizojnë pallatet mbretërore në botë.
Ndonëse ka zgjedhur të jetojë një jetë të qetë dhe të tërhequr, ajo ia del të ketë vemendjen e duhur në daljet publike me elegancën e saj dhe veshjet klasike.
(marrë nga revista Anabel, shtator 2015)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.