back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

“Omnia Vincit Amor”* nga Anissa Markarian

Gazeta

Anissa Markarian
Anissa Markarian

“Omnia Vincit Amor”*

nga Anissa Markarian

Kur linda unë, im atë ishte 64 vjeç e ime më 41. Isha fëmija i tyre i parë; im vëlla do të vinte në jetë 4 vjet pas meje.
Në një foto bardhë e zi të fundvitit 1961, prindërit e mi pozojnë të shtrënguar pas njëri-tjetrit në rërën e lagësht përpara hotel “Adriatik”-ut. Jam edhe unë aty…
Në brendësinë e ngrohtë të sime mëje, duke shijuar (në mënyrë fiziologjikisht të pandërgjegjshme), të vetmen periudhë të jetës sime në të cilën bota më projektohej uniformisht njëngjyrëshe: e kaltër. (Ndoshta sepse isha ngjizur në Durrës, pranë detit?!)
Nuk kisha dëgjuar akoma prapa veshit pëshpëritjet keqdashëse “sa të moshuar i ka prindërit”; nuk kisha kryqëzuar ende vështrimet e çoroditur të atyre që me hamëndje më merrnin për mbesën e prindërve të mi; nuk ma kishin tejpërshkuar zemrën shigjetat e helmuara të “specialistëve” që hapnin fjalën se isha fëmijë i adoptuar. (Fekondimi artificial duhej të ishte në ato vite një ide edhe më utopike se sa zbarkimi i marsianëve tek Currilat.) Ç’ishte më e keqja, nuk shqiptoja dot as edhe një rrokje, që të mund t’u përgjigjesha: “O njerëz, mos ma qani hallin!”

Durrës, Nëndor 1961 - "jam edhe une ne kete foto......
Durrës, Nëndor 1961 – “jam edhe une ne kete foto…”

Atë verë të vitit 1962, fakti që një burrë i shkurtër, pothuaj krejt i shogët (më i bukuri mbi dhé!) e një mesogrua (më fatlumja e botës!) ishin bërë prindër për herë të parë, duhej të ishte ndër “ngjarjet” më të përfolura në Tiranë.
-E morët vesh lajmin? Doktor Markarian u bë baba!
-Ouu?! Kam frikë se po ngatërrohesh. U bë gjysh, deshe të thuash.
-Jo, mi jo! I lindi e shoqja vajzë.
-Ashtuuu?!! Po mirë ai, se burrat nuk janë kurrë të vjetër për atë “punë”, po… ajo?! Si paska mundur të mbetet shtatzënë në moshën që ka?!
-Hë, pra! Atë them dhe unë. Kushedi ç’marifet do të kenë përdorur…
-E ç’u duhej fëmija në këtë moshë?! Apo, që ta lënë jetim?
-Thua do të jetë sakllam ajo vajzë?!
-Edhe në qoftë, do ta ketë të pamundur të rritet normale.
-E shkreta gocë… S’do mund të jetojë normalisht me prindër aq të moshuar…
Ju kishit të drejtë, përfolësa anonimë. Asgjë nuk ka qënë “normale” në jetën time.
Dhe aq më mirë!
Normalitetin e kam quajtur gjithnjë një status sa të palakmuar aq edhe të pamjaftueshëm. Të mërzitshëm, bile. Pothuaj të rrezikshëm! Sepse të mpin shqisat, të ndrydh iniciativën, të fyen krenarinë, të çvesh petkun e veçantisë, të zhyt në rëndomtësinë e pabujë, të vjedh të jashtëzakonshmen… (Ndërkohë që fati sapo më kishte dhuruar “anomalinë” e parë shkëlqimtare: dy prindër “të moshuar”.)

Familja Markarian dhe unë 1 vjeçe
Familja Markarian dhe unë 1 vjeçe

Alergjia ime ndaj normalitetit do ta ketë marrë zanafillën që në ditët e para pas lindjes. Pa e kuptuar, pa e kërkuar. Ndërsa më shëtitnin rrugëve të Tiranës me karrocën e blerë tek “Valuta” që, nga forma dhe përmasat, i përngjante një krevati fëmijësh me rrota. (Do të vazhdoja të përfitoja nga bollëku i gjerësisë së saj edhe pas lindjes së tim vëllai; prindërit më lejonin të ulesha në këmbët e tij, me këmbët e mia të varura jashtë karrocës.)
Jo, nuk isha e prerë për një jetë “normale”. Dhe aq më mirë!
Im atë nuk guxoi të më puthë në faqe gjer sa u bëra 1 vjeç, me frikën se mund të më lëndonte lëkurën foshnjore me buzët e tij të rrudhura. Vetëm më merrte erë në gushë, më përkëdhelte flokët, më puthte gishtat e duarve dhe të këmbëve. Dhe më fliste… Në armenisht. Mbrëmjeve më këndonte ninullat e fëmijërisë së tij, me të cilat kishte nanurisur edhe motrat e vëllain e vogël. Më në fund, mrekullisht, fati i kishte dhënë lumturinë t’ia këndonte bijës së vet; do t’ia këndonte edhe të birit, 4 vjet më pas.
Unë e im vëlla jemi frut i dashurisë së një burri të pjekur e të një vajze flokëthinjur, që e kryen gjer në fund misionin e tyre mbi tokë. Pa bërë llogari me moshën, pa iu përvjedhur përgjegjësive, pa iu trembur nofkës poshtëruese “prindër-gjyshër”.
Oh, si kam qarë ditën kur im atë më tërhoqi mënjanë për të më thënë, si i zënë në faj: “më mirë të mos vij në mbledhjen e prindërve, sepse s’dua të të vë në siklet përpara shoqeve e shokëve të klasës, që i kanë baballarët të rinj!”.
O babi im i bukur, të vunë përfund normalët?! Ç’fat, që u rrita ndryshe nga “ata”…
Në familjen time nuk përgojoheshin të tjerët, nuk thuheshin kurrë fjalë të pista (të më falin ithtarët e fjalorit “rebel”), nuk shpërdorohej koha, nuk ngrihej kurrë zëri (im atë dëgjonte më mirë kur flisnim me zë të ulët), nuk kurseheshin shprehjet: “të dua, ju dua, jeni thesari i jetës sime…” (Ngushëllimi i vetëm kur humba prindërit ka qënë pikërisht mospasja e pengut brenda vetes se nuk kisha mundur t’u thoja sa i kisha dashur.)
Në shtëpinë tonë, historia e botës rrëfehej nga dëshmitarë të drejtpërdrejtë; dëgjohej çdo natë BBC-ja; mësohej respekti për tjetrin si të ishte leximi i abetares; na jepej shembulli që mund të dashuroje e të ishe i lumtur në çfarëdolloj moshe; edukoheshim me detyrën e ndershmërisë e të besnikërisë; betoheshim të mos qëndronim indiferentë ndaj padrejtësisë e dhunës, emocionoheshim pa hile.
Shpirti artist i sime mëje dhe romantizmi djaloshar i tim eti, ishin universiteti ynë i emocioneve.
“Qyqja!” – deklamonte ime më, dhjetra herë në ditë, për të na lajmëruar një emocion të ri. Kurdoherë e sidoqoftë: “qyqja!”. Aq sa, po të mos e kishe përballë e t’i shihje shprehjen e fytyrës, nuk kuptoje nëse lajmëronte harenë, apo mënxyrën. “Qyqja!” – për të thënë “uaauu!!” ose “oboboo!!”.
“Qyqja!” – kur sapo kishte pikasur manushaqen e parë në oborr; “qyqja!” – kur sapo kishte parë njollën e parë në tavanin që pikonte. Unë e im vëlla, me zemër të ngrirë, linim çdo gjë që kishim në dorë e vraponim t’i shkonim pranë. Gjer ditën kur vendosëm t’i kërkonim të nuanconte klithmën. Por, meqënëse ishte artiste e vërtetë, nuk e ndryshoi kurrë. Dhe me “qyqja!” i rriti edhe fëmijët e mi të cilët, në pamundësi për të drejtshqiptuar emocionin artistik, i mbanin ison me një theks të çuditshëm, armeno-francez: “kukja, nana!”
Krejt e kundërta e tim eti, që emocionet i shprehte fort, por butë. Fjalët i përzgjidhte ëmbëlsisht e intelektualisht; i pështillte me një romantizëm të dalë mode e t’i bënte dhuratë me atë zërin e ngrohtë, të sjellshëm, të gjithëditur.
-Zonjusha Mima, shihemi tek lulishtja “Skandërbeg” mbas 10 minutash? – ftesa e tim eti në telefon, asaj që do të bëhej, 3 muaj më vonë, zonja Markarian.
Im atë punonte në Klinikën Qëndrore Dentare, ime më në Ministrinë e Ndërtimit. Dy nga godinat rrotull sheshit “Skënderbej”, në njërin skaj e tjetrin të një vije diagonale që kalonte, pashmangshmërisht, përmes lulishtes më simbolike të Tiranës. Lulishtja me shkallinat që të zbritnin buzë një shatërvani të thjeshtë e të paqtë, rrethuar me pisha kryelarta e gjelbërim të përkujdesur.
-Ulemi në këtë stolin këtu?
-Po, shumë mirë.
-Zonjusha Mima, a pranoni të bëheni gruaja ime?
-…
-Nuk e dëgjova përgjigjen.
-…
-Ju shqetëson mosha ime e madhe?! Keni të drejtë, nuk janë pak 23 vjet diferencë…
-Jo… Diferenca e moshës nuk më shqetëson fare.
-Çfarë, atëherë?
-…

Korrik 1966 - Im atë, unë dhe im vëlla 1 muajsh
Korrik 1966 – Im atë, unë dhe im vëlla 1 muajsh

(O mam’, fol, mos ma torturo babin! – do t’i kisha thirrur, ndonëse ende e pangjizur.)
Im atë ia mori dorën e majtë në të tijat. Pështeti faqen e tij në pëllëmbën e saj, që kishte filluar të dridhej. Ia përkëdheli, ia qetësoi, ia ëmbëlsoi. Ia puthi gjatë, thellë, ndershmërisht. Pastaj, u përkul e këputi një fije bari.
-Hokis (shpirt – në armenisht), e kuptova që përgjigja nuk është “jo”, sepse do të ma kishit dhënë në çast. Qenka një “po” e brishtë. Si kjo fije bari… – dhe ia lidhi fjongo rreth gishtit të katërt.
-…
-Nëqoftëse s’ua thotë zemra, këputeni fijen e barit. S’do të më mbetet hatri. Por, po pranuat të bëheni nusja ime, këtë fije bari do ta shndërroj në një unazë floriri, që të mos këputet kurrë!

***
Ditën që mësova se si ia kishte kërkuar dorën im atë sime mëje, kuptova pse nuk kisha as më të voglin shans të isha “normale”.
Dhe aq më mirë!!
Tiranë, 4 korrik 2016
A. M.©

*Omnia vincit amor – “Dashuria fiton mbi gjithçka…” shprehje latine  e Publio Virgilio Marone

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.