Oso Kuka n’kullë t’barotit
Zot, ç’ká thánë njaj Avdi Pasha:
Paska mbetë Shqypnija m’vasha,
Qysh se s’léka mbrendë nji djalë,
N’at Vranine mue sod me m’dalë,
N’at Vraninë, m’at t’zezë terthore,
Kû mbe’n shkret sá armë mizore,
Kû mbe’n djerr sá tokë gratçore,
Kû mbe’n vithnat pa bagtí,
Veç prej cubash t’Malit t’ Zí
Osman Bejtullah Kuka (i thirrun Oso Kuka) lindi në qytetin e Shkodrës. në vitin 1820 dhe vdiq heroikisht në vitin 1862, në luftë kundër ushtrisë Malazeze, që kishte sulmuar trojet shqiptare.
Kufiri shqiptar ndodhej në Vraninë (Vranja) të Malit të Zi ku shqiptarët kishin ngritë një kullë të lartë për ruajten e kufirit midis dy vendeve. Pikërisht në këtë ndërtesë fillon dhe përfundon historia e heroizmit të shkodranit Oso Kuka.
Ja si e përshkruan kleriku Gjergj Fishta heroizmin e Osos tek Lahuta e Malsis:
Oso Kuka zbriti nga malet të takohej me Pashanë e Shkodrës. Ishte prekur në sedër nga fjalet e tij që ishte shprehur se shqiptarëve nuk ju bëhej vonë për vrasjen e njerëzve të thjeshtë nga dora e banditëve malazezë që largoheshin të pandëshkuar për krimet e tyre. Oso i kërkoj Pashës mos t’i përsëriste më ato fjalë dhe nëqoftëse ai do t’i jepte Osos disa luftëtarë, ai do ta mbronte vetë kufirin dhe në veçanti Vranjën me kullën e saj nga sulmet malazeze. Gjatë kësaj kohe ishte përhapë lajmi se banditët malazezë kishin vra shqiptarin Avdi Isa që ishte një nga shokët e çetës së Osos dhe kishin sulmuar kullën e rojës në Vranje. Mbas këtij lajmi të hidhur, Oso Kuka mbledh çetën e tij dhe mbas betimit për marrjen e hakut të shokut të tyre u hodhën në ndjekie të banditëve malazezë, të cilët u kapën dhe u vranë në vend, njëkohësisht u çlirua dhe kulla e Vranjës që pak kohë përpara kishte rënë në dorë të malazezve.
Komandanti malazez Vula Radoviq e mori vesh disfatën që i ishte shkaktuar trupave të tij nga çeta e Oso Kukës dhe menjëherë dërgoi një numër të konsiderushëm ushtarësh prej 800 vetësh, që të mernin nën kontroll Kullën e Vranjës dhe ta asgjesonin plotësisht çetën e Oso Kukës që vazhdonte ta ruante me kokfortësi këtë kullë. 500 ushtarë malazez e rrethuan dhe sulmuan kullën e Vranjës që mbrohej vetëm nga 25 trimat e Oso Kukës që luftoi me trimëri deri në momentin e fundit kur ju mbaruan të gjithë fishekët. I ndodhur i vetëm dhe pa municion për të vazhduar rezistencën e tij, ai hyp në katin e dytë të kullës dhe ju drejtua komandantit malazez Pera Djakoviç dhe i thotë: “Ndal atje Pera Djakovic, ju keni mallkimin tim. Besoj se asnjëherë nuk keni parë një shqiptar të vetesakrifikohet kështu për vend të vet!“” dhe mbas këtyre fjalëve e gjithë kulla e Vranjës u hodhë në erë dhe bashkë me trimin Oso Kuka gjetën vdekjen edhe 500 ushtarët malazez që kishin rrethuar këtë kullë.
Ky qe edhe heroizmi i Oso Kukës dhe shokëve të çetës së tij i përshkruar nga Gjergj Fishta tek Lahuta e Malsisë.
Ps: Skicat me portretin e Oso Kukës dhe kullën e Vranjës të rrethuar nga ushtarët malazez, është një portretizim i gazetës Albania e Faik Konicës.
Lahuta e Malcis – Gjergj Fishta
(Kanga e Dytë)
Oso Kuka
Zot, ç’ká thánë njaj Avdi Pasha:
Paska mbetë Shqypnija m’vasha,
Qysh se s’léka mbrendë nji djalë,
N’at Vranine mue sod me m’dalë,
N’at Vraninë, m’at t’zezë terthore, – 5
Kû mbe’n shkret sá armë mizore,
Kû mbe’n djerr sá tokë gratçore,
Kû mbe’n vithnat pa bagtí,
Veç prej cubash t’Malit t’ Zí,
Qi po vrasin djelmt e rí, – 10
Qi po mârrin lopët me viça,
Qi po presin dhênt me ogiça,
E po djegin kulla e stane,
E po thájn kaq zêmra nane!
Eh! Po, knjazi ke Cetina – 15
Ka lshue cubat kah Vranina,
Për me vrá atà e për me pré,
Për me djegun gur e dhé,
Veç si t’nisë degamë me né;
Pse dushmani âsht tue ndërsy, – 20
Tokët e Mbretít për me i msý,
Për me i msý e me i rrëmbý.
Nji djalë m’votër t’m’ishte llâ,
Paçë m’ia lânë t’âmën me fshâ,
Paçë m’ia lânë motrën me kjá: – 25
T’mjerën motër, ehu! pá vllá,
E n’Vraninë un kjeshë tue e qitun,
Cubat knjazit për m’ia pritun.
Por mue djalë nuk m’ká qillue;
E n’Shqypní nji djalë drangue, – 30
T’cillit mos t’i dhimet jeta
Për Daulet e troje t’veta,
Fort kërkova e s’mund e gjeta.-
Kshtû ankoi Pasha turçelí.
Oso Kuka e paska ndí: – 35
Paska ndí po, e kênka idhnue:
M’sylah dorën paska çue:
Me qitë m’Pashën ká mendue.
Por i urti kurr nuk ngutet,
Prej burrnís e jo prej tutet, – 40
Prandaj Osja ndali dorën,
E as m’e xjerrë s’e xuer mizoren,
N’fletë t’sylahit çatallue;
Veç pá folë s’mujt me u durue:
Avdì Pashë, tha, mâ kadalë! – 45
Mos e thuaj dý herë njat fjalë,
Se, për Dîn e për Imân,
T’bâj qi t’kjajë e zeza nânë!
T’bâj qi t’kjaj pa “exhel” tý nâna;
Pse n’Shqypní ká djelm si Zâna, – 50
Qi per Mbret e troje t’veta
Nuk u dhimet gjâja as jeta:
E kû i lypë besa e burrnija,
Kû i lypë Mbreti e i lypë Shqipnija,
Kta mâ t’parët jânë n’fushë t’mejdanit, – 55
Kta mâ të rrebët janë n’ballë t’dushmanit:
Janë çelik për tef t’taganit.
Marre vedit kurr s’i lâmë!
Pá ksulë m’krye pa opingë në kâmbë,
Na për Mbret e për Atdhé – 60
Për kanû, për besë e Fé,
S’druem me rá ndër pré të thyeshme,
S’druem me msý kalát e rrmyeshme:
E kahdo qi t’bjerë Shqyptari,
Shkon rrufeja tue e ndezë zhari, – 65
Pushkë e besë pse na la i Pari.
E ti tash vjen ktû e na thue:
Se n’Shqypni nji djalë drague,
Qi për mbret e troje t’veta
Nuk i dhimbet gjâja as jeta, – 70
Fort kërkova e s’mund e gjeta…!!
Por s’ké faj; pse zâni i zí
Aj ká dalë, po, për Shqypní,
qysh se erdh Pasha turçelí,
Q’se edhè t’hujve sod Shqyptari – 75
Qiri m’kambë do t’rrijë qyqari,
Si punue né s’na ká i Pari…
Por po i lâm tash na kto fjalë.
Në Vraninë, qe, un jam tue t’dalë,
Cubat Knjazit me t’i a ndalë. – 80
Veç t’i lypi un dyzet vetë,
Dyzet vetë, po, djelm të letë,
Qi të desin kû t’zatesin:
Si mund t’léjn veç e n’Shqypni;
E po t’jap besën e Zotit, – 85
Se, pa u djegë un n’flakë t’barotit,
S’ká me u lshue për t’gjallë Vranina.
Avdì Pasha kênka çue,
Osos dorën ká shtërngue:
Aferim, bre, ti Oso Kuka! – 90
Se tý t’thotë fjala edhè duka
Qi ké lé nji sokol malit.
Zgidh kû t’jetë, po, pika e djalit,
Edhè del ti n’at rranxë boke:
N’at Vraninë, kû t’zezat loke, – 95
Qi kan mlue, ehu! djelmt e rí,
Qi kan kthy rejat n’gjiní,
Janë tuj t’pritë si drita diellin.
Foli Pasha. Buzës s’Cukalit,
N’krye t’javës, dielli kur u çue, – 100
Për me shndritë mbí kobe të shekullit,
Kû e përbuzne shuen e drejta,
Qafës s’Kalás, qe, çeta e Osos
Po mêrr rrugën kah Vranina.
Çetë e vogël, por kreshnike: – 105
Dyzet vetë mâ s’janë me t’njehun:
Djelm të zgiedhun n’mal e n’vrrî,
Jo për dukë e për pashí,
Por për zêmër e për trimní:
Oso Kuka na u ká prî. – 110
Oso Kuka, ‘i rrfé prej qiellit,
Shoq nuk ká kah vrân e kthiellet.
A she’i herë, ka’i bje sokakut,
Se ç’m’i bâjn t’gjith tungjatjeta!
Se ç’përmnershëm xheverdarja – 115
M’i flakron mbí sup të krahit,
Si ajo rrfeja n’natë thellimit!
N’fletë t’sylahit, folé bollash
Çatallue i ká dý kuburet:
T’mnershemet motra t’idhtë taganit, – 120
Qi ndermjet u rri kërcnue.
Veshë e mbathë e n’armë shtrëngue,
Shtatin div, e sý’n si zhgjeta,
Oso Kuka n’jelek arit,
Pash e m’pash po i bjen pazarit. – 125
Njitë mbas tij vjen shpata e dekës,
Soko Tona i Gurit t’Lekës;
Soko Tona, si Valbona,
Larg përmendë m’kto male tona,
Si për bukë n’shpí t’tij të ngranme, – 130
Si për pushkë e besë të dhanme.
Thonë se i ká nja trí nishane,
Trí nishane, me fermane
Për shërbim qi i baka Mbretit
Ktej e andej valën e detit. – 135
Mbrapa i shkonin qa’i biri i t’mirit,
Taro Pllumi i Jegumirit.
Mandej vînë dý rê mizore,
Dy djelmoça prej Zagore:
Kaçel Doda e Kerrni Gila: – 140
Rritun mocë si karajfila.
Ehu! bre Oso, Oso-rrfeja,
Ç’kan me t’namë dý vasha t’reja:
Ç’kan me t’nam dý bija nane
N’ato mrize e n’ato stane, – 145
Kúr, kërcunat, kan me ndí,
Se ke zgiedhe dy dhandrra t’ri,
Me i përpjekë me Mal të Zí.
Po a thue e njef njat qime-zí,
Qi e ká ballin si siní, – 150
Qi e ká sýnin si duhí,
Qi i ká shpatllat si nji arí?
Aj âsht Çoku i Mar Kolë Dinit
Prej Kabashit t’Dukagjinit:
Trim i çartun, trim si Zânë, – 155
I pá tatë edhè i pá nânë,
Dy gur njitë, thonë, s’i ká lânë.
Për mbas ktij vjen çeta tjetër,
Do mâ t’rí, do prap mâ t’vjeter,
Por t’gjith mocë me trimëní: – 160
Me trimní e me bujarí:
Veç, për dukë e për pashí
Dán mâ n’shâj njaj Jup Qehaja,
Galo Keqi e Sinanaja,
Vuksan Gjeli e Met Zeneli; – 165
E ndër t’gjith porsì hýll drite,
Preng Markola prej Mirdite:
Lypë për pushkë ky e për pleqní
Q’mêrr prej Shkodre e n’Peshkopí.
Veshë e mbathë e m’armë shtrëngue… – 170
Thue se krushq po duen me shkue:
Nja mbas nja’i po i bien Pazarit,
Si ajo rê qi prej Tivarit
Njitet zí tërthoreve tona,
Për me shkrepë ndokahe t’e vona: – 175
Edhè kapen m’at breg Buene,
Kû n’nji lunder u rreshtuene.
Vend n’at lundër t’gjith kur zune,
Rrqase âsht lundra e veli u nde,
Edhe nisë âsht porsi rê, – 180
Tuj çá valen nper Liqê:
Tuj çá valën kah Vranina,
Kû po bâte nâm Cetina.