back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Ata, veç sa e fshikin jetën tonë… nga Jozef Radi

Gazeta

Vehip Hoxha
Vehip Hoxha

Ata, veç sa fshikin  jetën tonë…

nga Jozef Radi

Në kujtim të Vehip Hoxhës

Ka njerëz që veç sa e fshikin jetën tonë… e brenda asaj fshikje është magjia e së përjetshmes, është ai mesazh i tyre i heshtur, që pa e ditur as vetë pse, na merr e na përcjell ngado që vërtitet jeta jonë. Vërtet, mund të harrosh shumçka të rëndsishme të jetës tënde, po at magji që ai (ata) njeri, pothuaj i(të) panjohur, ka lënë tek ne bëhet aq e madhe dhe e pabesueshme, sa e kemi jo të pamundur t’i harrojmë, po e ndjejmë të domosdoshme t’i kujtojmë… në at përmasën e tyre të veçantë, që edhe pse ende e kemi të vështirë t’i kuptojmë se ç’janë tamam ata njerëz; pse ajo çka kemi lexuar, mësuar e leçitur në jetë s’na ka dhënë at çelsin e duhur të mbrritjes tek e vërteta e tyre… por që tashmë është nji gjurmë e madhe, e dukshme dhe e pashlyeshme në jetën tonë…
E nisur diku larg prej fëminisë së hershme ajo gjurmë njeriu sërish na ndjek ngado vërtitemi: ndër kohra, hapsira dhe tjerë njerëz… derisa gjen atë ditën dhe atë çastin e vet… dhe disi përdhunshëm, na thotë: “Ajo e vërteta që të përkiste vetëm ty… duhet t’u përkasë edhe shumë tjerëve…!”
Dhe ky personazh i jetës tënde, nuk vjen prej asnji fantazie, prej asnji përralle, prej asnji trimërie; prej asgjëje të jashtzakonshme, ai thjesht është aty në jetën tënde, derisa kët mbasdite janari, më mori përdore dhe me pamjen e nji gjyshi të munguar, apo të nji mësuesi të lashtë (që mosha s’ia kish shterrur pasionin e hershëm), më tregoi se dashuria për gjithçka të vogël të jetës… nji ditë bëhet pasuria jote më e madhe… dhe mos harro se kët gjë njeriu mund ta fitojë përditë e nga pak, edhe në shpërfillje të fatit të keq apo ashpërsisë së jetës, pa iu nënshtruar kurrë rrethanave edhe kur ato shfaqen të përbindëshme!
Ky plak i urtë, atëherë përtej të shtatëdhjetave, quhej Vehip Hoxha, i derës së Hoxhatëve të Gjirokastrës. Arratisja e djalit të vetëm Asafit, diku në fund të viteve ‘50… e kish degdisur Myzeqesë, por s’kish mundur t’ia cënonte as pamjen prej dendy, as veshjen gjithnji perfekte dhe shik si i posadalë kutie… as sjelljen dhe qëndrimin prej fisniku, as shikimin e mprehtë që s’i shpëtonte asgjë, e në veçanti… as at ecjen e hijshme e të ngadaltë, e pothuaj të përditshme në drejtim të qytetit… aq sa për syrin tim prej fëmije më krijonte përshtypjen se ishte nji krijesë e metropoleve europiane, krejt jashtë realitetit komunist… një xhentëlmen dhe aspak nji i dënuar rëndomtë i gulageve shqiptare, i cili së bashku me tri vajzat dhe gruan e tij duhej të vuante vitet e fundit të jetës mes baltarve të Savrës!
Vehip Hoxha, kishte qenë ndër mësuesit e parë në Gjirokastër, më pas drejtor banke në Korçë gjatë viteve ‘30, më tej nëpunës i lartë Banke për shumë kohë në Tiranë… Burrë i emnacipuar, i një humori të rafinuar, baba i tenistes së parë shqiptare: Handan Hoxhës, dajko i Nedim dhe Vedat Kokonës, dhëndër i Çabejve po më pas edhe te Bejot e njohur të Gjirokastrës, që një ditë forcërisht, (edhe pse mbi të shtatëdhjetat), u detyrua së bashkë me tri vajzat: Handanin, Suzanin, Nerimanin dhe gruan e tij, Zonjën Nalo, të kalonin vite pafund (plot 30 vite) mes baltrave aspak mikpritëse të Myzeqesë… Pikërisht në Kampin e internimit në Savër, ku do të përbaltej jo vetëm jeta e familjes së tij, po edhe shumë familjeve të nderuara shqiptare… Pikërisht aty ku më kishte mbirë edhe fëminia ime, dhe e shumë sivllezërve të mi të vuajtjes…

Motrat Handan, Suzan dhe Neriman Hoxha
Tri motrat Hoxha – Handan, Suzan dhe Neriman 2012

Ishte ajo pamja e tij tejet serioze, që më shtynte ta shihja Xha Vehipin, si nji sfidant të regjimit, si nji shpërfillës të madh, si njeriu që edhe midis baltës së madhe myzeqare “vishte dy palë këpucë!!”, bile kujtoj një shokun tim të fëmijënisë, që mori përsipër t’ia pastronte këpuct e përbaltura, dhe në përpjekje për ta tallur pak, mori si shperblim shijen e bastunit të tij… që ende sot mbas 50 vitesh e ka ende të freskët!
Edhe pse ndër më të moshuarit e kampit, Xha Vehipi gjithë grave të kampit u thoshte Zonja dhe gjithë burrave Zoti… Aq sa edhe unë që s’kisha më shumë se 8-9 vjeç, nji mbasdite, mbasi me mori përdore të më ftonte në shtëpinë e vet, duke iu drejtuar gruas dhe vajzave: “Ku është djali i zotit Lazër, po është edhe miku im i vogël… Prej sot ju kët zotëri, duhet ta nderoni e ta respektoni si të jetë një burrë të madh!” dhe toni e fjala e tij në familje ishte ligj!
Vehip Hoxha, krahas tjerash ishte ndër  filatelistët më të zellshëm shqiptarë. Albumet e tij të pullave postare ishin të panumërta dhe koleksionet e tij të ruajtura me kujdes prej rinisv së hershme nga më të pasurat që mund të kishte Shqipëria!!
Kështu, prej tij filatelia u bë edhe afruesja e madhe mes nesh!
Do të përpiqem t’i jap disa nga bisedat më të si nji të vetme, mbasi ato ishin aq të bukura dhe të shtrira në ato vite… Duke u rrekur të jap thelbin e tij njeriu, prej mësuesi dhe prej vizionari!

Suzana Hoxha dhe baraka e saj
Suzana Hoxha dhe baraka e saj

Duke m’i treguar albumet e tij të shumta, më thoshte: “I sheh këto pulla poste, duket sikur s’kanë asnji rëndësi, duken si ca gjëra pavlerë që shoqërojnë veç letrat dhe kartolinat! Jo, s’është kështu… çdo pullë ka një informacion të shkëlqyer! Ja shikoje: dhe merrte nji pullë poste të çfarëdoshme… së pari ajo të tregon shtetin nga vjen; së dyti të tregon vitin kur është emetuar; së treti aty mund të gjesh nji ngjarje, nji personazh, nji lloj luleje,  nji emër qytet, nji kafshë, nji aktivitet sportiv si fjala vjen olimpiadë… e ku e di, unë shumë nga këto… Pra po të jesh i vëmendshëm, ti pa pyetur askënd i merr vesh të tëra këto gjëra. Fjala vjen, ti nga pullat e mëson se Ingliterra, s’ka mbret po mbretëreshë, dhe s’ka pullë të kësaj mbretërie të pashoqëruar me figurën e mbretëreshës… E di si quhet mbretëresha…? Unë rrudhja shpatullat… Ja që s’e di! Quhet Queen Elisabeth! Ja pra, e mësove këtë gjë… Po do mësosh se figurën e Mbretëreshës s’e kanë vetëm pullat e Mbretërisë, po edhe të gjithë kolonive si fjala vjen Australia, Zelanda e Re, Kanadaja e shumë koloni të vogla. Po mëson kryeqytetet e botës, mëson emrat e heronjve dhe udhëheqsave, mëson gjeografinë, mëson historinë, mëson edhe politikë… Ti duhet të mësosh si t’i mbledhësh pullat, si t’i pastrosh, si t’i vendosësh nëpër albume, si t’i shkëmbesh me shokë ato që i ke me shumicë, me të tjera që nuk i ke… mëson si të bësh miq në Shqipëri, po pse jo edhe nëpër botë. Pullat së pari të pasurojnë me kulturë, me informacion dhe ti e shpenzon kohën e lirë për nji pasion tëndin, pse jo, mund të bëhesh edhe i pasur, shpirtërisht e sigurt, po edhe me para, sepse po t’i mungojë një koleksionisti të njohur një pullë që e ke vetëm ti… ai ta paguan sa frëngu pulën… Pra, po të jesh i zoti, e kupton se ajo pulla e parëndësishme sa një grimcë letre, befas bëhet e madhe sa bota, dhe të ndihmon në jetë, që çdo që gjë ta shohësh me syrin e interesit… Se ai që di të vlerësojë nji pullë, pra nji copë letre; ai di të vlerësojë një libër, di të vlerësojë nji ngjarje, po edhe nji grua, nji aeroplan, një personazh… me një fjalë di të vlerësojë gjithçka… kurse atij që s’i hyn në sy ajo pulla e vogël që kushton pak qindarka, atij s’i hyn në sy asgjë e kësaj bote! Ai lind kot, rritet kot, jeton kot dhe vetëm vdes plot…! Kurse ai që jeton me interesa dhe mendon për gjera të rëndësishme, ai e jeton jetën me të vërtetë, me shumë përmasa… Mos harro se ka mjaft prej atyre që edhe pse vdesin u lenë vlerë emrit dhe familjes së tyre, aq sa është e vështirë të harrohen! Ja kështu, edhe ato pullat që ti i sheh me shpërfillje të mësojnë ta bësh të bukur jetën tënde!!!”
Nuk e di ç’ngjyra mund të ketë pasur fytyra ime fëminore gjatë atyre shpjegimeve magjike të atij njeriu, po i sigurt jam se drita e tij edhe mbas katër dekadash ka mbetur e paprekur brenda meje. Jam i bindur se atë dritë s’mund të ma shkulë askush! Sepse në jetë ndodh rrallë të takosh personazhe të kësaj përmase, po më e rëndësishmja është që nëse fati të ndihmon t’i takosh, të paktën ruaje me kujdes dhe shpërndaje imazhin e tyre që ata të mos harrohen…
Xha Vehipi, më përcillte nëpër oborrin e barakës, ku kishte dy trëndafilë të mëdhenj rozë… Me gërshërë ai më këpuste ndonji gonxhe dhe më thoshte: “Merre se e meriton! Më dëgjove me vëmendje dhe s’u mërzite… Pra jam i bindur se ajo çka të thashë, nji ditë do të shërbejë…!”
Dhe keshtu ai edhe sot mbetet mësues i madh i jetës sime!
Vehip Asaf Hoxha, vdiq papritur me 7 shkurt të vitin 1967! Gjithë bashkësia e të interrnuarve të Savrës, po edhe kampeve të tjera e shoqëruan atë në varrezat e qytetit. Atë ditë, ashtu hajdutçe do t’i ngjitesha edhe unë në makinën e përcjelljes për në varreza, mbasi me lott ndër sy i isha lutur tim eti! Isha i vetmi fëmijë që përcillja Mikun tim të Madh, mësuesin e papërsëritshëm, që edhe pse e kishin hedhur aty mes baltës, ai jetoi dhe vdiq si Zotni i lartë!
Ishte 7 shkurt 1967, kishte filluar tmerri kundra fesë… dhe Xha Vehipi po ikte asht si nji mysliman europian i devotshëm… Vehip Hoxha mbetet prej atyre njerëzve që veç sa e fshikin paksa jetën tonë, po brenda asaj fshikje mbetet krejt magjia e së përjetshmes dhe ato mesazhet i tij, paksa të fjetura brenda meje, pa e ditur as vetë pse, më  morën përdore dhe më përcollën kët ditë janari, nëpër ato botë ku ende vazhdon e vërtitet jeta ime…

(5 Janar 2013)

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Irena Stein-steinova
    Z. Jozef po kastigoj (si thonë shkodranët) me do kujtime fëminije…
    Prindët e mij ishin komshinj me familjen Hoxha në Tiranë ne rr. Themistokli Gërmenji Tiranë (pranë RTSH sot).
    Aty ishin komshinj me familjen Hoxha dhe lidhën miqësi të vërtetë.
    Në 23 tetor 1944, babën e arrestuan. Në 12 janar 1945 Babës iu ba gjyqi, nanës iu konfiskua paja dhe e degdisën…
    Ngjitur me shtëpinë e familjes Hoxha, (nji mur i ndante) jetonte një çift Danusha dhe Zef Ndoci, ishin ba miq për kokë mes tyne dhe ngelën me kujtime të mira për njëri-tjetrin deri në fund.
    Kur vajzat Hoxha vinin në Tiranë ato bujshin te Danusha.
    Nanës time, i ati kishte dhanë në edukim në disa drejtime gjuhë të huaja, muzikë/piano dhe rrobaqepsi, në Shqipëri i hynë në punë gjuhët e huaja dhe rrobaqepsija.
    Vajzat Hoxha kur vinin në Tiranë në ato pak ditë, nana u qepte atyne fustane. Zakonisht kjo ndodhte në verë, për vetë faktin se në dimër palltot mbulonin çdo gjë.
    Në vitet mbas 90′ (mbas çlirimit) motra dhe vëllai kanë vazhdu me vizitu motrat Hoxha në shtëpinë e tyre në po atë rrugë Themistokli Gërmenji.

  2. I nderuar,
    ke një stil të veçantë të të treguarit të ngjarjeve të jetuara.
    Menyra se si i tregon ngjarjet të merr me vete dhe ti që lexon, do që tregimi jot të jetë pafund. Dhe kur fundi vjen… të vjen inat që nuk pati më për të lexuar, por me mbarimin e leximit, pret dhe nuk të durohet gjersa të vijë tregimi i radhës. Te admiroj dhe të lexoj me shumë vemëndje…
    Ky tregim me solli babanë tim pranë, mbasi shumë veti të z.Vehip ishin tek babai im, i cili asnjëherë s’e dha veten dhe i tregoj mbarë qytetit ku jetoi shokëve, miqve të tij se çdo të thotë të jeshë i shkolluar, i kulturuar, modest për ato çka je… dhe me sjelljen dhe modestinë tënde, edhe pse stononte për atë sistem antinjeri qe ata dhe ne jetuam, mbetesh pothuaj përgjithmonë në kujtesën e atyre që të njohtën dhe mësuan sadopak nga ai njeri.
    I paharruar kujtimi i atyre njerëzve që vërtet ishin për t’u admiruar edhe pse u shpërdoruan në mënyrën me antinjerëzore nga Krimineli i lindur… E.H.
    Flm Jozef.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.