back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Një ndjesë e ndjerë ndaj një problemi madhor! nga Rezart Palluqi

Gazeta

Robert Ndrenika
Aktori Robert Ndrenika

Një ndjesë e ndjerë ndaj një problemi madhor!

nga Rezart Palluqi

“…nga ana ime i kërkoj të falur publike zotit Ndrenika,
ngaqë kritika ime ndaj tij në esenë e botuar disa javë më parë
paska krijuar përshtypjen sikur e gjithë propaganda kinematografike
e Kinostudios paska ardhë prej tij.
Kjo nuk është aspak e vërtetë.
Uroj që nëpërmjet kësaj letre
të kem qartësuar disa gjëra të keqkuptuara…” rezart palluqi

Shkrimtari Rezart Palluqi
Shkrimtari Rezart Palluqi

Përpara disa javësh unë shkrova dhe publikova një ese, ku si qëllim pata që t’i rikujtoj yjeve të Kinostudios së Shqipërisë së Re krimet e tyre morale. Nëpërmjet kësaj eseje u bëra thirrje që të shprehin pendesë përpara se vdekja t’i marrë dhe ata të përpëliten përjetësisht në varr të rrethuar prej krimeve të tyre të vetmohuara.
Një ese të tillë e kam pasur ndërmend ta shkruaj prej kohësh. Por ja që, aktori i mirënjohur Robert Ndrenika u bë shkas, ose thënë ndryshe, më doli krejt papritur në shteg me akuzën që ai i bëri Ministres së Kulturës, zonjës Mirela Kumbaro rreth planit të saj të mundshëm për prishjen e ndërtesës së Teatrit kombëtar në Tiranë. Atëherë më hipi gjaku në kokë. Sepse (mos)prishja e ndërtesës për mua përbën një krim njëqind herë më të vogël sesa dëmi shpirtëror që  qindra aktorët e Kinostudios i kanë shkaktuar të paktën 5 pesë brezave shqiptarë.
Edhe pse në ese unë përpiqem që të shpalos problemin total dhe atë të mos ia adresoj vetëm zotit Ndrenika, shumë njerëz e kanë konsideruar atë si një sulm timin personal ndaj tij. Kjo më shqetësoi shumë. Sepse kjo do t’ishte një padrejtësi ndaj zotit Ndrenika dhe një njollë ndaj emrit tim. Për fat të keq (ose të mirë) unë i përkas atij brezi që diktaturën enveriste e njeh kryesisht prej televizorit (kam lindur në vitin 1976) dhe historisë së shkruar. Ndaj dhe nuk e kam ditur se zoti Ndrenika paska qenë e keqja më e vogël në humnerën kinematografike enveriste… dhe se atë e paskan persekutuar shpesh komunistët…! Shkurt, ai qenka peshku më i vogël. Këto gjëra m’i treguan disa miq të vyer të cilët dhe m’i tërhoqën fort veshët. Dhe mirë ma bënë. Qesha me të madhe kur më thanë: Ore teveqel! Disa kujtojnë se ti je i paguar nga komunistët për të sulmuar Ndrenikën. Unë vetëm se komunist nuk jam. Jetoj me një rrogë fabrike evropiane dhe përpiqem me sakrifica të bëj letërsi duke u ngrënë kohën e lirë fëmijëve dhe gruas sime. Bëj pra, punë fizike vetëm e vetëm që të ruaj pavarësinë time letrare dhe intelektuale.

Sigla e Kinostudios Shqiptare
Sigla e Kinostudios Shqiptare

Nën këtë kontekst, unë ndjej një detyrim moral dhe intelektual që zotit Ndrenika t’i kërkoj të falur, nën moton: “e keqja luftohet duke filluar nga peshkaqenët dhe më pas kalojmë tek sardelet”
Manushi, Filipi, Imami, Hyskja, Raidhi, Çerma, Gjika, Dhamo, Roshi e plot të tjerë kanë qenë turbinat e përdorura nga diktatura për shumimin e marrëzisë kinematografike enveriste dhe shpëlarjen e përjetshme të trurit shqiptar… Uroj që zoti Ndrenika të më mirëkuptojë, por edhe ta ndjejë zemërimin tim.
Së pari, unë nuk e ngre zërin sepse jam trim, apo më i mençur se shumë të tjerë! Jo! Unë besoj thellësisht se Shqipëria nuk mund të dalë nga këneta vrastare enveriste vetëm duke hartuar ligje të rreptë dhe të drejtë. Jo! Aspak! Kjo mund të ndodhë vetëm nëse ata njerëz që kanë bërë mëkate të vetndërgjegjësohen dhe bëjnë të paktën atë që unë e përmend në ese: T’i kërkojnë të falur popullit të tyre për gënjeshtrat, hipokrizinë, luftën e klasave, urrejtjen racore dhe fobinë ndaj botës së jashtme që ata trumbetuan për 45 vjet. Prej artistëve ky vetreflektim duhej të kish ardhë me kohë. Ja që kjo nuk ka ndodhur, paçka se çereku i shekullit na e ka kthyer tashmë kurrizin.
Shpreh bindjen se nuk është aspak e rastësishme që këto 25 vite nuk janë bërë filma të mëdhenj ku mund të trajtoheshin plagët morale të shoqërisë shqiptare. Janë qeveritë pas-enveriste, të përkrahura prej vetë yjeve të Kinostudios që e mbajnë peng botën e filmit shqiptar, vetëm e vetëm për të ruajtur monopolin e tyre të dikurshëm dhe nostalgjinë për ideologjinë e regjimit. Ndaj dhe sot dëgjojmë shpesh të thuhet nëpër kafene: “Artistë si ata të kohës së Enverit nuk i bën më nëna!!!”. Kështu rrëshqasim në gropën e një katastrofe të dytë, akoma më të madhe. Se yjet e Kinostudios janë të pazëvendësueshëm, ndaj edhe fëmijët tanë SOT duhet të shohin dhe të shijojnë vetëm filmat e Kinostudios, që disa kanale televizive na i transmentojnë duke fërkuar duart ditë e natë…
Meqenëse arti kinematografik është kolektiv, dhe ai është përfaqësuar prej ta zemë, njëmijë aktorëve, atëherë mëkati që zoti Ndrenika mbart mbi shpatulla në filmat ku ka aktruar, është një e njëmijëta. Ndaj në këtë aspekt ai mund të reflektojë një pendesë vetjake sepse kështu do të bëjë dallimin e madh prej qindra kolegëve të tij. Ta bëjë këtë jo për egon time por fatin e moralit shqiptar, që sotpërsot pothuajse ka vdekur plotësisht. Se ç’bëjnë kolegët e tij, ky nuk është problemi i Robertit. “Bota ndryshohet duke filluar nga vetvetja” thotë fjala e urtë.

Kinostudio "Shqipëria e Re"
Kinostudio “Shqipëria e Re”

Përndryshe baballarët tanë do t’u lënë fëmijëve të tyre një mal me mëkate të papranuara që vetëm se do të lartësohet me kalimin e dhjetëvjeçarëve. Atëherë shumë lehtë Shqipërinë mund ta quajmë “Republikën e viktimave” sepse agresorët nuk i hasim askund. Preteksti se “kështu ishte atëherë” nuk pi ujë, ngaqë të paktën 80% të aktorëve në atë kohë vendosën të bëjnë karrierë. Dhe të bësh karrierë në kohën kur qentë hanin mëlçitë e të zotit të tyre, përbën një krim të vetdijshëm.
Unë nga ana ime po i kërkoj të falur publike zotit Ndrenika, ngaqë kritika ime ndaj tij në esenë e botuar disa javë më parë paska krijuar përshtypjen sikur e gjithë propaganda kinematografike e Kinostudios paska ardhë prej tij. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Uroj që nëpërmjet kësaj letre të kem qartësuar disa gjëra të keqkuptuara.
I uroj kurajë zotit Ndrenika, në ditët e vështira të së përpjetës së jetës!
Sinqerisht
Rezart Palluqi
Amsterdam, shtator, 2016

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.