Nëpër gjurmë të letrave të Azem Qazimit
nga Edlira Zeneli
Në një nga ato ditët e zhegta të fund-gushtit, teksa rrezitesha në te sosur të ditës, ndën rrezet që të puthin kresët dhe ikin për të lerë në tjerë dhera; në tavolinën e vogël të çadrës vërejta një libër të errët e tejet elegant në dukje! Ngjata dorën dhe e rreka pranë vetes!
Ish’ një libër i Azem Qazimit, me përkushtim “Për Jozef Radit…..”, gjë që më shtyu t’i jepja hov shfletosjes!
Prej kohësh, si qëmtuese në të panjohurën e letrave, ndjehem të kem një sitë të brëndshme ku filtroj se me ç’shkrime mund ta shkrij kohën time! Dhe kjo jo pa shkak; kanë mbirë nga asgjëja një taborr “shkrimtarësh” që për çdo vit na sjellin pas ca trasta me “vepra” që mbasi i shfleton, të këputet shpirti… jo nga çkanë sjellë, po për drurët e prerë e të bërë kartë për kësi shkarrashkrimesh, që; jo vetëm na vjedhin kohën… po shpesh edhe dëshirën për të lexuar!
Qyshse mbaj mend që lexoj libra letërsie, kam njohur te vetja se: hyrja e librit o do ish’ ura që të nxjerr në bregun tjetër, o do ish’ muri që do ta ndaltë përfundimisht rrugtimin në atë libër; si zor të ketë pas’ një udhë të mesme (s’kujtoj asnjë si të tillë deri më sot)!
Psikagogjia – ish’ titulli librit dhe zhanri i tij poezia! Pak si habi për mua, po vazhdova! Dija diçka për termin psikagogji, por nuk isha aq e qartë! Rrëmova për të gjet’ kuptimin e plotë dhe kështu shova kurreshtjen time! Psikagogji qe një rit antik: komunikimi i shpirtrave nëpërmjet retorikës, … diçka që i afron shpirtrat e të vdekurve me të gjallët…
Që nga titulli, Azemi lë të kuptohet se: ky libër vlen të lexohet nga njerëz që kanë shpirtin e thellë të leximit dhe komunikimit! Duket sikur ka dash’ përmes tij ta përzgjedhë lexuesin!
Libri së jashtmi qe piskë i zi, me ca gërma ari mbi të; një farë ngrohtësie ato. Kapaku të ipte përshtypjen e një dere hermetike, që për rrallëkënd çelej! E hapa kapakun pa hov, por me kureshtjen e së përtejmes; ku në të bardhë të letrës qenë në rresht gjithë titujt e poezive! E rrokullisa teposhtë shikimin dhe ndeshja e parë qe “Kushtim-i”, kurse në të sosur “Nga poemat që lexoj”, kjo e fundit më përngjau si thirrje për t’u përvijuar në të tjerë libra të tij…
E ndala ca frymën në atë “Kushtim”:
“Për atë që u epua mbi hon dhe nuk pa pështjellim…
………………………………………………
O bukuri e bindjes ndaj ligjit të saj,
që e bën të dukshme monumentin e mendjes.” (Kushtim, fq. 9)
…Edhe pse terri ish’ në të zënë të fillit, drita që gjeta nëpër ato vargje ish’ nga ato shpresëdhënëset se me butësi do të ma merrte përdore durimin tim deri në sosje të leximit! Nga kjo pikëpjekje ndjeva se shkrimi kish përputhje me çfarë unë dëshiroja!
E lashë detin në të errur e mbas bërjes së ca gjërurinave u mbështeta për t’u shlodhur ca… dhe e gjeta veten në mesnatë; vijova leximin tashmë kur agu po e thyente natën dhe me libër ndër duar sërish më kish këputur gjumi ashtu pa kuptuar. Kisha mbetur tek “Pritja”… kur një vetull diell më xvisi në fytyrë si për të më thënë: “Pritja”… po të pret!
Kafen e mëngjesit e piva në tarracë dhe, me murmurisjen time sa më shumë u avitesha vargjeve aq më shumë mbetesha peng i tyre…
I fundit varg më mbërtheu… “Por këmbana e katedrales ende i mbush me pyetje zemrat tona të molisura, dhe në fytet tanë rritet, si më e blerta bimë, lutja.” (Pritja fq.47)
Më kishin mbet’ edhe tri faqe t’i mbrrija “Nga poemat që lexoj”, e kur sosa aty, fryma-thellazi, vërejta se; vargjet në hyrje përkonin me mënyrën time: “Nga poemat që lexoj më mahnit gjithnjë fillimi i mbarë…”
…dhe pastaj – baam – ra vetiu kapaku i fundit i librit. Një dritare e vogël e bardhë në të majtë fliste për punë shifrash. Bëhej fjalë për çmimin. Ndën zë me shpirt pëshpërita: “Ku ka çmim që e blen këtë brendi?!!”
S’më mjaftoi kaq po mora një tjetër libër të Azem Qazimit “Anatomi e shkurtër e pikëllimit”.
Që në titull një fjali e peshtë, ndërsa kopertina kish pamjen e një burri që i kishin zbritur vetulla parë e poshtë si për t’i dhënë kuptim fjalës pikëllim.
“Kir Progon Zaharia, pinjoll i një populli të përndjekur prej një paqeje të urryer, u lind në Durrës, në vitin 1265, nën shenjën e peshores. Pra, siç mund të pritej është i prerë dhe i drejtë…” (Jeta e çuditshme e Progon Zaharisë, fq.11)
E më pas vijova gjithë dëshirë të notoj ujrave rrëfimtare të librit!
Teksa kisha pushuar e mandej vijova të lexoj, në një moment, kur më kish’ ngelë edhe pak nga libri, qëlloi aty nga faqet e lexuara të shoh një paragraf të nënvijëzuar; u ndala dhe nisa ta rilexoj. Dhe mbeta si e zënë në një çark dyshimi: “Mor’, e kam lexuar unë këtë a jo?!!” – dhe nxitova të shoh titullin e tregimit. Ishte “Le fouet” – sprovë për eulogji. E kisha lexuar, e mandej rash në rehati e, kuptova se; ky qenka efekti që të lënë tregimet e Qazimit!!
Pakuptuar kisha nisur ta doja atë mënyrë të shkruari dhe në shenjë dashurie avitesha lumnueshëm ndër ovalet dhe këndet e çdo gërme, e i thashë vetes: “Qenka shkrimtar sqimatar. Ka qëmtuar me kaq kujdes fjalët dhe e paska thurur me kaq thellësi veprën e tij!” Mandej u paqëtova ndër vete dhe e kuptova pse ma kish dashur e pasur ënda t’i lexoja me aq zell ato shkrime të Azem Qazimit!
I dhashë fund edhe librit të tij me tregime! Pra kisha ecur nëpër poezinë së pari e më pas në prozën e tij. I kisha dhënë vetes mundësinë të lexoja dhe të vlerësoja se shkrimet e Qazimit janë tejet esenciale; elegante e të paktë në faqe, por të dendura në cilësi! Dhe mendova me vete: “Vërtet, lexuesi tij mund të jetë i një numri mjaft të vogël, megjithatë është më mirë; sepse vlen të lexohet prej atyre që kuptojnë më së thelli e më së miri!”
Sa i përket figuracionit, mund të them se libri është i konceptuar si një metaforë… dhe ti e sheh se ka një mënyrë eliptike të ndërtimit të frazës dhe mendimit…! Në librat e tij ndjehet shpirti dhe trasmetimi i një fryme biblike, përcjellë me aq kujdes dhe aq masë!
“Të vdekurit e parë për sivjet/ i veshën xhamat me brymë mëngjesi./ Diku një këlysh kuiste.
Gjithë këtë fani tingullore/ që pagjumësia ime e mënd,
vetëm mëngjesi din ta davarisë,/ kur shiu nis, si Apostull,/ t’ungjillizojë një popull lulesh!” (V, fq.15)
Mund të zgjatesha, por po e mbyll duke thënë se kënaqësia që mund të marrë lexuesi prej librave të Azemit Qazimit është e një tjetër forme dhe përmase, e veçantë në ndijoren e saj!
Paçim hera herës autorë me kësi rrezesh në dritë të mendjes!
Shtator 2016
*nga libri “Psikagogjia” i Azem Qazimit kam përzgjedhur për lexuesit tetë poezi.
Tetë Poezi nga Libri Psikagogjia – Azem Qazimi
Kushtim
Për atë që u epua mbi hon dhe nuk pa pështjellim, por pa idenë, atë që merr trait nga hovi i lartë i zemrës, për atë kjo këngë: ngjarje e kulluar.
Është ajo që ruajti prej prishjes të gjitha veprat e bukura të pagjumësisë dhe buzëqeshjen tënde të madhe prej detyrave, ajo që shtroi kreshpërimin e shpirtit të çdo gruaje, ajo që pa ne ekseset e mendjes kamjen e gjeniut. Po a do t’u shëmbëllejë ajo shpresave të njerëzve? Dhe po s’u shëmbëlleu, a do ta kryqëzojnë?
*
Mishrat hapen t’i bëjnë vend frymës, gjer të mbërrijmë, me përunjësi e zeje, tek e bukura. Dhe tërë rrëfimi rreth asaj vërtitet. Dhe kjo është forma që zgjedh ajo të marrë.
O bukuri e bindjes ndaj ligjit të saj,
që e bën të dukshëm monumentin e mende.
I
Thuajse rrënuar ishte streha për nga shtegtojnë pendesat,
po ende shkruante në ajër një tingull të pjerrët.
Dhe qiparisi, zanorja më e gjatë në fund të vajit,
mu mbi të e shporonte qiellin.
Përzjehej atje me terrin, e pagojë, britma jote.
Pastaj gjumi, që kaq mbushulli sillte në skela të agimit,
duke mbrujtur kopshte me zemrat e njerëzve.
Po kush do t’u vërë këtë mëngjes, sinore?
III
Përkundruall, një dritë që avitej, kthehej në shpirt; befas i përshkonte muret dhe, pezull në ajër: engjëlli. Ai qe kish fshehur vështrimin pas ngjyrës në konizmë dhe pas cohës së dridhur të tymit të vajit të kandileve.
*
Më kujtohet: festohej trupi yt dhe ndrinte, i gjerë, një përmallim, që dëshpëroi dhe engjëllin. (Dhe vdekja ishte midis nesh, sadoqë nuk përmendej.) Pastaj një “ah” e ndriu qiellin: po e banoje zemrën me frutat e pjekura të angështisë.
*
Në ty fillon e mbaron ai vend i egër, ku ngrysja lindet me ogure, ku toka çel bimë që janë fjalët e të vdekurve.
Ç’është kjo ndjesi bjerrjeje që na drobit, kjo përkohësi që na rrënon? O supet e tu të ngritur: ata nuk dinë.
X
Që tani kanë zënë të përvijohen viset e nesërme të kujtesës, ku ende e Pakrijuara do na trokasë mbi portë dhë ne që, tekembramja, do kemi zotëruar zgjimin, do të hapim sytë mbi shtrirjen e paanë të Njëshit.
Paqe, Mnemozinë, mbi këto vargje
që synojnë qendrën, duke e çelur vetë shtegun.
Vallë do t’i bëjnë ballë ata mujshisë së dëshirës për kaq shumë fjalë e ritme? Shpresa ime don kështu të jetë. Por përunjësia ka të drejtë të mëdyshet.
Paqe, Mnemozinë, mbi këto vargje, të kamur gjer tani me një gjumë të thellë.
Gjoni në Patmos
I
Lërohet në Patmos,
dhe si nga dheu, si prej një konklave, ngrihet, i bardhë, tymi:
“Habemus panem!”, duket se thotë toka.
*
Digjet në mendjen e Hyut bota; merr, pra, në duar Gjoni këtë vravashkë edhe i ndez zjarret: shkrumbohet Roma, Jeruzalemi e, gjithcka, deri aty ku mbërrin mendja. Me eshtrat e botës do të bëjë paskëtaj Hyu themele të fortë.
Njeriu Gjon nuk in mjafton më vetes. Duhet t’u gjejë një gojë ngashërimeve të të palindurve. Dhe mjekrra i rrokulliset e kuqe mbi kraharor, si një luftë që zbret në fushë të vrarët e një ploje.
Goja flet dhe fjala, që është lundër e kohës, mishërohet. Dhe fjala e mishëruar është imazh, edhe imazhi hap, me dorë të sigurt, perden e vajeve.
Një luftëtar i breshtë ngre ahere krye brenda Gjonit, shënon në ajër kufijtë e Jeruzalemit qiellor dhe Hyu bindet.
Në krahë të tij engjëlli, si i gatuar me erë, flokëderdhur mbi supe, veshur në përputhje me kanonin e një mode të amshuar.
Njeriu Gjon është thadruar në punishten e vuajtjes. Ai është një gur stralli që, pas çdo goditjeje të masatit, bën një agim,
dhe kuptimi rrokulliset nëpër erën e tumëzës.
Tinitinnabuli: Arvo Part
Po jam në kërkim të njësisë dhe, po, shumëformësia më huton.
Një dhe një në jetën dhe muzikën time bëjnë gjithnjë një.
Është e vërtetë, për periudha të gjata e bjerr besimin në muzikën,
gjersa, fare papritur, një notë pa asnjë stoli, ishulli i një himni,
shkridhet i populluar m’u në mes të shkretimit.
Pa qënë kurrë në modë, jam, megjithatë, njeriu i ditës;
famën thjesht e duroj, gjithë pa e braktisur dulce-n e jetës.
Për të dëgjuar muzikën time duhet të mbash frymën.
Jo, mos u druaj, edhe vetë do të shohësh se,
Nën kupolën e saj të qelqtë, ndehet një biosferë e bleruar.
Është e vërtetë, mushkritë e tua s’do të thithin
as ajër galdimi, as ajër kujesh, po të dy njëherësh.
Dhe po të trokiti e shenjta në derë, dorëdridhur si një e pastrehë,
çohu, mos përto, lëre të hyjë, dhe gjithë toka mbas teje do të rendë.
Pritja
Pothuajse arrijmë ta shquajmë të papriturën që avitet,
Ndaj dhe jemi ngulitur, kur të gjithë janë nomadë. Por nomadët
kaluan sot dhe thanë se nuk të kanë parë askund, asnjëherë.
Buzët e turmës po e shkumbojnë qytetin.
Ferrat, këmbëngulëse, harbojnë nëpër fushat e verës,
kallinjtë qetas piqen në zemër. Zbresin ujqit nga malet
dhe e rrethojnë gjakun tonë të ngrohtë. Lumi u tha
e në qendër të qytetit rrokullis veç gurë, po lajme asnjë, kurrë.
Zjarri, kotullimi pranë oxhakut dhe libri që rrëshqet
si shpend i shituar mbi qylym: një kulturë e tërë braktisjeje.
Në vjeshtë gjethet bien nga pemët e, ngadalë, pllakos dhe dimri në varg.
Tashmë s’u besojmë ogureve dhe gazetat, mbushur me të djeshme,
kalben nën shi, bri çirrmave të trafikut. Vetmia jonë,
gjithë duke u dëndësuar, tanimë mund të preket.
Por këmbana e katedrales ende i mbush me pyetje zemrat tona të molisura,
dhe në fytet tanë rritet, si më e blerta bimë, lutja.
Dritë dhe hije
Ora gjashtë nxiton nëpër udhë: është pothuajse mugëtirë
dhe në rafte librat ende flenë nën mburojën e prarimit.
E zeza sprapset gjer te ndryshku
që pikojnë te këmbët tona bliret,
mëkëmbës të trishtë të këtyre viseve.
Bori dhe mure, epur si zemra pak më të majtë,
bar që mbin i zi nga zëri i të gjallëve,
mbi krahë të mbartin përtej ngjarjeve te vetes
që përqark po zgjohen. Dhe sytë janë plagë
prej nga futen fjalët në trup brenda.
Pastaj një flakërimë e zbehtë, thuajse e padukshme,
kalon si akrobat nga një majë peme te një majë peme.
Dhe hija rritet e rritet. Arrihet drejtëpeshimi.
Gjersa një vezullim i fortë mbështjell gjithçka si me qefin.