back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

“Ju puth duart me ndér, si biri t’atit…” nga Mërgim Korça

Gazeta

Mergim Korça (1932)
Mergim Korça (1932)

“Ju puth duart me ndér, si biri t’atit…”

nga Mërgim Korça

Kësisoji e mbyll letrën e tij, tek i drejtohet Atë Gjergj Fishtës profesor Eqrem Çabej, (dokument i cili gjëndet në Arkivin Qëndror të Shtetit, F17 D36 fl.12). E filluam këtë replikë ndaj shkrimit të profesor Nasho Jorgaqit me pozicionimin e profesor Çabeut ndaj Atë Gjergj Fishtës, pikërisht që ta mësojë profesor Nashua se që në fillim ai e nis shkrimin e tij me një insinuatë të gabuar!
Nisur nga fakti se dëshira ime e sinqertë është t’u trashëgojmë brezave të rinj të dhëna historike si edhe sa më shumë të vërteta por fakte bashkëkohore tonat që ata jo që nuk kanë se si t’i dijnë por as që i marrin dot me mënd (nisur nga shtrëmbërimet që i janë bërë historisë nga historianët e periudhës diktaturës si edhe në vazhdim). Prandaj edhe e fillova këtë replikë timen kësisoji, ndaj asaj të ashtuquajture analizë që i bën veprimtarisë së Atë Gjergj Fishtës profesor Nasho Jorgaqi, i cili titullin e shkrimit të tij e ka përzgjedhur pikërisht të jetë: “A flirtoi Gjergj Fishta me pushtuesit fashistë?”

"Lahuta e malcis" At Gjergj Fishta
“Lahuta e malcis” At Gjergj Fishta

Pak informacion për lexuesin:

Në vitin e largët shkollor 1948-‘49, në shkollën e mesme “Gjimnazi 29 Nëndori i Shkodrës”, (qytet në të cilin na shpërngulën familjarisht duke na hequr nga Tirana në vijim të luftës së klasave) rastisi të kem shok klase paralele (ai ishte nxënës i shkollës pedagogjike, nën të njajtën çati si edhe drejtori shkolle), autorin e shkrimit të lartpërmëndur, Nasho Jorgaqin. Ky i fundit bënte pjesë në kontingjentin e konviktorëve të asaj shkolle, të kërkuar urgjentisht nga kryetari i Degës Punëve të Brëndëshme Hilmi Seiti, Ministrit të Punëve të Brendëshme Mehmet Shehut, për ta shtruar gjëndjen disidente të studentëve kundra-komunistë të asaj shkolle.
Për hir të së vërtetës, si edhe objektivitetit që dua të ketë kjo analizë, nuk kam se si ta mohoj faktin që, me aq sa mundem, të pohoj simbas ngjarjeve për të cilat isha dëshmitár në vetë të parë, se; Nasho Jorgaqi ecte asokohe për plogëtí (duke mos qenë flamurtar egërsíje), mes radhës konviktorëve të sjellë në Gjimnazin e Shkodrës me detyra të caktuara sa i takon ashpërsisë që e shquante masën e tyre të etur në drejtimin e zbatimit të luftës së klasave, si rezultat i punës së të cilëve pati përjashtime nga shkolla, arrestime, si edhe dënime me burgim bashkënxënësish tonë të asaj kohe!
Me kalimin e viteve doemos i humba lidhjet e drejtpërdrejta me Nashon, i cili iu kushtua karrierës së mësimdhënësit e në vazhdim të shkrimtárit si edhe analistit.

Ç’e shkaktoi fillimisht zhgënjimin tim për Nashon?
Leximi i dy vëllimeve të tij, “Mërgata e Qyqeve”. E përzgjodha jo rastësisht cakun gjuhësor, fillimisht, sepse në vijim të viteve erdhën pastaj edhe intervistat e tija (të N. Jorgaqit – shënim i M.K.), ku ai theksonte se si ishte munduar, derisa edhe i bindi udhëheqësit komunistë të shtetit, ta miratonin shkrimin e në vazhdim doemos edhe botimin e një romani ku; burim kryesor informacioni kishte qenë një i infiltruar i Sigurimit të Shtetit për thuajse dhjetë vite në radhët e emigracionit kundra-komunist (Isuf Mullai), si edhe disa të infiltruar të tjerë jo të kësaj rëndësije! Megjithatë, duke mos dashur të bëj asnjë hamendësi, po le insinuatë sa i takon një ure eventuale mes konviktorit Nasho Jorgaqi si edhe shkrimtarit e analistit bashkëkohës. Nuk kam se si mos të ndalem e ta analizoj kritikën që ky i fundit i bën atdhetárit të shquar Atê Gjergj Fishtës! Fillimisht pyes veten: Cila kishte me qenë zanafílla e hullísë që vazhdon e ndjek profesor N. Jorgaqi me t’ashtuquajturën analizë të tij të botuar me 2 tetor të 2016-ës?! Padyshim që janë direktivat që ka pasë dhënë “Komandanti” dhe botuar në gazetën Bashkimi të datës 22 gusht 1947, para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Pleniumin e IV-të të rinisë popullore që po e kopjojmë tekstualisht siç qe shprehur asokohe vetë Enver Hoxha në fjalimin e tij: “Miqësinë me popujt e Jugosllavisë nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta me “Lahutën e Malësisë”, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t’i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmëndur…! ”
Pikërisht mëkimi, fillimisht me mësimet e Enver Hoxhës dhe në vazhdim pastaj karriera e tij… bënë që profesor Nashua ta hartojë shkrimin e tij, me një gjuhë të cilit në pamje sipërfaqësore është e predispozuar pozitivisht ndaj Atë Gjergjit, por në efekt e mbushur me insinuata negative ku figurën e Atë Gjergj Fishtës e quan me probleme e gjithashtu me hije që e rrethojnë. E doemos objektivi kryesor është që figura e Atë Gjergj Fishtës të mjegullohet me pohime ekuivoke! Shëmbull madhor përbën ajo që Nasho Jorgaqi e quan “tundimi fashist”, e si pasojë pranimi nga ana e Atë Fishtës për t’u bërë akademik i Italisë! Kësisoji profesor Nasho Jorgaqi sjell një shëmbull, një të vetëm – por sipas tij fakt tejet kuptimplotë i lidhur me figurën problematike të Atë Gjergj Fishtës – një letër që Atë Fishta ia paska drejtuar (në gjuhën italiane), një oficeri të lartë fashist. Mirëpo profesor Nashua nuk e mendoi fare se si lexuesit të zakonshëm, pun’e parë që do t’i shkojë në mendje kishte me qenë të pyeste: “Kujt i drejtohet kjo letër?” Nga ana tjetër letra i paraqitet lexuesit e shkruar në një toskërishte dialektale ku përkthyesi, sa për një shëmbull, i ka vënë në gojë Atë Gjergjit edhe shprehjen “…kam rrufitur, në Resto del Carlino, artikullin tuaj magjistral…”. Kurse unë shtoj se së pari, letra e Atë Gjergjit (sipas profesor Nasho Jorgaqit), nuk është përgjigje që i jepet letrës që Ai ka marrë nga një oficer i lartë fashist e për më tepër edhe i paemër. Për hir të së vërtetës, Atë Gjergj Fishta me 7 qershor të vitit 1939, mori një letër urimi nga Presidenti i Akademisë Mbretërore Italiane, Luigi Federzoni, ku ai e përgëzonte ndër të tjera Atë Gjergjin si më poshtë vijon: “ …Emërimi i Juaj si Akademik i Italisë, nga njera anë flet për vetë konsideratën e lartë të DUCE-s por nga ana tjetër ësht’edhe një shpërblim i drejtë sa u takon vlerave t’Uaja si edhe një shquarje e posaçme që i bëhet poezísë shqipe, duke marrë nga ana tjetër edhe kuptimin e një njësími të përkryer shpirtëror të dy popujve tanë që deti Adriatik, me lavdítë e tija shekullore i bashkon përjetësisht…”.
Kurse Atë Gjergji me telegramin e Tij të datës 12 qershor 1939, i përgigjet Presidentit të Akademísë, Luigi Federzoni-t si vijon:
“…I mallëngjyem Ju falënderoj për urimet si edhe sa i tokon miratimit t’Uej si edhe të kolegëve t’Uej akademikë lidhun me dekretimin t’êm si pjestar i institucionit mâ të naltë të kulturës të regjimit fashist si rrjedhoj’e miratimit prej anës Duces si edhe vullnetit të Perandorit tonë i bindun se prej gjinit të Italisë ka me u rilindë Shqipníja ideale…” Unë personalisht e ftoj gjithsecilin ta verë veten në pozitat e Atë Gjergjit dhe t’i lexojë me sy kritik si thënjet e Federzonit e gjithashtu edhe telegramin e përgjigjes. Mendimi im është se që të dyja, si urimet e Federzonit e gjithashtu edhe telegrami i falënderimit përshkohen si një éndje e thurur me gjuhë të dyanëshme diplomatike!
Përgjatë kësaj vázhde, do t’i sjell profesor Nashos dy fakte (jo si letra që ai e quan fakt që e mvishka me hije figurën e Atë Gjergj Fishtës) që t’i drejtpeshojë lexuesi.

Gjergj Fishta (1866-1940)
Gjergj Fishta (1866-1940)

-Fakti i parë: Duke hamendësuar në mënyrë spekulluese rreth ndjenjave kundra-komuniste si klerik françeskan i vendosur që Atë Gjergj Fishta ishte, të cilat përkonin me pozicionimin politik të Italisë fashiste, hapi i parë i qeverisë italiane ishte që për vlerat e Tija madhore si edhe ndikimin e madh në popull që Ai gëzonte, qeverija fashiste italiane t’i akordonte Atë Gjergj Fishtës dekoratën nga më të lartat që ajo dekretonte. Këtu edhe pika kyçe e spekullimit rreth figurës së At Gjergjit. Nuk zihet në gojë fare që Atë Gjergji nuk e pranoi dekoratën e lartë dhe u shprehur se “Kjo dekoratë nuk âsht për mue!”
-Fakti i dytë: Në meshën e përmortëshme që e mbajti Ipeshkvi Imzot Thaçi, i tha morísë së pjesëmarrësve në atë takim mortór “…para dy ditësh, kah shkova m’e tokue Patër Gjergjin në spital, ashtu me gjysë fryme muejti me më thane: “Dekën e kena borxh të tânë, por âsht kah më vjen keq se po dés tue e lânë Shqipninë të shkelun prej kâmbës huej…!” Këtë fakt unë personalisht e kam mësuar nga kujtimet e Atë Zef Pllumbit. Profesor Nashua parimisht i përmënd në shkrimin e tij, por ama pa u ndalur tek ky pohim madhor i Atë Gjergjit! Me pak fjalë, edhe sikur vetëm këtë fakt të kishte mësuar profesor Nasho Jorgaqi duke lexuar kujtimet e Atë Zef Pllumit, duhej të ishte lëkundur sa u takon insinuatave të tija… pa lé sikur ta ketë lexuar edhe letrën e Profesor Eqrem Çabej-t drejtuar Atë Gjergj Fishtës!
Vijmë tek dekretimi si akademik i Italisë që iu bë Atë Gjergjit. Pikërisht nga që ky fakt është fryrë kaq shum’e me aq keqdashje sa s’ka më nga ana e historianëve të ideologjizuar me frymën e partisë komuniste e doemos edhe nga ana e shkrimtarëve të rrymës realizmit socialist (të shtyrë këta të fundit nga egoizmi si edhe cmira e tyre e pakufí ndaj veprës së Tij madhore letrare), do të ndalemi e t’i hedhim dritë pikërisht këtij fakti. Atëbotë akademikët e Italisë, si anëtarë të një institucioni të pavarur kulturo-shkencor që ishin, njëzëri e propozuan Patër Gjergj Fishtën si anëtar të Akademisë Italiane (Për ta biseduar me Atë Gjergjin paraprakisht mendimin e Akademisë Italiane, qé ngarkuar Prof. Agostino Gemelli, klerik françeskan si edhe akademik).
Me këtë veprim Akademia e shpërfilli si edhe e shpotiti qeverinë italiane, duke ia rritur skaj-shmërisht prestigjin jo vetëm Atë Gjergjit por bashkë me të edhe Shqipërisë. Akademia Italiane, nga ana e saj, záret i kishte hedhur. Pritej përgjigja e Fishtës. Hapin tjetër të priftit krenár vërtet’e priste me padurim Akademia e Italisë, por e priste me kureshtje dhe inat akoma më të shtuar qeveria fashiste, gjoja e pa interesuar. Vonoi përgjigja, po më në fund erdhi: Patër Gjergji e kish për ndér propozimin që i bëhej dhe falënderonte të gjithë anëtarët e Akademisë për vlerësimin që i bënin! Këtu tashti edhe forca e karakterit të atdhetárit të madh e cila hedh poshtë të tëra insinuatat:
Në konferencën e parë solemne si akademik në Kinema Rozafat, për t’a pozicionuar veten e Tij botërisht,duke folur për dukurinë e ngjashme ndërmjet pushtimit të dikurshëm romak të Ilirisë me pushtimin e atëhershëm fashist të Shqipërisë Ai guxoi e tha: “…Rezistenca që romakët hasën ndër fiset dhe Mbretëritë Ilire të gjitha ndodhën sepse ilirët e panë menjëherë se trupat romake po sillnin robërinë në vënd të lirisë…”
Sikur të përqëndroheshim vetëm rreth këtij pohimi të Atë Gjergj Fishtës, bërë nga ana e Tij publikisht si edhe zyrtarisht, nuk ka se si të mos na dal’e qartë se si akuza e ngritur kundra Tij si “shërbëtor i imperializmit si edhe i fashizmit italian”, bíje poshtë me plot kuptimin e fjalës si një çpifje e skajshme keqdashëse, përçarëse si edhe e pavend!
Nisur tashti nga të gjitha zhvillimet, të kundruara ato me përparësínë që na jep kqyrja në mënyrë mbrapavështruese, si ta quajmë titullin e përzgjedhur nga profesor Nasho Jorgaqi ku pyetja e drejtuar lexuesit mbështetet në një “folje” (në paskajore – të flirtosh), e cila ka kuptimin të bësh dashuri por me kusht mos të jenë të përfshira aspak ndjenjat (sipas il “Nuovo Zingarelli” – nga fjalorët bashkëkohorë më autoritarë italisht – italisht)? Ja se deri ku shkon insinuata e autorit të shkrimit ndaj Atë Gjergj Fishtës, pa u zgjatur aspak se cila kategori femrash “flirtojnë”, pa lé që shtruar pyetja 69 vite mbasi diktatori e quajti Atë Fishtën shovinist dhe shërbëtorin e fashizmit! E të gjitha këto profesori Nasho Jorgaqi i mbështet në një letër eventuale gjuha e së cilës është skajshëm diplomatike dhe ai këtë e quan fakt!(?)
Dhe unë i mbyll këto radhë duke e pyetur veten time: U zhgënjeva më shumë nga Nashua tek lexova “Mërgata e Qyqeve” (dy vëllimet 36 vite të shkuara), apo tek lexoj sot si e trajton Atë Gjergj Fishtën profesori ynë i nderuar?!!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.