back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Pse stisen flirte të Fishtës me fashizmin? nga Frano Kulli

Gazeta

Vepra e Plotë e At Gjergj Fishtës
Vepra e Plotë e At Gjergj Fishtës

Pse stisen flirte të Fishtës me fashizmin?

nga Frano Kulli

Në një shkrim të paradoditëve, nën titullin: “A flirtoi Fishta me fashizmin?”, Nasho Jorgaqi shkruan: “Për fat të keq, kleri katolik shqiptar, që trashëgoi një traditë të shkëlqyer në historinë tonë kombëtare, në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk u gjend me ato forca që u hodhën në luftë kundër pushtuesve fashistë. Përkundrazi, kleri katolik, në një mënyrë a në një tjetër, i hapi rrugën pushtimit italian, e mirëpriti ushtrinë agresore, duke i cilësuar legjionet e saj “pëllumba të Krishtit”, e mbështeti “rendin e ri fashist” dhe u vu në rolin e bashkëpunëtorit të tij. Për këtë flasin qartë arkivat, dokumentet e viteve 1939-1944…” Dhe në qendër të arsyetimeve, për të përmbushur idenë e paracaktuar vihet Fishta: “Fishta, dashur pa dashur, flirtoi dhe u kthye ose u përdor si ithtar i pushtuesve.”

Në të vërtetë, asnjë personalitet shqiptar i kulturës, rezident i përhershëm në truallin ku lindi nuk ka marrë nderime e vlerësime të pafundme superiore sa At Gjergj Fishta, në gjallje të vet, po dhe përtej, në nisjen e jetës së pasosur. Jo vetëm nga dishepujt e tij, për të cilët qe ylli polar, se kjo do të qe e zakontë dhe e papërfillëshme për t’u përmendur, por edhe nga personalitetet më të shquara të shkrimtarisë e të kulturës në vendin e vet, në Ballkan e në vende përreth të Evropës: Maksimillian Lamberz, Norbert Jokli, Gaetano Petrotta, Antonio Balldacci, Erwin Stranik, Gabriele d’Annunzio, Karl Steinmetzi, Agostino Gemelli, Faik Konica, Aleksander Xhuvani, Lasgush Poradeci, Asdreni, Ernest Koliqi, Lefter Dilo, Martin Camaj… etj., etj. I rrethuar me lavdi si askush deri atëherë në Shqipëri, deri me 30 dhjetor 1940, kur mbylli sytë
Njëri syresh, Luigi Federzoni, shkrimtar, publicist dhe politikan i rëndësishëm i kohës, pas vdekjes së Fishtës shkruan “Në të [Fishten] kemi pa se gjallonte e rrahte zemra e shpirti i kombit fisnik shqiptar me të gjitha bukuritë e miteve origjinale, të traditave mistike e kalorse, të dokeve besnike të vjetërsisë, të ndjenjave heroike. Secili nesh ka kuptue se Gjergj Fishta kishte me të vërtetë lartësinë e Poetit Kombëtar.Tashti e dijmë se vepra ka për të mbetë në mende e në nderim të shqiptarëve (“Gjergj Fishta” numër përkujtimuer, botuar nën kujdesin e revistës “Shkëndija”, Tiranë 1941, fq.6). E, është e ditur se Federzoni përpos se kryesuesi i Akademisë Italiane qe edhe ministri fashist i Italisë. Por, siç shihet ai vë në dukje të tjera” flirte” të Fishtës, me atdheun, me kombin, cilësi, të cilat kumbuan megjith forcën e autoritetit dhe të dashurisë së pakufishme që ai gëzonte prej popullit të vet, por edhe prej elitës (kontemporane) bashkëkohore europiane. Dhe nuk përmend aspak ndonjë flirt me fashizmin… Duhet të vësh syze shumë të imta për të kërkuar gjilpërën në kashtë dhe prap zor se mund të gjesh qoftë edhe një nuancë flirtimi të Fishtës me fashizmin, edhe përmes këtij pohimi të Federzoni-t, i cili, do të ishte i interesuari i parë t’i atribuonte nderimit të Fishtës flirte me to.

Shkodra Intelektuale 1924 (Kel Vila me X)
Shkodra Intelektuale 1924 (Gjergj Fishta ne mes)

…Akademik i Akademisë Mbretërore të Italisë, Fishta, ka marrë edhe shumë më heret 4 dekorata shumë të larta; “Mearif kl. II, prej qeverisë osmane, me 1912, “Rittekreuz” prej Austro-Hungarisë së 1912-tës, “Medaglia di Benemerenza, me 1925 prej Papa Piut të XI-të, “Phoenix”, me 1932 prej Mbretit të Greqisë. Po ka edhe një dhuratë simbolike prej Krajl Nikollës së Malit të Zi, Fishta. Dhurata është një “teste” (12 copë) lugësh e pirunjsh ari, të cilat Fishta i kishte vendosur në një vend të dukshëm në Kuvendin e Gjuhadolit ku banonte dhe kur vizitorët e tij të shumtë e të shumsyresh e pyesnin për to, ai thoshte, jo pa ironi: “punë krajlash” (T. Çobani, Koha Jonë, 14 qershor 2015)…. Dhe, nëse dhuratat e nderimet për të e aq më shumë anëtarësimin në Akademinë e Italisë,do t’i çmonim edhe si rrjedhojë e flirteve të Fishtës, do të duhej të thuhej se ai ka flirtuar edhe me Malin e Zi…
Ndokush priste që kleri katolik shqiptar, atdhetaria e të cilit kishte konfermë historike të bëhej palë me njësitet guerrile partizane dhe atentatet e tyre ideologjike, gjatë luftës së dytë botërore, por më parë është mirë të sillet në përmendje të publikut Konferencën e Paqes, në vitin 1919. Atë delegacion, produkti i dobishëm historik i të cilit është i njohur për Shqipërinë, e kanë përbërë dhe kryesuar klerikë si Mons. Luigj Bumçi e At Gjergj Fishta dhe atdhetarë si Mit’hat Frashëri. Kurse një dërgatë e “Missëve” (antarëve të sipërpërmendur të këtij delegacioni), në një audience tek Papa Benedikti i 6-të bëjnë të mundur të shpëtojnë nga kthetrat e fqinjëve Korça e Gjirokastra. Apo nuk çmohet si i tillë dhe brenda dimensionit të lirisë kombëtare – Kongresi i Manastirit dhe gjithë ajo çka u bë aty për gjuhën shqipe, si premisë e parë e ekzistencës së kombit!… Dhe roli i Fishtës aty, sigurisht që është i njohur.
Klerikët shqiptarë katolikë, nuk qenë aq të paditur e të painformuar sa të mos e kuptonin murtajën që do të vinte, me instalimin në pushtet të komunistëve. Madje si dhe atdhetarët e tjerë të vërtetë të Shqipërisë ata e paralajmëruan këtë rrezik që vinte prej kësaj murtaje.
Apo, mos vallë kërkohej që prelatët katolikë të rrëmbenin pushkët e të dilnin në mal me partizanët dhe vetëm kështu do ta shërbenin kauzen e Lirisë?! …Për kauzen e Lirisë, kontributi i tyre është, pa më të voglën mëdyshje i paqortueshëm. Sikurse është i paekuivok qëndrimi i tyre gjitherë përkundër rregjimeve, në krah të vegjëlisë. Është, gjithashtu fakt i njohur se Fishta qe aspak i preferuar për rregjimin e kohës kur jetoi, në opozitë publike me të dhe gjithmonë në mënyrë konsistente në krahun e vegjëlisë e jo të rregjimeve. Madje për një periudhë dyvjeçare u detyrua të largohej prej vendit të vet, nën presionin e rregjimit.
Kurse një tjetër prelat të Kishës katolike, Dom Gjon Gazullin, rregjimi mbretëror e dënoi me varje, si kundërshtar të vetin, ndërsa i vëllai, pati thuajse të njëjtin fat në rregjimin pasues.
Në shërbim të idesë së flirtimit të Fishtës, në shkrimin e mësipërm përmendur sillen edhe kujtimet e At Zef Pllumbit… Është shumë e besueshme gjithçka shkruan Pader Zefi për Fishten, ai qe një dishepull i spikatur i tij, që me të tjerë bashkëvëllezër françeskanë të vegjël e të mëdhenj e kanë përjetuar si ata e kërkush mospajtimin e Fishtës me pushtimin. Çdo aludim tjetër që tejkalon mospajtimin me fashizmin është i kërkuar, jo i vërtetë dhe jo historik… Dhe, më së paku jo dashamirës dhe fyes për vepren e 38 martirëve të kishës katolike, lumturimi i të cilëve do të bëhet këto ditë…
Në përmbyllje, ballazi me letrën që Fishta i paska shkruar një koloneli në Shkodër, të cilën e përdor si ilustrim shkrimi në fjalë, po sjell artikullin që shkruante “Corriere della Sera”, me 31 dhjetor 1940, të nesërmen e kortezhit madhështor të Fishtës, me titull:

“Vdekja e Gjergj Fishtës -  poeti kombtar shqiptar” Corriere della Sera
“Vdekja e Gjergj Fishtës – poeti kombtar shqiptar”
Corriere della Sera

“Vdekja e Gjergj Fishtës – poeti kombtar shqiptar”

“Erdhi lajmi nga Shkodra se për shkak të nji goditje zemre, ka vdekë sot në mëngjes At Gjergj Fishta i Urdhnit Françeskan (OFM), akademik i Italisë dhe shkrimtar i shquem shqiptar. Fishta, i lindun në afërsi të Shkodrës në vitin 1871, mbaroi studimet fetare në Bosnje dhe u kthye në Atdhe mbasi u shugurue meshtar. Në Shkodër themeloi shkollën françeskane dhe filloi botimin e së përkohëshmes “Hylli i Dritës” . Të shumta janë botimet kulturore dhe letrare të cilave u dha jetë dhe zhvillim ky rregulltar. Poemat e tij, krijimet dramaturgjike dhe shkrimet e tij, qysh në fillim u drejtuen në përgjithësi për dhanjen e impulsit të zgjimit të ndërgjegjes atdhetare shqiptare. Si drejtor i Shkollës Publike të françeskanëve në Shkodër, futi aty gjuhën kombtare qysh nga viti 1902, kur ajo ishte e ndalueme rreptësisht nga Qeveria osmane.Mbas lëshimeve të kushtetutes turke të korrikut 1908, shqiptarët, të cilët kishin luejtë nji rol me randësi në atë revolucion, deshtën të mblidhnin forcat intelektuale dhe t’i përfshinin në nji bashkësi të përbashkët, por vështirësia e parë në të cilën ndeshën ishte njësimi i alfabetit. Në Kongresin shqiptar të mbledhun për këtë qëllim mori pjesë At Gjergj Fishta, i cili ia arriti që të bante që alfabeti latin të pranohej, që ma vonë u ba i përbashkët dhe zyrtar për të gjithë Shqipninë. Mbasi u ba nji ndër eksponentët kryesorë të Shqipnisë së ringjallun, ai mori pjesë në Konferencën e Paqës në Paris dhe ma vonë u emnue deputet dhe zëvendës- kryetar i parlamentit. Në shenjë mirënjohje, si mik i sinqertë i Italisë, për meritat e tij ndaj vendit të vet dhe për vlerat e botimeve të tij, u ftue në majin e shkuem me marrë pjesë në Akademinë Mbretnore të Italisë. Ndër publikimet e shumta të At Gjergj Fishtës kanë randësi krijimet poetike të frymzueme në përgjithësi prej legjendave shqiptare dhe të prime me përkujtue ndjenjat kombtare. Veç poemës në tridhjet kangë të titullueme “Lahuta e Malcisë” , ai ka shkrue himne kishtare, lirika të ndryshme dhe satira me karakter politik. Luigi Federzoni ka marrë masat që Akademia e Italisë të ketë përfaqësuesin e vet në funeral, dhe i ka dërgue telegram ngushëllimi familjes, kryeministrit të Shqipnisë, ministrit të Arsimit të Shqipnisë, parisë së etenëve françeskanë si dhe “Institutit Skenderbeg”, anëtar i të cilit ishte i ndjemi i shquem.”
“Corriere della Sera”, me 31 dhjetor 1940

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.