back to top
2.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Maksim Rakipaj… sjell 154 sonetet e William Shakespaere në shqip

Gazeta

154 Sonete - William Shakespaere
154 Sonete – William Shakespaere

Eshtë botuar dhe ka dalë nëper librari
libri 154 Sonete të William Shakespaere,
sjellë në shqip mbas nji punë të gjatë e plot përkushtim
nga përkthyesi Maksim Rakipaj.
Sigurisht nji punë sa e lavdërueshme aq edhe guximtare,
sepse askush deri më sot nuk ka mundur jo vetëm t’i sjellë kaq të plota
e cilësisht si në kët stad kaq të lartë të shqipërimi.
Ky është thjesht nji përgëzim, mbas nji  fluturimi të shpejtë mbi këtë vepër të re,
duke i lënë kohë perceptimit më të plotë dhe shprehjes më përcaktuese
mbi kët sjelljë të re të Rakipajt nga thesari i kulturës së përbotshme…
Përgëzimet e mia Maks dhe, të tjera suksese! jozef radi

Dy fjalë në vend të pasthënies

nga Maksim Rakipaj

Prej vitesh shqipërimi i poezive më të zgjedhura nga fondi i poezisë botërore është bërë “hobby” im i parapëlqyer. Lexoj dhjetra, ka raste qindra poezi në ditë që të përzgjedh një syresh për ta dhënë në shqip. Kështu, duke lundruar në internet hasa në italisht një poezi të Shekspirit; gërmova më tej dhe e gjeta në anglisht, qe soneti numur 90: “Then hate me when thou wilt; if ever, now” …etj., Më rrëmbeu menjëherë, i gjeta në ëeb me shënimet përkatëse të autorëve britanikë dhe jo vetëm prej tyre, madje edhe të përkthyera në anglishten e sotme, gjë që ma lehtësoi mjaft punën. Veprat e një gjeniu si Shekspiri, afërmendsh janë përkthyer në të gjitha gjuhët: prej kohësh ka sjellë dramat e Tij në shqip Noli i madh, një prej shekspirianëve të pranuar botërisht, por jo sonetet. Sa për sonetet, i gjen të përkthyera në frëngjisht, rusisht, gjermanisht, etj., në përkthime që i qëndrojnë besnikë autorit dhe rregullave të shkrimit të soneteve; gjë që nuk mund ta thuash për sonetet e përkthyera në italisht, edhe nga pena të njohura, si p.sh., Ungaretti me 43 përkthime dhe Montale vetëm tre; por të plota në italisht i ka sjellë Alberto Rossi që përktheu gjysmat dhe Giorgio Melchiori gjysmën tjetër. Por pa respektuar metrikën e sonetit. Sonetet u shkruan prej vitit 1595 deri në vitet e para të 1600-ës.
Nuk do të merrem këtu me diskutimet e zhurmëshme rreth autorësisë; disa studiues shprehen se i shkroi Francis Bacon; disa të tjerë, nisur nga përsëritjet e shumta dhe niveli jo në lartësinë e gjuhës së dramave të tij, thonë se i shkroi dikush tjetër për të diskredituar emrin e madh që pat bërë Shekspiri. Por mua nuk më interesojnë aspak këto teori (ka dhe të tjera); sido të jetë, sonetet janë me emrin e Tij dhe ai emër meriton nderim.
Pse janë 154 sonete?
Bëra një llogaritje, në një sonet janë 14 vargje herë 11 rrokje baraz 154 rrokje. Pra një Sonet për Sonetet, që vetëm Ai mund ta shkruante. Struktura shekspiriane e soneteve është kjo: janë tre strofa njëmbëdhjetë rrokshe (quatrains) me rima ABAB, CDCD dhe EFEF dhe dy vargjet e fundit (couplet) me rimë të puthur GG, gjë që e bën lehtësisht të dallueshëm prej strukturës së soneteve të Petrarkës. Pata dëshirë të sjell në shqip 154 Sonetet e të madhit Shekspir në lartësinë që Noli pruri rreth një shekull më parë tragjeditë dhe komeditë e Shekspirit; i vetëdijshëm që nuk mund të matesh me titanët, gjithsesi unë u përpoqa ta bëj.
ShënimSonetet i kam shqipëruar gjatë viteve 2013 – 2016

Perkthyesi Maksim Rakipaj - Tirane Tetor 2016
Perkthyesi Maksim Rakipaj – Tirane, Tetor 2016

Disa nga sonetet e Shakespaere

Përkthyer nga Maksim Rakipaj

Sonet nr. 15

Kur shoh se gjithçka që lindet, kur rritet
Si skenë pa fund ku shkojmë si hije
S’mbetet e përkryer kur shkojnë vitet,
Dhe yjet lart, rrinë mbajnë shënime;

Shoh njerëzit, si pemët, rriten njësoj,
Shkëlqejmë të rinj, pastaj veç rrënim
I njëjti qiell, na ndrit, a na sterron,
Dhe ç’qemë njëherë mbetet veç kujtim;

Ndaj këtë jetë drite, terr e mendoj
Ndërsa Koha, Vdekja presin padurim,
Kur rinia jote më përpara kalon,
Dritën e rinisë tënde të ta nxijnë,

Dhe me Kohën luftoj, për ty Dashuri,
Çka ajo shkul, e mbjell unë përsëri.

Sonet nr. 22

S’më bind jo, aspak, që jam plak, pasqyra,
Se vërsnikë jeni ti edhe rinia;
Veç kur me rrudha të t’mbushet ty fytyra,
Fundin do t’u pres ditëve të mia.

Kjo bukuri dhe këto hire që ke,
Janë drita që zemra ime ta jep,
Që të rreh në gjoks, si jotja në timin rreh:
S’më thua pak, më plak se ty mund të jem?

Prandaj e dashur, vehten me kujdes e ruaj,
Zemrën tënde mbaj me njëqind pekule,
Kështu si bëj vetë, për ty, jo për mua.
Si mëndesha foshnjën mbron mos sëmuret.

Mos prit të ta kthej, kur imja të vdesë,
Nuk kam se si, ma ke dhënë përjetë.

Bisedë nën drita dhe shi...
Bekuar qofsh ti dhe hiret e tuai…

Sonet nr. 66

Paqen e vdekjes kërkoj, kur shoh se ç’ngjan,
Hiçin pa vlerë veshur, pispillosur,
Kur shoh Meritën që rron si një lypsar,
Besën e pastër padrejtsisht njollosur,

Nderin e ndritur poshtërsisht të shqyer,
Si katandisën dhe Përsosmërinë,
Shoh Virtutin si e kanë shkërdhyer,
Dhe vullnetdobtit si mposhtën Fuqinë,

Arti kokulur i bindet pushtetit,
Kur shoh dhe të Vërtetën qysh e tallin,
Marrëzia mjek, na ruan shëndetin,
Ja dhe e Mira, që i shërben djallit:

Larg dua të shkoj, kurrë mos u kthefsha,
E dashura mbetet vetëm, në vdeksha.

Sonet nr. 109

Oh, jo! Kjo zemër nuk i njeh mashtrimet,
Sado flaka mund t’i jetë platitur;
Se nuk mund të shqitem nga vetja ime,
Dhe shpirti im në gjoksin tënd rron ngjitur:

Dashuria ime aty ka strehën;
Larg jam endur dhe përsëri u ktheva,
Dhe largësitë ndjenjën nuk ma zbehën,
Mëkatet e mija vet’ unë i shleva.

Me dobësitë nuk kam njohur qasje,
Me ato që mishin shtyjnë në ngasje,
Kurrë, marrëzisht nuk jam turpëruar,
Asgjë s’e vlen të humb hiret e tua:

As e gjithë bota nuk më hyn në sy,
Gjithçka kam, o lule, po të pata ty.

Sonet nr. 123

Jo moj Kohë, unë s’ndryshoj, mos shit mënd,
Piramidat që ti më ngre përpara
Të reja nuk janë dhe s’më thonë gjë:
Si ca rroba mbi gjëra të stërpara.

E shkurtër jeta, prandaj dhe na pëlqen
Dhe nuk e vrasim mendjen e uruar
Kur vjetërsirat na nxjerr si gjë të re,
Që qyshkur i kemi parë e dëgjuar.

Ç’ke shkruar, unë nuk i përfill hiç
Gënjen sa mundesh edhe shkruan gabim,
E shkuara, e tanishmja s’më habit,
Nuk ke ç’t’i bësh, gjithmonë je me nxitim.

Betohem se gjithmonë ky do të jem,
Ty dhe kosën tënde, frikë s’do t’ju kem.

Sonet nr. 137

E verbër dashuri, syve ç’m’i punon,
Që dritës ven’ i thonë errësirë?
Bukurin’e njohin, shohin ku banon,
Veç për të bukur, marrin një shëmtirë.

Nëse sytë nga ti, më zenë sklepa,
Ngecur n’atë gji, ku ngecin të tërë,
Pse sytë ke bërë njësoj si grepa,
Me ta, të shkretën zemër ç’ma ke zënë?

Përse zemra ime quan të vetën
Atë vend, ku të gjithë shkojn’ e rrinë?
Përse sytë mohojnë të vërtetën,
Një fytyrë të nxirë, përse ndrijnë?

Të drejtën, syt’ e zemra s’ma rrëfejnë,
Dhe prapësitë, vijnë dhe më gjejnë.

Sonet nr. 52

Jam si pasaniku, që mban me vite
Të kyçur, thesarin e tij të shtrënjtë,
Dhe mall e dalldi, kurrë s’i platitet,
Se rrallë e adhuron, si gjë të shenjtë.

Rrallë shkon e sheh, me ngazëllim të madh,
Ndodh rrallë kjo festë, në një vit një herë,
Mu si xhevahirët vihen në gjerdan,
Ashtu larg vihen dhe gurët me vlerë.

Kështu koha si një thesar të ruan,
Se kur vjen ai çast që mezi e pret,
Vjen ajo ditë, bëhesh më e çmuar,
Si  gjë e çmuar që ruajmë në sepét.

Bekuar qofsh Ti dhe hiret e tua,
Shpresë nga larg, gëzim kur je me mua.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.