back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Thanie të Fishtës dhe Vlerësime për Gjergj Fishtën Në kuadër te javës së Fishtës (23 Tetor – 30 Tetor 2016)

Gazeta

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)

Thanie të Fishtës  dhe Vlerësime për Gjergj Fishtën

Në kuadër te javës së Fishtës (23 Tetor – 30 Tetor 2016)

Thanie të at Gjergj Fishtës

***
“Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!”
***
“Njerëzit janë tanë njisoj prej natyrës, edukata i ban me u dallue…”
***
“Shqiptarët kallzojnë njate çka s’duhet, e mshehin njatë çka e di tanë bota…!”
***
“Pak din njaj që ja kallzon të tana grues!”
***
“Në kjoftë se provon, mundesh me hupë, por në kjoftë se nuk provon – je i hupun gjithsesi…!”
***
“Në kjoftë se thue at çka dishron, duhet me ndie edhe ate çka nuk e dishron!”

Marrë nga Muri i Fb i Ilir Secit 28 tetor 2016

Gjergj Fishta (1871-1940)
Gjergj Fishta (1871-1940)

Vlerësime të autorëve të huaj dhe shqiptarë

për Viganin e Veriut – Gjergj Fishtën

“Lahuta Malcis, të cilën, pasi e lexova dhe rilexova mbi 100 herë, jam dashurue aq shumë me këtë vepër, sa po më detyron të bëhem katolik.” Eqerem Çabej
***
Karl Shtainmes e krahason Fishtën me Gëten e Shilerin
***
Elita Franceze e thërriste: “Tirteu i Shqipërisë”.
***
“Pak kush kujtoj, në letërsi të mbarë botës, ia del at Fishtës si poet satirik, si i tillë me nji furi të çuditshme ther e pren aty ku djeg.” At Fulvio Cordignano
***
“Fishta është ndër të parët e ndër më të mëdhenj atdhetarë, të cilët në kohë më të vështira bënë çmos për t’a mbajtur gjallë lëvizjen kombëtare kundër dhunës barbare të qeverisë turke, kundër lakmisë dhelpërake serbe dhe kundër propagandës greke. Kudo që shtrohej çështja e Shqipërisë, At Fishta gjendej aty pranë e, ku me vepra e ku me shkrime, sidomos me poezinë e tij të gjallë, zgjonte nga gjumi më të plogështit dhe mbante gjallë gjithmonë shpresën e ardhmërisë.” Geatano Petrotta

Cordignano per Fishten
Cordignano per Fishten

***
“Fishta, shikuar n’atë qenien e vet, pa dyshim është krejtësisht romantik. Rëndësija e tij mbi kombsin, zgjedhja e lëndës, fuqija, gjallnija e nderimi i shprehjevet të tija, sidomos trajta e përmbajtjes së veprës së tij kryesore Lahuta e Malcís – me mbishkrimin tërhjekës të dokeve e të zakoneve kombëtare e bëjnë dëshmí mjaft t’qartë… Fishta, ky gjeni i rrënjosun në tokën amtare të popullit shqiptar, qi për shkak të njohjes së thellë të tij mbi literaturën e popujve klasikë e mbi jetën shpirtnore të kombeve të tashme të Evropës, u kap në majë ma të naltat të kulturës.” Prof. Dr. Norbert Jokl
***
“…Lahuta e Malsisë e Gjergj Fishtës, jo vetëm që ka rândësi në pikëpamje artistike, por ajo, porsi vêna e mirë që sa mâ shumë vjet kalojnë aq mâ vlerë merr, tue qenë se ajo âsht pasqyra, magazina e kopja besnike e jetës, e shpirtit, e dëshirave e përpjekjeve, e luftës dhe e vdekjes së shqiptarëve: me nji fjalë, Lahuta âsht shprehja mâ e kjarta e dokeve të fshatarëve, banorë të Maleve të Veriut. E prejse doket e lashta të fiseve malore janë gjykue të zhduken nga tallazet e forta të civilizimit, lexuesi, letrari, folkloristi, juristi e historiani i nesërm kanë për t’ia dijtë për nder në dhetë a qindvjetët e ardhshëm Poetit, i cili në Lahutë të Malsisë na la nji ritrat (portret) të shqiptarit, të përshkruem nga goja e dëshmitarëve njikohsorë, ashtu si këta e gjetën në agimin e shekullit të XX-të, me atë ndryshim të vogël që shqiptari pësoi ç’prej kohëve të largëta të iliro-thrakëve.” Prof. Dr. Norbert Jokl
***
Shqipnia pat nji fat t’madh e t’jashtzakonshëm, shka nuk e patën popujt e tjer, veçse mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, atë, qi u pshtet në popull t’vetin e n’gjuhën e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishtës.
I rrënjosur krejtësisht në popullin e vet, Fishta ka dashur të përgjonte si flasin burrat e gratë e maleve. Ka marrë prej tyne mënyrat e nëmëve, të mallkimeve e të urimeve dhe çdo gjë e ka shkrirë me mjeshtri në poezitë e veta”.
“…Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e tij të jenë përkthye ndër gjuhe ma të përhapuna…!” Maxmilian Lambertz
***
“Aq sa mund të kuptohet Greqia pa Homerin, Italia pa Dante Aligerin, Anglia pa Shekspirin, Gjermania pa Eposin e Nibelungëve, Franca pa Balzakun aq mund te kuptohet dhe Shqipëria pa At Gjergj Fishtën…” Gustav Mayer
***
“Patër Fishta njihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli… Si këte kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranath Tagora.” Erwin Stranik
***
“Fishta mori prej popullit gjithçka që gjet të hijshëm, të madhnueshëm e të fuqishëm, e porsi një piktor i Zoti, e shndrroi në shpirtin e vet, tue e riprodhue në një mënyre e cila asht vetëm e tija, prandej, origjinale.” At Anton Harapi
***
“Atë Fishta është marrë me secilën gjini letrare dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm. Mirëpo, jashtë Shqipërisë ai është i njohur vetëm si autor i “Lahutës së Malcis – një epope pastorale e kalorsiake, përkthimi gjerman i së cilës botuar në Laipsig është i dobët, meqë nuk ka qenë e mundur të përkthehet muzika e ritmit Fishtës dhe coloriti tij…” Faik Konica
***
“Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës.” Faik Konica
***
“Tue lexue Lahutën e tij, përplot me teprica kangësh rapsodike të pa emën, të duket se je tu e vështrue popullin shqiptar kah i këndon vedvetit, me fjalët e Fishtës, ma t’kulluetën kangë, e cila shpërthen nga një gjak misterioz që rrjedh në zemrën e tij Ilire”. Ernest Koliqi

Gjergj Fishta (1866-1940)
Gjergj Fishta (1866-1940)

***
“Patër Fishta… me veprat e tij në poezi e në prozë arriti të kurorëzohej me dafinë si më i madhi poet kombëtar, ai është tharmi i poezisë popullore shqiptare dhe më i kulluari shkrimtar i Arbërisë.” Antonio Baldacci
***
“Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar, ky është si të thesha monopolitetioliteti” gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit…
Gjithë vepra poetike e shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjë për të derdhur dhe kënduar në art, se sa ideja e Zotit, ideja e Atdheut!
Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit – anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija. Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3. 30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: …fundi i fundit, dhè Kombi ka të drejta mi mua! Lasgush Poradeci
***
Ne vitin 1935 At Fishta pat përfunduar “Lahutën e Malcis”. Atij i dërgon Lahutën Eqerem Çabejt i cili ishte në Viene së bashku me një kartolinë urimi për Vitin e e Ri. Pas dy tre muajsh Çabej i kthen përgjigje At Fishtës, ku ndërmjet të tjerave i shkruan: “Padre, të falenderoj për urimet e Vitit te Ri, por të falenderohem njëmijë herë për veprën që më dërgove Lahuta Malcis, të cilën, pasi e lexova dhe rilexova mbi 100 herë, jam dashurue aq shumë e këtë vepër sa po më detyron të bëhem katolik.”
***
Në vitin 1936, gjuhëtari i shquar dhe studiuesi i letërsisë, albanologu më i madh, Eqerem Çabej në studimin “Për gjenezën e literaturës shqipe”, kur flet për Fishtën dhe veprën e tij, ndër të tjera shprehet: Një provë që nuk e kishte bërë me sukses letërsia shqipe më parë, bëhet me sukses të jashtëzakonshëm nga ky autor. Me Lahutën e Malcisë, Gjergj Fishta na tregohet poet me fuqi epike të lindur, rrëfimi i tij është plot gjallëri dhe rrjedhje. Vepra e këtij autori është e mbështetur në këngët e veriut mbi trimëritë të cilat në veprën e re thuren duke u përsosur e fisnikëruar.
Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar në njësinë e madhe të kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe mbërrin ke Abdyl Frashëri me Lidhjen e Prizrenit. Duket qartas përpjekja e tij të zgjeroj botën në një brendi më fort nacionale, të ngrejë kështu veprën në sferën në një brendi kombtare. Kështu vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar…
duke qenë njëkohësisht në një farë kuptimi edhe një eposballkanik. Një dritë jete homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si në dukje të zanave që u përngjajnë Dianës e Atenës
Gjergj Fishta është bërë sidomos me Lahutën e Malcisë përfaqësuesi më i parë i literaturës së sotme shqiptare. Eqerem Çabej
***
“Lahuta e Fishtës çfaq ndjesitë më të thella dhe karakteristikat me të kristalizuara që i ruajti raca shqiptare përmes shekujve plot shtrëngata… Shqipëria e tërë përfshihet e dehur nën vargjet e kësaj Lahute, e cila bëhet pronë kombtare, mish e gjak, ndjenjë e mish i përbashkët”. Sterio Spasse
***
“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahnitun mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë”, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj…” Aleksandër Xhuvani (Fjala e tij në varrimin e Fishtës)
Marrë nga Muri i Fb i Ilir Demalisë, 28 tetor 2016

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Një detaj memorik socioqytetar për Fishtën…
    Fishta i vlerësuar dhe i respektuar nga familja libohovite Çano, kishte dhomën e tij të fjetjes personale kur vinte në Tiranë te hotel Internacionali, pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, pronë e gjyshit të Bujarit, ku Ģani dhe Ismet Çanos pronarë të atëhershëm , Fishta i propozoi emrat e të 6 fëmijëve (Dhurata, Lumturi, Dashuri, Fisnik, Besnik, Durim e Kujtim Çano). Personat e lartpermendur janë 85-100 vjeç. Kështu ai u bë nun “Godfather” familjes.., Te ky hotel padër Fishta në privatësi absolute ka punuar e ripunuar vargjet homerike të Lahutës.
    Babai i Bujarit, Fisnik Çano ma ka transmetuar këtë kujtim konkret social familjar në lidhje me viganin e letrave shqiptare që ai e quante “Bibliotekë Kombëtare”.
    Te hoteli kanë fjetur shumë figura intelektuale shqiptare e të huaj, por dhoma e Fishtës ishte “untouchable” – e paprekshme…
    Komunistët kur e shtetëzuan hotelin plaçkitën, vodhën, dogjën, thyen gjithçka shqiptare dhe të huaj si kristalet, porcelanet bavareze, ornamentet, bronxinatet etj… mbi të gjitha ata zhduken memorien e shkruar të hotelit dhe kodikët e tij që ishte një histori shqiptare civilizuese kombëtare që në ndërtim të tij, dizenjuar mjeshtërisht nga arkitektë vjenezë, atëhere kur Tirana ishte 90% me shtëpia njëkatëshe… (Valbona Nagafci)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.