back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Liri e nëpërkëmbur morrash… cikël poetik nga Julia Gjika

Gazeta

Julia Gjika
Julia Gjika

Liri e nëpërkëmbur morrash…

cikël poetik nga Julia Gjika

“Vështirë se mund të gjesh në realitetin shqiptar një zë të tillë,
ku pikiatat e lirisë të jenë të plota dhe të hapura,
ku një autore grua të këndojë përtej derteve të perditëshme,
të cilat përbëjnë një fushë të vërtetë beteje.
Kjo fushë beteje është e pranueshme kudo,
e mbushur herëpashere plot me nënshtresa,
ku hëna merr yjet me vehte për të shtyrë natën…” Natasha Lako

Stinë Morrash

Eshtë stina, kur morrat i ngjiten lisit
Me shpejtësi maramendëse,
deri në majë, atje ku zogjtë i luten qiellit.
Eshtë stina, ku të çudit prania e tyre kudo.
Ambicia për të qënë të parë,
Jo, më të mirë.
Eshtë stina, që nuk i ngjan stinës për ndryshim,
Por një stine të re për mashtrim.
Ku liria merret nëpër këmbë.
Si perde hekuri varet një pamundësi,
Pamundësi për t’i zhdukur parazitët që në thëriza.
Ujrat e një lumi në Kanada,
U kthyen në ngjyrë jeshile
Këtë nuk e ndryshuan reflekset e pyjeve
Por tjetërsimi.
Morrat po tjetërsohen gjithashtu,
po vetshpallen se u ngjajnë zogjve,
Po kërkojnë krahë, dritën të zënë rrezikojnë.
Oh çfare stine!
Ku liria merret nëpër këmbë morrash.
Kanë dëgjuar morrat se nëpër botë endet një Shën Valentin
Që dashurinë e mban të patjetërsuar
Morrat duan të këndojnë serenatën e dashurisë
Duke marë nëpër këmbë të shkelur lirinë e amëshuar

Lojë Luftash

Lojë luftash kemi mësuar
Sa hapëm sytë
Ndërsa nën harkun e ylberit
Vallzojnë ngjyrat e jetës
“Nuk do t’a shkatërroj botën”
Ishte zëri që vinte nga qielli
Por ne vetvehten e luftonim.
Vehten egërsisht shkelnim.
Lojë luftash trashëguam,
sa u ngritëm në këmbë.
Për të parë me sytë tanë vetëm gjëmë.
Për të pirë zemërimin, të hidhur pelin
Për të parë si luftojnë etër e bij.
Kështu në lojë luftash na rrëmben plumbi
si bykun e rrëmben stuhia, pastaj vjen fundi.
U munduam të zbulonim si erdhi humbja
ç’përfituam nga çmendia, kurrë s’mësuam.
Në lojë luftash vazhdojmë të vdesim
me shpirt të plasur, pa shijuar të mira
ne të një gjaku, si cjapi tek kasapi
shkojmë, atje ku thërret e liga.
Duke menduar se jemi fitimtarë
gëzimi ngjit balonat deri në re,
Por zhduket shpejt, në një sekondë
Dhe si pas një ëndrre vehten sheh:
të shkretë, mjeranë, me kokë përdhe.
është rradha për ndrrim bluzash,
të turpëruar, më kot kërkojmë
Nga erdhën plumbat
vëllanë kemi vrarë me dorën tonë,
por s’e pranojmë.
22 Janar 2011,

Berati - Qytet i nji mbi nji dritareve
Berati – Qytet i nji mbi nji dritareve

Berati

Krah për krah shtëpitë,
Të lyera me gëlqere të bardhë,
Deri tek plloçat e oborrit,
Deri tek pragu jashtë.
Ndjejnë frymën e njëra tjetrës,
“Vrushot”, e dinë cili mur rënkon,
“Gjogajt“, cila çati qan.
Japin e marrin erën e gjellëve,
Shqerës së pjekur, pilafit, kukurecit,
Glikosë që vajzat nxjerrin në fejesa.
Në ditët e nxehta, kur Berati s’ka ujë,
Dëbora zbret nga mali i Tomorrit,
Në kosha, nga fshatarët,
Shitet në gjethe fieri.
Peshkun, me grep flutur e zë peshkatari,
I gëzohet dritës që zbret nga qielli,
E deh aroma e peshkut që pjek në tjegull,
Në zallin e lumit, që shkëlqen nga dielli,
Bën ditën të papërsëritshme,
Për vehte dhe familjarët.
Kur vajzat dhe djemtë beratas martohen,
Shtëpitë e bardha, hapin njëmbinjëdritaret,
Ato që bien nga lumi,
Dhe ato që shikojnë nga Kalaja.
Defi që kërcet me ritëm, bën të ushtojë Osumi,
Kësulënborë, shkrin Tomorri në vallen beratase.
Kalaja hijerëndë,
Mbledh zërat që ngjiten përpjetë.
Ura e Goricës,
Mbi ujrat e lumit, me hënën e yjet dremit,
Nga pesha e ditës, këmbët e lodhura,
Në dyshek guralecash, i shmpin,
Krahët harqe, në hapësirë i shtrin.
I kredhur në ëndrra, qyteti i lashtë,
Në shekuj, shekujt përtyp.

Binte Borë

Vija tek ty
I ngjasoja një gruaje
Apo një pulëbardhe
Që qiell kërkonte
Binte borë.
Zambakë të bardhë dërgonte qielli.
Si grua, ballëpërballë qëndrova me ty.
Duke pirë mushtin e vështrimit tënd.
Isha e dehur si pas një gote vere.
Binte borë.
Ti thithe bardhësinë
Dhe mendove se unë
një fluturëz bore isha
Me fluturzat që shkëlqenin mbi flokë
I ngjaja diçkaje që e shohim vetëm nëpër ëndrra
Pastaj u njomën sytë e mij
Zambakët e borës shkrinë,
u përzjenë me lotë mallëngjimi.
Kisha harruar nga vija.
Mbaj mend një zë përkëdhelës,
pastaj ti hape dritaret e shpirtit
Më afrove pas vehtes dhe the:
Vështro, vështro andej nga erdhe.
Gjithçka e kish mbuluar bora.
Mes bardhësisë
Bashkuar ishin krahët tona.

Gustav Klimt - Nena
Gustav Klimt – Nena

Kur nënat s’janë më…

Kur nënat s’janë më,
Kuptojmë më mirë:
Sa të mençura, sa të mira ishin,
Sa të drejtë kishin,
Kur këshilla jepnin e vendime merrnin.
Sot, kur vetë jemi thinjur,
Brenda nesh, tek vend’i fsheht’
Për to, loti bëhet lumë e det
Ku zemra jonë mbytet,
Pse s’u dhamë dashuri më shumë…

I lirë si vala

(Kushtuar aktorit të madh Bekim Fehmiu)

Kush të ndjek vallë,
në errësirën e heshtjes?
Ti hiqesh mënjanë,
për të hapur rrugë.
I Madhi gjithnjë e bën këtë
për të vegjëlit.
I lë të kalojnë.
Por nuk t’u ndanë,
si mizat në këmbët e elefantit.
Çfarë kërkuan?
Gjithçka kishe ua dhurove me kohë.
Ike,
duke marrë me vehte trazime.
Zëri yt,
në paqen e Lumbardhit.
I lirë si vala,
brigjeve të Globit dëgjohet.
I pavdekshëm Bekim Fehmiu.
Qershor 22, 2010

Autoportret

Disa më përflasin,
me gjuhën e tyre të lagur.
Fije bari që duan të bëjnë hije.
Unë qesh,
Vallzoj me yjet.
-Të mbajmë mend,
më thonë disa të tjera,
Kur ishe e re, e bukur,
shkruaje vargje të ëmbla.
Unë shikoj duart,
Sa të ndjeshme janë ende.
Qershor 2010

Ata

Ata thirrën në emër të Zotit.
Çdo gjë bënë në emër të Tij.
Pastaj prishën, vodhën edhe në kisha
kryqet i thyen.
Ajri u moleps nga mëkati.
Atyre nuk u hyri asnjë gjëmb në këmbë.

Sytë e Nënës

Në qetësinë e natës
Dëgjoj zërin e nënës
Atë zë kur këndoi
Për herë të parë,
në dasmën e vëllait,
Sytë i ndriçonin.
Në qetësinë e natës,
dy xixellonja më vijnë kaq afër
Sytë e nënës farfuritëse

Refugjatët - Abdurrahim Buza
Refugjatët – Abdurrahim Buza

Megjithatë nuk ishte fundi i botës

Unë e humba vendlindjen
Ashtu krejt papritur
Si një fëmije që i shkëputet nënës nga duart
Pa u vënë re largohet, ikën.
Ikën, humb, deri sa gjen një strehë të re
Para bashkimit.

Unë humba vendlindjen
Por mora me vehte kështjellën e legjendave
Kalanë e ëndrrave
Lumin që përkund fëmininë time
Në pyllin e dendur, në druret e tij, lashë rritjen
dy iniciale të adoleshencës.

Unë e humba vendlindjen
Megjithatë nuk ishte fundi i botës.
Samaritani më gjeti
rrugën e shpresës më tregoi
E kaluara më rri në sy
Do t’a braktis të tashmen pa dyshim
E arthmja s’ka më rëndesi, kudo që të jetë
Për deri sa humba vendlindjen
Do të jetë më lehtë.

Çfarë po ndodh në shekullin e XXI

TV jep një emision special për Afganistanin
Fëmijët atje nuk vdesin vetëm nga lufta
As vetëm nga sëmundjet.
Atje vdesin ndryshe,
p.sh. ç’po na shohin sytë
vdesin nga vallzimet.
A nuk është paradoksale!
Kamera ka fiksuar 13-14 vjeçarë
Djem të veshur me fustane
Vallzojnë
Në dhoma të mbushura nga epshe barbarësh
Vallzojnë fëmijë,
Zgjatin duart drejt ajrit pa formë
Ku shtëllungat e tymit të duhanit si re të dendura
qiellin e moshës të shohin, s’i lejojnë
Këta fëmijë kurrë nuk do të shohin për se zgjaten
Dhe çfarë duhet të arrijnë.
Ata nuk vdesin vetëm nga lufta, nga plumbi
Prapambetja u vret shpirtin
Në hone të thepisura
trupat e tyre bëhen ushqim për kafshë,
ndërsa shekullit të XXI, i mbetet turpi.

Gratë e Bregut (foto jutta benzeberg)
Gratë e Bregut (foto jutta benzeberg)

Gratë e moshuara

Zgjohen dhe shtriqen
Sikur po rriten
Pakësohen në trup
çdo orë, çdo minutë.
Zgjohen dhe hapin gojën
Si gojë peshku
Si foshnja të lumtura
Nga gjumi të ngopura.
Zgjohen dhe u përvishen punëve
Ditën e vënë përpara
Të parën gjë, tenxheren mbi zjarr
Ushqimi të presë
Mos presin bijtë e nënave
Gratë e moshuara
Janë të menduara
Për të hedhur hapin
Mendohen dhjetë herë
Para pasqyrave
Qëndrojnë më shumë
Ngadalë për të ndarë flokët
me një vijë anash
Ose në mes.
Gratë e moshuara
Nga dita në ditë
gdhihen bule vese
mëngjeseve.

Verë e largët

Dolores me nishan përmbi vetullën e djathtë
Këndonte me mua “Gjinkallën”
Në mes të vapës, në verën e largët.
Fëminia jonë argëtohej
Në Korçën e bukur
Në rrugicën ku tre porta
mbanin një mbiemër
Pastaj në krye
Shtëpia e madhe e çobenjve
Ku teto Cevi, veshur me cibun të trashë
U peshonte bolet djemve.
Vajzave u ngacmonte kumbullat aguridhe
në gjoksin e bardhë mermer.
Në verën e largët
kullonte e tëra nga djersët
para portës së madhe rrinte me gra të tjera
shalë zbuluar
Në qafë e në duart e fryra, vendoste piavica
Aty ku e mundonte reumatizma.
Kur piavicat bëheshin babuçe
Të ngopura me gjakun e “lig”
Të trullosura binin në një legen me ujë
Që teto Cevi e mbante në pëqi
E përhumbur
Ngrinte sytë nga qielli
O Zot, shpëtuam edhe për këtë dimër!
fshinte djersët e ballit, gjoksit me shami.
Djersa i binte erë djathi e gjize,
Të çante hundët erë dhie, erë bagëtie
Fëminia jonë kureshtare shikonte.
Dhora, gruaja e vogël që banonte në shtëpinë
Përballë teto Cevit
Ku lulja dorëzonjë i mbulonte dy dritaret
Gëzohej kur ne derë i trokiste postjeri
Asnjë nuk shkonte tek ajo
Asnjë nuk e kapërcente pragun e saj,
Dhora kish në biografi cene
Asnjë nuk i fliste asaj
Në verën e largët
Kur unë me Dolorezin
nën pemën e qershisë këndonim “Gjinkallën”
Arkivolin e Dhorës e përcollën pesë vetë
tre komshinjtë e rrugicës që mbanin një mbiemer
Burri i teto Cevit dhe ai që kish shtëpinë pranë çezmës
Dhora u bë gur në varrezat jashtë qytetit

Bota e Librit
Bota e Librit

Disa të dhëna Biografike dhe Vlerësime për Julia Gjikën

Julia Gjika u lind më 11 Korrik 1949, në qytetin e Gjirokastrës. Më 1968 kreu gjimnazin në Berat. Studimet e larta i kreu në Tiranë në degën e Financës, Shkolla e Bashkuar. Gjithashtu ndoqi me korespondencë studimet pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës, Fakulteti Histori Filologji dega Gjuhë Letërsi Shqipe.
Ka punuar si redaktore në revistën 10 Korriku e më vonë si shefe finance në reparte të ndryshme në Korçë e Tiranë.
Qysh herët u dashurua me poezinë, që zë vendin kryesor në krijimtarinë e saj. Poezitë e para i botoi në organe të ndryshme që në vitet 1970-71.
Vëllimet poetike “Ditelindje” (1971), “Ku gjej poezine” ( 1978), “Muzg” (2008) dhe “Endrra e Kthimit” (2010).
Në vitin 1996, familja e saj u shpërngul ne USA mbasi fitoi lotarinë e Green Card-it. Krahas punës për të mbijetuar në atdheun e ri ka vazhduar të shkruajë e të botojë poezi, portrete e kronika në gazetat shqiptaro-amerikane “Illyria” N.Y. e “Dielli” e N.Y., në revistën “Kuvendi” e Michigan, si dhe në forumet mediatike nëpër botë.
Për krijimtarinë e saj poetike janë shprehur disa prej studjuesve të njohur si Prof. Klara Kodra, poetja Natasha Lako, kritiku Baki Ymeri, poeti Mazllum Saneja, kritiku Fatmir Terziu, etj.

***
Poetesha Natasha Lako, midis të tjerash shkruan: “Vështirë se mund të gjesh në realitetin shqiptar një zë të tillë, ku pikiatat e lirisë të jenë të plota dhe të hapura, ku një autore grua të këndojë përtej derteve të perditëshme, të cilat përbëjnë një fushë të vërtetëe beteje. Kjo fushë beteje është e pranueshme kudo, deri në ciklin Ikonat dhe Haiku e qetë, mbushur herëpashere plot me nënshtresa, ku hëna merr yjet me vehte për të shtyrë natën.
Julia Gjika me prodhimtarinë e saj të pandërprerë i prezanton lexuesit shtrirjen e një drame, që nuk dihet kur ka nisur dhe kur do të mbarojë, të shpërndarë në mesazhe të bukura jete, pa stoli të tepërta, si nuk mund të jenë dramat, kur janë të mbushura me të vërteta, të cilat njeriu di ti pranojë duke e zhvendosur dhimbjen prej vetë dhimbjes. Kështu poezia dhe shpirti i poetes ka fituar.”

***
Profesore Klara Kodra midis tjerash ka dhënë këtë vlerësim: “Poezia e Julia Gjikës në vëllimin Endrra e Kthimit vjen më e pjekur si poezi liriko-meditative, ku ndjenja fshihet mbas një cipe vetëpermbajtjeje, një poezi moderne në këtë kuptim. Ajo ruan qartësinë dhe nuk tërhiqet aspak nga errësira si modë. Ajo nuk e përbuz qartësinë si mungesë thellësie e supozuar. Kjo poezi karakterizohet nga një varg i lirë me ritëm nervoz ku mendimet dhe ndjenjat alternohen si trokitje të shpejta me një diapazon më të gjerë se sa në tre vëllimet e mëparshme. Nga tema të përjetshme si dashuria, poetja jep tablo e portrete, prek plagë të ndryshme të shoqerisë sonë të sotme si emigracioni, lufta e Kosovës, racizmi etj.
Realiteti shqiptar aty shtrihet në dy botë: Shqipëri dhe Amerikë.”

***
Poeti dhe studjuesi shqiptar nga Maqedonia, që jeton në Bukuresht, Baki Ymeri, ka sjellë për lexuesin vlerat për vëllimin me poezi MUZG, në esenë me titull ‘Vlera shqiptare në Amerikë’.
“…Julia shquhet për thjeshtësinë dhe çiltërsinë e ndjenjës së hapur, aq sa të habit me thjeshtësinë dhe sinqeritetin. Ajo e ka përpara syve botën e sotme urbane, por kulloshtra që derdhet në poezinë e saj është tejet e lashtë.
Në bregdet ishte verë/ aty u dashurova me ty dhe detin/
Një re e bardhë/ mbështetej te mali/ një zambak i bardhë/
hapte fletët në ranishte/ Unë vrapoja e zbathur/ mblidhja rrezet/ që binin nga qielli.
Julia Gjika pikturon retë me fjalë. Fjala e saj është një magji që i çon ujërat të rrëshqasin: M’u çelën sytë në magjinë e saj/ dhe botën preka me gishta nga vesa e larë.
Poetesha shqiptare tejmatanë brigjeve të Atlantikut shkruan me shpirt të lirë. Shpirtin e vargut të saj e flladit era: ku e zë dimri nuk e zë vera.
Julia Gjika, e lindur në Gjinokastër dhe e rritur në Korçë, Berat e Tiranë, mediton për Kosovën, shkruan për Flamurtaren e Kosovës, ajo klith nga ngazëllimi i çrobërimit të Dardanisë. Ajo vjen në Prizren e thotë: “Jam një re në qiellin tënd Kosovë!” Shkon në Krushë të Vogël, viziton Kodrinën e Jasharajve, shkruan për muzgun e Prishtinës dhe qytetin që të jep energji shpirtërore, duke përkujtuar dëshmorët e kombit dhe “Zërat që janë mbledhur lart në qiell”. Julia Gjika është poetesha e emigracionit ku grimcat shkëlqejnë në vete, drejt brigjeve të reja. Kënga e saj është vallja e fjalëve dhe “vajza e valëve” që priste dashurinë në brigjet e detit ku “dallgët vetë vajtonin me zë”. Ajo është një meteor i shkëputur nga qielli i brishtë i Atdheut të çrobëruar nga demonët e komunizmit.
Julia Gjika është një këngë e re e lirikës shqipe në mërgim.”
Krijime poetike të Julia Gjikës janë përkthyer e botuar në rumanisht prej Baki Ymerit, në polonisht prej Mazllum Sanesë dhe në anglisht prej Ani Gjikës…

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.