back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

At Gjergj Fishta – “Kosova është e Jona…” material nga Paulin Zef Zefi

Gazeta

Gjergj Fishta - Kolazh fotosh
Gjergj Fishta – Kolazh fotosh

At Gjergj Fishta – “Kosova është e Jona…”

material nga Paulin Zef Zefi

(Fjalimi i Atit të Kombit Shqiptar,
kur ishte Deputet i Shkodrës dhe Zv. Kryetar i Parlamentit
të parë Shqiptar në vitet 1921-1923,
ku përshkruan spastrimin etnik në Kosovë,
bashkëpunimin e hoxhallarëve turqeli me serbët
dhe detyrimet që kishte Shteti i ri Shqiptar
për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës)

Genocidi kundra Shqiptareve mars 1912
Genocidi kundra Shqiptareve mars 1912

Serbët i janë vënë punës seriozisht. Duan me çdo mjet e me çdo mënyrë ta bëjnë të tyren përgjithmonë Kosovën tonë. Nuk gjendet në tërë Evropën një tjetër minoritet që të vuajë aq sa vuajnë kosovarët në Serbi. Asnjë e drejtë nga sa janë të parapame në traktatet e gatitura posaçërisht për minoritetet, nuk respektohet kur është fjala për shqiptarët e Kosovës, të cilët Serbisë i pëlqen t’i trajtojë si turq e jo si shqiptarë, që të bëjë të humbasë gjurma e kombësisë së tyre… Që tash e gjashtë vite serbët po përpiqen t’i shuajnë Kosovës karakterin krejt shqiptar. Një aktivitet i madh është zhvilluar nga ana e Belgradit në këtë drejtim dhe frutat e këtij aktiviteti janë mjaft të kënaqshme për serbët dhe shumë të hidhura për ne. Ata kanë dashur, me të mirë a me të keqe, t’i shtrëngojnë kosovarët të ngrihen me gjithsej nga vendi i tyre dhe të vendosen në Turqi ose gjetkë. Ne fillim për t’i mbërritur këtij qëllimi, bënë vegla të tyre disa hoxhallarë turçelinj, të cilët barisnin fshat më fshat e bënin propagandë që popullsia të ngriheshe të shkojë për në Turqi, ku thoshin se e presin të mirat e Parajsës!!
Përmbi 100 mijë shqiptarë, burra, pleq dhe çuna, meshkuj dhe femra, u bindën nga fjalët e hoxhallarëve, që merrnin 1 mijë dinarë për çdo krye të emigruar, dhe kështu u nisën për në Azi të Vogël. Disa syresh humbën rrugës, të tjerë u arratisën nëpër malet e Bullgarisë dhe një pjesë mbërriti në Turqi, ku po shuhet dita-ditës nga shkaku i fukarallëkut dhe i klimës. Në vatrat e Shqitparëve që shkuan kësisoj, u vendosën serbë dhe malazias. U çelën burgjet dhe gjithë pensionarët e tyre u kolonizuan në Kosovë, që ta serbizojnë. Haberet e vuajtjeve të atyre që shkuan, u dëgjuan edhe te kosovarët tanë, të cilët filluan të mos kenë më besim në hoxhallarët sharlatanë!!
Por dhe serbët e këmbyen sistemin e veprimit; Me ndihmën e katilëve të kolonizuar në Kosovë, formuan çeta kusarësh të përkrahura prej organeve qeveritare, dhe me anën e tyre po vazhdojnë të terrorizojnë popullsinë shqiptare. Qëllimi i tyre është një: t’i shtrëngojnë me hir a me pahir të shkojnë ose të shpërndahen në te gjithë Jugosllavinë. Këto radhë nuk i shkruajmë as për qeverinë tonë, që i di të tëra e s’ka gjë në dorë tash për tash, as për Europën, që bëhet e shurdhër sa herë vjen fjala për popuj të vegjël; “I shkruajmë vetëm për burrat e Kosovës trime, për kosovarët patriotë, që të mos lëvizin nga vendi i tyre, sado i madh qoftë terrori dhe sado e vështirë jetesa e tyre…”

Genocidi ndaj shqiptareve 1912
Genocidi ndaj shqiptareve 1912

Të mbeten atje në truallin e stërgjyshërve, në postin e detyrës, se dita e bardhë e lirisë nuk do vonojë të lindë edhe mbi Kosovën kreshnike, q’e jona ka qenë dh’e jona do mbetet. Se të derdhet gjaku i Shqiptarit, kjo nuk asht nji punë e re në jetë, historija e jonë me gjak asht shkrue, Shqipnia e jonë me gjak asht la… Nuk ka në mal nji gur, nuk ka në fushë e bashtine që t’mos të kisht kenë ri, me gjak të ndonji fatosit, të ndonji nierit të shkretë ose të ndonji trathtori të huej…”
Kush ka le e asht rrit me pushke në dorë, ma të shumtën e herës, s’mund të presin se des me krye mbi pupla!!! Prandaj lajmi i zi që mija e mija shqiptarë kan kenë mbytë prej armikut, sadoqë nja për nja do të ma depërtote zemrën prej dhimbjes nuk do të na kishte çuditë aqë fort, po t’ishte kenë që kan ra në luftë me pushkë në dorë e ballë për ballë t’armiku. Por këto mija Shqiptare të bamun flije në fushë të Kosovës nuk janë ato pikat e djelmnis që edhe sot me armë në dorë luftuen n’ato vise për lirin e për nam të Shqipnis: ato janë pleq të mbetun, gra të mjera e foshnje të njomë, gjind te paqet që, tue u shtrue ligjeve nën të cilat fati i zi i tyne e i Shqipnis desht me i citun, janë orvatun me emnue gjallë me punë e me nderë. Pra, vepra rrënuese e Shkjaut në Kosovë, nji mizori, që kur ato nipa e stërnipa tonë ta lexojnë atje ma vonë ndër libra historije, pa dyshim se atyne ka për t’ju dridh këmisha në shtat prej mneret e prej trishtimit… e parlamenti shqiptar, jo veçse ka pasë të gjithë të drejtat, por ka pasë dhe detyrë me u ankue përpara parlamentit të Beligradit, e prandaj të përgjegjunit e kryetarit t’atij parlamenti asht krejt i pandjerzishëm e i pahishëm, e ma tepër asht cinike, i vrashtë e krejt jashtë vendit, por shka se asht të shprehunit e psiqikes sllave, e cila sado që për 100 e 100 e sa vjetësh vuejti nën zgjedhje të nji autokrati e nën kamë të ndonji dhespoti, me gjith këtë nuk ka mujt m’u kursye… Por unë që kam pa mjetet barbare e mënyrat e shpenzueme, më të cilat kombet që mbaheshin ma të qytetnuemit të këtij shekullit, kan nisë e kan vijue luftën e përbotshme, nuk mnerohen aq fort për mizorit që ndodhen në tokë të Ballkanit. Mue ma fort se mizorinat e Sllavëvet me mneron shkaku, për të cilën u ban flije këto mija e mija vllaznish t’onë andej kufinin e 1913. Këta burra, këto gra e fëmi u grinë pse dogjën e poqën, pse vodhne a grabitnën e pse thynë rrugën e madhe e turbulluan paqen e vendit?

Gjergj Fishta (1871-1940)
Gjergj Fishta (1871-1940)

…Jo, faji për të cilin këto të mjerë u shkrin n’atë mënyre barbare, kje pse këto u dishmuen shqiptarë e pse tue pas ndi se ka diku nji Shqipni të lirë e të pamvarshme, shtet me vedi, ju luten ma të bukurit të qiellit për lulëzimin e veprimin e shtetit të vllaznëvet të vet e n’atë shtet të vllaznëve të vet. Se sa do t’a mbajnë Pushtetet e mdha fjalën e vet, cilsija e jeme si deputet nuk me len t’a diftoj në kët lok të naltueshëm të Kuvendit kombtar me atë liri fjalë, me të cilën e kam pasë diftue motit, prandaj gjyqën po ia la mendjes së kthjelltë të Zotnis S’uej, vetëm tham se; “Shqipnia e lirë ka per detyrë të përkujdeset për fatin e këtyne bijve të vet mjerueme…” Shqiptari asht i përmendun an e kand mbi botë për punë që ky asht i zoti, të bajë dekën dhe për njeri të huej, kur të jetë strukë nën mbrojtje të tij!!!
http://iliriatv.com/gjergj-fishta-kosova-eshte-e-jona-nga-paulin-zef-zefi (marre nga muri i Fb. 19 nantor 2016)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.