back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Rrëfimet i zonjes Edith Durham “The New York Times” më 16 korrik 1911

Gazeta

Merry Edith Durham (1863-1944)
Merry Edith Durham (1863-1944)

Rrëfimet i zonjes Edith Durham

“The New York Times” më 16 korrik 1911

“The New York Times” më 16 korrik 1911, publikon
rrëfimet e historianes së njohur angleze Edith Durhan.
Gjendja e vështirë e katolikëve të Veriut
dhe gjendja e vështirë e shqiptarëve në vitin 1911…
Titulli origjinal është “Miss Durham’story”.
Autorja e shkrimit njihet si historiane
dhe autore e disa librave dhe shkrimeve për Shqipërinë.
Materiali u përgatiti: Albert Gjoka
dhe u botua në Gazetën Albania me datat 20-21 dhe 23 qershor 2008
Titujt janë redaksionalë të Gazetës Albania

gazeta “The New York Times” 1911
gazeta “The New York Times” 1911

“Si u zhgënjyen shqiptarët me xhonturqit”

Është shumë e vështirë për banorët, siç janë fshatarët katolikë të Veriut të Shqipërisë, që në tokat e lira të fitojnë si dhe shumë popuj të tjerë, por ata kanë mbetur të fortë pa pasur asnjë ndihmë apo shpresë. Më kujtohet mirë, në muajt e parë të vitit 1908, konstatimi i një françeskani në zonat malore, kur unë u shfaqa befas në famullinë e tij të largët, – e para grua europiano-perëndimore që kishte qenë atje. “Ju keni ardhur te një tokë e harruar nga Zoti dhe njeriu! Shko në vendin tënd dhe tregoju njerëzve se ju keni vizituar ferrin”.
Kudo ku unë shkova në atë udhëtim takova një popull të mjerë, që më lutej për t’u çliruar nga turqit dhe kërkonin që të formohej një qeveri që t’i ndihmonte ata. Mbi të gjitha, rrugët ishin ato që ata dëshironin. Në të vërtetë, shtigjet ishin të përvijuara, gjë që shpesh më detyronte të ecja në këmbë për disa orë të tëra, apo ndonjëherë edhe të kacavirresha, ashtu siç në shumë raste ishte e pamundur për të ecur mbi kalë.

Varfëria

Një pjesë e madhe e banorëve që e bënin këtë rrugë vajtje-ardhje, jetonin duke bërë punë rraskapitëse si, prerja e druve të zjarrit, kapja e shpezëve të egër, apo mbarështimin e dhenve, të cilat më pas i shisnin në Shkodër, në këmbim të një thesi misër, dhe në këtë mënyrë, bashkë me qumështin e bagëtive, siguronin ushqimin e tyre.
Në të vërtetë, ajo është një tokë, në të cilën diçka duhet të bëhet, në vend që njerëzit të largoheshin prej saj. Pyjet e saj janë të pashfrytëzueshme, – kjo për shkak të pamundësisë së transportit të lëndës drusore. Kullotat e saj në lartësi janë gjithashtu larg, që kafshët të shkojnë atje për të kullotur që prej qytetit pranë bregdetit.
Njerëzit, ashtu si dhe toka, janë tërësisht të pazhvilluar. Ata janë trima dhe të guximshëm, por në mënyrë sistematike qeveria turke i ka mbajtur ata të paditur, duke mos u hapur shkolla në gjuhën e tyre amtare. Madje, duke ndaluar edhe botimet e shkruara të kësaj gjuhën. Në një kohë shqiptarët kërkonin rrethana të tjera të favorshme dhe ecnin shpejt, por në vendin e tyre nuk ka asnjë shans për ta.
E tillë ishte gjendja e gjërave edhe përpara shpalljes së Kushtetutës në korrik të vitit 1908, paçka se lajmërimi për një ndryshim të qeverisë ishte brohoritur me një gëzim të papërmbajtur.

“Të largohen turqit!”

Besimi i përgjithshëm ishte se fuqitë do të ndërhynin dhe tirania turke ishte drejt fundit të saj. Unë dëgjova një të moshuar që thërriste mes turmës: “I falem Zotit që të më lërë gjallë sa ta shoh atë ditë”. Qeveria e re kishte shfaqur taktin dhe mirëkuptimin më minimal për popullin dhe nevojat e vendit, pasi nuk kishte qenë aspak besnike me këta fshatarë të varfër të maleve. Por shqiptarët e thjeshtë janë njerëzit që e mbajnë fjalën.
Shqiptarët e edukuar jashtë vendit të tyre, kudo nëpër botë, mund dhe duhet që të përhapnin dijen në radhët e vëllezërve të harruar.
Mjerisht! Të parët prej tyre që morën rrezikun në sy që të vinin në Shkodër, – pas amnistisë së përgjithshme – ishin arrestuar menjëherë. Zyrtarët turq, të paditur në drejtimin e shtetit dhe mësimin e gjuhës, ia dolën mbanë dhe mbajtën nën zgjedhë popullin përmes shumë veprime tiranike dhe të padrejta. Turqit e Rinj kanë vendosur që secili prej tyre të jetë “një otoman” dhe për këtë nuk morën parasysh karakteristikat dhe besimet fetare në vend. Dhe nuk ishte bërë asnjë përpjekje për të shpjeguar nga qeveria e re se duhet të largoheshin njerëzit fisnor dhe që në nisje, të gjitha informacionet ishin shpërndarë në turqisht, një gjuhë që e kuptonin më pak se 1 për qind e popullsisë. Tre muaj përpara krijimit të Kushtetutës ishin arrestuar një numër i madh njerëzish, që nuk i njihnin ligjet e reja. Këta njerëz ishin futur në burg pa gjyq apo pa i sqaruar, dhe të gjitha lutjet që u ishin bërë Turqve të Rinj kishin marrë përgjigjen: “Ne nuk kemi kohë”. Ata me injorancën e tyre nuk e kishin idenë se ishin duke shkatërruar në mënyrë të shpejt të gjithë besimin ndaj pushtetit të ri. Rezultati i vetëm i dukshëm i punës së tyre ishte një klub që e përdornin për vete. Njerëzit e arrestuar kishin ardhur vullnetarisht nga malet. Zemërimi i shkaktuar nga veprimi i tyre ishte i madh. “Ne i kemi besuar turqit dhe ata na kanë tradhtuar sërish”.

Edith Durham - Mbretnesha e Malsoreve
Edith Durham – Mbretnesha e Malsoreve

Zhgënjimi nga xhonturqit

Metoda që kishin zgjedhur për të kryer shkatërroi edhe atë pak besim që kishte mbetur akoma tek popullsia katolike. Si shumicë e popullit të Vilajetit të Shkodrës, që janë katolikë, ata kishin mandatuar të paktën një deputet katolik në Kuvend. Por listat ishin manipuluar derisa ishte krijuar një shumicë myslimane. Rezultati dihej dhe katolikët kishin bërë një protestë formale tek qeveria përmes Arkbishopit të Shkodrës, duke abstenuar thuajse të gjithë votimin si dhe deklaruan se nuk do të pranojë ligjshmërinë e zgjedhjeve. Dy myslimanë të propozuar nga qeveria ishin shpallur të zgjedhur dhe katolikët ishin tërësisht të papërfaqësuar. Madje, më pas gjendja mund të ndryshonte dhe ishte dhënë ndonjë shenjë se vendi mund të përfitonte përfundimisht nga ndryshimi i qeverisë. Në vend të kësaj, trupat nisën të shfaqeshin me uniforma të reja, me artileri dhe armë të reja dhe oficerët kapardiseshin. Kjo nuk ishte një shenjë për një rrugë të gjatë të kësaj qeverie. “Shikoji ata, djajtë”, – tha një shqiptar teksa trupat parakalonin në përvjetorin e parë të ardhjes së sulltanit. Ata kanë vjedhur të gjitha paratë për të blerë ushqime dhe rroba për veten e tyre. Çfarë kanë bërë për Shkodrën? Bënë një klub oficerësh! Ne u përdorën për të kaluar nga një robëri e madhe në një tjetër pak më të vogël”. Një tjetër tha: “Ata kanë blerë armë që të na vrasin ne”.
Botuar në gazetën Albania, 20 qershor 2008

Edith Durham - Mbretëresha e Maleve  Shqiptare
Edith Durham – Mbretëresha e Maleve Shqiptare

“Turqit shkatërrojnë, asnjëherë nuk ndërtojnë”

Vazhdon rrefimi nga Edith Durham
Pjesa e dytë e shkrimit të historianes angleze në “The New York Times”.
 Si po keqtrajtoheshin shqiptarët nga xhonturqit në vitin 1911.

Krahinat, të cilat tashmë kishin paguar taksat për çdo vit dhe nuk kishin përfituar prej tyre, po bëheshin gjithnjë e më të pakënaqura dhe të zhgënjyera. Ato të zonave periferike, që nuk i kishin paguar taksat, përjashtoheshin, pasi kryenin shërbimin ushtarak atëherë kur thirreshin në kohë lufte dhe nuk merrnin mundimin ta bënin një gjë të tillë. Gjithashtu, xhonturqit nuk i kishin paguar detyrimet e tyre për asnjë prej të moshuarve. “Drejtësia ishte aq e keqe sikur të ishe nën regjimin e vjetër dhe aktet e tiranisë së vogël ishin po ashtu të shpeshta. Fakti i të qenit i harruar, ta quaje veten shkipëtar (albanian) ishte një fyerje e rëndë për ndjesinë kombëtare, ashtu siç ishte përdorur nga shumë katolikë shqiptarë si përbuzje termi për një turk.

Dështimi i xhonturqve

Shpresat se arsimimi do të ishte i mundur nën regjimin e ri ishte shuar shumë shpejt. Vetë njerëzit kursyen lekët dhe nisën një shkollë në Elbasan, e cila dikur ishte përdorur si çerdhe për bebet. Gjithashtu kishte filluar shtypja e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Qeveria, që kishte premtuar se do të jetë liberale, e pengoi arsimimin në mënyrë brutale. Ajo bllokoi përdorimin e alfabetit latin. Një protestë e përgjithshme ishte bërë kundër këtij veprimi të padrejtë.
Gazetat shqiptare, të cilat komentuan veprimin e qeverisë, ishin përballur me presion, kryeredaktorët u arrestuan dhe u burgosën, shtypshkronjat dhe shkollat u mbyllën. Në përgjigje të kërkesave të shumta, një mision amerikan që u përpoq të hapte një shkollë, jo vetëm që kishte dështuar në përpjekjen e tij, por ishte bërë shkas për fyerje të rënda personale.

Çarmatosja e shqiptarëve

Ishte i kuptueshëm shqetësimi te vëzhguesit e paanshëm se Shqipëria ndodhej në gjendjen e një revolucioni të brendshme dhe se të gjithë atje ishin në një gjendje që të ngriheshin për ta bërë një gjë të tillë. Pavarësisht kësaj, qeveria turke dërgoi një komision që të investigonte situatën dhe protestat e para shpërthyen në radhët e myslimanëve të Vilajetit të Kosovës. Ato ishin shtypur me forcën mizore të ushtrive, fillimisht nën drejtimin e Xhavid Pashës dhe më pas të T. Pashës. Katolikët ishin më të prekurit nga aktet e tmerrshme, megjithëse nuk morën pjesë në revolucionet e vitit 1910, por ata besuan se duke qenë nën mbrojtjen e Austrisë, do të mund të shpëtonin nga e keqja. Për këtë, ata, sipas këshillës së austriakëve, dorëzuan armët e tyre kur ua kërkuan për ta bërë një gjë të tillë dhe e lejuan ushtrinë turke të kalonte mes për mes Shkodrës.
Dorëzimi i armëve të tyre, e vetmja gjë me vlerë që zotëronin, pasi një pushkë në Shqipëri është e kushtueshme, në mënyrë të pazakontë, ata i kishin dhënë mjaft qeverisë për atë kohë. Por, fill pas çarmatosjes së popullit, ushtarët vijuan që të merrnin pronat në vend të taksave. Madje, ishin jo të pakta dhentë që ishin mbarështuar nga më të varfrit.
Taksat ishin të rënda, madje kishte përpjekje për të vënë taksa në disa vende që u përkisnin detyrimeve të viteve të kaluara. Emrat ishin shënuar për shërbim ushtarak dhe regjistroheshin arbitrarisht pa pasur certifikatë lindje që përdorej në kisha.
Për më tepër, ushtarët ishin fyer përpara grave. Në vendet e qytetëruara, pagimi i taksave konsiderohet si një nga mënyrat e furnizimit të shtetasve me nevojat e ndryshme që kanë. Por duhet të kujtohet se në Perandorinë Turke, gjer tani taksat kanë shërbyer vetëm për pasurimin e pashallarëve dhe sulltanëve, – në të vërtetë kjo ka qenë një formë e robërisë.

Emigrimi drejt Malit të Zi

Dhe qeveria e re nuk u kishte dhënë njerëzve akoma asnjë shenjë se gjërat mund të përmirësoheshin. Të gjithë ata e dinin se Kushtetuta ishte ajo që ishte bërë shkas që shumë njerëz të burgoseshin, shumë të tjerë të vriteshin dhe u kishte marrë armët. Dhe tani u kërkonte paratë dhe fëmijët e tyre. Një e dhjeta e të ardhurave shkonte për shpenzimet e kushtueshme ushtarake dhe pak prej tyre për punët e ndryshme publike. Madje, sa kishte nisur financimi për një rrugë. Kjo mund t’i çonte njerëzit drejt paqes dhe progresit. Por turqit vetëm mund të shkatërrojnë dhe asnjëherë të ndërtojnë.
Populli i dëshpëruar, pas lutjeve të pashpresa për ndihmë dhe këshilla te Konsullata Austriake, u kthye te fqinji i saj i vetëm për strehim dhe nisën që të futeshin në territorin e Malit të Zi që në vjeshtën e vitit 1910. Qeveria turke e lejoni emigrimin masiv dhe më pas dogji disa nga shtëpitë e tyre. Kjo vetëm sa rriti valën e emigrantëve. Gjatë dimrit ata qëndruan në Malin e Zi.
Botuar në gazetën Albania, 21 qershor 2008

Edith Durham - Midis Luftëtarëve Malesorë
Edith Durham – Midis Luftëtarëve Malesorë

“Europa t’i shpëtojë shqiptarët nga xhonturqit”

Apeli i Edith Durham 23.06.2008 (alb)
Vijon shkrimi i historianes angleze në “The New York Times”
Fundi i hidhur i xhonturqve. Ata janë si baballarët e tyre otomanë…

Çdo shenjë e pakënaqësisë dhe e mjerimit dukej sheshit gjatë gjithë dimrit. Qeveria turke ende nuk po bënte asgjë për të përmirësuar gjendjen. Në fund të marsit shpërtheu një kryengritje. Fatkeqësisht e parakohshëm, sepse një pjesë e vogël e fiseve i kishin dorëzuar armët. Mungesa e tyre shmangu një kryengritje të përgjithshme. Banda të vogla të kryengritësve kishin luftuar me kurajë dëshpëruese dhe në një raport të pallogaritshëm forcash; dhjetë me një, dhe të pajisur me armë të vjetra, ata ia kishin dalë mbanë të kthenin mbrapsht dy ushtri turke për disa muaj, por më pas, duke u nënshtruar vetëm pak nga pak prej forcave të shumta.

Shkatërrimet

Teksa ushtria turke kishte përparuar në mënyrë të ngadaltë, ata digjnin shtëpi pas shtëpish. Një apo dy ditë pas çdo fitoreje turke tymi shikohej të ngrihej lart mbi shtëpitë në zonat e pushtuara nga ushtarët turq. Kishat u përdhosën, u plaçkiten dhe në disa raste u bombarduan ose u dogjën. Duhet theksuar se kryengritësit nuk kanë djegur qoftë edhe një xhami të vetme dhe, në një farë mënyrë, ata janë zemëruar për mënyrën sesi ishin trajtuar vendet e tyre të kultit. Gra dhe fëmijë të 5 fiseve të mëdha në kufi me Malin e Zi, – Gruda, Shkreli, Hoti, Kastrati dhe Kelmendi, – thuajse të gjithë u zhvendosën drejt territorit të Malit të Zi. Atje, ata u grumbulluan nëpër shpella, hambarë kafshësh dhe nëpër stane; vetëm çereku i tyre mbaheshin në familjet malazeze. Numri i këtyre krijesave të pafata filloi të reduktohej së fundi, por ata nuk kishin rroba për të veshur. Për shembull, në një ahur të errët mund të gjeje 20-22 persona; të veja me fëmijë dhe të moshuar që nuk lëviznin vendit. Sasia e ndihmës së dhënë nga qeveria malazeze ishte gjithçka për këta varfanjakë. Një malazez bujar kishte dhënë enë për gatim dhe pak lëkurë dashi, që përdorej si shtrojë për të fjetur. Dhe ky është një ndër qindra raste.
Me gjithë këtë tmerr të tillë që kanë bërë turqit ndaj këtyre krijesave të varfra, ata deklarojnë me lot në sy do të vdesin urie dhe nuk do të besojnë më te qeveria turke. Ndonëse atje ishte vendosur paqja, asgjë nuk ishte bërë për kthimin e tyre. Për të ndëshkuar një grup fshatarësh të paditur dhe të varfër për shkak të taksave, qeveria u kishte shkatërruar tokën.

Botime te Edith Durham
Botime te Edith Durham

Mashtrimi

Sipas raportimit të “II Secolo”, në fakt, K. Pasha mburrej se ai mund t’i kthente shqiptarët në vendin e shkretuar. Një amnisti ishte shpallur, por çdo ditë ndërmerreshin luftime. Turqit dërguan disa emisarë që të përcaktonin kushtet. Akoma, deri tani kryengritësit kishin refuzuar në mënyrë kategorike që të pranonin çdo gjë pa pasur garancinë e fuqive perëndimore. Ata deklaronin se ishin mashtruar shpeshherë dhe se pa këtë garanci ata nuk do të bënin paqe, siç ishin të gatshëm të vdisnin një nga një, duke u deklaruar qartë kundër fuqisë së pakufizuar turke.
Fiset e Shalës dhe Shoshit, të cilat janë masakruar nga ushtria turke pasi nuk mundën të arratiseshin, kanë vendosur që të vdesin dhe të mos nënshtrohen. Pak burra u kthyen përmes kufirit gjatë natës për të blerë kripë, me të cilën do gatuanin mishin për njerëzit dhe në këtë mënyrë të siguronin ushqimin për një javë, pasi misri që kishin u ishte mbaruar dhe tregjet ishin mbyllur. I njëjtë ishte edhe roli i Abdul Hamid, i cili si askush tjetër, shkaktoi një urrejtje të hidhur dhe një mosbesim mizor te shqiptarët më shumë sesa xhonturqit. Aq mizore është natyra e këtij njeriu, sa atje nuk mund të dyshohej se ia kishte dalë mbanë që të çarmatoste banorët që ndodheshin në Shqipërinë e Veriut.

Fundi i xhonturqve

Po të mos ndërhyjnë popujt e qytetëruar të botës dhe t’u tregojnë hapur xhonturqve se kjo politikë zjarri dhe shpate duhet të ndryshojë në të gjitha mënyrat dhe të përshtatet me politikën e Europës së shekullit XX, ka gjasa që kjo të përfundojë me gjakderdhje, mjerim dhe asgjësimin e fiseve katolike. Po të mos ishte dashamirësia e malazezëve, me mijëra gra dhe fëmijë tashmë do të kishin vdekur; aq më tepër që ishte e vështirë për ata të pastrehë që të mund t’i mbijetonin dimrit.
Për ata që tre vjet më parë na këndonin këngët e shpresës dhe haresë, rezultat i tre viteve “reforma” është fundi i ekstremit. Në këtë vend ata gjatë gjithë kohës vetëm shtruan gosti, nuk dhanë para, nuk u zihej besë dhe nuk bënë asgjë. Një fjalë popullore shqiptare thotë: “Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”. Turqit e rinj (xhonturqit) janë bijtë e turqve të vjetër. Dhe ata (shqiptarët) ishin profetët e vërtetë.
Gazeta Albania 23 Qershor 2008

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.