back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Rreth pikës nevralgjike te shkrimeve… nga Robert Martiko

Gazeta

Shkrimtari Robert Martiko
Shkrimtari Robert Martiko

Rreth  pikës nevralgjike te shkrimeve…

nga Robert Martiko

Kur lexon një roman, apo qoftë edhe një artikull të thjeshtë, lexuesi mund të dallojë një batutë, frazë apo fjali të shkrimtarit, që e bën të admirojë apo shikojë me sy kritik mendimin e shfaqur. Individë të ndryshëm mund të kapin pika të ndryshme nevralgjike, diçka që ka të bëjë me ndriçimin e brendshëm shpirtëror të secilit.
Ose të mos kapin asgjë.
Për mua, gjëja më thelbësore e shkrimit rreth Krist Malokut, ka të bëjë me mosvlerësimin e veprës poetike të Lasgush Poradecit, sipas një stërhollimi të caktuar në mendimin e tij, të cilin nuk mund ta gjej kurrsesi thelbësor, për arsyet konkrete që do të shpreh më poshtë. Megjithatë do ta pranoj mendimin e tij pa asnjë koment; bëhet fjalë për një periodë, më parë se në Shqipëri të vendosej komunizmi. Nga ana tjetër, është e drejta e gjithsecilit të vlerësojë dikë dhe artin e tij, në masën që dëshiron, ose ta hedhë krejtësisht poshtë.
Pyetja qëndron nëse Krist Maloki, duke nënkuptuar në këtë rast, arsimin, kulturën dhe gjithë kapacitetin e tij të supozuar, shpirtëror, mbas ardhjes në fuqi të komunizmit, kur erdhi në Shqipëri për vizitë, i tërhoqi vëmendjen fakti, që i njohuri i tij, Lasgush Poradeci, kishte pushuar së shkruari…
Konkluzioni është se sado i madhërishëm të jetë një Oksford, Geil, Harvard, apo Universitet i Grazit, muret dhe auditorët e tyre shekullorë, sheshohen e bien përtokë, kur principet humane, të cilat u bënë shkak për krijimin e tyre, kufizohen vetëm në dhënien e një kulture thjesht teknike, artificiale. Jo më kot motua e Universitetit të Grazit është ‘‘Numquam retro’’ që do të thotë ‘‘Mos u dorëzo!’’. Mund të përmendësh shumë moto të kësaj natyre, të cilat kanë lidhje me Universitetet më të famshme të botës, për të ilustruar se përmbi Artin dhe Kulturën, gjëja më e madhërishme që qëndron mbi to, është kulti i Njeriut.
Eskili është një nga dramaturgët-poetë më të mëdhenj të Lashtësisë greke. Veprat e tij u admiruan e komentuan prej shkrimtarëve dhe filozofëve më të mëdhenj të njerëzimit. Para se të vdiste ai kërkoi që në varrin e tij, të mos përmendej si autor i një sërë veprash gjeniale, por si luftëtar pjesëmarrës në betejën e Maratonës. Eskili kërkoi një gjë të tillë për arsye se donte që qytetari i thjeshtë athinas, të vlerësonte më shumë vlerën e tij si njeri se sa si shkrimtar. Eskili veproi në këtë mënyrë dhe pse në këtë periudhë, lindën për herë të parë në botë, jo vetëm tragjedia, filozofia dhe mendimi politik por edhe gjithë ato gjëra të jashtëzakonshme të lidhura me Civilizimin Antik Grek.

Lasgushi & Mitrushi
Lasgushi & Mitrushi

Lasgush Poradeci nuk ishte thjesht Arti por Njeriu Vigan, jeta e të cilit mund të ishte ndërprerë, së bashku me mijëra mundime e persekutime që do të vijonin për familjen e tij, të cilën poeti e tradhtoi me ndërgjegje të plotë, për të qenë Njeri, në radhë të parë. Muza poetike e Lasgushit pushoi porsa në Shqipëri u fut komunizmi. Praktikisht, kjo ka kuptimin se, në çfarëdo çasti, Sigurimi famëkeq Shqiptar mund të shfaqej para derës së banesës së tij, për ta arrestuar. Sinqerisht, nuk arrij t’i kuptoj dot aktivitetet gjoja patriotike të mjaft intelektualëve shqiptarë. Nuk ka akt më të lartë hyjnor, patriotik, kur Individët e Rrallë, si Lasgush Poradeci vënë në jetë, me kosto të lartë jetësore moton: ‘‘Mos ndërto mirëqenien tënde me fatkeqësinë e tjetrit. Të shkruaje në Kohën e Murtajës ishte njësoj sikur të doje të lartoje shpirtërisht Diktatorin, në mënyrë që, ditën tjetër, kur të ngrihej nga gjumi, të vriste akoma më shumë shqiptarë. Atdhedashurinë nga divani e kolltuku unë e dëgjoj fare veresie. Nuk më mbush mendjen. Problemi është se si vepron kur mutrat shpërthejnë, njerëzit vriten rrugëve, pa gjyq, burgjet gjëmojnë dhe individë si Lasgushi, apo një grusht njerëzish fare të kufizuar, sfidojnë vetë fatin e tyre.
Në këtë pikë, jam i etur të njoh nëse Krist Maloki, kur erdhi në Shqipëri, u prek nga fakti që Lasgushi nuk shkruante më. Sikur të kishin mundësi të takoheshin, jam i bindur që Lasgush Poradeci do t’i thoshte në mirëbesim: ‘‘Nuk mund të shkruaj. Ndiej neveri për të ashtuquajturin Realizëm Socialist. Të dy studiuam në Universitetin e Grazit, motua e të cilit ishte Mos u dorëzo! As unë nuk mund të dorëzohem dot. Nuk më intereson Arti para të qenit Njeri. Jetën time ja ku e kanë! Le ta marrin.’’ – Kaq thjesht.
Ka ndonjë deklaratë të Krist Malokit në këtë pikë…?!
Do të dëshiroja në këtë rast të shkëlqenin, me gjithë forcën e mundshme, doktoraturat e tij, që kanë lidhje me Universitetin e famshëm të Grazit. Jo thjesht për Lasgush Poradecin, por për të hedhur themelet e vërteta të konceptit të humanizmit patriotik me karakter mendje-ndriçues, iluminist, në Shqipëri.
Janë të shumë ata që sot admirojnë artin e ish maskarenjve, që i kërkonin dikur Diktatorit Shqiptar të ngrinte gijotinën në mes të Tiranës. Dhe e keqja qëndron se me zgjedhjet tona në jetë, pa e kuptuar, transmetojmë të keqen te fëmijët tanë, e kështu brez pas brezi. Kështu Shqipëria nuk shkon përpara dhe për pasojë, ky nuk është patriotizëm. Patriotizmi mburracak, i verbër, mendjelehtë, i kafeneve, ku profesorë universiteti me tituj apo edhe shkrimtarë të ashtuquajtur ‘‘të afirmuar’’, mburren me librat e tyre jo thelbësorë, mua më lë krejtësisht indiferent. Ata kanë lindur të verbër dhe do të vdesin të verbër.
Tjetër është kultura e thellë e individëve të rrallë si Gjergj Fishta, Pjetër Meshkalla, Simon Jubani, Zef Pllumi, Skënder Luarasi, Lasgush Poradeci, Lazër Radi, Jusuf Luzaj dhe një plejadë e tërë humanistësh të sprovuar në jetë, dhe tjetër është kultura hipokrite, vëllavrasëse e të mbijetuarve të Njeriut të Ri.
Pa u zgjatur më tej, i shkruaj këto rreshta për të tentuar të hap sytë vetëm për ata që mund të kuptojnë dy gjëra fare të thjeshta.
-E para: Civilizimi Perëndimor, i cili, pas mijëra vjetësh shoqëri mishngrënëse, njerëzore, arriti të shkëlqejë në Evropë, pati në thelb moton e mësipërme, të shkruar me germa kapitale: Mos ndërto lumturinë tënde me fatkeqësinë e tjetrit!
-E dyta, e ashtuquajtura traditë, nëse mund të trumbetohet për imitim, nuk mund të gjejë ilustrim më të shkëlqyer dhe sublim se sa nga individë të rrallë si Lasgush Poradeci. Motua e tij e pashprehur, gjithë jetën, ishte përsëri: Mos ndërto lumturinë tënde me fatkeqësinë e tjetrit!
Në të gjitha vendet e Botës dhe në të gjitha kohët e njerëzimit vetëm individët e rrallë, ndryshuan botën. Fisnikët e ndershëm e zbukuruan atë. Jo kushdo. Mund të na bëjnë përshtypje intelektualë të caktuar të huaj. Megjithatë, përveç atyre që ndryshojnë me kalimin e kohës, një përqindje fare e ulët vlejnë. Shumica e tyre nuk e kanë atë thellësinë e rrallë të mendimit të kualifikuar, të ndershëm si Hannah Arendt, etj…
Dhe së fundi, u lodha duke dëgjuar fjalën ‘‘Gjen Shqiptar’’. Nuk ka gjen shqiptar, siç nuk ka gjen francez, gjerman, danez, finlandez, grek, persian, mongol, etj. Njeriu kur lind është një Tabula Rasa. Ka vetëm Kulturë, Dituri, Dije, të cilat bëjnë indigjenin australian apo afrikanin e shkulur nga xhungla, të shkëlqejë nga dituria, kur sytë hapen nga drita e dijeve të vërteta me natyrë Njerëzore.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.