back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Ilir Demalia i intervistuar nga Eneida Jaçaj – PD u krijua me njerëz të PPSH dhe Sigurimit…

Gazeta

Ilir Demalia
Ilir Demalia

Ilir Demalia i intervistuar nga Eneida Jaçaj

PD u krijua me njerëz të PPSH dhe Sigurimit…

Ja si Ramiz Alia e emëroi Sali Berishën në krye të partisë

Ilir Demalia, protagonist i lëvizjes për demokraci në vitin ’90 dhe aktor i shumë ngjarjeve gjatë ndryshimit të sistemit, njëkohësisht organizator i shpërthimit të ambasadave, në një intervistë për gazetën “Sot”, flet për krijimin e Partisë Demokratike, rolin e Ramiz Alisë, si u katapultua Sali Berisha në krye të partisë që do të sillte pluralizmin dhe do të plotësonte ëndrrat e studentëve, etj. Ilir Demalia deklaron se Partia Demokratike u krijua me njerëz të PPSH dhe Sigurimit të Shtetit, të cilët kontrollonin sistemin pas rrëzimit të regjimit komunist. Demalia thotë se Ramiz Alia e dërgoi Sali Berishën te studentët dhe më pas e katapultoi në krye të PD, dhe të gjithë ata që bënë pjesë në PD krijuan sistemin hibrid që është sot. Duke folur për dosjet e Sigurimit, ai thotë se dosjet do të hapen për të mbuluar megavjedhjet e pushtetarëve.

-Partia Demokratike festoi 26-vjetorin e themelimit të saj, si partia që do të sillte pluralizmin në vend, fjalën e lirë dhe do ta ndante vendin nga e kaluara komuniste. Si arriti të themelohej PD dhe a përmbushi ëndrrat e studentëve për një Shqipëri europiane?Unë nuk e di se si arriti të themelohej PD, pasi kisha 6 muaj që isha i larguar nga Shqipëria me krizën e ambasadave ne Korrik të 1990, por ajo që di është se të gjithë ata që themeluan PD nuk e njihnin njëri -tjetrin, nuk kishin marrëdhënie me njëri-tjetrin dhe as ishin takuar me njëri-tjetrin ndonjëherë. Kështu që fjala “themelim” është e gabuar ashtu si dhe termi Lëvizja Studentore. Të themelosh diçka do të thotë të kesh një projekt bashkëpunimi, një aktivitet të përbashkët, të kesh patur takime, konsultime, debate dhe në fund bihet dakord për themelin e themelimit. PD i mungojnë këta elementë, dhe kjo është arsyeja që nuk krijoi dot bina demokratike dhe demokraci së pari në partinë e saj. Po kështu mund të thuhet për Lëvizjen Studentore, që nuk kishte Lëvizje. Lëvizja ka shtrirje në kohë, në veprim, ka platformë, program dhe objeksione. Ku i kishin studentët këto deri më 8 Dhjetor? Më rezulton dhe fakton që nuk ka një lëvizje të tillë; edhe ato studentë e pedagogë që shkuan te Ramiz Alia nuk e njihnin njëri-tjetrin dhe po të shohësh takimin ishin të papërgatitur në kërkesa, ngaqë i mungonin ato elementë që përmenda më lart. Ai takim më shumë ishte një kakofoni ekzaltimi dhe protagonizmi se kush të dukej më i dashur me Ramiz Alinë, dhe mënyra si e takuan në fund dhe u përqafuan tregon shumë përpos nja dy vetëve. Pas kësaj, gjithkush e nxjerr konkluzionin që nuk është themelim, nuk është lëvizje si një grupim me program dhe platformë, por një kombinim faktorësh, aktorësh, situatash ku shumë nga studentët mendoj nuk kanë ditur gjë, por drejtuesit e dinin hullinë ku po çonin dhe ja ku jemi pas 26-vjetësh, gjendja flet vetë për dhjetorin. Mënyra si sillet sot klasa politike, partitë në jetën e brendshme, fuqia e trashëgimisë së regjimit si politike, ekonomike, korrupsioni, vjedhja, abuzimi krimi i organizuar i lidhur me pushtetin, mungesa e shoqërisë civile, elita intelektuale e vdekur; fakti që Shqipërisë duan t’i largohen të gjithë si një vend pa shpresë se nuk jemi larguar nga mendësia e regjimit diktatorial tashmë në regjim hibrid. Pra, t’i lëmë ditirambet e folklorizmat, heroizmat e kombëtarizmat po të bëjmë ne analizë reale, e kjo nuk bëhet duke fshehur gjithsecili e duke gënjyer deri në paturpësi pasi faktet, veprimet, dokumentet tregojnë krejt ndryshe me histori katundesh e më the e të thashë, e me legjenda Mujësh e Halilësh nuk ndërtohet shtet.

Themelimi i Partise Demokratike
Themelimi i Partise Demokratike

-A kishte nga ata që ishin kundër themelimit të PD, kundër ndarjes nga regjimi komunist dhe hapjes rrugë të demokracisë dhe fjalës së lirë? Më duket se e shpjegova në pyetjen e parë, punën e themelimit sipas arsyetimit tim dhe logjikës së fakteve. Ishin kundra? – E keni fjalën për disa veteranë apo galloshe si Spiro Koleka, Lenka Çuko, Simon Stefani, Pali Miska, Haxhi Lleshi? Ramiz Alia i detyruar nga të gjitha rrethanat të jashtme dhe të brendshme, të gjendjes ekonomike në kufijtë e ekzistencës për mbijetesë lejoi “pluralizmin” pra “opozitën” me njerëzit e regjimit dhe anëtarë të PPSH, pra “opozita” u krijua me njerëz të PPSH. Është për “Guines” kjo që ka ndodhur në Shqipëri, ku themeluesit e opozitës kishin njëkohësisht ende teserat e PPSH në xhep si Sali Berisha, sekretar partie i spitalit për 25 vjet, Gramoz Pashko, Besnik Mustafaj, Eduard Selami që në shtator dy muaj para themelimit të opozitës kishte mbrojtur desertacionin për filozofi me “Mendimin estetik të shokut Enver”, ndërsa opozita socialdemokrate me ministrin e qeverisë, Skënder Gjinushi, Partia Republikane me Sabri Godon e të tjerë. A mund të jetë kjo opozitë? Pra, opozita u krijua me njerëzit që trumbetuan gjatë vitit 1990 demokratizimin e jetës në vend sipas pleniumit 10 në Janar 1990 dhe mësimeve të shokut Ramiz Alia dhe grupi intelektualëve me Ramizin. Vetë Sali Berisha ditën që shpallte formimin e PD më 12 Dhjetor 1990 në sheshin e studentëve, me një entuziazëm shprehet fjalë për fjalë: “Një falënderim të madh dhe të veçantë për ardhjen e pluralizmit në Shqipëri ka Presidenti Ramiz Alia, i cili ashtu siç drejtoi brigadat partizane në çlirimin e vendit, drejtoi dhe Shqipërinë në rrugën e demokracisë”. A ka nevojë më për komente?

-A kishte të infiltruar të Sigurimit të Shtetit brenda Partisë Demokratike?Unë nuk mund të flas në erë më the e të thashë, por kemi rastin e Preç Zogaj që e ka pranuar vetë. Vjet dhe jo vetëm vjet por gjatë gjithë jetës 25-vjeçare të PD ka pasur akuza e kundërakuza nga vetë ata që “themeluan” PD, si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, ka pasur dhe hapje materialesh dhe mbyllje duke i përdorur si presion dhe dosjet i përdorën si presion. Vjet në 25-vjetorin e PD-së vetë gazeta juaj ka botuar akuza dhe kundërakuza të themeluesve ndaj njëri-tjetrit si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe dëshmitarë gjyqesh. A duhet të flasim më kur flasin vetë themeluesit për bashkëpunëtorët? Kjo ka qenë arsyeja që dosjet e Sigurimit nuk u hapën që në fillim, por u përdorën ashtu si gjatë regjimit komunist për presion bashkëpunim-sundimi. Por që të jem i sinqertë, më shumë më interesojnë tashmë dosjet e tranzicionit të mega abuzimeve dhe vjedhjeve të shtetarëve gjatë këtyre 25 vjetëve dhe të krimit të organizuar me politikën që është ulur si përfaqësues i popullit në atë që quhet Parlament. Dosjet e Sigurimit gjoja do t’i hapin tani që u bënë si “kulla barit”, për të mbuluar dosjet e mega vjedhjeve që t’i bëjnë dhe ato nesër si “kulla barit”.

Dhjetor 1990... Endrra e lirisë
Dhjetor 1990… Endrra e lirisë

-Si mori drejtimin e PD Sali Berisha? A ishte i porositur nga vetë Ramiz Alia për të qenë në krye të PD?Sali Berisha ishte intelektuali që kishte shkruar artikuj për demokratizimin sipas mësimeve të pleniumit 10 të KQ dhe mësimeve të shokut Ramiz Alia, ishte njeriu që u “shqua” në takimin me intelektualët ku asnjë nuk foli për pluralizmin megjithëse iu kërkua nga Ramizi. Berisha vetë tha se Shqipëria është e papërgatitur për pluralizëm politik, por u “përgatit” nga gushti në takimin me intelektualët deri më 8 Dhjetor?! Te studentët e dërgoi Ramiz Alia. Nuk e di se çfarë porosie kërkoni? Ramizi vdiq pa folur, Berisha nuk flet.

-Cili është sipas jush raporti i Lëvizjes së Dhjetorit me regjimin komunist?U mundova ta shpjegoj në pyetjen e parë, që nuk ka lëvizje sipas mendimit dhe gjykimit tim dhe pse nuk ka. Po ashtu dhe lidhjet me regjimin dhe njerëzit e regjimit si “themelues” me ndonjë përjashtim ose me ndonjë mbulim tip “gjeth fiku” me Pjetër Arbnorin e të tjerë në PD të persekutuar, që pastaj vetë Berisha ia nxori dosjet në Këshillin Kombëtar me pseudonimin “Bullari”, pra nuk kuptoj se çlidhje kërkoni të dalin me regjimin dhe Sigurimin kur i ka nxjerrë vetë PD deri ke lideri tyre historik, që sot e vajtojnë! Tragji-Komedi pluralistike.

-Sa qëndrojnë deklaratat e Xhelil Gjonit, se kjo Lëvizje ishte e montuar në zyrat e udhëheqjes? –Deklaratat e Xhelil Gjonit dhe qënia e djalit të tij ambasador i shtetit shqiptar ne Zvicër tregon qartazi se pushteti u mbajt me “pluralizmin” e dalë nga periodat e Partisë së Punës së Shqipërisë, të cilët tashmë të forcuar me pushtet ekonomik, politik, diplomatik, mashën PD po e kthejnë në një OJQ dhe Shqipërinë në një ferr për shqiptarët me Rilindjen e Vdekjes së shqiptarëve, duke e kthyer në një qenef të Europës për riciklimin e plehrave. E gjithë kjo tregon se çfarë u bë në Dhjetor, kujt iu shërbye. Llafet e këngët me çifteli e flamur si folklorizëm hienash janë nivel që të kujtojnë emisionin e “Heroizmin e popullit tonë në shekuj” në kohën e komunizmit.

-A u përdor “Lëvizja e Dhjetorit” më pas për të kontrolluar pushtetin?Do biem dakord së paku në këtë intervistë me sa u mundova të argumentoj dhe arsyetoj, se çfarë do të thotë lëvizje se nuk ka pasur lëvizje! E këtu nuk vlen më të mendoj as të zgjatemi, se a u përdor apo jo se u shtjelluan në pyetjet më lartë. Historia është shkencë dhe duhet trajtuar si e tillë e jo me urra burra! Mendoj se ne akoma nuk kemi menduar e jo më të fillojmë të analizojmë historinë tonë mbi bazë faktesh, ngjarjesh, rrethanash, personash, por jemi akoma në histerinë e simboleve si lodrat e dasmës apo përse bien këto daulle.
Agjensia e Lajmeve Sot News/ http://www.sot.com.al/politike/ilir-demalia 15/12/2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.