back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Maska e vdekjes e At Gjergj Fishtës nga Mentor Quku

Gazeta

Maska e Vdekjes e Fishtës
Maska e Vdekjes e Fishtës

Maska e vdekjes e At Gjergj Fishtës

nga Mentor Quku

Ishte dhjetori i vitit 1940 dhe At Gjergj Fishta ndodhej në Kuvendin e Troshanit i lodhur nga vitet, si edhe nga punët e shumta. Kësaj radhe kishte vendosur të pushonte. Asnjërit nuk i besohej se Poeti po kalonte ditët e fundit të jetës së tij. Më 10 dhjetor u sëmur dhe u detyrua që t’i shtrohej shtratit. Më 14, në darkë e sollën në Shkodër, drejt e në spital. Bëhet më mirë dhe të gjithë mendojnë se ia hodhi sëmundjes. Më 22, ra një borë e madhe dhe Fishta mori një polmonit që e rëndoi shëndetin e tij. Me 27 mjekët humbasin shpresat dhe Fishta bjen në kllapi. Pranë i rrijnë shumë nga Françeskanët e mëdhenj që bënë epokë, në mes të cilëve edhe At Viktor Volaj, studiuesi i njohur i krijimtarisë letrare të Fishtës. Më 30 dhjetor 1940, në ora 00.45 Fishta dha shpirt. Françeskani At Donat Kurti tregon çastet e fundit të poetit: “E kishem pa… pak orë përpara. Padër Gjergji me mall më shtërngoi dorën e bani buzën në gaz tuj më pershndetë me’j fije zanit. Ma e mbramja fjalë, ma i mbrami të përshndetun, ma i mbrami shikim vizatojn njat dukë të pikllueshme plot dritë e hije, qi len mbas vedit nji nieri i madh, për me u kujtue përherë me nderim e bindje. Duket si i fjetë në qetsi i lodhun prej dhimbave. Shokët e vllazënt i rrinë për rreth gadi si të dojshin me bisedue me të; por luten e urata e tyne kputet prej dnesve. Deka e ka ba punën e vet”. Nga mesdita njerzit mblidhen tuba tuba në bashkinë e Shkodrës për të pyetur për fatin e Poetit. Nxënësi i tij, Prof. Karl Gurakuqi, njofton herë pas here në radio ligjëratën e përmortshme. Njerëzit nuk lozin vendit. Duken të shushatun. Nuk u besohet që kanë humbur poetin e dashur, Homerin shqiptar, Gjergj Fishtën.
Ishte shuar një poet, vargjet e të cilit u mësuan përmendësh dhe u bënë popullore. Lajmi u dha pothuaj në tërë fletoret e kohës. Në këtë çast “u futën në skenë” katërshja e fotografëve shkodranë, e njerëzve vizionarë, njerëzve që punuan me ngulm për të përjetësuar këtë çast, për ta bërë atë pjesë të historisë dokumentare: Është brezi i ri i fotografëve shkodranë, janë katër heronj të fotografisë artistë të vërtetë: Shan Pici, Dedë Jakova, Gegë Marubi dhe Pjetër Rraboshta. Edhe zemra e tyre dneste, por ishin thirrur si dëshmitarë të historisë dhe ata kishin një detyrë me randsi të madhe. Ata punuan për kohët që do të vinin. Sikur kishin parashikuar se do të vinin kohë që barbarët do të përpiqeshin të shuanin çdo gjë që i përkiste Poetit. Prandaj puna e katër fotografëve të Shkodrës merr karakter vizionar me vlera të jashtëzakonshme. Ata punuan ata ditë kundër kohës, e cila do të kërkonte të shuante kujtesën kombëtare. Ja pse fotografia e tyre, përveç se ka vlera artistike ka edhe vlera arkivore, dokumentare historike. Gegë Marubi i specializuar në Paris, ka fiksuar foto të Fishtës në shtratin e vdekjes. Fishta është i veshur me zhgunin e Françeskanëve dhe në dorë mban rozaret. Në brez ka litarin e njohur sipas ritit të Françeskanëve. Fotografi i ri Gegë Marubi ka fiksuar në filma të markës Laika çaste të ndryshme nga funerali i Fishtës. Shan Pici ka fotografuar reliket që i përkisnin Fishtës, si për të na transmetuar brezave tonë disa mesazhe me rëndësi mbi jetën e poetit të madh. Po kështu jemi të sigurt se edhe Dedë Jakova ka fiksuar çaste të rëndësishme të procesionit. Mund të themi se për arsye profesionale asnjëri nuk ka përsëritur tjetrin, por të gjithë së bashku kanë plotësuar të tërën.

Mesha e 31 dhjetori 1940 - me rastin e Vdekjes së Fishtës
Shkoder – Mesha e 31 dhjetori 1940 – me rastin e Vdekjes së Fishtës

***
Dhjetor 2010. Shënohet një datë e veçantë në kalendarin e ngjarjeve të rëndësishme. Më 30 të këtij muaji bëhen 70 vjet nga vdekja e At Gjergj Fishtës.
Jemi përpjekur ta sjellim mes nesh këtë humbje të madhe, parë në disa këndvështrime. Shumë dëshmi fotografike, që shfaqen për herë të parë për publikun, do të plotësohen me disa shkrime të panjohura të Fishtës, dhe me një varg faktesh të analizuara me kujdes mbi portretin, kontributin e Gjergj Fishtës dhe përpjekjet e qëllimta të diktaturës për të hedhur baltë mbi të.
Por ajo që na tërheq vëmendjen më së shumti janë dy fotografi të një objekti tepër të rrallë: maska e vdekjes së at Gjergj Fishtës. Ajo është mjaft ngacmuese për misterin që mbart. Kush e ka realizuar dhe cila është historia e saj? A ruhet ende kjo maskë? A ka lidhje me ndonjë traditë të françeskanëve realizimi i saj?

Përcjellja mortore e At Gjergj Fishtës
Përcjellja mortore e At Gjergj Fishtës

***
At Gjergj Fishta i takonte Urdhrit të Françeskanëve, që e kishin në traditën e tyre që kur vdisnin personalitete të shquara të tyre ata ua merrnin maskën e fytyrës. Kjo kërkonte një teknikë dhe mjete speciale për t’u realizuar. Fishta vdiq më 30 dhjetor 1940, dhe u varros në Kishën e Françeskanëve një ditë më vonë.
Sipas dëshmive të disa anëtarëve të shoqërisë Antoniane, ne mësojmë se maskën e Gjergj Fishtës të vdekur e realizoi një françeskan tjetër i shquar: At Justin Rrota. Gegë Marubi realizoi fotografimin e Maskës së Fishtës në disa projeksione. Maska është realizuar me një teknikë të lartë, përmes të cilës ka ruajtur deri elementet më të detajuara të fytyrës, si rrudhat e fytyrës edhe qerpikët e syve, fijet e flokëve, etj. Maska ka ruajtur elemente të shprehjes së qetë të fytyrës së poetit menjëherë pas vdekjes.
Një histori më vete dhe mjaft interesante është ajo e ruajtjes së maskës së Fishtës deri në ditët e sotme. Kjo histori lidhet me anëtarin e flaktë të Shoqërisë Antonjane Tom Leci. Françeskanët kishin krijuar në Shkodër një shoqëri të djelmenisë që e quajtën “Shoqëria Antoniane”. Tom Leci ishte një pjesëtar aktiv i kësaj shoqërie mjaft të njohur në Shkodër. Ai kishte fituar çmime në poezi, pikturë, skulpturë dhe shquhej për ndjenjat e zjarrta të dashurisë për atdheun. Ai në 1939, krijoi së bashku me shokë të tjerë shoqërinë “28 Nandori”, qe luftëtar për ruajtjen e trojeve etnike shqiptare, në Rugovë. Toma mori përsipër ruajtjen e maskës së Fishtës në vitet e dallgëve të kohës që kaloi atdheu, gjatë Luftës së Dytë Botërore si edhe gjatë viteve të diktaturës. Deri në fund të jetës (2005), Toma e ruajti maskën e Fishtës me një përkushtim të madh. Është interesant se ai krahas maskës së Fishtës ruante të ekspozuar në dhomë edhe portretin e gjyshit të tij, Marka Kolës (1832-1880), një prej heronjve të “Lahutës së Malësisë” së Gjergj Fishtës. Portreti i Marka Kolës ishte realizuar nga piktori i popullit, Simon Rrota (vëllai i At Justin Rrotës, OFM). Ja pasazhi i Fishtës për këtë hero të Lidhjes së Prizrenit:

“Po kush qiti n’tri taborre?/ Marka Kola rrfe mizore.
Marka Kola i pari qiti,/ E ku qiti aty i a njiti:
Vrau n’martine të Sulltanit/ Burizanen Mark Milanit!”
(Lahuta, Kanga e katërmbëdhjetë, Te Ura e Rrzhanicës).

Marka Kola është një nga dëshmorët e Atdheut që dha jetën në luftë për mbrojtjen e trojeve të parëve. Tom Leci ruante së bashku maskën e Gjergj Fishtës (të realizuar nga Justin Rrota) dhe portretin e Marka Kolës (të realizuar nga vëllai i tij, Simon Rrota). Dhe nuk ishte e lehtë të ruaje një relike të Fishtës në Shkodër. Mbas vdekjes së Tom Lecit (i cili i kaloi vitet e rinisë së tij nëpër burgjet e diktaturës), maska e Fishtës ruhet nga familja e tij në Shkodër. “Këtë maskë kam pasur fatin ta kundroja sa herë shkoja për vizitë tek miku im, Tom Leci” (M. Quku).

Maska e Vdekjes At Gjergj Fishta
Maska e Vdekjes At Gjergj Fishta

* * *
Fotot dëshmojnë se dita e ceremonisë së lamtumirës ishte një ditë me shumë dëborë dhe kortezhi mortor përbëhej nga njerëzit më në zë të politikës, fesë, artit dhe inteligjencës. Ka shumë dëshmi gojore e fotografike që nuk njihen nga kjo ditë.
Bashkëkohësit tregojnë se ceremonia e varrimit të Fishtës qe më madhështorja që ishte pa ndonjëherë në Shkodër. Që me 22 dhjetor qyteti e rrethet ishin veshë në të bardhë. Bora binte si donte Zoti vetë. Homazhet filluan në Katedralen e qytetit dhe prej aty procesioni kaloi nëpër G’juhadol, kaloi nëpër piacë, (Pedonalja e sotme) dhe u ndal para ndërtesës së Postës. Aty u mbajtën fjalime nga autoritetet e vendit dhe të tjerë që kishin ardhur nga Tirana. Fjalimet u mbajtën pikërisht nga balkoni i shkallëve të ndërtesës, aty ku para katër viteve i ishte dhënë lamtumira e fundit një tjetër të madhit Mjeda. Prej aty kortezhi vazhdoi rrugën në rrugicën që të çon tek Kisha e Françeskanëve, ku edhe u varros në kriptin e Urdhnit të tretë. Ekzistojnë fotografi të katër fotografëve të Shkodrës, por që duhen kërkuar dhe promovuar në të ardhmen. Ne po prezantojmë fotografinë e procesionit në çastin që po ngjitet nëpër piacë, sapo ka dalë nga Gjuhadoli. Shihet qartë se ka ra borë e madhe, aq sa kanë mbetur grumbuj grumbuj në tokë. Ndërsa po bie shi, sepse pjesëmarrësit janë me çadra. Procesionit i paraprin banda muzikore Antonjane të Françeskanëve, mes të cilëve është edhe heroi ynë Tom Leci me Bas-Mi. Arkivoli i Fishtës ishte i mbuluar me Flamurin Autentik të Dedë Gjo’ Lulit. Ai u vendos përfundimisht në Kishën e Gjuhadolit. “Diq ma besniku i shprehjes së ndiesive shejte dhe bujare të kombit tonë” u shpreh prof. Filip Fishta. Me vdekjen e tij, Akademia e Italisë “Humbi nji ndër pjesëtarët e vet ma të shkëlqyeshëm” , shprehet kryetari i kësaj akademie Prof. Luigj Federzoni në telegramin që dërgoi në rastin e vdekjes së poetit më 30 dhjetor 1940. “Ky hyll i shkëlqyeshëm u këput prej qiellit shqiptar, ky njeri i madh u nda nga mesi i ynë, por Ai nuk do të harrohet kurrë prej Shqiptarëvet”– do të shkruaj Prof. Karl Gurakuqi me këtë rast. Dhe vërtetë mbas sa e sa fortunave të kohës, ka ardhë dita që Fishta të kthehet në vendin që i takon. Fishta po kujtohet e po nderohet prej shqiptarëve.

At Fishta në shtratin e vdekjes
At Fishta në shtratin e vdekjes

* * *
Një histori të veçantë kanë edhe fotografitë ku janë fiksuar disa relike të Fishtës si penda e artë, kurora e argjendtë, kopja e botimit të parë të “Lahutës së Malcisë”, me të cilat njihemi në këto fotografi. Interesim të veçantë treguan fotografët e rinj, Shan Pici, Dedë Jakova e Pjetër Raboshta, që sapo kishin hapur studiot e tyre në Shkodër, në shembullin e Foto Marubit… Në studion e pleqve Marubi ishte kthyer nga Franca, ku ishte specializuar, Gegë Marubi. Të gjithë këta fotografë të talentuar e të arsimuar punuan ato ditë për të pasqyruar sa më denjësisht figurën e ndritur të Fishtës, përmes fotove të kohës. Gega filloi të fotografonte me aparat të lëvizshëm me filma të markës Laika. Mes kësaj plejade fotografësh bie në sy Shan Pici, i cili u shqua për fotografi të karakterit arkivor, dokumentar. Ata bashkëpunan me organet e shtypit, si edhe me komisionet që u krijuan për të përgatitur botime speciale për Fishtën.

At Gjergj Fishta n'G'juhadol
At Gjergj Fishta n’G’juhadol

* * *  
Fishta u çmua dhe u nderua nga shumë personalitete e burra shteti të mëdhenj të kohës. Perandori i Austro-Hungarisë, Franz Jozefi e dekoroi në vitin 1912 me Urdhërin Ritterkreuz, Papa Piu XII e dekoroi në vitin 1925 me Medaljen e Meritimit, Parija e Përgjithshme e Urdhërit Françeskan e dekoroi në vitin 1929 me Lector Jubilatus. Madje At Gjergj Fishta u dekorua në vitin 1912, edhe nga Sulltani i Perandorisë turke me dekoratën Mearif klasi i dytë, kurse u dekorua nga Mbreti i Greqisë në vitin 1931, me dekoratën Foenix. Me rastin e vdekjes së Fishtës, si edhe të përgatitjeve për botimin “Atë Gjergj Fishta”, Tiranë, 1941, fotografi i ri Shan Pici mori përsipër të bënte fotografi të relikeve të Gjergj Fishtës. Po japim informacione lidhur me disa prej tyre. Njëra foto i takon dekoratave të akorduara Fishtës: 1. Në mes të fotos, lart është “Medaglia al Merito”, në vitin 1925 nga Papa Piu XII, 2. Dekorata në krahun e majtë është “Ritterkreuz” e akorduar në vitin 1912 nga Perandori Franz Jozef i Shtëpisë së Habsurgëve, 3. Dekorata në të djathtën është “Mearif”, klasi II, akorduar në vitin 1912 nga Sulltani i Perandorisë Turke, 4. Në fund është dekorata “Phoenix” e akorduar nga Mbreti i Greqisë, në vitin 1931.
Ndërsa në një foto tjetër Shan Pici fiksoi së bashku Kunorën e Argjendë që ia dhuroi Fishtës, Klubi “Gjuha Shqipe” në vitin 1911, si edhe Pendën e Artë që ia dhuruan në vitin 1917, nga qyteti i Beratit, për krijimtarinë poetike. Kunora e Argjendtë iu dhurua Atë Gjergj Fishtës nga Klubi “Gjuha Shqipe” me këtë kushtim:

Pupla dhe kunora e Fishtes
Pupla dhe kunora e Fishtes

“Fort të Ndritçmit At Gjergj Fishtës O.F.M.
Vjerrshtarit ma të vlershmit të Shqypnis, Atdhetarit të Flakët e të dijshëm, qi me shkrime të larta të veta aq të shndritun e randsi i ka dhanë gjuhës e komsis Shqiptare ket kunorë në shej të binduemit e të Miradijes, Klubi “Gjuha Shqipe” ja Truen.
Kryetari i nderës: Sereggi, Kryetari: N. Çoba, Shkodër, 21.1.1911.”
Po në vitin 1941, në kuadrin e përgatitjeve për botimet speciale kushtuar At Gjergj Fishtës, fotografi Shan Pici, ka bërë edhe riprodhimin e një fotografie të vjetër ku poeti kishte dalë, vite më parë kur kthehej herë pas here Kuvendin e Troshanit. Kjo foto tërhoqi vëmendjen e fotografit të ri, sepse aty poeti kishte dalë së bashku me fshatarët e tij të katundit Fishtë, aty pranë Troshanit. Pavarësisht se cilësia e fotografisë është jo e mirë, sepse amatore dhe e riprodhuar, ajo paraqet vlera për personalitetin e poetit, i cili madhështinë e tij e shprehte në mënyrë të thjeshtë.
Po ashtu histori dhe vlera të veçanta ka fotografia e facsimiles së botimit të parë të veprës së Fishtës “Lahuta e Malsisë” me autografin e At Shtjefën Gjeçovit, që e zotërojmë sot falë kujdesit të fotografit Shan Pici, me këtë rast (1941). Mësojmë se kjo kësombëll ka qenë “Për përdorim të At Shtjefën Gjeçovi, Gomsiqe, 13-VI-1912”.
Dhe s’duhet harruar edhe fotografia e vitit 1915, ku Fishta është në moshën 44 vjeçare, fotografi kjo që paraqet mjaft interes, pasi është koha kur Shkodra dhe e gjithë zona përreth është kthyer në teatër luftimesh. Fotografia është realizuar në studion e fotografit atdhetar Kel Marubit.
Përgatiti Admirina Peçi (marrë nga Gazeta Shqiptare dhjetor 2010)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.