Abaz Kupi (1892-1976) –
Udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
nga Vangjel Kasapi
Edhe pse moti ishte i ftohtë, me temperatura te ulta, me stuhi bore,
tradita e përkujtimit të përvjetorit të vdekjes së Abaz Kupit,
nuk u ndërpre as në përvjetorin e 41-të.
Të Shtunën, me 7 Janar 2017,
në një nga sallat e ndërtesës së varrezave në Kew Gardens,
ku prehet Abaz Kupi dhe dhjetëra nacionalistë të tjerë shqiptarë,
u organizua përkujtimi i përvitshëm në nderim të heroit të 7 Prillit,
Legjendës së Luftës së Dytë Botërore,
qëndrestarit antikomunist në mërgim, Abaz Kupi.
Organizimi përkujtimor u bë nga dega e Partisë
“Lëvizja e Legalitetit” për SHBA dhe Familja Kupi.
(dalip greca, 7 janar 2017)
Abaz Kupi lindi në vitin 1892, në Klos të Matit, në gjirin e një dere me tradita atdhetarizmi. Familja u shpërngul në Krujë, ku ai u rrit, u edukua dhe formoi fizionominë e tij si ushtarak i çështjeve kombëtare. Ashtu si mjaft të rinj shqiptarë, që vetë tradita e historisë sonë të shpatës dhe pushkës u dha shprehi ushtarake, edhe Abazi e përjetoi këtë dukuri. Nga natyra shfaqi dhunti ushtarake, si prirja për të pasur e për të përdorur armë, guximi për të vepruar, urrejtja për të huajin, etj. Këta tregues të karakterit të tij nisën nga fundi i sundimit turk (1910) e vazhduan deri në mbarim të LANÇ-it (1945). Ndoshta si ndonjë rast unikal botëror, në një moshë fare të re, 15-vjeçari Kupi zgjidhet (1911) anëtar i Këshillit Kombëtar të krijuar në qytetin historik të Krujës. Ende shumë i ri, kur ishte vetëm 17 vjeç, i ngarkuar nga ky organizëm, pagëzon rrugën e luftës duke ekzekutuar me dorën e tij prej trimi kryetarin e rebelëve, filoturkun Llan Hoxha, i cili pati përbuzur flamurin kombëtar, duke e zëvendësuar me atë turk. Kështu u shënua emri i Abaz Kupit në dosjet e arkivave. Kundër pushtimit osman veproi me forma e mjete tradicionale të luftës popullore, nga veprime individuale me njësite deri në formacione të vogla, si atentate, prita e gjer në luftime me forca e mjete më të shumta. Një faqe të dallueshme për të formon periudha 1912-’20, ajo e Pavarësisë dhe e shpëtimit të atdheut, kur luhatej qenësia e shtetit të ri shqiptar. Në vorbullën e 1912-s, Abaz Kupi doli në krye të krahinës, duke qëndruar si prijës pro Kuvendit dhe Qeverisë së Vlorës. Rezulton armik i shovinizmit fqinj dhe element nacionalist i Shqipërisë etnike, përkrah mjaft prijësve nacionalistë të nderuar.
Në vitin 1922 hordhitë serbo-malazeze rrezikojnë hapësirën territoriale me pushtimin e Koplikut e të Mbishkodrës. Pikërisht në këto fronte Abaz Kupi shquhet si një komandant me të dhëna të plota ushtarake, organizator e udhëheqës me talent ushtarak i një reparti ushtarak me 300-400 luftëtarë krutanë. Me goditjet që ai dha mbi pjesët e ushtrive sllave, i theu ato keq, si dhe i detyroi të tërhiqen nga këto krahina veriperëndimore.
Ishte periudha pas vitit 1925, e vendosjes së rendit e qetësisë. Abaz Kupi në atë kohë drejton një nga operacionet ushtarake për zhdukjen e anarkisë e të kundërshtimeve në viset veriore. Zgjuarsinë ushtarake dhe atë të komanduesit, guximin dhe vendosmërinë tradicionale të prijësve ndërkrahinorë, si dhe krenarinë e familjes ai i vuri në funksion të shqiptarizmës. Këto cilësi përbënë karakterin e tij, aq të pranishëm në çdo kuvendim, sidomos në çastet më kritike luftarake-politike, kur çështja shqiptare vihej nën tehun e briskut. Këto momente e nxjerrin Abaz Kupin në sipërfaqe, si një nga tribunët e radhitur në ballë të kundërshtimeve e të qëndresave. Kupi sapo ka ardhur në Shqipëri prej Stambolli. Atdheut i troket agresioni. Shteti shqiptar, disi i paralizuar, i paaftë dhe me kapacitete ushtarake të kufizuara, duket i pamundur të organizohet në përballimin fashist (përfytyroni një Shqipëri njëmilionëshe, kundrejt një 40-milionëshi). Gjithsesi, me vendim Parlamenti, edhe major Abaz Kupi vihet në krye e në komandë të rezistencës shqiptare të 7 prillit 1939. Sipas planit të orientuar nga Komanda e Përgjithshme e UKSh-së, Abaz Kupi ndodhet në komandë të rreth 500 vetave të Zonës së Parë, për mbrojtjen e drejtimit më të rëndësishëm operativ të Shqipërisë, atë Durrës-Tiranë, posaçërisht të Portit strategjik të Durrësit. Ai u përpoq ta mbajë në det ushtrinë pushtuese në portin kryesor. Luftimet i drejtoi në brendësi, sidomos në portat e kryeqytetit, që ta pengonte përparimin e shpejtë të motorizatave italiane. Porse ishte e pamundur. Italia e shndërroi Shqipërinë në një teatër lufte e trampolinë për në Lindje.
Emri dhe kontributi i Abaz Kupit del përsëri në skenën shqiptare. Në historinë e fillimit të LANÇ-it në Shqipëri e Ballkan ai përmendet si ndër të paktët krerë që u vu në vijën e parë të luftës me armë. Ja pse regjimi fashist dhe qeveritë përkatëse e vunë në epiqendër të ndjekjeve. Ndoshta, edhe sepse ishte partizan i monarkisë e i pikëpamjeve legaliste, si një rrymë që qarkulloi në Shqipëri që nga vitet 20 të shekullit XX. Një kapitull më vete në biografinë e personalitetit të Abaz Kupit formon vija e tij në raport me fashizmin italian. Ai s’i fsheh opsionet e një rendi kushtetues monarkist me Ahmet Zogun si mbret. Por Shqipëria etnike e lirë qëndron mbi pikëpamjet që lindën në truallin e pushtuar. Në atë kohë Abaz Kupin e gjejmë në krye të ndonjë aksioni, por, tepër i zgjuar, afrohet dhe drejton përgatitjet e gjithanshme ushtarako-politike dhe mobilizimin e popullit për ditët e ardhshme.
Viti 1941, bëhet i padurueshëm, kështu që detyrohet të emigrojë në Jugosllavinë tashmë të pushtuar nga nazi-fashizmi. Abaz Kupi, duke u investuar me fonde nga jashtë, nisi të mbledhë rreth vetes emigrantë bashkatdhetarë edhe kosovarë pro luftës së armatosur për shqiptarizmin. Janë bërthamat e para organizativo-luftarake që, për pak kohë, do të shumoheshin gjer në një ushtri. Shpërngulet që andej me ideale e fuqi ushtarake, me qëllimin që t’i shërbejë çështjes kombëtare. Në Bogë (Shkodër) Abaz Kupi kryen një akt të lartë patriotizmi: ngre flamurin kombëtar, duke rishfaqur personalitetin e tij ushtarako-atdhetar. Ka plot arsye që me Abazin të marrin takim e të arrijnë dialog si përfaqësuesit qeveritarë të fashizmit, ashtu edhe krerë të LNÇ-it, siç ishin ato të Frontit Nacionalçlirimtar e të Ballit Kombëtar. Nisur nga interesat më të larta të kombit, si dhe nga kërkesat imperative, si ajo e luftës çlirimtare kundër nazi-fashizmit, ai përkon me platformën e bashkimit kombëtar e në përpjekjet për zgjidhjen e detyrës kapitale. Kupi pajtohet dhe jep ndihmesë me pjesëmarrje në organizimin e një mbledhjeje të krerëve dhe përfaqësuesve të popullit, siç ishte Konferenca e Pezës (16.09.1942).
Kuvendi i parë pluralist mbarëkombëtar i Pezës, me reperkusionet e mira që pati, e dëshmoi Abaz Kupin si një prijës patriot e me vizione lufte, si një strateg popullor. Ndaj Kupi del një nga anëtarët e parë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe vite më pas, më 04.07.1943, zgjidhet anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSh-së, përgjegjësi kjo e lartë në organet shtetërore-ushtarake të Luftës e të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. S’ishin këto as dëshira të ndokujt dhe as rastësi, por emërtime të arsyeshme e të goditura, pasi Abaz Kupi, me pjekurinë, zotësinë, taktin e trimërinë kishte bërë emër e fjala i kishte peshë. Mbi të gjitha, ai dha prova të bollshme të një antifashisti, organizatori dhe drejtuesi ushtarak në kryengritjen e Matit (1943), në luftimet e Qafë-Shtamës, të Qafë-Buallit etj. Abaz Kupi dispononte autoritet në krahinat Lezhë-Krujë-Mat.
Më 01.08.1943, kur Italia përpëlitej në prag të kapitullimit, organizohet Mbledhja e Mukjes. Bëhej përpjekja më serioze, në mos e fundit, e organizatave të Luftës AFNÇ (Fronti Nacionalçlirimtar dhe Balli Kombëtar). Kupi, duke qenë edhe anëtar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm ANÇ, por nacionalist, me Ymer Dishnicën, Mustafa Gjinishin, Gogo Nushin etj., përfaqësojnë Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Konsiderohet Konferenca e Dytë (pas asaj të Pezës) pluraliste ku, në kontekstin e luftës kundër pushtuesit dhe realizimit të Shqipërisë etnike, u vendos bashkimi i gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet politike. Këtu Abaz Kupi luajti një rol pozitiv në diskutimin dhe përfundimin e punimeve. Mirëpo, Mukja u denoncua nga pala e Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe ai përjashtohet apo largohet nga funksionet e larta të saj e të UNÇ-it.
Te personaliteti i Abaz Kupit tashmë spikat qëndrimi dhe lufta me armë kundër fashizmit deri në kapitullimin e Italisë. Kjo etapë katërvjeçare e pasqyron atë si një figurë dhe prijës ushtarak që e lidhi, i bashkërendoi qëllimet dhe veprimtarinë luftarake me formacionet partizane të UNÇSh-së. Kupi diti e guxoi të ndërmarrë luftime të përbashkëta me UNÇSh-në, duke drejtuar jo më keq se komandantët e tjerë të shquar.
Kryengritja popullore e Matit (01-27.08.1943) qe një provë e madhe edhe për Abaz Kupin. Çeta e tij nacionaliste u përfshi në forcat kombëtare çlirimtare dhe plani i tij iu nënshtrua gjykimit të shtabit të përbashkët, drejtuar me ato partizane e vullnetare. Luftimet në Mat dhe ato në Dibër ishin një tërësi veprimesh sulmuese kundër garnizoneve të Burrelit, të Shkronjanit e të Qafës së Buallit, që u bllokuan me ditë të tëra. Major Kupi e ka marrë zonën në ngarkim dhe duke manovruar nga njëri vend në tjetrin, bashkëorganizon pritë pas prite bukur e me mjeshtëri, sidomos me çetat partizane në Qafë-Shtamë. Prita e famshme çoi në befasi, në shpërbërje e deri në shpartallimin e regjimentit italian “Guida”. Abaz Kupit s’i erdhi aspak mirë që u hodhën poshtë menjëherë nga krerët komunistë vendimet historike të Mukjes, për çështjen kombëtare e të luftës. Ai, hap pas hapi u shkëput nga Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe doli me një platformë e organizim ushtarak të rrymës që përfaqësonte. Megjithatë, s’mund të themi prerë se Abaz Kupi i mohoi idealet, se ai nuk përpiqej për një bashkëpunim kundër pushtuesit. Ai përcillte se “Dëgjohen andej-këndej sulmime reciproke ndër mes partizanësh. Kjo gjë ka qenë dhe asht kundër dëshirës seme”. Abaz Kupi rezultoi armik i betuar i luftës vëllavrasëse, i gjakderdhjes shqiptare, ndërkohë që Divizioni i Parë Sulmues dhe UNÇSh-ja kryenin operacione mësymëse në veri të lumit Shkumbin. Kjo situatë ishte një objektiv dhe kthesë imperative, domosdoshmërish për t’u realizuar një Shqipërinë etnike.
Abaz Kupi u largua nga atdheu në nëntor të 1944-s, i sigurt se do të ekzekutohej nga pushteti i ri komunist i sapoformuar. Qëndroi kështu i mërguar e me shpirt të ndezur për etninë shqiptare, por larg plotësimit të këtij pikësynimi strategjik mbarëkombëtar.
(Marrë nga Gazeta Telegraf, 26 Mars 2015)