back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Poezia… si nji shumatore sociale… Jozef Radi mbi librin e Enkeleda Ristanit “E di, Gyter?”

Gazeta

Poetja Enkeleda Ristani
Poetja Enkeleda Ristani

Poezia… si nji shumatore sociale

nga Jozef Radi

Mbi librin e Enkeleda Ristanit “E di, Gyter?”

 
Leximi i një libri të mbramë të një poeti, kur ti nuk je përballur në kohë e në hapësirë me librat e tij të mëparshëm, i ngjan zbulimit të një Amerike, që ti nuk ende nuk e ke kuptuar se ajo është Amerika.
Pra ka njëfarë donkishotizmi në zbulim, sepse ti mbas çorodisë dhe sigurisë që të jep leximi i vargjeve të autorit në fjalë, të duhet të përballesh më një poet të formuar mirë, jashtë dijes tënde. E kështu sa më shumë lexon prej tij aq më shumë kthjellesh, dhe aq më mirë e kupton veten në kët pikëpjekje të vonë me një autor të pjekur dhe solid, që ndodhet në nji pikë të lakmueshme të lartësisë së vet, dhe ty s’të mbetet tjetër, veçse një keqardhje ndaj vetes për atë që s’ke mundur ta rrokësh në kohë dhe hapsirën e duhur dhe të mos e nisje vlerësimin e tij si ndjesë!
Kjo është e para që mund të thuhet për librin më të fundit të Enkeleda Ristanit titulluar “E di Gyter?”
Enkeleda Riastani "E di, Gyter?"
Enkeleda Riastani “E di, Gyter?”

“E di Gyter?” është një nga reflektimet, më të thella dhe rrëfimet më të ndjera ku një poet mund ta lexojë veten dhe të lexohet prej të tjerëve, ku poeti vërtet shpalos një shpirt femëror të nji cilësie të veçantë, dhe një emri në dukje të përcaktuar qartë, por në të vërtetë është krejt një botë me nji pasuri shpirtërore të rrallë që edhe pse nuk dëshiron midis llumit ku është hedhur, padashtas përndrit çdo shpirt lexuesi dhe lë dëshminë e moshumbjes së shpresës.

“E di Gyter?” – pa as më të voglën frikë mund të thuhet së është libri më integral i poezisë shqipe. Ku midis poetit, egos dhe alteregos së tij, botës që atë e rrethon dhe botës që ai derdh ka një harmoni të pashoqe. Poezia në fjalë duke gjetur kështu nji pikë të rëndësishme komunikimi dhe mbështetje, ose edhe mbrojtje apo edhe shfryrje, mërr nji pafundësi ngjyrash dhe bëhet e pashoqe dhe e pangjajshme… edhe kur mbrrin në kufijtë e rrebelimit dhe shfryrjes së dufit të pakufi ndaj përdhosjes së vlerave të njeruit. Enkeleda Ristani është poetja më e lirë dhe më sociale e gjuhës shqipe… është nji gjeth pishe gjithnji i gjelbërt, që ka violinën e trishtimit brenda vetes, po edhe përtëritjen e vetvetes, edhe frymën e detit të filtruar me një finesë të pashoqe, edhe kur shpirti i saj është një ulërimë e paskajme.
Faqe mbas faqe, ti mbetesh mëse i bindur në atë çka ti ndjen dhe në atë çka ti ngurtëson nga leximi i Gyterit në atë pafundësi unesh të shkrira harmonishëm herë me një forcë të përbindëshme e herë me nji delikatëse të pashoqe.
“E di Gyter” të Enkeleda Ristanit, pata rast ta takoj mbas Enkeledës, dhe nuk e mendoja nëse përmasat e saja minore mund të kishin nevojë për ndonjë piedestal. Ajo që mundem të them me siguri është se enrgjia e saj poetike, shpirti i saj rrebel ndaj së keqes sociale që po merr përmasa katastrofike, mospajtimi i saj deri në neveri të bën ta duash jo vetëm poezinë e saj që bëhet një përmasë e shtuar e portretit të saj.
“E di Gyter?” është nji libër i përjetuar gjatë dhe i vuajtur thellë, ai është nji shumatore sociale e krejt grisë që vërshon në jetën shqiptare… ku ritmi dhe ndërthurja poetike derdhen me nje forcë të tillë, që e bën këtë libër të jetë me të ngjashëm të rrallë, sepse në mjeshtërinë e autores është ajo gjetja e mrekullueshme… që për të keqen dyhet një tempull rrëfimi… qoftë edhe poetik… dhe ajo jo vetëm e ka gjetur por ta jep vetveten ndër duar aq bukur, sa ti nuk mund t’ia kthesh ndryshe veçse në formë dashurie…
Enkeleda Ristani
Enkeleda Ristani

10 Poezia nga Enkeleda Ristani

***
Një copëz për gruan që jam
S’e kam lehtësinë e një takëm grash
Vishem lirë
Ha pak
Fle keq
Pi ndonjëherë sa dehem
Dehem ndonjëherë pa pirë
Ngjëroj mirë pije të shtrenjta
e njësoj gëlltis edhe lëtyra
Flas pa kocka nëpër gojë
por kjo s’i hyn në punë as dreqit
Jashtë bën botë e egër dhe unë
asnjë dhëmb në gojë që ta kafshoj
Paratë më mbajnë peng fuqinë
Nuk bëj dot udhëtime të gjata
as nuk ëndërroj
qameti, udhëtoj nga koka ime deri në brigje të panjohura
të rrapullive të mia modeste
Nuk mendoj se gjerat mund të rregullohen
as nuk shpresoj
dhe kjo më heq ca etiketa buzëqeshjesh shtiranake
nëpër tavolina të lodhura
me ngjyra në nevojë
Nejse, një grua që shkruan vargje
është vetëm kaq: një grua që shkruan vargje
Rrugën për në ferr e ka të shtruar pa asnjë mundim
që nga toka
nëse ferri është mbartur diku tjetër ndonjëherë
Krenaria ime thyen kokën nëpër taka të larta
të thyeshme edhe ato nga të tjerë
Kur dashuroj aq pak herë sa mundem
dashuroj të pamundurat
sepse është thënë, duket
në librin e mallkuar të lindjes sime
 
***
“Do dashurosh me pasion vuajtjen”
Nuk di kush e tha
por di që vazhdon edhe më cinike
“Do shkruash pa shkruar dot deri në fund”
dhe pastaj, si fletët e kujtesës mbi kanatën e frigoriferit
ngjiten në rrudhën time më të thellë të ballit
E tani ndoca herë
thyej pasqyra nëpër cepa banjash
që të mund të arratis herëdokur sytë
nga e vërteta
që s’ma pranuan asnjëherë të zbuluar… nuk është rrëfim
kur të kem kohë do të tregoj për një grua
për një qytet dhe për një kurvë
për një tubim feministesh që i drejtonte një burrë
feminist edhe ky sigurisht
për një komunitet homoseksualësh të mbushur me bythën e vet
për miqësitë e shprishura
për interesat që vërtisin botët
për botët të futura në matrioshka të lodhshme
gjithmonë e më zhgënjyese
për kompromiset e zëshme e nënzëhi
madje edhe për ato pa zë fare
për balancat që gjënë më të mërzitshme kanë ekuilibrat
për delirimet e turmave kur ciket ekuilibri e thyhet në mes
për kokëngjeshjet e kokave të të gjitha llojeve
atyre sipër e atyre poshtë
dimensionet e matura me grusht apo të rëna me grusht
kapardisjet e plehut për kokëboshjen e kokoshit
dhe këngën e kokoshit për glasën e mëngjesit
mbi turrën e plehut
do të tregoj për një gomar dhe një qen bir qeni
për sorrën e bardhë që leu pendët në sterrin e natës
dhe hardallosi parlametin e Pyllit të Nëmur
për një kallëp djathi me krimba që nuk ishte sapun
por e shiste djalli me etalonin e vet
edhe për sapunin që sulmon krimbat parazitarë
në vrimat e pambrojtura më
për një burrë të vogël që s’bën pjesë në asnjë nga elitat
psikopatologjike të parritjes dhe për një pijanec
për dalldisjen e shirave kur fërkohen retë
dhe për hënën masturbuese
për gjoksin me lesh përherë të zhuritur të diellit
dhe për spermën e mbetur në penisin e një dashnori
që nga hera e fundit kur kishte bërë seks me gruan
për prishjet pa leje të një femre në shtratin e saj me gjëmba
për komeditë telefonike që në pikë të mëngjesit
me të afërmit provincial
për llogaritë e bëra me gishta
për shkak të teorisë shqisorofilozofike të Lokut
për katedralet dhe xhamitë që adhurojnë zotin kur kanë larë duart
me njerëzit
dhe gjakun e klasifikojnë midis të ngurtës dhe të lëngëshmes
në habitatin naftmbajtës me ngjyrë kanceri
dhe po të mos kem vdekur duke të treguar
do të lutem që me frymën time të mbetur
të shkruash epitafin e fundit mbi gurin e varrit tim kurizdalë:
këtu prehet për pak harrim
njëra nga format e vdekjes së harruar
 
***
Bëri një dush e nisi të shpërndajë CV
Edhe kësaj here
Dyert e të shurdhërve janë drynuar me ngërdheshje
Mund të fitosh klizmën e parë të së keqes tënde
Që t’i ngatërroi zorrët mu në zemër të rropullive
Po, po, s’kam ngatërruar asgjë
Për një grua zemra e rropullive është jug
Për të tjerë mund të jetë veri i pagjendur kurrë
Fundja orientimi kërkon harta të rrudhosura
Në hemisferën e sipërmë të spitalit të dhimbjeve
Ose njohjen e drejtimit të myshqeve që ka zënë dëshira e gjelbër
Në pyllin e vjeshtës së humbur
Mund të kërkosh lirshëm forma portash për të trokitur
Tinguj trokitjesh në bosh
Si forma e epërme e profecisë
Mund të kërkosh fatin tënd kokolepsur me fatet e tjera
Ngatarepsur udhëve të të tjerëve
Por në fund, asgjë s’të siguron se nuk jeton
brenda një ëndrre të kallur vrer
Asgjë s’të siguron se fati yt
Do të ecë shpenguar
Pa u qorrollepsur në gurët e rastësive me të tjerë…
Bëri një dush
e nisi të shpërndajë CV
Nëpër e-terr…
 
 
***
Më vjen të vjell veten
si vrer të panevojshëm
që nuk i duhet as zorrës qorre gjë
më vjen të vjell gjithçka kam grumbulluar
për gjithë vitet e mallkuara
bashkë me time më
tim atë
tim shoq
dhe gjithë të miat e tjera të panumurueshme
që s’kanë qenë kurrë të miat
më vjen t’i vjell të gjitha neveritshëm
zërat e brendshëm
dashuritë si fije nervash të paralizuara
poezitë idiote për pullazet ku shtrojnë glasat
gjithë pëllumbat paqedashës në botë
turpin nga duart e lidhura në tokën e lirisë
mendimet se breshka fluturon nëse e merr shqiponja në gojë
të gjitha do t’i vjell
e pastaj
do vë një qen që t’i gëlltis
të gjitha nga e para…
 
 
***
Të dua si e limaksur
me uri prej gruaje që digjet në jerm
Të dua si e humbur në ishullin që s’e njeh frymën
prej kur u braktis në mes të shkretisë
nga zota të dëshpëruar,
me ethet e zbulimit, të dua
tokë e virgjër në mes të qiellit
Të dua si ëndrrën që s’e shoh kurrë
me gjithë përgjërimet e mia
çdo hapje sysh,
kur lutem për një grimë nga ty
aromë në lëkurën time
Si një grua, të dua,
sa një grua…
 
 
***
në fund të ditës dikush do t’iki
para meje ose pas
sot është dita ime
erdhi
nuk ishte as grua
as burrë
vdekja
nuk u ul të bisedonte me mua
as thjesht me zë
pa fytyrë
por nuk më ndaloi të flisja
pata atë fatin ta merrja shtruar
ta rinisja nga e para
pa u penduar për gjërat që s’bëra ndryshe
jo sepse munda t’i bëj si desha
por sepse s’mund të kisha fantazinë të ndërhyja
në të shkuarën
e shkuara ime ishte shollë e ngrënë
edhe pse jeta nuk është e gjatë nëse shkel mbi gabime
koha është kufizimi më i madh njerëzor
nuk është vdekja
vdekja është vetëm një bordurë për t’u kapërcyer
fryma e fundit e mbarimit të frikës
është vetëm prezencë e fortë
një bindja jote e kahershme
që merr ngjyrë
jo të zezë
e zeza është thjesht balancë
kurse vdekja ka ngjyra
në varësi të gjërave që s’bëre dot
gjësendet që s’ndodhën për ty janë pengu i pragvdekjes
por ti s’ke më kohë për këto
ke kohë vetëm për të menduar se edhe mbas teje
asgjë s’ka për t’u thyer në ty
askush s’ka për të t’kërkuar falje
as ti nuk do që ta bësh këtë për të tjerët
dhe ja ku u bënë ca toptha lotësh
nga më të nxehtit
të fundmit e të nxehtëve
misteri i krijimit ja tek mbyllet me të njëjtin lëng
askush nuk e diti nëse loti ishte i mirë apo i keq
dhe ti nuk pate kohë përsëri të këndoje faljet e fundit…
 
***
S’ka më kohë
duhet të shfaqësh gjithcka di të bësh
ndryshe edhe vdekja s’do ishte akti i fundit
Teatër me kukulla që buzeqeshin heshtur
ja, ç’na qenka të jetuarit!
Për të kapërcyer veten
të duhen dy masa guxim dhe një masë çmendje
kurse besimi ka vetëm overdozë budallallëku të verbuar
ndryshe prishet magjia
dhe çdodita përleshet me unin tënd
e fiton humbja
Mjegull.
O çaje dhe ec
o thyeji kockat në të!
Kapriçiot më “duhet” nuk ka gjasa të duan të ndodhin
e kjo i rri fiks në shtat
shënjimeve që bëhen
dyzet ditëve me fat lehonie
nëpër këmbë…
2013
 
***
Ti je Templar i kohëve moderne
Templari i vetëm i kryqëzatës sime
që nuk di në emër të kujt Zoti bëhet
në emër të ç’greali.
Ti shuan zjarre me zjarr të hidhur
dhe lexon çdo ditë biblën e mosbesimit
që më kryqëzon në njëmijë mënyra të frikshme.
Jashtë kryqit tim
gurgullon e qeshura jote
kurse qafa më është bekuar në tehun e gozhdës tënde
më të bukur gjakngrënëse
Pa kthim
Gishtat e tu i shoh në jerm
sa herë bëhet frika e nxehtë
se ndoshta kjo kryqëzatë nuk ka nisur kurrë.
Unë të dashuroj templari im i gjaktë
në secilën pikë vuajtje
në secilën pikë lëngu gjallie që më thahet mbi buzë
në mëngjeset me tokë të tharë
e varre masive të copëzave të mia
me kujtesa prej shtrige
në netët e neveritshme tëë ndërsyera
mbi çdo notë të kurmit tim
kthyer në kërmë për butakë të ashpër
Të dashuroj templari im
siç dashurova njëherë Zotin
pa gjetur rrugën e dafinave;
midisit të një rrugine gjembash
për në ferr
nga ku nxorra kryqin tim
dhe gozhdet e tua, templari im
për dashurinë…
 
***
gjethet e tetorit hanë bukë veç
pak e dinë këtë
pak e dinë edhe se
gjethet nuk bien për të sfiduar degët me vdekje
secila gjethe është një histori dashurie
e tokës
që njerëzit u munduan t’ia numërojnë orët
me zë të lartë
tetori është fytyra e një gruaje shtatzënë
e ngjizur në pranverë
pak e zvenitur
pak e trembur
e heshtur si mendimi i panjohur
që puthet midis gjethesh
me historinë e pambaruar të diellit…
 
***
sigurisht, ti do të vish nesër
e nesër do të jetë e diel
ditë meshe
ti do të mbash meshën time
dhe unë do të jem aty
në parmakët e kishës sonë
e vetmja besimtare e jotja
e ti do të më bekosh me duart e tua
në gojën time do shkrish gjithë mallin e dashurisë prej zoti
do të më bekosh ujrat e mi të shenjtë akoma
do të më zbresësh nga qielli me krahët e tu
për gjoksin tënd të shtrenjtë
sepse dashuritë nuk banojnë në maja qiejsh
dashuritë banojnë në pritje
në pritjet e përhershme si kjo imja
dhe dashuritë banojnë në sheshe
sheshe ku priten udhëtarët e malleve
si ty
malli im me çmim Nobël

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.