back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Peshku i Vogёl – Poezi nga Primo Shllaku

Gazeta

Poeti Primo Shllaku
Poeti Primo Shllaku

Peshku i Vogёl –

Poezi nga Primo Shllaku

Atë ditë lumi po shterrte.
Mbeti në gropë
peshku
dhe përherë e ma i vogël
bâhej rrethi
i rrugës së tij.
Nji diell i naltë
ia merrte ujin gropës.
Nji tokë e rreshkun
ia thithte ujin gropës.
Peshku
rrotullohej përherë e në rrathë ma të vegjël,
e ma të vegjël.
Shpina e tij e murrme
u duk si gungë mbi ujë,
barku i ndeshi në zall.
Nji diell i nxehtë ia thithte ujin,
nji zall i rreshkun ia vidhte ujin
peshkut.
Ky peshk i vogël
s’mund të rrinte ma veç në bark.
Syni i tij shifte në ajër,
tjetri veç tokën e turbullt.
Mbas pak ai mbeti,
hasi në tokë
dhe miza prej çeliku iu ndalën mbi sŷ.
U hodh.
Diku ndër male
stuhia kish shpërthye
me shi e me rrebesh.
Ujnat e qiellit,
të bame ujnat e tokës,
po vinin nëpër zall
në drejtim të peshkut të vogël,
që luftonte me mizat prej çeliku.
Lkura po i thahej peshkut
me nji blu të panjoftun.
Uji po vinte
me ballin e vet të shkumzuem,
po vinte drejt peshkut.
Ai përherë e ma rrallë përplitej,
përherë e ma fort…
Diçka si jeta a vdekja
e shqetsonte peshkun e vogël.
Uji po mbrrinte,
tue lagë zallin me shkumën e vet kakao.
E ndjeu peshku rropamën e ujit
që po vinte afër,
e ndjeu…
Ah, po të arrijë, po të arrijë…
U ngrit peshku nalt me furi,
mizat u shpërndanë,
trupi iu njom.
Furia e valës
e shtyu në nji amull.
U pshtet për breg
dhe, me gojën e hapun,
merrte frymë me zor.
Erdhi uji, erdhi uji.
I dha vetes peshku,
por trupi s’iu bind ma.
Mbrenda tij sendet po ndaheshin.
I dha vetes prap që të ndreqej.
Diçka si truni a zemra a muskujt
nuk i punonin ma peshkut.
“Erdhi vonë ky ujë, erdhi vonë…
Të vinte atëherë kur erdhën të parat miza.
Atëherë të kishte ardhë…”
Mizat prej çeliku u dukën prap.
Ksaj here peshku ishte i tyne.
1986-1988.
Marrë nga Vëllimi Poetik i Primo Shllakut, “Lule Nate”
Lule Nate" Primo Shllaku (1994)
Lule Nate” Primo Shllaku (1994)

Primo Shllaku flet për “Peshku i vogël” (1986-1988)

Tema e “Peshkut të vogël” ose e peshkut që mbetet pa ujë në nji pellg lumi, âsht nji ndër temat ma primordiale të miat. Kjo temë e ka zanafillën e vet në vëzhgime reale, të përsërituna qoftë në fmijëni, qoftë edhe ma vonë. Kto skena i kam shkrue në memoriet e mia për Zallin e Kirit. Ndoshta me kët shkas, unë ndjeva për herë të parë lidhjet e ngushta mes proceseve e kohës si koncept universal. Shkolla nuk na dha asgjâ të tillë. Individi mund të lozte rol në histori, kur ta thrriste ajo vetë, historia. Dhe shkenca që msonim na, ishte shkenca e individëve të shquem që i thrriste historia për t’i dhanë asaj vetë nji msim shembullor që, përsa të ishte gjallë ai X individ, ajo kurrsesi nuk duhet të thrriste të tjerë individë.
Na jetonim në Europë, në udhëkryqe të padiskutueshëm, fqinjë me Italinë e me rrezatimin e saj kulturor. Gjatë diktaturës, Italia qe për ne nji shêj reference e sigurt e realiste. Me tê banim na matjet tona, përmes saj lidheshim na me Europën e botën tjetër. Të kufizuem me prendimorë ose me proprendimorë, në fakt na kishim mundsinë me bâ masa reale se ku ishim, se ku po shkonim, sa mbrapa ishte ora e jonë në krahasim me të tjerët. Si koncept e si term vonesën në histori unë e pata ndigjue të formuluem prej Rexhep Qosjes. Por ndjeshmëninë ndaj sfazimeve historike, ecjen mbrapsht, anash e kundra unë i kisha përvetsue e bâ të miat. E parashifja si shum tragjike që, mbas nji pritje të madhe, të vinte ajo për të cilën ti nuk ke ma dëshirë, që pritja ta kishte vra dëshirën.
Rasti i dyvjetëshit të fundit të Martin Camajt më përputhej plotësisht me ketë skemë. Unë e di se jeta nominale e njeriut mund të mos përkojë me përmbylljen e nji pune ose të nji vepre, sepse kjo punë ose kjo vepër mund të lypë ma tepër kohë sesa zgjatja e nji jete njeriu. Por njeriu që e parashef pamundsinë me e pa të kryeme nji vepër, gjatë rrugës i ka vû vetes finishe të vogla e pak a shum e ka shijue rritjen e veprës. Nëse nuk ka marrë pjesë në përurimin final, të paktën i ka pa të përfunduem njeni mbas tjetrit disa stade. Fakti që na nuk e dinim se kur do të vinte ajo ditë, nuk kishte të bante me besimin, simbas të cilit historia vêhet në lëvizje prej forcash mistike. Misteri i vetëm ishte sesi na nuk merrnim pjesë në historinë tonë, ishim të përjashtuem për të ndërtue fatin tonë individual e historik.
Ai fat sajohej diku tjetër, do të gatuhej e servirej simbas logjikash të tjera që s’kishin fare të banin me dëshirat e pritjet që buronin prej faktit se ishim bij të Adamit, pinjoj të nji kombi të ri që banon në zonën që përshkon aksi ideal që ndan Lindjen me Prendimin. Kur e dëshiron diçka shum e, pa pasë mundsi me punue për afrimin ose fitimin e saj, gjendja onirike e pritjes ngadalë bâhet qëllim në vete dhe, si e tillë, ardhja e objektit të lakmuem e ndërpret ket lloj eksitimi. Pason njilloj indiference ose zhgënjimi në vend të gzimit e të entuziazmit që normalisht do të pritej në kët rast. Me kët sŷ i shof unë edhe nji seri finalesh të dramatikës absurde. Diçka që nuk e krijon, e shijon negativisht. Pra, mospasja e ndez imagjinatën për ta pa objektin e pritjes si të ardhun, si të kryem. Kur ai vjen ose kryhet, vjen si diçka e huej, si dublikatë e nji varianti tashma ekzistues, kopje e keqe e asaj që kishte sajue imagjinata, gati me thanë, diçka e padëshirueshme ma, diçka që i thuhet: Jo, jo, s’âsht kjo ajo që…
Kjo âsht pak a shum dhe historia e historisë së peshkut të vogël, prej të cilëve unë kam pa me qinda raste reale ndër puçikët e ujit, kur shterrte lumi…
Marre nga International Institute for the Protection of Cultural Gege (Pjaver Kroni)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.