back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Vllamëria e miqësia dhe Hakmarrja e Shqiptarëve – nga Mark Milan

Gazeta

 
Shqiptarët - Paja Jovanoviç
Shqiptarët – Paja Jovanoviç

Vllamëria e miqësia dhe Hakmarrja e Shqiptarëve –

nga Mark Milan

Përktheu nga origjinali Lazër Radi

“Jeta dhe Zakonet e Shqiptarëve” i Mark Milanit
asht nji përkthim i hershëm i Dr. Lazër Radit,
po edhe nji prej librave ma të sukseshëm të tij,
mbasi libri u ribotue dy herë…
Ky libër asht nji përzgjedhje e autorit,
i cili e ka shoqnue me nji studim mjaft analitik
mbi veprën dhe jetën e Mark Miljanov Popoviç…
ose i njoftun ndryshe Vojvoda Mark Milani…
Në kët prezantim, të cilin mendoj ta vazhdoj edhe ma tej
po japim dy fragmente të shkurtë të shkëputun
nga libri i këtij vojvode malazias,
i cili edhe siç shkruen në kët libër,
ishte edhe vetë me origjinë të hershme shqiptar… j.radi
Shqiptarët - Paja Jovanoviç (variant 2)
Shqiptarët – Paja Jovanoviç (variant 2)

Vllamëria dhe miqësia

Së pari, do të filloj të flas për zakonin e vëllamërisë. Kur vëllamërohen shqiptarët, ata thonë: “Vëllami është më i afërt edhe se vet vëllai, sepse vëllanë e ke nga nëna dhe babai, ndërsa vëllamin e ke nga vetë Perëndia, e meqë Zoti është mbi gjithçka, sa më afër Zotit të jesh, aq më afër je vetë njeriut…”.
Shqiptarët thonë: “nëse rastis që dikush të vret vëllanë dhe probatinin, duhet më parë të hakmerresh për vëllamin (probatinin) dhe mbas tij, për vëllanë. Nëse ndodh që edhe vëllai i dytë, apo i tretë, apo sado vëllezër të tjerë të vriten nga gjaksi i probatinit, për asnjërin prej tyre s’duhet të hakmerresh, pa u marrë më parë gjaku i vëllamit; vetëm pas kësaj ai ka të drejtë të hakmerret për vëllezërit e vrarë!”.
Po në këtë mënyrë duhet të hakmerret edhe për mikun, njësoj si për probatinin, dhe jo vetëm atë mik që ta konsiderojnë të tjerët, sepse si mik mund të konsiderohet çdo njeri, që përmend emrin e dikujt në çastin e vrasjes.
Dhe ja se si: zakonisht kjo ndodh në Turqi me të gjitha format, kur përplaset i forti me të fortin, por edhe në vende të tjera ku nuk ekziston frika e gjyqit (e ligjit).
Kur ndodh, që t’u dalin përpara një ose më shumë njerëz, të cilëve ata u friken, atëherë ata menjëherë përmendin emrin e dikujt, për të cilin ata kanë dëgjuar se është njeri i mirë. Nëse ndokush u del në rrugë dhe i kërcënon, ata thonë: “Jemi në dorë të filanit fistekut ose miq të filanit”, duke përmendur emrin e personit. Mbas kësaj askush s’guxon as t’i fyej, as t’vrasë e as t’ua prekë gjënë. Me atë emër ata shkojnë ku të duan. Nëqoftëse atyre u ndodh ndonjë e keqe, atij që i është përmendur emri, është i detyruar ta marrë vetë ai hakun ose vëllazëria e tij. Deri sa të mos merret haku, nuk lëshohet pushka nga dora: “…të shkojë sa të shkojë, të vriten sa të vriten!”.
Arnauti -1885 - Paja Jovanoviç (1859-1957)
Arnauti -1885 – Paja Jovanoviç (1859-1957)

Ka ndodhur që në shumë vise të Shqipërisë, nji hakmarrje të ketë zgjatur qindra vjet, e të jenë vrarë me njëri-tjetrin për hakmarrje breza me rradhë, pasi ka mes tyre njerëz të tillë, që duan të vrasin më shumë, në vend që ta marrin gjakun “nji për nji”. Siç duket kjo ngjet më tepër në ato raste kur flitet për vrasjen e probatinit ose të mikut që u ka përmendur emrin. Midis këtyre familjeve ka patur edhe nga ato të cilave u kanë munguar meshkujt dhe kështu u ka mbetur gjaku pa marrë… Për ta marrë gjakun është dashur të vritet miku ose probatini, kur është lënë amanet. Nëse nuk kanë as mik e as vëllamë, atëherë gjakun e marrin vetë gratë, vejushat, jetimët ose ato paguajnë para për marrjen e gjakut… Mbasi arrijnë të sigurojnë sasinë e nevojshme të parave fillojnë të vrasin gjaksat e mbetur gjallë, të cilën nuk mundën t’i vrisnin burrat e tyre, derisa ata ishin gjallë. Kështu këto gra paguajnë deri qindarkën e fundit, vetëm e vetëm që nderi i familjes të vihet në vend përmes hakmarrjes. Sepse s’ka mjerim më të madh për njeriun që s’mund të marrë hak për vatrën e shkretuar dhe xhinsin e tij të shuar. Kjo hakmarrje aq shumë e vlerësuar dhe kjo miqësi kanë qenë përcjellëse dhe ruajtëse e shumë jetëve njerzore në tokën shqiptare, në kohrat kur nuk kishte gjyqe, sepse gjykatat turke nuk ishin mike të atij populli, dhe jo vetëm kaq, por me sytë e tyre ata i shihnin këto krime që bëheshin midis shqiptarëve dhe i nxisnin këto krime që të shtoheshin sa më shumë të ishte e mundur dhe jo të pakësoheshin…

Gjykatat, në të vërtetë, nuk mund të gjykonin sipas sheriatit, sepse ai popull as pranonte t’i dëgjonte gjyqet e sulltanëve. Pashallarët e Turqisë nuk punonin për të fashitur zullumet (të këqijat), por bënin çmos që e keqja të përhapej sa më shumë në atë tokë. Dy ishin arsyet që i shtynin pashallarët të vepronin në këtë mënyrë: së pari, që shqiptarët ta lodhnin njëri-tjetrin me grindjet mes tyre e kështu të dobësoheshin dhe pasi t’u shkonte deri në fyt e keqja e vetgjyqësisë, dhe më pas t’i dorëzoheshin gjyqit, me qafë të përkulur dhe me armë të hedhura për tokë. Një pjesë e pashallarëve turq, me këto veprime kërkonin ta bindnin sulltanin se ndryshe Shqipëria nuk mund të zaptohet, nëse nuk nxiteshin shqiptarët ta lodhnin vetveten deri në raskapitje…
Interesi tjetër i pashallarëve turq ishte; që në Shqipëri të mos vepronin gjyqet, por të liheshin shqiptarët të grindeshin ndërmjet tyre: që të vilnin sa më shumë gjoba (ndonëse gjobat ishte mjaft e vështirë të vileshin në ato vise ku zhvilloheshin grindjet).
Në shumë zona kjo punë ecte mbarë, sepse në gjithë atë territor kishte mjaft shtëpi, katunde dhe fise të dobëta, të cilat pranonin më mirë të bënin gjyqe të tilla e të paguanin gjoba se sa të vriteshin…
Por, këtu e kam ndërmend të flas për zakonet e shqiptarëve dhe jo për gjyqet e Turqisë!
 
Shqiptari në pritë - 1884 - Paja Jovanoviç
Shqiptari në pritë – 1884 – Paja Jovanoviç

Hakmarrja

Është folur shumë për hakmarrjen shqiptare qysh në kohrat e lashta.
Thuhej kështu: “Kur të vritet një vëlla ose një pjestar tjetër i familjes, atëherë merret gjaku i të vrarit, hidhet në një gotë dhe lihet aty. Derisa gjaku qëndron i mpiksur nuk kërkohet hakmarrja… Ajo do të kërkohet vetëm kur gjaku të fillojë të vlojë dhe shkuma të nisë të derdhet nga gota. Kjo është shenja që tregon se ka ardhur ora gjakut, ora e hakmarrjes. Vetë gjaku dëshmon se është pjekur çasti për të marrë hak, dhe se gjaksori nuk mund të shpëtojë pa e paguar këtë çmim!
Është vetë fati që thërret për hakmarrje.
Midis shumë rasteve të tjera të kësaj natyre, unë do të përmendja vetëm njërin syresh, i cili u hakmorr në kët mënyrë, vetëm mbasi gjaku i shkumëzuar u derdh nga gota.
Dhe ja ndodhia: kastratasit sulmuan me ushtri bagëtinë dhe barinjtë e një pronari në Bardanjë afër lumit Cijeva. Kjo goditje u bë në mëngjes, pikërisht në ato orë kur sapo dita nis e shkëputet nga nata.
Megjithëse kjo histori ka ndodhur shumë herët, as kastratasit dhe as zatrepçanët, ende sot s’janë pajtuar me njëri-tjetrin. Nuk e kam ndërmend të shënoj gjithë të këqiat që kanë ndodhur në ato njëqind vjet midis tyre, por për këtë grabitje, desha të them se nuk e kam fort të qartë, nëse ajo qe fillimi i luftës dhe i grindjeve në mes tyre, veçse mund të them; se ai shkumim gjaku në gotë, shkaktoi një hakmarrje jo për qëllime miqësie apo vëllamërie, por thjesht për çështjen e një fëmije, dhe ja vazhdimi i ngjarjes:
Mbasi sulmuan bagëtinë dhe barinjtë, ku barinjtë i masakruan e dhentë u grabitën, Brunçi i vogël, një fëmijë i vogël tetë-nëntë vjeçar që kulloste edhe ai bagëtinë, u pa se nuk ishte i përshtatshëm as për t’u vrarë, as për t’u therur e as për tu marrë peng, mbasi nuk ishte i zoti as me mbajtë armë (mbasi vetëm kur njeriu është i zoti të vrasë, mund edhe të vritet). Ushtria u përpoq ta evitonte fëmijën. Mirëpo, kur pa se bagëtia nisi të lëvizë, ai u vu pas saj dhe askush nuk e vuri re. Kështu, fëmija lëvizi së bashku me bagëtinë gjithë natën. Kur zbardhi dita, ushtarët e kapën dhe e pyetën:
-I kujt je?
-Unë! I Marka Pjetrit – u përgjigj djali.
-Ku po shkon?
-Me dhëntë e mia.
-Po ne jemi të huaj o i shkretë dhe të gjitha dhëntë t’i kemi marrë, megjithatë po të japim një dhi, merre dhe shko në shtëpi.
Brunçi i vogël, e kapi dhinë për qafe dhe duke e ndjekur qetë-qetë nga pas, kaloi përbri trimave të panjohur. Ata e panë vogëlushin kur nisi ta çonte me gëzim atë dhi të vetme në shtëpi të tij, ndërsa vetë vazhduan ta ndiqnin me sy atë fëmijë të bukur si të ishte dhe ai diçka e tyre, dhe jo si gjakatarë, të cilët i kishin grabitur dhe vrarë gjithçka kishin mundur.
Në prapavijat e ushtrisë, atë e takon Cuc Stakini, trim i famshëm, i cili si bishë e egër i shkonte nga mbas ushtrisë. Kur u ndesh në djalin e vogël, që tërhiqte dhinë ai e ndali dhe e pyeti:
-I kujt je?
-Unë? I Marka Pjetrit, – u përgjigj djali.
Ai nxori shpatën nga brezi duke e kërcënuar:
-Unë ta pres kokën!
Djali pa u frikësuar fare, ia ktheu ashpër
-Ti nuk guxon!
-Po, nga kush nuk guxoj?
-Nga vëllai im, Prela.
Lufta e Gjelave - Paja Jovanoviç
Lufta e Gjelave – Paja Jovanoviç

Mbas kësaj fjalë, ai u egërsua si bishë, dhe me një goditje të fuqishme shpate, ia këputi kokën Brunçit të vogël. E gjithë ushtria e pështyu dhe e mallkoi për at krim të ulët që i bëri fëmijës së vogël, i cili ende s’kishte mbërritur moshën të mbante armën e të shkonte në luftë.

Marku, i ati i Brunçit të vogël, kur e gjeti ashtu me krye të këputur, mblodhi çfarë kish mbetur nga gjaku i fëmijës dhe e vuri në një gotë. Aty gjaku qëndroi disa vjet, derisa një ditë nisi të shkumojë dhe gota u mbush. Kur e pa se gjaku vloi, Marku mori shpatën dhe doli në sheshin që ndodhej përmbi shtëpi. Ashtu me shpatë të zhveshur vraponte sa andej këndej nëpër shesh, duke sokëlli. Tri nuset e djemve të tij që po sillnin dru prej malit, kur e panë që vringëllinte shpatën mbi kokë dhe vraponte si i marrë rreth sheshit, ia plasën gazit dhe hynë në shtëpi duke thënë:
-Baba paska luajtur mendsh!
Mbas pak, ai hyri në shtëpi dhe u tregoi djemve se gjaku i Brunçit të vogël kishte shkumuar dhe kishte ardhur koha për me e marrë gjakun e tij.
-Unë jam plak dhe nuk jam as në gjendje të eci dhe as ta vrigëllij shpatën si duhet. Ja, aty në sheshin sipër shtëpisë e bëra një provë dhe e pashë se nuk jam më i zoti. Ju jeni të rinj dhe të pamësuar në Kastrat. Rrugët nuk i njihni, kurse unë mendoj se tash me lehtësi të madhe mund të merrni hakun e djalit pa humbje të mëdha. Sipas shkumimit të gjakut shihet qartë se gjaksorit i ka ardhur dita ta paguajë borxhin…
Nuset kur dëgjuan fjalët e plakut, u erdhi turp për gazin që kishin bërë pak më parë, ndërsa djemtë i thanë: “Meqë ne nuk dimë dhe ti nuk mundesh, atëherë ne po të marrim e po të çojmë ku të na thuash ti deri sa ta mësojmë vendin. Ti do të na tregosh se nga të shkohet dhe si të veprohet. Mbasi të jena stërvitë mirë, ne po të kthejmë ty në shtëpi, ndërsa vetë po shkojmë të ndeshemi me Cuc Stakinin dhe t’ia marrim gjakun Brunçit të vogël.”
Kështu të tre djemtë: Prela, Dreshku dhe Gjoni e morën Markun dhe e ngjitën në majën më të lartë të malit të Kastratit, prej nga mund të shihesh gjithçka si në pëllëmbë të dorës dhe t’u jepte udhëzimet e fundit të nevojshme. Ata panë nji shpellë me dy hyrje dhe morën vesh se aty brenda ishin tridhjetë barinj me mbi njëmijë krerë bagëti të imta e të trasha. Kur u kthyen, i treguan Markut gjithçka kishin parë dhe Marku u tha:
-Vetëm ju të tre, nuk mund t’i bini Cuc Stakinit dhe tridhjetë barinjve që gjenden në guvë, por do të shkoni tek Lalë Drekali, i cili do t’u japë treqind kuçianë me vete që ta sulmoni shpellën, ndërsa mua më lini këtu. Unë nuk po lëviz prej këndej deri sa të mos e vrisni Cucin dhe gjithë tevabinë e tij. Veç më sillni pak ujë e pak bukë që të mos vdes urie dhe etje, derisa të ktheheni ju.
Shqiptar me fustanellë - Paja Jovanoviç
Shqiptar me fustanellë – Paja Jovanoviç

Dhe kështu ata u nisën e të tetën ditë erdhën së bashku më treqind kuçianët. E pyetën Markun, se si duhej t’i binin shpellës dhe Marku ju tha:

-Shpella ka dy hyrje, hyrjen e vogël dhe hyrjen e madhe. Aty, tek e madhja do të gjeni tridhjetë barinjtë, kurse tek hyrja e vogël, do të gjeni Cucin vet i tretë. Prandaj dy më të mirët prej jush do të sulmojnë hyrjen e vogël dhe mbasi ta vrisni Cuc Stakinin, ata dy të tjerët do të hutohen dhe të trembur do të vrapojnë drejt hyrjes së madhe, në atë çast, ju të treqind do ta sulmoni shpellën.
Ata e pyetën Markun plak se cilët prej tyre ishin më të mirët për të sulmuar tek hyrja e vogël?
Dhe Marku u tha: “Afrohuni pranë meje dhe unë do t’ju tregoj se cilët prej jush janë më të mirët.”
Ai filloi t’i ngulë seicilit gishtërinjtë e dorës në bel dhe pasi i preku të gjithë, iu drejtua djalit të vet, Prelës:
Ti je më i miri. Shko ti tek hyrja e vogël!
Një zatrepçani tjetër, pasi e kontrolloi me gishta, i tha: “Edhe ti je nga më të mirët për tek hyrja e vogël.”
Kështu, seicili shkoi në vendin e caktuar. Prela, sapo mbrriti te shpella, nisi t’i afrohej hyrjes së vogël. Aty ai pa Cucin vetë i tretë, të mbështetur mbas shpelle që këndonte. Sa më tepër afrohej ai aq më shumë dëgjohej zëri i tij. Prela së bashku me shokun e vet zatrepçanas u ndalën dhe dëgjuan fjalët e fundit. Kënga përfundonte kështu:
 
“O, mos më prej o Prel Marku/pash njat Zot e pash Shën Gjonin…”
 
Në atë çast Prela i thërret: “Ty do të ndihmojë Shën Gjoni, ashtu siç ka ndihmuar Brunçin tonë të vogël të shpëtojë prej teje dhe tehut të shpatës sate kur i re në gjoks!” Dy të tjerët vrapuan drejt hyrjes së madhe, dhe aty u vranë të gjithë. Bagëtia u grabit dhe u çua në Kuç, ndërsa Markun plak e morën të kënaqur, jo aq për bagëtinë e rrëmbyer dhe as për të tridhjetë kastratasit e vrarë, se sa për vdekjen e Cucit dhe për rrëmbimin e shpatës së tij, që ishte tepër e famshme në atë kohë. Me atë shpatë, ai kishte prerë kokën e Brunçit të vogël dhe po atë shpatë tani e shihte të ngjeshur tek i biri i tij, Prela.
Kështu u krye hakmarrja e Brunçit të vogël dhe plaçka u nda, ndërsa shpata e Cucit iu dhurua plakut Mark, ta mbante si kujtim…
Marre nga “Jeta dhe Zakonet e Shqiptarëve” i Mark Milanit përkthim nga Dr. Lazër Radi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.