Musine Kokalari: “Siç më thotë nënua Plakë”1
nga Lasgush Poradeci
Dhe kështu vijmë tashi në gjënë që na intereson mê shumë për këtë shënim, në meritat artistike të shkrimtares së re shqiptare. Ato janë një virtut i pamohuarshëm i saj, ku mund të kënaqet me të vërtet nevoja jonë për një shijim estetik të plotshëm, ku gjejmë, si në bërthamë, premtimin e heshtur të shvillimit të mëpastajmë të atyreve që ajo mundet të na japë në kohën e duhur. Me sa vërejtje të përpiktë, plot gjallësi dhe plot freskësi, janë zënë këto miniatura të Musine Kokalares! Të thuash, si të kish këputur një copë të gjallë të jetës, një pjesë që rron më vetëvete gjithë jetën e organizmit shoqëror, një fragment që përfaqëson origjinalin dyke e përmbledhur. Janë skica këto, me një intuim psikologjik të math. Ato s’venë, siç do t’i detyronte lloji i tyre, rrugës në gjerësi. Nuk çikin, nuk prekin vetëm. Nuk i afrohen sipërfaqes vetëm, për ta relevuar me një ngjyrë të lehtë, me një efekt pamjeje të çasit. Nuk përdorin frymën, as humorin, as ironinë ose sarkazmin e tharbët, të shkurtër, të një lloji letrar me qëllim dhe ekspresivitet të përcipshëm siç janë skicat nga natura e tyre. Nuk mbajnë, me fjalë të tjera, distancën subiektive të autorit kundrejt motivit që trajtojnë. Musine Kokalari hyn në thellësi drejtpërdrejt në thelbin psikologjik. Menjëherë, ajo bashkëjeton me atë që na rrëfen. Nuk tall as nuk qesh përciptas, nuk vajton dyke spiritizuar. Situacioni komik i saj përmban një tragjedi, një tragjedizmë me të vërtet për të ardhur keq mi karakterin ose mi fatin, që është dhe destini i njeriut, veçanërisht i njeriut – grua. Gruaja e lagjes – e dyerve dhe e portave, vizitonjësja e vatrës dhe oborit, fjalamania tradicionale që përfaqëson tipin e përbashkët dhe të përditshëm të intrigonjëses, të intrigantes, të asaj që bën intriga, që fut fitila, që shtje spica, që shan dhe heth në sherr dhe shtyn në ndarje – kjo: mëhallaxhesha shqiptare e pavdekur për gjithë herën dhe për gjithë kohën, përbën fondin e inspirimit të librës “Siç më thotë nënua plakë”. Epigon Mefistofeli femëror, Meduzë me gjarpërinjtë gati, ajo e ka për gjaku, prandaj di dhe përmbush mirë mjeshtërinë e saj. Ç’bën ajo? – Atë që pat bërë, atë që do të bëjë: Fut fite andej, fut fite këndej, bjer e shpjer fjalë. Nga ato zënkat, zëniet, zihjet që përsëriten gjithnjë: Nga to e ma ta to, siç e ka fiksuar mirë me shprehjen e përshtatur zonjusha Musine Kokalari.
Dhe të gjitha këto në një stil origjinal, në një stil të saj, të çfaqur për së pari me kaq përmbledhje në letrat t’ona. Cilësija e tij është natura e tij. Dyke trajtuar një motiv çkëlqimërisht popullor, ay mban, përmban me paramendim, me paravendim, këtë karakter, që është karakteri primordial i vet: popullorësija. Sikundër janë marrë, desha të them janë rrëmbyer, nga zemra popullore motivet e këtyre skicave kaq të hijshme, ashtu është marrë dhe rrëmbyer nga goja popullore fjala që i vesh, robja e paraqitjes së tyre përpara lëçitësit. Vetëm origjinalitet, vetëm popullorësi. Janë fjalë ekspresive, fjalë të urta, proverbe të vendosura, shprehje popullore, mënyra thënieje dhe foljeje, përgëzime, përvajtime, mallkime, urime, gjithë një thesar frazeologjije së gjallë, të marrë drejtpërdrejt, si të këputur, si të çkëputur nga fryma dhe kraharori i atij që flet dhe të cilat përbëjnë kësisoj gjuhën dhe stilin e Kokalares. Një përshkrim i gjallë, realist, dhe një rrëfim i freskët, plot ngjyrë, plot shije, i nxjerrë krejt dhe befas nga momenti natural i burimit të tij: “Në këtë kohë dolli te porta teto Shekua, plakë cite mënt, e urtë që nuk ka shoqe, q’e dëgjojnë të mëdhenj e të vegjël: ju preftë Zoti ditën! si s’keni turp fare nga bota! moj nuk shikoni se si janë mbledhur dhe ju dëgjojnë se ç’thoni” (Për mustaqet e Çelos, f. 15). Më duket akoma në si2, sikur e gjej përpara të shkretën plakë; dhe kur e pyetja se ku vente: ja, thoshte, vete një çikë tek Mukadesi, s’e kam ditë pa parë, i shpie dhe një çikë gjë se s’na zihet t’a hamë vetë si mua ashtu dhe plakut; me zi e kemi, atë vështrojmë në si” (Burri shoku i qenit, f. 19). Ajo moj Aishe, ajo që s’t’a zë sinë3. Është thingjill i mbuluar, mësallë me di4 faqe, shpon ndënë dhè. Pa… pa, s’ke parë bushtër si ajo, nuk ka shoqe. Moj të keqen, se ku i gjen gjithë ato rrena nuk di, pastaj se si i ndreq e i thotë… aqë të bën t’i besoç një-me-një. Gjë s’lë pa trazuar, vënd s’lë pa futur turitë. Dal, kthehem në darkë-na! Kështu e gjej sepetin [të trazuar]. S’lë haps e buqice5 pa ndrequr. Në të mbaruar e sipër më heth një herë sitë6, si e ka zakon, dhe më thotë: ej, hë! m’i vure dorë djalit sot? u bëre dhe ti të na kreç inatet kështu? e di ç’të bëj? që të këput kokën – trak, si të pulës! Që të marr shpirtin të gjallë! që të marr frimën mu atje ku je! (Është e thellë, f. 26, 29). “Ç’e do, kush m’a prishi punën e vajzës s’ime mos pastë hair në shtëpi, i rëntë së mirës me këmbë, mos e trettë balta, e gjeftë nga mos e pandeftë. (Paç fatin e së ligavet, f. 26). Ç’e do, kush ma prishi punën e vajzës s’ime mos pastë hair në shtëpi, i rëntë së mirës me këmbë, mos e trettë balta, e gjeftë nga mos e pandeftë (Udhën e mbarë pastë, f. 45).
Ç’duhet përfunduar prej kësaj veprëze pa pretendime, prej kësaj prove shkrimi femëror shqiptar? Art domethënë realizim dhe ne nxjerrim përfundimin e realizimeve të shkrimtares. Dyke lënë mënjanë të metat, pa rëndësi, të limosjes së gjuhës dhe të frazës, të cilat ajo, si klasike që janë, i pat lënë njëherë e përgjithnjë në klasën e shkollës, ne i falemi nderit me gjith zemër për paraqitjen letrare të këtyre subiekteve të neveritura, veçanërisht për stilin e ri, substancial, që i-u ka përshtatur me aq vërejtje shpirtërore dhe që është në gjithë kuptimin e fjalës shënja e një talenti të pamohuarshëm. Vazhdimi në këtë drejtim duhet të na japë masën e përsosjes së saj.