back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Takimi i Nënës së Visarit me Driteroin – Visar Zhiti (Ferri i çarë)

Gazeta

 

Dritero Agolli & Visar Zhiti
Dritero Agolli & Visar Zhiti

Takimi i Nënës së Visarit me Driteroin

Visar Zhiti (Ferri i Care)

Pas arrestimit, nëna kap të njohurit 

I morën djalit 39 fletore dhe blloqe me vjersha
e me ku di unë, seç shkruante, e zeza!
Qysh jam gjallë! Prandaj do të ma kenë zënë, thashë.
Të iknim në Kukës, po ku?
Në Degën e Punëve të Përbrendshme,
kalli flamën si i thonë, po ata s’bëjnë pa urdhrin e Tiranës.
Dridhesha si purtekë. Qaja…
 
Visar Zhiti i burgosur
Visar Zhiti i burgosur

Me të marrë haberin e keq se ma arrestuan djalin e vogël, thashë se luajta nga mentë. E kisha andej larg, në Kukës, mësues maleve. Ç’heq tani korba unë o Zot, mos i lër të ma torturojnë, mbajua dorën! (I dridheshin buzët dhe zëri) Thashë të hidhesha nga dritarja a te rrotat e makinave. Po i duhesha shtëpisë, fëmijëve, djalit në burg.

Kujtoja burgun e burrit, e njihte gjithë qyteti, i nderuar. E donin, shkruante dhe dilte në skenë në teatër. Po ku pyesin këta… luftë klase ulërijnë. duan gjak! I ka mësuar ai sojsëzi, Stalini, që ia nxjerrtë kockat qeni. Plaçkat e tim shoqi, që m’i kthenin, kur i çoja bukën, që s’ia jepnin… të poshtrit, gjë prej gjëje… i gjeja me thonj brenda me dhëmbë të përgjakur, të shkulur me darë, siç e torturonin, m’i tha më vonë ç’hoqi, por u bëri ballë. Kunatin ma vranë, dhe e hodhën shkallëve gjatë hetuesisë… arsimtar ishte… se ata të grupit të deputetëve do të lidheshin me të thoshin.
As varri s’i dihet… Atë që kisha si vëlla dhe si baba, që më rriti mua jetimen, e pushkatuan, prefekt në Gostivar dhe Tetovë kishte qenë. As varri s’i dihet, as atij. Po varr është kudo… Tani më morën djalin! Pse? Pse? Korba unë! Vjersha bënte, s’bënte gjëra të liga. Dhe ika me një frymë në Tiranë.
Po ai pse lajmëroi që t’ia hiqnin vjershat nga revista? Edhe mik… Pse kështu është miku? Se, po t’i dilnin, mbase ia lehtësonin dënimin. A ia bënin më të rëndë… e ku i dihet! Eh, desha t’u thosha shkrimtarëve, që donte djali im… që kishin emër, që ai… E ç’t’u thosha xhanëm. Ndritëronë e kam edhe kushëri, kryetar i shkrimtarëve është, i Partisë, me autoritet, i çqonjtur. I vete drejt e në shtëpi.
Tek ai pallati në qendër, kubist a ç’i thonë, me arkitekt në burg. Trokëlliva në derë herët në mëngjes… Sikur ndjeva hapat e Hatixhesë, s’ëmës së Ndritëroit. Më pritën mirë me pije, me kafe. “Rri”, më thanë. U qava hallin.
Ndritëroi mezi fliste… s’e di a e dinte, po u trondit. “Nuk të futin kot në burg, – më tha, – marrin informata. -Shokët t’i zgjidhte. Vjershat ia kam lexuar, më kanë pëlqyer, po ashtu janë vjershat, si të duash, të mira të këqija. Do të shkoj edhe te prokurori i Përgjithshëm, do t’ia them!”.
“Dritëroi përpiqet, po s’ka ç’bën, – tha Sadija, e shoqja, kur mbetëm vetëm – Ja unë kam një njeriun tim në burg, dhe ordiner po s’e nxjerrim dot… Ne ia dhamë dorën po ai…” Cili? Ika e hutuar… ma bëni hallall shqetësimin u thashë. Të na vish sa herë të duash, – më thanë, – ne ju duam! Mora urbanin për në Kinostudio. Kisha Ilirjanin me vete, se ku i gjeja dot unë. Tirana është bërë e madhe. Kërkova Bashkim Shehun, të birin e Kryeministrit, shkrimtar në vërsën e djalit tim është… e donte im bir, pamvarsisht se Mehmeti na kallte datën, na shoi me Partinë.
.
Nënë Resmia me djemtë: Shpëtimi, Ilirjani dhe Visari
Nënë Resmia me djemtë: Shpëtimi, Ilirjani dhe Visari.

“Ai është!” më thanë, sa zbriti nga autobusi e ndala. Ia thashë. I erdhi keq dhe u zbardh në fytyrë. “Atje ku ka hyrë tani, ai vazhdoi, unë s’bëj dot gjë. E kam të ndaluar, të pamundur. Po më pyetën do të flas mirë, ashtu siç e kam njohur!” Dhe u ligështua në fytyrë. Më përqafoi. Iu vra i ati, vetë a e vranë dhe e futën në burg. S’e di a është takuar me tim bir, i shkreti.

Shkova prapë në Tiranë. Kërkoja Ismail Kadarenë. Më thanë kur vinte në kafenenë e shkrimtarëve, jo, klub a lidhje, se s’ia angllandis dot emrin, ku mblidhen dhe llafosen dhe pinin kafe… E dija at pallat, është martuar Mbreti aty. Prita ca më lart te sheshi… U ngjita më lart.
“Po vjen!” – më tha Ilirjani, që e kisha në krah. E ndala vetë dhe i thashë hallin. U ndjeva ngushtë. Më vuri dorën në sup…
“Mbahu!”, – më tha. “Ç’të mbahem, – i thashë, – dhe ku?”. U kthye nga e shoqja dhe i tregoi për mua! Se si më vështroi ajo, me dëshpërim, si ca ikona. “S’jam në gjendje ta ndihmoj dot, besomë, jam vetë keq, e s’e di kush mund ta bëjë tani, – po më thoshte ai. – E takove kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve? Unë s’mundem, se… ah s’ia mbaj dot mend fjalët… Kurajë! – dhe i bëri duart kështu… bëftë Zoti!, më tha, më përqafoi edhe ai dhe u ndamë. Sa e donte djali im!
Përmes lotëve, pashë nga statuja e madhe e Skënderbeut t’i lutesha atij, ndoshta ishte më pak i ngurtë se njerëzit. Përse e mbante atë shpatë. Ngrita kokën nga qielli. Lëvizi.
M’u rrotullua. Sa larg është Zoti nga ne… na ka harruar. Po s’i i prishëm ne kishat dhe xhamitë, jo, po shteti i komunistëve, që u përmbystë dhe i zëntë nën vete… Zëvendësuam kishat dhe xhamitë me komitete Partie dhe komitete ekzekutive, dhe… na ekzekutojnë. “E ndihmoftë Zoti!”, – më kishte thënë Kadareja… mirë, mirë, po ku ta gjeja! E di që është i madh!
Aty kemi shpresa, ai është ngushëllimi ynë, por këta s’e lënë as Zotin… S’kanë… Jeta është e shkurtër e këta ta shkurtojnë më shumë… por unë s’do të vdes, po do të t’i lë mënjanë sëmundjet dhe kusuret e mia, do ta mbaj gjallë tim bir, çmosin do të bëj… dhe ai shkruan prapë në burg, fshehurazi. Ruama o Zot! Atë dhe vjershat e tij.
(Marrë nga Visar Zhiti, “Ferri i çarë”, fq.174-176)

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Edhe Göbelsi, Ministër i Agjitacionit e Propogandës së Partisë Naziste Gjermane, (i dënuar në Gjyqin e Nürenbergut), ka bërë disa përjashtime në sjelljen e tij, karshi ebrenjve, dmth, disa i shpëtoi nga vdekja, por kjo nuk do të thotë, se kjo e bërë të mos dënohen. Kadareja, Agolli, Skënder Gjinushi, a nuk ishin këta analogët shqiptar të Göbelsit gjerman?

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.