back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Manastiri i Zvërnecit dhe historitë rreth tij nga Ilirjan Gjika

Gazeta

Ilirjan Gjika te Varri i Marigo Pozios - Zvernec
Ilirjan Gjika te Varri i Marigo Pozios – Zvernec

Manastiri i Zvërnecit dhe historitë rreth tij*

nga Ilirjan Gjika

Botuar për herë të parë me titullin:
“Një komandant bizantin i varrosur në Vlorë”.
Gazeta “Ndryshe”, Tiranë 16 Korrik 2007
 
E vendosur në ishullin e Zvërnecit kisha e Shën Marisë i ngjan një anije të vjetër që lundron e vetme në lagunën e Nartës. Duke e vizituar nga afër duket sikur ora ka mbetur në këtë vend prej kohësh. As fëshfërimat e gjetheve të pyllit aty pranë dhe zhurma e valëve nuk e prishin qetësinë e saj shekullore. Vetëm këmbanat e “kanë këtë priviliegj”. Herë pas herë tingëllimat e tyre që paralajmërojnë festat fetare apo ditët e shënuara duket sikur na kujtojnë ngjarjet e së kaluarës dhe njerëzit që prehen në varrezën aty pranë.
.
Manastiri i Zvërnecit - Vlorë
Manastiri i Zvërnecit – Vlorë

1

Manastiri i Shën Marisë së Zvërnecit është një prej manastireve të njohur bizantinë në rajonin e Vlorës. Ai ndodhet në një vend të spostuar në një ishujt e lagunës së Nartës. Largësia nga qendrat e banuara, izolimi dhe vendi i mbrojtur e bënin këtë vend të përshtatshëm për ngritjen e një objekti të tillë. Pikërisht edhe themeluesi i jetës manastiriale, Pakomi, në të tilla vende e nisi aktivitetin e monakizmit dikur në Egjiptin e shekullit të IV.
Të vendosur në manastire të veçuara në to jetonin murgjit, njerëz që i largoheshin jetës së përditshme dhe kërkonin në vetmi paqen dhe qetësinë. Detyra e tyre ishte që t’i luteshin zotit së bashku dhe pjesën tjetër të kohës ta kalonin duke ju përkushtuar zejeve, shkrimit të librave, apo veprimtarive të tjera humane. Pakomi përcaktoi edhe rregullat e para të këtij shërbimi siç ishin betimi, besimi, dhe bindja ndaj kryemurgut, të cilat u shoqëruan me krijimin e manastireve të para, të cilët ishin institucione të veçanta që vepronin brenda kishës.
Por “jeta e murgjëve” nisi zyrtarisht në fund të shekullit të V-të, kur murgu italian, Benedeto i Norçias, formuloi “Rregullin e Mjeshtrit”, i cili rregulloi veprimtarinë e jetës monastike. Pikërisht në kohën e sundimit të perandorit Justinianit (527-565) monakizmi dhe ngritja e manastireve mori një përhapje të gjerë (Pierre Milza, Historia e Italisë, SH.B. Dituria, Tiranë 2012, f. 158). Diku rreth shekullit të VI-të, kjo traditë nisi të aplikohej edhe në vendin tonë, duke krijuar një rrjet të gjerë manastiresh ku vetëm në rajonin e Vlorës, ku ruhen sot si kisha të tilla ato të Zvërnecit, Marmiroit dhe bregdetit të Himarës.
.
Manastiri i Shën Mërisë - Zvërnec
Manastiri i Shën Mërisë – Zvërnec

2

Sipas studiuesit Aleksandër Meksi, kisha e Shën Marisë së Manastirit të Zvërnecit, është e tipit “kryq i lirë” me kupolë. Ajo mbart në vetvete dy faza ndërtimi, duke u veçuar në pjesën e vjetër dhe atë të re. E vjetra përbëhet nga naosi (salla) dhe narteksi (parasalla). Naosi ka formën e një kryqi të lire dhe dhe përbëhet nga absida, një protezis gjysmërrethor dhe diakonikoni. Pjesën më të madhe të tij e zë tamburi me kupolën, i cili është ndërtuar me gurë e copa tullash të vendosur me llaç midis tyre. Ndërsa narteksi është pjesa tjetër e ndërtimit të vjetër që përfaqësohet nga një zgjatim katërkëndor. Ngjitur me të ndodhet edhe pjesa më e re e kësaj kishe që përbëhet nga ekzonarteksi (portiku) dhe këmbanorja.
Ekzonarteksi është ndërtuar me të njëjtën teknike si pjesa e vjetër e kishës dhe është shtuar më vonë. Fasada e tij përbëhet nga shtatë harkada të mbështetura në gjashtë kolona, të cilat janë ndikim i arkitekture romake në atë bizantine. Në pjesën perëndimore të kishës ndodhet këmbanorja, e cila mund të jetë e të njëjtës kohë ndërtimi me ekzonarteksin (Aleksandër Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1983, f. 128-129).
Për përcaktimin e kohës së ndërtimit të kësaj faltore kristiane ekzistojnë disa mendime. Aleksandër Meksi argumenton se kisha i përket shek. XIII-XIV. Ndërsa studiuesit austriakë, Helmut dhe Herta Bushhausen, mendojnë se koha e ndërtimit të saj i përket shekullit të X (Bushhausen, 1976). Një tjetër studiues, Krauthemeri, mendon se ky tip e ka marre stilin arkitektonik nga mauzoleumet romake dhe është ndërtuar larg qendrave urbane midis shekujve X-XI. Kjo ide duket interesante sepse çuditërisht brenda kishës në naos, në dyshemenë e tij ndodhet edhe një pllakë varri, për të cilin, studiuesi Theofan Popa, aludon për një prej antarëve të familjes fisnike Karanxha.
.
Manastiri i  Zvernecit
Manastiri i Zvernecit

3

Një hipotezë e hedhur e hedhur nga Popa mbështetet tek shkrimet e historianes së njohur bizantine Ana Komnenës. Tek shkrimet e saj ndeshet edhe emri i Argiros Karanxhas, i cili ishte komandant i gardës perandorake bizantine. Ai u dërgua në vitin 1091, nga perandori Aleks Komneni me mision në Durrës, i pajisur me dy letra. Njera prej tyre ishte për dukën e Durrësit, Joan Komnenin, ndërsa tjetra ishte për parinë e këtij qyteti. Argjiros Karanxha u nis drejt këtij qyteti me qëllim të dyfishtë. Si fillim ai do të dorëzonte letrën e parë, e cila i kërkonte dukës Joan, që të shkonte në Kostandinopol për të dhënë shpjegime pasi dyshohej për veprimtari komplotiste. Qëllimi kryesor i Argjiros ishte ta bindte atë që të nisej drejt kryeqytetit ndërsa ai vetë të merrte drejtimin e Durrësit.
Ndërkohë që letra e dytë me të cilën perandori e kishte ngarkuar Karanxhasin ishte tepër sekrete. Atë ai do ta përdorte në rast se vërtetohej fakti se duka Joan ishte vërtet komplotist. Atëherë Argjiroja do ta hapte këtë letër në prani të parisë së Durrësit për të arrestuar Dukën Joan, që ishte njëkohësisht edhe nip i perandorit. Por në këtë mision u përdor vetëm letra e parë. Joan Komneni ju bind vullnetit të perandorit dhe u nis drejt vendodhjes se tij në Filipol të Bullgarisë. Këtu perandori Aleks e priti dhe pasi u bind se akuzat e përhapura për të nipin ishin të rreme e nisi përsëri drejt Durrësit ku e “thërriste detyra”. (Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, shek X-XV, Tiranë 1975, fq fq 107).
Këtë dëshmi na jep në librin e saj “Aleksiada” historiania bizantine Ana Komnena për misionin e komandantit Argjiro Karanxhas në vitin 1091, (Alexias, vol II. Lib VIII, 7.8 f. 19-23). Argjiro duhet të ketë qëndruar në Durrës për një periudhë të shkurtër pothuajse dymujore. Për fatin e tij nuk dihet gjë se ç’ndodh më tej.
Ndoshta varri brenda kishës së Shën Marisë në manastirin e Zvërnecit i përket atij. Gjithsesi një hipotezë të tillë e hodhi studiuesi Theofan Popa në librin e tij: “Mbishkrime të kishave të Shqipërisë”. Sipas tij ajo është një pllakë guri gëlqeror, me gjatësi 1.87 m dhe gjerësi prej 0.67 m. Mbishkrimi është vendosur në një fushë të sheshtë, kurse pllaka anash është zbukuruar nga imitimi i dy kolonave korintikë, sipër të cilave qëndron një hark. Mbishkrimi përbëhet nga tre rreshta dhe përmban këtë tekst: “Këtu prehet Kondos Karanxhas, burrë fisnik me preardhje prej një fisi fisnik, degë fisnike” (Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Tiranë 1998, f. 145-146). Poshtë mbishkrimit dora e e një skulptori ka gdhendur me shumë art një kafkë njeriu, rrethuar prej një gjarpri e të kurorëzuar prej dy kockash simbol i cili nuk është shpjeguar deri më tani.
.
Manastiri i Zvernecit
Manastiri i Zvernecit

4

Por historitë rreth këtij manastiri nuk përfundojnë këtu. Në librin e tij “Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera”, një autor modern si Eqrem Bej Vlora, citon një kronikë anonime normane të titulluar “Breve cronica normanna”. Sipas saj gjatë fushatës normane të vitit 1081, kalorësi i shquar i shquar i Perëndimit, Boemundi i Tarentit, pasi pushtoi Vlorën rrethoi edhe kështjellën e Kaninës. Në pamundësi për ta marrë me luftë, njerëzit e tij përdorën një tjetër taktikë. Ata e bindën gruan e komandantit bizantin që për një shpërblim të mirë të vriste të shoqin dhe t’u hapte portat e fortesës. Gruaja tradhëtare veproi sipas porosisë dhe u shpërblye për veprën e kryer. Por kur në Vlorë mbërriti nga Italia e Jugut, Robert Guiskardi, i ati i Boemundit, ngjarjet morën një tjetër rrjedhë. Pasi dëgjoi për këtë ngjarje, kalorësi i shquar norman u revoltua nga kjo vepër e ulët dhe urdhër, që gruan tradhtare ta burgosnin në Manastirin e Zvërnecit (Eqerem Bej Vlora, Kalaja e Kaninës dhe Shkrime të tjera, Koçi, 2004, f. 32).
Ngjarje të tjera që lidhen me këtë objekt janë edhe Marigo Pozion. Në vitin 1932, në varrezën e vogël të këtij Manastiri u varros qëndistarja e flamurit të pavarësisë. Por historia më interesante është ajo e gjetjes së këtij varri, i cili pas furisë ateiste të shkatërrimit të objekteve fetare, që nisi në vitin 1967, ishte braktisur dhe askujt nuk i shkonte ndër mend se ku mund të ndodhej ai. Ndërkohe diku në mesin e viteve 1980, në adresë të Seksionit të Kulturës së Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Vlorës erdhi një letër. Atë e dërgonte një plak nga Kolonja, i afërm i Marigo Pozios, i cili këmbëngulte se në varrezën e këtij manastiri ndodhej varri i Marigosë, i cili tek pjesa e poshtme kishte një kryq hekuri të ngulur në tokë. Kjo letër bëri që të nisnin kërkimet dhe kështu u gjend varri i saj, që sot përbën një tjetër vend pelegrinazhi për shqiptarët dhe një vlerë të shtuar të këtij manastiri.
Manastiri i Zvërnecit dhe historitë rreth tij* (Shkrim i ripunuar)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.