back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

E bija e Gjon Palit në syrin e Kolë Macës – Rrethimi i Shkodrës (1912-1913) nga Qerim Vrioni

Gazeta

Kole Maca - portret nga Gegë Marubi
Kole Maca – portret nga Gegë Marubi

E bija e Gjon Palit në syrin e Kolë Macës

Rrethimi i Shkodrës (1912-1913)

nga Qerim Vrioni

Fotografia “E bija e Gjon Palit” (le ta quajmë kështu) është realizuar në Shkodër në fillim të shekullit XX, më saktësisht në vitin 1913 nga Kolë Maca. Prej 11 tetorit 1912, forcat e armatosura të fqinjit të vogël, Mali i Zi, pas hedhjes poshtë të kërkesës së tyre nga autoritetet turke për dorëzimin e Shkodrës, rrethuan dhe bombarduan rëndë qytetin, çka përfundoi më 24 prill 1913, kur ato u futën në qytet. Pushtuesit qëndruan atje deri më 14 maj 1913 (rreth tri javë), datë kur nga Fuqitë Ndërkombëtare, “ato u detyruan ta linin Shkodrën, e cila në bazë të vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (17 dhjetor 1912-maj 1913, shën.im), ishte pjesë e Shqipërisë (Fjalori Enciklopedik Shqiptar – Tiranë, 1985, f.1018). Mbi Rrethimin e Shkodrës (1912-1913), me sa dihet, janë botuar brenda e jashtë vendit mbi dhjetë libra.
Për rrethana të caktuara historike, nga fundi i vitit 1912, kur Perandoria Otomane po shkërmoqej, bashkëpunimi qindravjeçar shqiptaro-sllav (i cili ishte më tepër jo zyrtar) kundra pushtimit turk, për shkak të synimeve shoviniste të malazezëve, kishte përfunduar. Ndërkaq, shqiptarët (banorë dhe rezervistët shqiptarë në ushtrinë turke) filluan të luftonin përkrahë trupave turke për të mbrojtur Shkodrën nga pushtimi i ri. Ato kohë qyteti ndodhej nën administrimin e perandorisë otomane, Vali i Shkodrës ishte ushtaraku turk, Hasan Riza Pasha (1871-30 janar 1913), ai me vetmohim e mbrojti qytetin tone (Hamdi Bushati – Shkodra dhe Motet, I- Shkodër, 1998, f.447), që të mos lejonte përfshirjen e tij në Mbretërinë e Malit të Zi, siç udhëzohej nga Stambolli, por edhe organizonte të gjithë jetën në të. Ai… këtu në Shkodër komandonte rreth 50 mijë luftëtarë (Xhino Berri – Rrethimi i Shkodrës – ShBU, Tiranë, 1998, f.138). Qytetarët shkodranë dhe të fshatrave përreth, kaluan atëhere një ndërkohë shumë të vështirë, me mungesa të shumta të mjeteve të jetesës, deri te ushqimet parësore për mbijetesë. Si pasojë edhe e këtyre rrethanave, pas rreth 180 ditëve tejet të rënda, administrata ushtarake qytetit e drejtuar tashmë nga Esat Pashë Toptani (për rreth dy muaj e gjysëm), nënshkroi marrëveshjen e dorëzimit të Shkodrës trupave malazeze.
Si pasojë e bombardimeve me artileri të rëndë dhe të luftimeve të ashpra, pati mjaft të vrarë e të plagosur, ushtarë (disa mijra turq) si dhe luftëtarë e banorë nga popullsia e qytetit dhe rrethinave, përpos shkatërrimeve të shumë shtëpive, dyqaneve e objekteve të tjerë. Një ndër viktimat është edhe një shqiptar i quajtur Gjon Pali, sëpari i lënduar, mandej i shuar (ndofta në shtëpinë e tij) nga plagët e marra. Gjatë çasteve të tij të mbramë, atij i qëndron te koka e bija. Bash një nga këto çaste ka përjetësuar në letër mjeshtri i fotografisë Kolë Maca. Në këtë rast, mund të thuhet se kemi të bëjmë me një dëshmor a hero, që ka dhënë jetën e tij duke luftuar për lirinë e vendit. Nga rrethimi dhe luftimet mbi gjashtëmujore kanë mbërritur edhe foto të tjera, të Kel Marubit, Edith Durham dhe të fotografëve të huaj, por kryesisht me pasojat, shkatërrimet e qytetit nga bombardimet (disa të tilla edhe të Macës).

Gino Berri - Assedio di Scutari (Rrethimi i Shkodrës)
Gino Berri – Assedio di Scutari (Rrethimi i Shkodrës)

Kolë Maca

Kolë Maca (herë-herë në disa vula për fotografitë edhe Niccolo Mazza-it.) është lindur në Shkodër në një familje të vjetër qytetare në vitin 1882. Qysh i vogël, ai shërbeu si ndihmës (çirak) në dyqanin e fotografit të njohur Kolë Idromeno (1860-1939), ku mësoi edhe mjeshtrinë e fotografit (Bisedë me studiuesin Ndoc Gurashin, Shkodër, tetor 2012). Ishte rast fatlum puna pranë një figure të tillë poliedrike si Idromeno, e natyrisht emnaku i tij ka përfituar shumë nga Kola i Madh jo vetëm nga ana teknike.
Nga fillimi i shekullit XX, Kolë Maca kreu një kurs për fotografi në Vienë (Austri), kështu ai është ndër të parët (në mos i pari) dhe të rrallët mjeshtra në historinë e fotografisë shqiptare i pajisur me një arsimim profesional. Pas kthimit në atdhe, Maca hapi në Shkodër, më 1910, “Studio Maca”, ku përveç fotove rutinë për komunitetin, ai realizoi kartolina, peizazhe dhe portrete njerëzish me kostume popullore. Më herët ai kishte botuar dy shkrime interesante mbi Shqipërinë dhe shqiptarët me karakter historik, gjeografik dhe etnografik në shtypin italian të kohës të shoqëruar me foto të tija (Shtojca e përjavëshme “La Domenica del Corriere” të gazetës “Corriere dela Sera” (1907-08) të Milanos. Këto shkrime e paraqesin Macën jo vetëm fotograf të talentuar, por edhe publicist të aftë e me kulturë. Në vitin 1915, ai çeli një atelje fotografike në Vlorë, duke u bërë historikisht, fotografi i parë shqiptar i qytetit, ku përveç punës së përditëshme për popullatën, ai fotografoi edhe peizazhe, portrete, ngjarje historike si edhe gjendjen e banorëve të varfër të qytetit dhe të krahinës, këto të fundit të paporositura, pra për qejf të vet. Për një kohë të shkurtër, gjatë viteve ’30, Kolë Maca ka shërbyer edhe si fotograf zyrtar i Oborit Mbretëror të Mbretit Zog (Qerim Vrioni – 150 vjet fotografi shqiptare – Milosao, Tiranë, 2009-f.36), po ashtu, ai mbahet si një nga fotoreporterët e parë shqiptarë, ku dallohet veçanërisht për bashkëpunimin me revistën e njohur të kohës “Minerva”.
Në nëntor 1937, Kolë Maca, ishte pjesë e grupit shtetëror të fotografëve të caktuar për të përjetësuar në Tiranë festimet me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Më pas, ai punoi në studion e tij fotografike “Foto Maca” në kryeqytet, atëhere një ndër më të njohurat e të pëlqyerat. Veprimtaria fotografike e Macës ngërthen pasqyrimin e fushave të ndryshme të jetës shoqërore, politike, historike, etnografike, artistike etj., duke i dhënë atij edhe një vend të nderuar në Historinë e Fotografisë Shqiptare.
Kolë Maca është ndarë nga jeta në Tiranë, në vitin 1945.
.

Fotografimi i Vdekjes
Fotografimi i Vdekjes

Rituali i vdekjes në fotografinë shqiptare

Fotografët shqiptarë, qysh në krye të herës, nuk janë treguar mospërfillës edhe ndaj vdekjes, ngjarjes përmbyllëse të jetës së njeriut. Fotografimi i vdekjes, ose më ndryshe fotografitë mortore, rëndom kërkoheshin nga të afërm të të shuarit për t’u pasur edhe si kujtimi i fundit i tij mbi tokë. Shumica e tyre realizohen gjatë hapsirës kohore midis çastit të mbylljes së syve dhe vendosjes së tij në banesën e fundit. Por ka pasur mjaft foto të bëra midis kohës së humbjes së vetdijes edhe frymës së mbrame, siç është edhe kjo foto e Macës, pra kur njeriu ndodhet midis jetës dhe mosjetës (duke përdorur një neologjizëm të Kadares). Përreth fatziut qëndronin zakonisht familjarët e afërm të tij. Këto fotografi realizoheshin, ndoshta si vazhdimësi e ritualeve pagane, më pas edhe myslimane dhe kristiane, mbase për t’i mbajtur para syve portretet e tyre edhe pas ikjes përfundimtare nga kjo botë. Gjithsesi, këto foto kanë forcë të madhe goditëse ndjesore tek shikuesit me gjithë gjendjen e rënduar që krijojnë tek ai. Sipas Koleksionistit Vaster Dhima, këto foto janë lëvruar më tepër në jug të vendit, (Entela Resuli -Koleksionisti i vdekjes – Gazeta “Dita”, 10 tetor 2014), por nga shqyrtimi i tyre shihet se ato u përkasin edhe të gjitha besimeve fetare.
Ndër fotografët që kanë realizuar foto të tilla mund të përmendim, Pjetër, Kel dhe Gegë Marubi, Kristaq Sotiri, Dhimitër Vangjeli, Kristo Shuli (Sulidhi), Fot Papajani, Misto Cici, Pero Kaçauni, Vani Burda, Thimi Raci e, natyrisht edhe Kolë Maca. Maca ka në fondin e tij disa fotografi të tilla, një pjesë të shtypura edhe si kartolina postare.
Kështu, janë fotografuar para udhëtimit të tyre të fundit njerëz nga të gjitha moshat, që nga fëmijët e vegjël deri tek shumë të moshuarit, vajza të veshura si nuse e luftëtarë duke mbajtur dorën tek arma. Përgjithësisht, këto fotografime janë bërë me kapakun e arkëmortit të hapur në mënyrë që në foto të mbetet pamja e fundit e fytyrës së jetëshuarit. E veçantë dhe me karakter të dalluar dokumentar e kombëtar është edhe fotoja e Kristo Shulit (Sulidhi) me trupat e masakruar nga shovinistët grek të priftit atdhetar Papa Llambro Ballamaçit dhe të vëllait Sotir, më 25 mars 1914.
Një foto tjetër gjithashtu me përcjellje shqiptarësh të vrarë për liri është ajo e fotografit francez të agjensisë “Gamma”, George Merillon (1957) e vitit 1990, në një fshat të Rahovecit (Kosovë). Në të paraqiten nëna, motrat dhe të afërmet e të riut kosovar Nasim Elshani duke e vajtuar. Ai ishte vrarë nga policia serbe në demonstratat e gjera kundra heqjes të atyre pak të drejtave të fituara ato kohë nga popullsia kosovare. Një vit më vonë, fotografia fitoi çmimin e madh të “World Press Photo”.
Kjo temë është trajtuar gjerësisht edhe në fotografinë botërore, qysh prej fillimeve të saj, veçanërisht mbresëlënëse dhe mjaft e njohur në botë, është ajo me titull “Vdekja e ushtarit republikan” (1936) të Robert Capa-s, simbolit të fotografisë së luftës. Ajo paraqet imazhin e një ushtari në Luftën e Spanjës, disa të dhjeta të sekondës pas goditjes së tij nga plumbi vdekjeprurës. Të dy, Gjon Pali dhe Federico Borel (ushtari republikan i R. Capa-s) janë fotografuar në fazën, ta quajmë jetë-vdekje, sepse as e para ka mbaruar dhe as e dyta nuk e ka zotëruar plotësisht prenë e saj.
.

Kolë Maca - E bija e Gjon Palit
Kolë Maca – E bija e Gjon Palit

Historik i shkurtër i fotos

Kolë Maca e ka realizuar foton kur ishte rreth 30 vjeç, me një farë arsimi profesional, përvojë pune dhe me studion e tij vetjake. Si të gjithë shkodranët, edhe ai i ka ndjerë mbi supe pasojat e luftës për mbrojtjen e qytetit nga rrethimi armik. Ai ka përdorur mjetin e tij, aparatin fotografik, për të përjetësuar rrethanat të cilat duhet të përballonin bashkëqytetarët e tij gjatë atij rrethimi të egër disamujor sllav.
Kjo fotografi e realizuar në vitin 1913 e, pasi është hedhur në letër, me gjasë është publikuar brenda vitit, madje edhe jashtë vendit. Kështu, shënojmë se fotoja ndodhet në ballinën e parë të librit “L’assedio di Scutari” (Rrethimi i Shkodrës) të gazetarit italian Gino Berri, e botuar në Milano në qershor të vitit 1913, rreth një muaj pas lirimit të qytetit (Gino Berri – L’assedio di Scutari -Fratelli Treves, Milano, 1913). Libri është botuar edhe shqip në vitin 1998, në Tiranë nga ShBU me titullin “Rrethimi i Shkodrës, tetor 1912 – prill 1913”, por me një foto tjetër në mbulesë.
Nuk dihet saktë se si ka rënë kjo foto në duart e gazetarit italian, por njihet fakti se Maca, siç u përmend më sipër, ka bashkëpunuar në vitet 1907-’08 me shtypin italian të Milanos. Berri (emri i vërtet i tij është Giovanni Bertini) ishte korrespondent i gazetës së njohur “Corriere della Sera” të Milanos në Shkodër gjatë rrethimit të saj, pra kësodore, dëshmitar pamor i ngjarjeve të rënda të dimrit (1912-1913) dhe të pranverës së vitit 1913 në qytet. Ai, bashkë me botuesit, parapëlqeu foton e Macës si simbol jo vetëm të atij rrethimi pushtues e të pasojave të rënda, por edhe të përballimit të tyre. Kësisoj, fotografinë “E bija e Gjon Palit”, të Kolë Macës, të huajtë (bota, do thoshim në zhargon) e kanë vendosur në një piedestal (paraqitja në ballinën e një libri botuar jashtë vendit) në të cilin deri më sot, shumë pak fotografi shqiptare janë ngjitur.
Një kopje tjetër e plotë e fotos paraqitet në një faqe të shtojcës italiane, “La Domenica del Corriere” të Milanos (5 luglio1914), brenda një artikulli me titull “La fine della guerra Balcanica” (Fundi i Luftës Ballkanike). Atje, fotoja shoqërohet me diçiturën “Donna Albanese che assiste il padre morente per le ferite riportate in guerra” (Grua shqiptare pranë të atit që po vdes nga plagët e marra në luftë), por pa saktësuar emrin. Këtu Gjon Palit, me anën e këtij dokumenti-imazh të pakundërshtueshëm, i njihet statusi moral i dëshmorit të atdheut.
Më 1963, pesëdhjetë vjet pas rrethimit, këtë foto e shohim të përfshirë në veprën (në dorëshkrim) të një dëshmitari tjetër pamor, klerikut erudit katolik nga Shkodra, At Justin Rrota (1889-1064), me titull “Ditët e mbrame të Turqisë ase Rrethimi i Shkodrës, 1912-1913”, e cila për shkaqe dhe arsye të ndryshme nuk u botua atëhere. Ajo shoqërohej me shpjegimin “Gjon Pali i varruem (plagosur-shën.im) në krye e në dorë. Te kryet e bija”, afërsisht i njëjtë me atë të vitit 1914. Dorëshkrimi i sipërm, që bazohet në shënimet kronologjike të tij, u botua si libër 47 vite më pas, në vitin 2010 nga Biblioteka Françeskane “Gjergj Fishta” në Shkodër, e natyrisht pa i munguar fotoja simbol e Kolë Macës, tashmë midis faqeve 32 e 33, por dhe me të njëjtin shënim shpjegues. Në të dy rastet (revista dhe libri) shkruhet fare qartë se Gjon Pali është plagosur në luftë dhe jo gjatë shpagimit të gjakut, aq i përhapur shumë atëhere në veri të vendit, fatëkeqësisht diçka edhe sot. Kështu, fotografia jonë paraqet fundin tragjik të një luftëtari shqiptar të flijuar për atdheun e tij. Fatkeqësisht, deri tani, me gjithë hulumtimet, ende nuk janë gjetur të dhëna më e sakta rreth Gjon Palit.

Rrethimi  i   Shkodrës (1912-1913)
Rrethimi i Shkodrës (1912-1913)

Dokumentim dhe estetikë

Me shumë gjasa, fotoja është realizuar gjatë muajve të fundit të rrethimit malazez të qytetit nga ndonjë rrethanë fare rastësore. Macën, ndofta e kanë lajmëruar, ose ka mësuar se një i plagosur në kokë dhe dorë dergjet diku aty pranë. Ka të ngjarë që ndonjë mjek u ka shpjeguar familjarëve fundin e hidhur e të shpejtë të Gjon Palit. Fotografi nuk e ka zgjatur, ka marrë aparatin e ka kërkuar ta fotografojë. Dihet se fotografimi prej kohësh ishte familjar në Shkodër. Mbase rreth të plagosurit ka pasur edhe të afërm të tjerë të tij si nëna, motra, e shoqja, por ai ka zgjedhur ta fotografojë me të bijën. Është shumë e vjetër dhe e njohur dhëmbshuria e veçantë e vajzës për babanë. Maca ka gjetur një kënd të përshtatshëm dhe ka kuadruar pamjen. Ndoshta, fotografi i ka sugjeruar diçka vajzës, por me zë të ulët e ngadalë, për të ndryshuar pak qëndrimin për ndriçimin e fytyrës, por pa arritur të tjetërsojë asesi gjendjen e saj shpirtërore. Ajo ka lëvizur si me përtesë, veçse duke i marrë fytyra një dritë të butë. Mbase Maca ka bërë disa shkrepje, me njerëz te tjerë e nga kënde të ndryshme, por kjo pati publikim më të madh, e me të drejtë.
Duke përsiatur gjatë mbi foton, arrijmë tek përfundimi se dhimbja njerëzore e vajzës (ose më mirë dokumentimi i saj) kthehet nga Maca nëpërmjet një fotoje, në një objekt estetik. Maca, ka nxituar të kapi imazhet e çasteve të fundit të Gjon Palit, pa e vrarë shumë mendjen për të krijuar një foto me vlera artistike, ai duhet të shpejtonte, se pas disa orësh i dergjuri do shuhej e përcillej në banesën e fundit. Veçse, fotografi me përvojë, vetvetiu ngërthen edhe vektorin estetik gjatë mishërimit të fotografisë. Në këto raste kjo vjen më tepër si pasojë e nënvetdijes, iracionales, sesa e vetdijes, mendimit racional, parapërgatitjes për fotografimin.
Gjon Pali mund të ketë qenë një nga 10.000 rezervistat (redifët) ose vullnetarët shqiptarë të mobilizuar nga komanda turke për mbrojtjen e qytetit. Ai është plagosur nga bombardimet ose në përpjekje me armikun, dhe i lënduar rëndë, ka mbërritur në shtëpi ku ka dhënë edhe frymën e fundit. Fotografia paraqet vajzën e tij, e cila qëndron tek kryet e të atit të plagosur Pikëllimi i saj është i thellë dhe i heshtur, ajo sikur nuk po u beson syve duke e parë në fillimin e heshtjes së tij të përjetshme, por e pagojë dhe e tharë e vështron të atin me duart e mbështetura tek njera-tjetra, në qëndrimin mortor. Vajza, njerën dorë e ka vendosur poshtë kokës së të atit, ndërsa të majtën mbi gjoksin e tij. Shikimi saj është ngulitur tek fytyra e të atit me një përdëllim të matur, ndoshta edhe të mpirë nga dhimbja. Hidhërimi ia ka ngrirë fytyrën e saj tërë nur e, ajo është mbërthyer nga fotografi në shikimin e pagojë e të thellë duke vështruar të atin që po largohet përgjithmonë nga kjo botë.
Tri vatrat kryesore të fotos janë fytyra e vajzës, duart e Gjon Palit dhe koka e tij. Këto formojnë një trekëndësh, në këndet e të cilit lëviz disa herë vështrimi i mendueshëm i shikuesit të fotografisë. Të plagosurit ia kanë vendosur duart mbi njera-tjetrën, ashtu siç e kërkon riti i zakonshëm në kësi rastesh. Ndonëse fotoja tregon Gjon Palin duke u ndarë nga jeta, figura qëndrore, jo vetëm gjeometrike, por edhe kuptimore e saj është e bija, që shpërfaq dhimbje por edhe qëndresë shpirtërore. Ajo, vajzë shumë e hijshme, rreth të njëzetave, është e veshur me të zeza, rroba tradicionale e zisë, të cilat do t’i heqi kur të ketë familja ose ajo vet një rast të veçantë gëzimi. Ajo i rri sipër të atit, sikur do ta mbrojë prej rrëmbimit nga vdekja, por edhe vështrimi i saj flet shumë në foto.
I plagosuri i ka sytë të mbyllur, kokën e ka të fashuar, po ashtu edhe dorën e djathtë, ku gjaku ka dalë mbi mëngën dhe fashën e formon një njollë të errët. Një fashë e bardhë i qarkon edhe kokën për të mbuluar plagën nga ndonjë armë e ftohtë apo zjarri.
Ndriçimi në fotografi është natyror dhe i butë, ai vjen nga e një dritare (mendojmë se mjedisi është dhomë ose koridor shtëpie) nga djathta e vajzës dhe nuk krijon hije të forta e kundërshti të theksuara tonale. Hijet i dallojmë tek gusha dhe faqja e majtë e vajzës e i japin kësaj një hir të veçantë.
Po në cilën prej gjinive të fotografisë e ndjen veten më mirë kjo foto, sidomos sot, kur muret midis tyre janë holluar mjaft? Së pari ajo mund të futet në fotografinë e luftës, ngase paraqet pasojat tragjike të një ndeshje me armë (edhe pse në foto nuk duket asnjë e tillë) midis dy palëve ndërluftuese. Ndërkaq, fotoja hynë edhe në atë dokumentare sepse dëshmon me imazh pamor një ngjarje, ndonëse rutinë (pa datë e vend). Fotoja cek patjetër edhe fotografinë historike, ngaqë pasqyron një dukuri të zakonshme të asaj ndërkohe dramatike e të veçantë, veçse me një personazh me emër modest e pa të shkuar gjurmëlënëse. Po ashtu, fotoja, nga mënyra e ruajtjes së të plagosurit, ka edhe elementë të fotografisë etnografike. Kështu, fotoja jonë ka pjesë në disa gjini, ku më shumë e ku më pak, por më e rëndësishmja qëndron se ajo lind ndjesi të veçanta estetike tek shikuesi, e kjo gjithëherë kur ai do ta mbajë atë para syve. Ajo, gjithashtu, duket si shembëlltyra (imazh pamor fotografik ose piktorik) e një skene finale të një vepre dramatike, madje mjaft mbresëlënëse. Megjithë zymtësinë e skajshme të imazhit, subjektin dhe anën tonale, ku të godit sakaq ngjyra e zezë, fotografinë e heqim nga sytë dhe vemë para tyre sërish disa herë. Kështu ajo të trishton thellë, por njëkohësisht edhe të pëlqen, shenjë kjo e pamohueshme e vlerave të larta estetike të saj. Kësisoj, edhe nga qëndrimi (jo pozimi) tepër i veçantë dhe i fare natyrshëm i të bijës, kuadrimi i subjektit dhe ndriçimi, fotoja ka më tepër tipare të fotografisë së artit, duke e kthyer atë në një shprehëse të pasojave të luftës dhe dhëmbshurisë njerëzore, e kjo i siguron asaj jetëgjatësi të madhe. Kështu, ajo mund të shërbejë jo vetëm si ikonë dokumentare, por edhe si një simbol artistik pamor i Rrethimit të Shkodrës dhe luftës për mbrojtjen e saj nga shovinistët malazezë.
15 shkurt 2017

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Robert Martiko (marre nga muri i fb, i Jozef Radit 3 mars 2017)
    Kur behet fjalë për shkrimet e fotografit dhe historiografit të Fotografisë Shqiptare, Qerim Vrionit, nuk mund të mos ndiesh një kënaqësi të veçantë. Kjo ndodh jo vetëm sepse në fotografi gjejmë të ashtuquajturin ‘‘çast të ngrirë’’, me karakter emocionues, me prejardhje nga e kaluara, por edhe sepse gjen fjalët e zgjedhura me kujdes të autorit të shkrimit, për çdo foto të kësaj natyre.
    Siç mund të dallohet, karakteristikë e përgjithshme e fotografive të mësipërme është se ato shprehin dhimbje. Përballimi heroik i një rrethimi, madje i një qyteti me tradita trimërie, si Shkodra, nuk mund të jetë kurrë pa pasoja. Skenat e vdekjes, mjaftojnë për të ilustruar humbjen e qindra jetëve njerëzore, në një përpjekje me karakter patriotik. Jo më kot piktori i famshëm francez, Pierre-Auguste Renoir, thotë: “Dhimbja kalon, bukuria mbetet.” Përveç kësaj, në pamje të parë duket sikur gjithçka i përket të kaluarës, sikur temat e paraqitura më sipër nga Qerim Vrioni, nuk kanë të bëjnë me të tanishmen. Mirëpo harrojmë se një fotografi e vjetër, në ndonjë rast, kur bëhet fjalë për njerëz të dashur, të cilët kemi humbur në jetë, ka efekt emocionues shumë herë më të madh, edhe në krahasim me një kryevepër pikture. Për të gjetur sekretin e fshehtë të këtij reagimi me karakter njerëzor, fotot e mësipërme të ngjallin emocion, ngaqë futet një parametër tjetër, kur i vrojtojmë ato. Kjo ka të bëjë me spektatorin, apo subjektin, e zënë në grackë në intervalin e të ashtuquajturës ‘‘Kohë Fizike’’, ku ky dallon padashur vjetrimin, jo vetëm të fotos por edhe të vetvetes.
    Kjo është arsyeja që përveç fotografive të Qerim Vrionit edhe fjalët e tij, të matura e të përdorura me logjikë filozofike, e bëjnë artin e fotografisë një nga aplikimet më të mrekullueshme të Artit të Fotografisë.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.