Dy poezi te fundit nga Erina Coku
A e din se nuk t’du?
Ti nuk din gjâ, po un nuk t’du.
E ngase un nuk t’du,
dhe kte s’e lun as guri
toka asht shqetsu
e po rrotullohet kadal e mjera,
pranej diçka per boten un duhet me ba:
Se nuk t’du duhet me t’njoftu.
Uh, duhet me marr i cop udh t’gjat
e me mrrit n’cakun tan
me ta than qart ball per ball
se nuk t’du, as i fije.
E ngase un nuk t’du,
dhe ksaj nuk i lviz as presja
filli i hans â bjerr
e gjys ka met e shkreta,
kshu qe un diçka per hanen duhet me ba:
Se nuk t’du duhet me t’tregu.
Uh, duhet me t’u avit fort
ngjit me ty qerpik me qerpik
me ta rrfy n’drit t’synit
se nuk t’du, as i grim.
E ngase un nuk t’du
dhe kjo asht krejt e dukshme
dielli n’menime krejt ka râ
e mrena reve mshihet shpesh i vorfni.
A kam si diçka per te un mos me bâ?
Se nuk t’du aspak, duhet me t’ sqaru.
Uh, duhet me t’fol njat mu n’vesh
qe n’kryt tan kto fjal mosdashnie
bashk me zanin tim t’hyjn sak
e ti fije dyshimi mos me pas:
Nuk t’du, nuk t’du pra.
E ngase un nuk t’du
ajri, uji e dheu jan ba lâmsh
sa kurrkush drejtim s’po di me u dhan,
si munem un per ket rruzull mos me ba gjâ?
Pranej, se nuk t’du, ty vrik duhet me t’kallzu.
Uh, duhet buz n’buz me tu avit
frymn bashk me nrru pa frik
qe sa pa u tret avulli i fjalve ti t’kesh dit
se un ty me t’dasht nuk kam se si.
A merr vesh se nuk te du apo ta them prap?
Njeriut që nuk e kam njohur ende
Ti je, unë jam
dy krijesa në botë të tjera jemi.
Pas shiut mëngjesi shkruhet me diell
në hartën e kalimtarëve
dhe rrjedhat e tyre kryqëzohen
në një pikë pa ngjyrë,
ata shkojnë e vijnë
vijnë e shkojnë,
aq sa nuk të lënë
të mendosh më shumë se një arsye
për t’u kacavjerrë në gjithsej ngjan normale
pas qelqit të një dritareje.
Ti nuk ke mëngjese,
je një krijesë që nuk ke ndodhur ende.
Ndijoret e mia po mbyllen një nga një
e po u bie të vranët aq ngadalë,
si bimë në terr,
por unë jam këtu
e njohshme, e pandodhur
për gjithsej shqisat e tua nuk dinë ende
syri tjetër që sheh brenda,
zëri tjetër që bluan heshtjen,
ndijimi tjetër përtej lëkurës.
Ti nuk ke as ditë as natë,
për ty elipsi nuk formohet ende.
Diçka ngjan e zhurmshme,
por lëvizjet janë pa emër
të fashitura si trup nën ujë
urtohen imazhet e botës në vijim
dhe shërojnë kujtesën e ndjenjave,
kurse të tashmen e të ardhmen
nuk e përmend asgjë.
Ti nuk ke përmasa kohe,
koha ty nuk të ka mbërritur ende.
Më vjen keq që do takohemi shumë vonë
ndoshta aq vonë
sa një mesditë me diell të paqartë
për njerëz si unë
që ende në vesh u ka mbetur
gugatja e parë e pëllumbave të strehës,
gjer atëherë shiu do të jetë prerë
sa për të përkëdhelur melankolikët herakë,
ndoshta.
Ti nuk matesh me hapat e mi
ty koha nuk të vret njësoj,
Ka shumë të ngjarë të njihemi vonë
do të na vijë keq për petalet e bardha
të belbëzimeve të pranverës
ose për gjethet e thara
në ahtin e vjeshtës,
asgjë nuk do të jetë e ngjashme me sot.
Ti nuk ke stinë,
ty të ndodhin mote të tjera.
Ndoshta do të njihemi më vonë
unë do të të pyes:
Ku ishe kaq kohë?
Dhe ti do të ngresh supet
ose do të kesh një përgjigje
që unë tani
nuk mund ta marr me mend,
me siguri.
Ti nuk ke pyetje ende,
ty nuk mund të të prekin përgjigjet.
Më vjen keq që do të njihemi shumë vonë
mendja ime tashmë shumë e thukët
dhe zemra ime pas një gardhi
në udhën mes tyre
tendosin një fill me nyja
prej të cilit nuk di ta kuptoj më botën.
Ti nuk ke lindur ende në këtë botë,
ty nuk të ndodh asnjë nyjë ende.
Ndoshta nuk do të njihemi aspak,
ndoshta do të këputemi në shpirt prej njohjes,
por sot unë jam këtu dhe ti diku tjetër
në një rrugë çfarëdo,
shumë larg a shumë afër,
nuk ka rëndësi.
Mua më pyetesh ende pa u njohur:
Ku ishe ti kaq kohë?