back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një fisnik si Ejëll Çoba nuk ka humbun… nga Amik Kasoruho

Gazeta

Ejëll Çoba
Ejëll Çoba

Një fisnik si Ejëll Çoba nuk ka humbun

nga Amik Kasoruho

“Mos raftë me u harrue” janë fjalët që i gjejmë në krye të librit me kujtime të Ejëll Çobës. Nuk është thjesht një dëshirë: është një kusht për të nderuar ata që vuajtën dhe flijuan, është premisa që të mos përsëriten më “jetë të humbuna”. Është kushti që jetët e fikura nën plumbat e skuadrave të pushkatimit, apo vitet e humbura pas hekurave të burgjeve të mbeten vetëm kujtim i shtazërisë së periudhës më të errët të historisë shqiptare. Një kujtim që të na shtyjë të besojmë në të mirën e së nesërmes. Dhe të përpiqemi për të.
Këtë ka dashur edhe Ejëll Çoba kur shkroi kujtimet e tij.
.
Amik Kasoruho (1932-2014)
Amik Kasoruho (1932-2014)
.
Kujtimet e tij kanë mbetur të cungëta (ai nuk mundi t’i përfundonte) jam i bindur se dhe aq sa ka mundur të rrëfejë, janë mjaft për të çmuar flijimin e qindra dhe mijëra njerëzve të guximshëm dhe dinjitozë.
Jeta e njerëzve të nderuar vijon edhe pas vdekjes së tyre. Ajo është një vlerë që trashëgohet në të mirë të shoqërisë. Që të mund të bëhesh shembull për të tjerët, duhet të jesh i prerë me vetveten, me çdo kusht e në çdo rrethanë.
Këto dhe mendime të tjera më kaluan nëpër mendje kur më thanë të merrja pjesë në paraqitjen e librit “Jetë e humbun” të Ejëll Çobës.
E pata njohur Çobën dhe e kisha lexuar librin e tij. Por s’di pse, aty, në atë tubim njerëzish fisnikë në Shkodër, ku qenë grumbulluar rreth familjarëve të tij miq e dashamirës, m’u duk se midis tyre ishte edhe Ejëll Çoba. Sepse nuk vdes ai që ka ditur të jetojë si jetoi Ejëll Çoba: me dinjitet mes mujshisë, i ndershëm edhe kur torturohej, zemërgjerë dhe i gatshëm për të thënë një fjalë të mirë edhe kur shpresa mërgohej, edhe kur fyhej personaliteti nga njerëz më pak se të rëndomtë.
Nuk qe një hero. Ishte një njeri në vështrimin më të plotë të fjalës. Kishte respekt për bindjet e tij, por dhe për njeriun e thjeshtë. Kishte një kulturë për t’u admiruar, por dinte të mbante vesh fjalën e cilitdo. Nuk fliste shumë, por fjala e tij zinte vend. Dinte të heshtte – kur i kërkonin të rëndonte të tjerët gjatë hetuesisë – por na ka lënë një testament integriteti moral me veprën e tij të papërfunduar.
Megjithatë, kur i shkon në fund librit – dëshmi të tij ke përshtypjen se e vijon bisedën me të. Sepse të shtyn të mendohesh, të gjykosh dhe, mbi të gjitha, të mos harrosh.
Nuk fliste kurrë për ç’kishte hequr dhe vuajtur vetë në birucat e Shkodrës apo të Tiranës, në kampin e Vloçishtit apo në burgun e Burrelit. Nderonte dhimbjen e tjetrit, qëndrimin stoik të të tjerëve duke e filtruar vuajtjen e tyre nëpër dëshirën për të konsoliduar brenda vetes një të vërtetë më të përgjithshme se përvoja vetjake: kur vuajtja e tjetrit përjetohet thellë, njeriu fisnikërohet. Shenjë e një karakteri të fortë dhe e një shpirti fisnik. Fjalëpakë, por bindës, i ditur, por i thjeshtë, ai u bë për shokët e tij të vuajtjes diçka më shumë se një shok: u bë shembull.
E kam lexuar me një frymë librin e tij të kujtimeve. Shumëçka prej ngjarjeve që përshkruan në te i kam pas ditur. Shumëkënd prej atyre që përmenden aty i kam njohur. Kam jetuar me ta. Kam mësuar prej tyre.
Por nuk ngurroj të them se prej librit të Ejëll Çobës vazhdoj të mësoj. Në radhë të parë se njeriu i respekton të tjerët kur respekton veten. Me thjeshtësi, por bindshëm. I pat vënë vetes detyrën që të mos rëndonte askënd me deponimet në hetuesi. E kreu si e pati vendosur. Nuk ishte e lehtë. Por ia doli në krye me faqe të bardhë.
Nuk e mbaj mend asnjëherë të nxehej, por edhe sot e kësaj dite më bën përshtypje qetësia e tij. Ishte një dhunti vetjake? Ia jepte edukata e fisit? Kultura? Koncepti që kishte për njeriun? Ballafaqimi me ligësinë, pa u çikur prej saj? Bindja se e nesërmja nuk mund të ishte një jetë e pamundur dhe pa shpresa?
.
Ejëll Çoba - Jetë e Humbur
Ejëll Çoba – Jetë e Humbur

Po të lexohet “Jetë e humbun” do të kuptohet se të gjitha këto, por edhe besimi në Zot, koncepti i lartë për nderin, vetëdija se në çdo çast të jetës duhet merituar emri njeri, sido e kurdoherë, për të ndryrët nëpër burgje apo që sfiliteshin kampeve çnjerëzore të punës, e bënë Ejëll Çobën të ishte shembull guximi të vetëdijshëm, thjeshtësie të vlertë, pikë referimi, bashkë me shumë intelektualë patriotë të tjerë të burgosur.

Me një kujtesë për t’u admiruar ai na dëshmon për një varg faktesh rrëqethëse, kujton me dhjetëra emra shokësh të vuajtjes, stigmatizon xhelatët e diktaturës të mbrujtur me urrejtje, duke folur shumë pak për vete e për çka kishte hequr vetë. Bindesh që nuk e bën këtë për një modesti kallpe, por sepse nderon vuajtjen e tjetrit më shumë se dhimbjet e tij.
Sinqeriteti i paraqitjes së fakteve, lakonizmi i të shprehurit, stili i qartë, të thënët açik të gjërave, gjuha e zgjedhur, mungesa e retorikës, respekti për të vërtetën, në fund të fundit, të gjitha këto risjellin, për ata që e kanë njohur, Ejëll Çobën ashtu si ishte, burrë i vërtetë, ndërsa për të tjerët japin figurën e një njeriu që ngrihet mbi padrejtësinë, pikërisht ai që drejtësinë e pati ushtruar si profesion dhe që tërë jetën, pas çdo vendimi, shqiptonte fjalët fisnike “dhashtë Zoti e prishet ky vendim”.
“Jeta e humbun” e tij është edhe fillimi i pavdekësisë për të dhe për gjithë martirët e qëndresës antikomuniste. Është një amanet që e ndiejmë deri në fund të librit: “mos raftë me harrue!”
Marre nga gazeta Panorama

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.