“Tingëllimet e Mallit” –
Shkodra në poezitë e Ernest Koliqit
Shkodra në mëngjes
Këndojn’ s’bashku n’mëngjes pes’ kumbonare
këndojn’ n’ajri mbi Shkodër ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh n’liqe synin e qetë.
Përhap lajmin e zgjimit rrezja e parë e
t’parat përshëndetje dridhen n’heshti l’letë,
e shpejt n’at lavdi, qe e vesh’ fare,
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.
E ai diell pranvere i ri shprazet n’shtëpija,
udha e lulishta, tue ngjall’ ngjyra e shkëndija,
tue mbshtjell’ gjithçka si nji tis ari, i hollë,
skaj n’skaj si lum gzimi tue rrëshqitë
n’syt e vashave qeshë, e mbush’ me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojn’ n’shkollë.
.
Shkodra në zheg
E zhegu jetën edh’e shafitë
e krejt qyteti disi kolomendet;
heshtin pirajkat, heshtin avlimendet,
e n’at heshti mbretnon e bardha dritë.
Veç ndonje çikrik pusi tue kërsitë
dëgjohet hove-hov’e i hap qi endet
vetmitar n’zheg, m’sa flejn’ njerzit e sendet,
edhe kadalkadal vjen tu’u avitë.
Oh, shqetija fmijnore, n’moshë t’prarueme!
Nana na vente, n’zheg në fmijt’ me fjetë
për t’i dhan me gjum’ ton’, pak pushim shpis’…
Por na sa ndiejshëm ngjat at hap, n’të shtrueme
s’na zente vendi vend: rrijshim t’paqetë,
pse at hap e ndiqte britma e hallvaxhis!
.
Shkodra ne mbramje
Sa ambël n’mbramje shqimet drita e diellit
qi bje kadalkadalë andej kah ana e malit
tue lan’ mbrapa ngjyrat e t’tana:
zambakë ar, vjollza e fletza drandofillit,
e n’at zjarrm lulesh, ndez’ ndër skaje t’qiellit
vizaton Rozafati gurt vigana,
e nëpër hyj qi kallen n’qiellt e gjana
del si vetull hyjneshe hana e prillit.
Prej Maranajt zbret nata (nga erdh dita),
për me fil’ ngjyrat qi pat falun drita,
E Shkodra n’hije pak nga pak, qe, humbë.
Minerat përmbi të, t’bardha n’ajri,
sogje qiellore duken qi e ruejn’ n’gjumë
kur flen nën hyj qi ia mbulojn’ qiellt unjit.
.
Shko Ti
për Shkodrën.
Mbasi qi stina po rrshet tatpjetë
e fort un tutem se atdhén n’kët jetë
me sýt adhruesa,
qi pajadá
ia çmuen hirin
s’kam për ta pá,
shko, ti, lum bija, n’at Shkodrën time
kúr n’terr do t’sosem
me trup e andrrime:
atjè si t’gjindesh, sýt e mij n’báll
t’andin do t’hapen:
n’tý kam m’u ngjáll.
Për mue ti Shkodrën,
për mue sodite;
mallin
e sjellun dhe n’vorr,
shafite…
Shkodra me shpija ndry n’avullija,
t’qetat oborre plot land’ shatorre,
kumbulla e manda, pjergulla e tanda,
sodit me at afshin qi kishe un gjáll –
me mall tim n’zêmër
me sý
t’mij
n’báll.