back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Evgenia Goganian Markarian – Armenia me sy të trishtë nga Anisa Markarian

Gazeta

Evgenia Goganian Markarian
Evgenia Goganian Markarian

Evgenia Goganian Markarian –

Armenia me sy të trishtë

nga Anisa Markarian

– Cifla jete –

Եվգենյա Գօգանեան Մարգարեան – Հայերեն կին է տխուր աչքերով
 
“Karvanë të pafund me të dëbuar skamnorë
enden ditë e natë nëpër humbellat shkretinore,
të shtyrë si bagëti drejt asgjësisë.
Trupa të plaçkitur, të përdhosur, të zgavëruar;
herë të tartarosur, herë të përvëluar.
Fëmijë jetimë në kurriz të nënave e motrave;
pleq të uritur në prehër të nuseve-vejusha
me gërshet të zi nën shaminë e kokës.
Marshojnë edhe të palindurit; me placentën për pullaz e për qefin.
Mungojnë burrat e djelmoshat.
I kanë therrur pabesisht e flakur shkopacingthi
në buzëudhët e gropta…”
Anissa Markariaan, “Sënduku i kujtimeve”
.
Genocidi i Armenëve - 24 Prill 1915-1917
Genocidi i Armenëve – 24 Prill 1915-1917
Ishte një dhomë në shtëpinë tonë, në prag të së cilës mbante hovin bota ime fëminore. Një dhomë e vogël në majë të shkallëve, me derën gjithnjë të mbyllur. Përtej fillonte e kaluara familjare që nuk njihja: përditshmëria e jetës në numurin 71, rruga “Shinasi Dishnica”, përpara se të lindja.
Duhej të ishte vërtet shumë e vogël ajo dhomë. Po aq e vogël sa edhe aneksi i kuzhinës që ndodhej pikërisht nën të. Një “dhomë kukullash”, e kisha pagëzuar me veten time.
-A mund të luaj në dhomën e vogël? – pyeta një mbrëmje time më.
-Jo. Nuk të mjafton dhoma jote?!
-Të lutem…
-Hiqe nga mendja, nuk është dhomë për lodra. Aty janë baulët e majrigut e të Yzhenit.
(“Majrig” do të thotë “nënë” në armenisht.)
-Majrigu i babit?!
-Jooo, mos i ngatërro. Majrigu e Yzhenit.
-Po Yzheni kush është, o mam’?
-Ëëëh… e motra e Gajzit.
Me aq sa kisha kuptuar, Gajzi ishte nuni im armen. Nuk kishte qënë i pranishëm në pagëzimin tim, sepse jetonte në Egjipt.
-Kur do të vijnë t’i marrin baulet? – u interesova të dija naivisht, por s’mora përgjigje. Siç duket, e kisha bezdisur me pyetjet e mia.
-Ke dëshirë të flesh me mua sonte? – më ftoi ndërkaq teta Ita, që banonte me ne.
Flija shpesh me të e me shumë kënaqësi; ishte personi që më kishte rritur. Ndoshta e para që pati ngacmuar tek unë prirjet artistike tek më shëtiste nëpër botë imagjinare me përrallat që më tregonte. Çdo herë të ndryshme, çdo herë e më fantastike; të populluara me personazhë që vetëm ajo mund t’i sajonte. Delfinë të kaltër që kapërcenin shtatë qiej, qukapikë të fejuar me zana pylli, magjistrica flokëargjendta që, po t’i zemëroje, të shndërronin në urith, pula që çupitnin boronica për të pjellur vezë të kuqe 1 herë në vit…
-Yzheni, ndjestë pastë, ishte gruaja e parë e tët eti. – më tregoi teta Ita kur u futëm në shtrat.
Kur më rrëfente “sekrete të familjes”, sytë i picërroheshin si thjerra mikroskopi (për të zhbiruar kujtesën gjer në skutën më të errët?) e rrudhat e fytyrës i shtendoseshin.
-Yzheni e baulit?! – pyeta e befasuar e i picërrova sytë edhe unë, ndonëse kujtesa ime e sapokrijuar s’kishte ende labirinte a kthina të errëta.
-Ishte shëndetpakë, e shkreta. Prandaj dhe nuk mundi dot të bënte fëmijë… Kur linde ti, jot ëmë deshi të të vinte dy emra: Anisa dhe Evgenia. Por pastaj ndërroi mendje.
-Në kujtim të teta Yzhenit?! – dhe u ngrita ndenjur, disi e turbulluar nga çfarë po mësoja.
-S’ke nevojë ta quash “teta”. Thjesht Yzheni mjafton. Yt atë e thërriste Ëzhení, se ia shqiptonte emrin në frëngjisht.
-E ç’lidhje kam unë me Yzhenin që të më vinit emrin e saj?!
-Nuk keni lidhje gjaku të drejtpërdrejtë, por ishte edhe ajo një Markarian si ty. Një armene e Shqipërisë… Duhet kujtuar me respekt, se ishte një njeri me cilësi të rralla.
-Ishte e bukur?
-…Ishte fisnike. Siç e ke parë në fotografi.
-Kë, Yzhenin?!
-Po! – dhe hodhi sytë drejt një kornize mbi komonë e veshur me rimeso arre ku ndodhej portreti i një gruaje zeshkane me sy të trishtë.
-Ajo është Yzheni?! – dhe brofa mbi krevat.
-Ajo.
E njëjta fjalë në armenisht do të thotë “po”. Pra, qoftë në shqip, qoftë në armenisht, s’kishte më vend për as më të voglin dyshim.
-Sytë i shprehnin një melankoli të pangushëlluar që nuk i largohej as kur qeshte. – vazhdoi teta Ita, mendueshëm. – Një pezëm të përhershëm, të parrëfyer…
-Ju më keni thënë që tek kjo foto “është një grua armene që e donte shumë babin”.
-Po! Të vërtetën të kemi thënë.
.
Familja Markarian
Familja Markarian

* * *

Pa pritur e pa kujtuar, familjes sime i qe “shtuar” edhe një pjestare. Një shpirt i kadifenjtë që “banonte” në dhomën e vogël e londitej fluturak çip më çip shtëpisë. Një pjestare e gjithëpranishme dhe e shumëdashur, ndonëse e pandodhur mes të gjallëve. Kujtimi i saj tejçohej tek unë në trajtë tingujsh, aromash, formash, ndjesish, me zanafillën tek bauli ku qenë stivuar objektet e saj personalë (fustani i nusërisë, librat, fotografitë, radio me gramafon, disqet, ilaçet…).
Fakti që tashmë e dija kush ishte, më kishte bërë më të vëmendshme ndaj bisedave të të rriturve. Personi që e përmendte më shpesh ishte teta Ita. E përmendnin edhe mami e babi, por jo në sy të njëri-tjetrit. Im atë me përkujdesjen e tij të madhërishme për të mos lënduar atë që i kish dhuruar thesarin më të çmuar të jetës, dy fëmijët; ime më me dhembshurinë femërore për të mos i cytur plagët që me kalimin e kohës edhe mund të cipëroheshin, por kurrë nuk do të shëroheshin.
Pak javë më pas, përfytyrimit që kisha krijuar për të do t’i shtohej edhe një hollësi mallëngjyese. Ishin ditët e shpërnguljes së varreve nga varrezat e Bamit drejt Shtishtufinës e Sharrës. Pasi kishim pritur pothuaj një orë brenda një salle me një banak të gjatë, dikush thirri emrin e tim eti e i vuri përpara 2 kuti dërrase të mbyllura. Njëra qe etiketuar “Evgenia Markarian”, tjetra “Kohar Goganian”. Ishin eshtrat e Yzhenit dhe të nënës së saj. Im atë hoqi kapelen e pështeti pëllëmbët mbi secilin prej emrave. Qëndroi disa çaste ashtu: kokëulur, i heshtur. E strukur në një stol pas kurrizit të tij, e vetmja gjë që mund të pikasja qe drithërima e përmbajtur e supeve. U përlota edhe unë, por jo për të vdekurat. M’u dhimbs dhimbja e fisme e tim eti.
Të nesërmen, me një ceremoni të thjeshtë, u bë rivarrimi. Në fotografinë e vënë mbi pllakën përkujtimore, sytë e zinj të Yzhenit m’u dukën edhe më të trishtë. Ndërsa tiparet e tjerë, të zbutur e të paqësuar, sikur kishin gjetur qetësinë e gjithëndërruar brenda varrit të ri. I njëjti ku, 13 vjet më vonë, do të prehej edhe im atë…
 
* * *
Një të dielë paradite, ime më u dha në derë të dhomës sime me një çantë udhëtimi prej lëkure në duar. Isha pothuaj 16 vjeç. Im atë kishte zënë shtratin që prej 3 muajsh.
-Janë arshivat e babit. – foli, dhe ma vuri çantën mbi tryezën e punës. – Arshivat personale e profesionale. Ka ruajtur gjithçka: korrespondencën me të vetët, fotot, diplomat, dokumentat, shpikjet e tij, lutjet drejtuar qeverisë… Gjithçka!
Po e dëgjoja në heshtje, pa kuptuar se ku do të dilte.
-Do të të duhen për të shkruar historinë e familjes. Duhet ta shkruash një ditë, patjetër. Më dëgjove? Ua kemi borxh shpirtrave të flijuar…
Ime më zotëronte dhuntinë e veçantë (të lartësuar në art!) të bëhej heraherës e mistershme. Duhej ta kishte të lindur. Dinte të zgjidhte mjeshtërisht çastin, mënyrën, shprehjet e mimikës, ngjyrat e zërit dhe dekorin e përshtatshëm për të të kallur ethet e hulumtimit.
-Lexoji pa humbur kohë e, po qe se tek-tuk ka gjëra që nuk kupton, pyet babin të t’i shpjegojë… Ngutu, se nuk i dihet sëmundjes. – dhe doli nga dhoma.
Shtyva mënjanë librat e shkollës e tërhoqa çantën pranë vetes. Hera e parë që e shikoja. E rrënuar vende-vende, aq sa nxirrte në pah astarin e mëndafshtë, lëkura e saj e kuqërremtë shpërndau nëpër dhomë një aromë kajsiash. Mbërthyesja prej tunxhi shkëlqente me një prarim të veçantë, përftuar nga lëmimi i gishtave në çdo hapje-mbyllje. Brendësia qe ndarë në tre xhepa të mëdhenj të ngarkuar dënga. Në atë të mesit, si të kërkonte me çdo kusht t’i tërhiqte vëmendjen personit që do të hapte çantën, ngrinte krye një zarf i madh bojë kafe me cepat të ngrënë nga koha: “Eugénie”. Njoha shkrimin e tim eti e m’u drodhën duart…
E pamundur të merresha me tjetër gjë atë të dielë përveçse të këqyrja, të shfletoja, të lexoja çdo rresht gërmë më gërmë, të gjurmoja, të zhbiroja. Një jetë 57-vjeçare e mbyllur në një zarf si një bobinë e çmuar filmi familjar. Një nga ata filmat e xhiruar në lindje të kinematografisë, që të rrëmbejnë sytë kur i vizionon me mjetet e sotshëm. Por jo vetëm sytë…
Më shkulmoi shpirtin, më trakulliti mendjen, më përmbyti shqisat, më tundulloi kurmin ai zbulim! Kisha ndër duar një thërrizë të Historisë: jetën e një armeneje me sy të trishtë që i kishte mbijetuar Kasaphanës së Madhe.
Gürün, Alep, Stamboll, Budapest, Izmir, Athinë, Selanik, Tiranë…
Një jetë e mbyllur në një zarf: “Eugénie”.
 
* * *
Tiranë, 9 Tetor 1957.
(Fletët e dorëshkruara në shqip i kanë murrëtyer vitet; letra është aq e hollë, sa pothuajse shkërmoqet nën peshën e kureshtjes sime të përndezur. Mos u ngut, i pëshpëris vetes për t’i përmbajtur hovin e padurimit.)
-Drejtorisë së Punëve të Mbrendëshme:
“Unë, e nënshkruara Evgenia Markarian, e bija e Nikogos dhe Kohar Goganian, bashkëshorte e Dr. Dentist Agop Markarian, kam lindur më 24 maj 1903, në qytetin Gürün të Turqisë. Babain nuk e kam njohur, sepse vdiq sapo linda unë. Nëna jonë, rrobaqepëse, na rriti mua dhe tre vëllezërit e mi me shumë mundime. Vëllai i madh u detyrua të hyjë në punë në moshën 15-vjeçare për të ndihmuar familjen. Në vitin 1914 këtë vëlla e rekrutuan në ushtrinë turke dhe e dërguan në frontin e luftës me Rusinë nga ku nuk u kthye më. Në qershor të vitit 1915, vëllain e dytë dhe shumë djem armenë të pafajshëm i arrestuan xhandarët turq dhe i ekzekutuan duke i therrur me jataganë. Një javë më vonë, qeveria turke i dëboi me dhunë të gjithë armenët e krahinës sonë.
Sëbashku me nënën dhe vëllain e vogël si dhe mijëra bashkëqytetarë të tjerë, kemi marshuar javë të tëra deri sa arritëm në kampin e përqëndrimit në Alep të Sirisë, gjysëm të vdekur. Aty qëndruam 2 vjet dhe mundëm të mbijetonim falë nënës që gjeti punë në një rrobaqepësi. Pas shumë peripecish, arritëm të kthehemi në Turqi dhe u vendosëm në Stamboll.
Meqënëse armenët e Turqisë vazhdonin të ishin të persekutuar, nëna më dërgoi të studjoja në Budapest tek daja, ndërsa im vëlla shkoi në Egjypt ku jeton edhe sot. Në vitin 1934, kur u martova, solla me vete në Tiranë edhe nënën, e cila vdiq në dhjetor të vitit 1944. Sikundër shifet nga autobiografija ime, Shqipëria u bë për ne atdheu ynë i dytë.
Tashma, jam një grua e thyer në moshë dhe e sëmurë. Përveç burrit dhe vëllait të vogël në Egjypt, nuk kam asnjë familjar tjetër. Ju drejtoj këtë lutje që të më lëshohet një pasaportë për të shkuar në Kajro me një afat qëndrese 6-mujor për t’u çmallur me vëllain e vetëm me të cilin arrita të lidhem, më në fund, përpara 1 viti.
Me shpresën se sa parashtrova do të merret parasysh, mbetem në pritje të një përgjigje sa më të shpejtë e pozitive.
Me nderime, Evgenia Markarian.”
 
* * *
Tiranë, 8 shtator 1958
(letër në shqip, e daktilografuar)
-Drejtorisë së Punëve të Mbrendëshme:
“Meqenëse lutja që Ju paraqita 11 muaj më parë mbeti pa përgjigje, lejohem t’Ju parashtroj një kërkesë të re me shpresën se do të më jepet e drejta të shkoj jashtë shtetit për të takuar vëllain. Bashkangjitur lutjes do të gjeni Fletanketën Personale dhe 2 fotografi.
-Rrjedh prej një familje me origjinë shoqërore punëtore;
-Jam me kombësi armene dhe nënshtetësi shqiptare;
-Jam e martuar, pa fëmijë, me profesion shtëpijake;
-Kam kryer shkollën e mesme në Budapest, në një gjimnaz francez;
-Nuk kam kryer kurse apo shkollë partie, as ndonjë shkollë ushtarake;
-Flas e shkruaj 5 gjuhë: shqip, armenisht, turqisht, frëngjisht, hungarisht;
-Nuk jam anëtare ose kandidate e PPSH-së;
-Nuk kam bërë pjesë në fraksione apo grupe antiparti;
-Nuk jam ndëshkuar nga organizatat e organet e Partisë, as nga organet e pushtetit, dhe as nga organizatat e masave, apo nga gjykatat popullore;
-I vetmi familjar që kam jashtë shtetit është vëllai im i vogël që jeton në Egjypt;
-Dëshiroj të shkoj 6 muaj pranë tij për t’u çmallur, sepse kemi 37 vjet pa u takuar.”
 
* * *
Tiranë, 15 maj 1959
(letër e dorëshkruar në shqip)
-Drejtorisë së Punëve të Mbrendëshme:
“…gjendja ime shëndetësore shumë e rënduar që prej 3 muajsh nuk më lejon të udhëtoj. Për këtë arsye, Ju lutem t’i akordoni një vizë turistike vëllait tim të vetëm, Gajz Nikogos Goganian, për të mundësu ardhjen e tij në Tiranë.
Do t’Ju isha shumë mirënjohëse ta bënit pa vonuar, që të mund të përqafoj tim vëlla përpara se të largohem nga kjo botë…”
 
* * *
Le Caire, 9 décembre 1961
(letër e dorëshkruar në frëngjisht, drejtuar sime mëje).
“E nderuara zonja Markarian,
Nuk mund t’jua përshkruaj gëzimin që ndjeva kur lexova letrën e kunatit tim ku më jepte lajmin e lumtur që ju prisni fëmijën tuaj të parë.
Zoti u tregua shumë bujar me Agopin e dashur pas vdekjes së Ëzhenisë sonë të shtrenjtë. Prania juaj në krah të tij i ka rikthyer buzëqeshjen dhe e ka rinuar. Zoti u tregua gjithashtu zemërgjerë edhe me mua, sepse më dhuroi një motër të dytë: Ju.
Më lejoni t’ju them, me bindje të plotë, që po të vij sërish në Tiranë do të më duket sikur po kthehem në shtëpinë time, sepse do të vij tek motra ime e re.
Në mbyllje të kësaj letre, ju parashtroj një kërkesë të veçantë. Pranoni, ju lutem, të jem nuni i fëmijës që do të lindë, sepse do të më nderonit e lumturonit jashtëzakonisht shumë.
Avec toute mon affection,
Votre nouveau frère,
Gajz Goganian.”
A.M.© E hënë, 24 Prill 2017
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.