back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Që drita e njohurive dhe dijet ndriçuese të mos shkojnë duke u shuar… refleksion i Robert Martikos mbi një intervistë të Dr. Robert Elsiesë (2012)

Gazeta

Shkrimtari Robert Martiko
Shkrimtari Robert Martiko

Që drita e njohurive dhe dijet ndriçuese

të mos shkojnë duke u shuar…

refleksion i Robert Martikos

mbi një intervistë të Dr. Robert Elsiesë (2012)

“Eshtë më lehtë të jesh hero
se sa një njeri i ndershëm.
Hero mund të bëhemi një herë rastësisht;
njeri i ndershëm duhet të jesh gjithmonë…”
Luigi Pirandello


Robert Elsie
Albanologu Robert Elsie

Nuk do të mund të bija kurrsesi në kundërshtim me botën e bukur shpirtërore të zotit Robert Elsie. Mund të konsiderohet pa kurrfarë rezerve shembull i qytetarit evropian madje, ca më shumë, i individit model, banues në një territor popujsh gjermanë ku sot, pas mijëra vjetësh bashkëjetesë mishngrënëse në grup, shoqëria arriti të ndryshojë me sukses të jashtëzakonshëm, në saje të ndryshimeve cilësore që ndodhën në ndërgjegjen njerëzore.

Meqenëse në rastin e zotit Elsie bëhet fjalë edhe për një individ me karakter krijues mendimi i tij merr akoma më shumë vlerë, veçanërisht në lidhje me misionin si albanolog në Shqipëri. Më duhet të vë në dukje qysh në fillim se ndonëse në mendimet e shprehura në intervistën e mësipërme, pothuajse në të gjitha gjërat që shprehen aty, unë gjej veten time, nga ana tjetër, nuk mund të mos bëj vërejtjet e mëposhtme.
E para verejtje, e gjej me shumë vend mendimin se sot dëgjohet pak. (Ose aspak!- Mund të shtohet.) Do të dëshiroja të vë në dukje se për intelektualin e kualifikuar më shumë rëndësi nga veshi ka syri. Është një organ pothuajse hyjnor, i dritës morale, që në dallim nga shqisat e tjera, të cilat janë të lidhura me të tanishmen, ka avantazhin e madh, të jetë i lidhur gjithmonë me të ardhmen. Është diçka që dallon intelektualin e zakonshëm nga intelektuali iluminist, i cili me të vërtetë dëshiron të hapë sytë e njerëzve, qoftë edhe të projektuar për një kohë të largët, siç shprehet vetë zoti Robert Elsie, në fund të intervistës së tij.
Vërejtja ime e dytë ka të bëjë me Kulturën. Lehtë mund të përfytyroj që bëhet fjalë për një punë kolosale. Për më tepër, siç është karakteristikë e pothuajse gjithë studiuesve të huaj, në krahasim me shkrimet gjysmake të autorëve ballkanas, hulumtimet e zotit Elsie duhet të jenë edhe mjaft të sakta dhe të besueshme. E kam dalluar këtë në gjërat e pakta që kam lexuar. Janë me të vërtetë të admirueshme për nga vërtetësia e tyre. Por, nga ana tjetër, intelektuali iluminist nuk mund të mos veçojë nga Kultura, pjesën që ndihmon përparimin e shoqërisë nga pjesa e saj negative, që e mban shoqërinë me mijëra yje drite larg realitetit të sotshëm perëndimor. Tjetër është miti që të ndriçon në jetë dhe tjetër është miti që të pi gjakun pa e kuptuar. Folklori bëhet forcë zhvillimi vetëm kur merr pjesë në të tanishmen, në mënyrë që gjoja intelektualët e lartë shqiptarë, të parët, të ngrihen nga gjumi i paditurisë, për t’u futur në të dhënat e sotshme të avancuara të Kulturës dhe Civilizimit perëndimor. Të gjejnë rrënjët e së keqes që fillon akoma më larg nga sa mund të mendohet. Kur Aristoteli iu drejtua Aleksandrit të Madh të mos ndërmerrte fushatat e tij fitimtare në Lindje.
Pa iu ndarë idesë sime rreth karakterit iluminist të intelektualit të kualifikuar, vërejtja e tretë ka të bëjë me tematikën e gjërave të zgjedhura për studim nga ana e Robert Elsie. Sigurisht që të gjitha gjërat kanë vlerën e tyre dhe për mua as që bëhet fjalë të më lindë e drejta të futem në preferenca individuale. Por, përveç temave të lidhura me librat e pabotuara të zotit Elsie, do të dëshiroja të rekomandoja fenomenin e ‘‘Gjyqeve të Moskës’’. Është një temë e patrajtuar fare në botë dhe për një çast mund të duket si një shkreptimë vetëtime në një qiell gushti, pa re. Por nuk mungon të ketë një vlerë të madhe shoqërore e filozofike, përderisa analizon qëndrueshmërinë e qenies njerëzore në kushtet e presioneve të jashtëzakonshme të ushtruara mbi të. Konkretisht, bëhet fjalë për diktaturën e ushtruar nga miliona popuj të shtypur në Bllokun e Kuq Lindor, duartrokitës të nënshtruar e varfëruar. Është pikërisht ajo gjendje e jashtëzakonshme që zoti Elsie e karakterizon me fjalën rrëqethëse, Absurditet që disa të paktë e përballuan gjatë gjithë jetës së tyre me dinjitet e moral të pacënuar, qoftë edhe në mënyrë pasive, në radhë të parë për të mos u bërë spiunë dhe keqbërës.
Mijëra qenë trimat e tërbuar bolshevikë që u kthyen në pula të lagura, spiunë të nënshtruar në vendet e torturave në Lubjanka apo gjetkë. E njëjta gjë ndodhi edhe në Shqipëri. Pjesa e pushtetarëve që mbijetuan politikisht, deri në fund të regjimit komunist, nuk qe gjë tjetër vetëm një bandë oportunistësh, servilësh dhe njerëzish të trembur deri në palcë. Rezistuan vetëm një grusht njerëzish fisnikë, të ndershëm në mënyrë skajore. Veçanërisht për pjesën shqiptare mund të përmenden karaktere të pathyeshëm fisnikë si Pjetër Meshkalla, Simon Jubani apo ndonjë tjetër, të cilët nuk u thyen në torturat skajore të ish Sigurimit famëkeq shqiptar. Siç ndodh gjithmonë nën diktatura turmat popullore u nënshtruan të parat. Parë në këtë prizëm, më kot dikur filozofi i famshëm, Frederik Niçe i bënte thirrje Njeriut të bëhej Mbinjeri. I famshmi Übermensch i tij, që aq shumë emocionon aventurierët dhe snobët në botë, në praktikën komuniste, nuk kthehet veç në një individ keqbërës dhe qesharak. Por nuk është vetëm Frederik Niçe por edhe mjaft filozofë të tjerë të cilët fenomeni njerëzor i ‘‘Gjyqeve të Moskës’’ i nxjerr të gjithë knock out, midis tyre Karl Marksin, Zhan-Pol Sartrin dhe sa e sa mendimtarë të tjerë të famshëm…
Më duhet të theksoj rëndësinë e studimit të kësaj teme mbasi përveç vlerave filozofike, zbulohen gjithashtu vlera të pazakonta iluministe, të tilla që ndryshojnë fatin e Njeriut mbi tokë. Ato gëzojnë cilësinë të zbulojnë se çfarë lloj filozofie kryen mrekullinë e saj te Njeriu, jo vetëm në kushtet e individualitetit paqësor modern por edhe në kushtet ekstreme, kur dritat e njohurive dhe dijeve të ndriçuara pothuajse shkojnë duke u shuar krejtësisht, siç ndodhi edhe në Shqipëri. Çfarë vlere ka për të ndriçuar shoqërinë spiunët e tipit Kim Filbi apo, ca më shumë, arti i ish spiunëve, burra e gra, ish shkrimtarë të së kaluarës, apo ndonjë temë tjetër banale në krahasim me karakteret-shkëmb, fisnikë, që u provuan në shtratin e torturave mitologjike të Prokrustit apo, ndryshe, në Bankë-provat e Policisë Sekrete gjatë gjysmë shekulli. Nuk ka asnjë hero çasti të përballojë këtë lloj trusnie të lartë përveç një dore burrash të vërtetë. Këtë pikërisht dëshmon fenomeni ‘‘Gjyqet e Moskës’’ nën prizmin që përpiqem të theksoj.
Jo më kot Luixhi Pirandelo thotë: “Eshtë më lehtë të jesh hero se sa një njeri i ndershëm. Hero mund të bëhemi një herë rastësisht; njeri i ndershëm duhet të jesh gjithmonë…”

Padër Pjetër Mëshkalla (1901-1988)
Padër Pjetër Mëshkalla (1901-1988)

Ndërsa unë do të shtoj: ‘‘Nëse heroi i një çasti mrekullon një jetë, të cilën nuk duron dot, heroi fisnik një periudhë të gjatë vuajtjesh e poshtërimi të përgjithshëm, mrekullon një jetë që kanë duruar të gjithë. Kjo temë e lënë pas dore jo vetëm në Shqipëri, është më efektivja për të filluar të ndryshojë diçka. Por si mund të tregohet kujdes për të, përderisa shumica e intelektualëve kanë qenë ish bashkëpunëtorë të Sigurimit! Ky është një sekret jo vetën shqiptar, por i pothuajse gjithë intelektualëve të ish Lindjes së Kuqe. Jo vetëm Ismail Kadareja është akuzuar por edhe çeku, (sot me nënshtetësi franceze), Milan Kundera. Dhe sa e sa të tjerë!… Me këtë lloj paste për modeling karakteresh shoqëritë mbeten në errësirë. Sado i bukur të jetë arti i tyre! Dhe unë mendoj se është pak e mençur për njeriun të admirojë më shumë artin vëllavrasës se sa vetë hapjen e shpirtit të fëmijës së vet, në mënyrë që shoqëria të mund të ndryshojë.

Zoti Robert Elsie, të cilin unë admiroj, ndjehet sot i lumtur në studion e tij si krijues, ngaqë para shumë shekujsh, një individ i jashtëzakonshëm si Martin Luther, i pari, bëri mrekullinë e tij të jashtëzakonshme ndër gjithë popujt gjermanë. Së bashku me Iluminizmin që vuri logjikën aristoteliane përballë dogmave fetare, dhe Feja, këtë lloj kundërshtimi pothuajse hyjnor e lejoi, lindi individualizmi i përgjegjshëm, pozitiv me karakter human. E kuptoj që në kushte skajore intelektualët e tipit të vërtetë Übermensch numërohen me gishtërinjtë e dorës, por të paktën sot drita e tyre le të vijojë të zhvillohet më tej, duke pasur kujdes që padashur të mos biem në grackën e kopesë primitive…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.