back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

2 dhjetor 1945 – 18 qeshor 2017 nga Romeo Gurakuqi

Gazeta

Prof. Romeo Gurakuqi
Prof. Romeo Gurakuqi

2 dhjetor 1945 – 18 qeshor 2017

nga Romeo Gurakuqi

Some Ingredients of Communist Takeover:
2 dhjetor 1945-11 janar 1946:
Komiteti Qendror i Zgjedhjeve
vendosi si afat kohor të emërimit të kandidatëve
datën 7 nëntor 1945,
ndërsa si datë zgjedhjesh 2 dhjetorin 1945.
 
Një propagandë intensive qeveritare, përmes radios, shtypit, posterave adresimive publike. Opozita nuk arriti të materializohej dhe të angazhohej mirëfilli në këtë proces të legjitimimit të sovranitetit.
Gjatë debatit në Kongesin e Tretë te Frontit Demokratik kur u diskutuan zgjedhjet, Profesor Gjergj Kokoshi, anëtar i Këshillit Antifashist nga Shkodra vuri në dukej këto pika:
1.Se ekzistonin njerëz të aftë jashtë FD, të cilët nuk dëshironin të merrnin pjesë në vendosjen e fatit të Shqipërisë;
2.Ligji Elektoral nuk i jepte kandidatit të pavarur një mundësi të ndershme;
3.FD, duke qenë shumë i organizuar, do të fitonte lehtësisht, ndërsa kandidatët jashtë FD nuk mund të organizoheshin, mbasi u mungonte shtypi dhe makineria thelbësore propagandistike për një fushatë elektorale.
4.Njerëzit tani në pushtet ishin të gjithë të FD, ndaj nuk ekzistonin garancitë e nevojshme për kandidatët që nuk ishin pjesë e FD.
Pas kësaj deklarate e kritike të fortë, ai u qortua menjëherë me pretendimin se kishte harruar që FD përfaqësonte të gjithë popullin dhe atij do të duhej t’i vinte turp nga vetja si anëtar i Këshillit Antifashist, që e kishte vendosur në pikëpyetje integritetin e FD.
.
Oficerë britanikë duke ndarë ndihma ushtarake për partizanët
Oficerë britanikë duke ndarë ndihma ushtarake për partizanët

Në fund ai u mor në pyetje me synimin për ta demaskuar: pyetja “asgjesuese” dhe “fundosëse” e markës bolshevike që iu bë atij ishte kjo: A përbënin reaksionarët një garanci për zgjedhjet?! Pas këtij linçimi psikologjik, Gjergj Kokoshi u përjashtua nga Këshilli Antifashist, i akuzuar si trathtar dhe nuk u vendos në listen e kandidatëve për në zgjedhje.

Kemi një situatë në të cilën populli nuk kishte besim në garancitë e qeverisë për zgjedhjet, qeveri e cila përfaqësonte një klikë në pushtet, që ushtronte presion, dhunë dhe terror. Pavarësisht mundësisë teorike për të shpallur kandidaturën, klima e krijuar, mbi bazën e propagandës se kushdo mund të ishte i përfaqësuar në FD, nuk e lejonte një gjë të tillë. Prezantimi i kandidaturës dhe refuzimi i saj prej Komitetit Qendror Zgjedhor, e bënte kandidatin dhe mbështetësit e tij, krejtësisht të pambrojtur ndaj raprezaljeve si reaksionarë antiqeveritarë.
Më datën 17 tetor 1945, u mblodh Plenumi IV i KQ të PKSH, i cila shqyrtoi posaçërisht zgjedhjet.
Çfarë prisnin drejtuesit komunistë shqiptarë nga zgjedhjet?
Ata prisnin legjitimimin e pushtetit të tyre, përmes një asambleje të pilotuar kushtetuese, njëkohësisht kërkonin ta vendosnin mbi një bazë konstitucionale pushtetin që ata po impononin mbi Shqipëri, synonin të ndikonin tek Aleatët përmes krijimit të një fasade demokratike, duke shmangur ballafaqimin e hapur me elementët e tjerë, të asaj çfarë mund të konsiderohej opozitë në Shqipëri, në këtë kohë të dhunës së reparteve të Mbrojtjes së Popullit. Detyra themelore që vendosin drejtuesit byroistë ishte që ta çonin popullin masivisht në votime, për të arritur një fitore “Schiacciante”, shprehen ata tekstualisht; të studionin kandidatët, të cilët Koçi Xoxe propozonte të ishin njerëz të rinj, komunistë të fshatit, ndërkohë që Enver Hoxha kërkonte që të mos lejoheshin grupet opozitare, jo me masa policore, por me propagandë.
Nga proces-verbali i Plenumit të IV të mbajtur me datën 17 tetor 1945, shohim që në këtë mbledhje vendimarrëse, që përgatiti zgjedhjet e para në Shqipërinë e pas Luftës dhe që sanksionuan vendosjen de jure të pushtetit komunist, morën pjesë, veç anëtarëve të KQ të PKSH, edhe Ramadan Çitaku, Ymer Dishnica, Mihal Prifti, Fiqret Sanxhaktari, Peço Kagjini, Pellumb Dishnica, Abidin Shehu, Haki Toska, Spiro Pano dhe anëtarët e KQ të Rinisë Komuniste, Fadil Paçrami, Ramis Alija, Muamer Spahija, Muntaz Shehu dhe Niko Opari. Rendin e ditës e paraqiti Enver Hoxha, sipas kësaj radhe:
I.Situata politike:a. Çështja e pushtetit dhe b. Çështja e Ushtrisë;
II.Mbi Partinë: a. Zhvillimi i Partisë prej mbledhjes së II të Plenumit; b. Çështje organizative dhe mbi disa propozime mbi përmirësimin e strukturës së Partisë; c. Çështja e kuadrit dhe revizioni në organizatë.
III.Mbi Mbledhjen e Asamblesë Konstituente;
IV.Mbi thirrjen e Konferencës së II të PKSH. Ndër diskutantët më aktivë kanë qenë Gogo Nushi, Fadil Paçrami, Rahman Parllaku, Spiro Pano, Ramadan Çitaku, Abidin Shehu, Liri Belishova, Ymer Dishnica, Sejfullah Maleshova, Dali Ndreu, Bedri Spahiu, Enver Hoxha, Peço Kagjini, Haki Toska, Beqir Balluku, Fiqret Sanxhaktari, Naxhije Dume, Manush Myftiu, Nesti Kerenxhi, Xhoxhi Blushi, Gogo Nushi, Kristo Themelko, Pellumb Dishnica, Pandi Kristo.
Struktura e burimeve njerëzore të ekipit vendimarrës së diktaturës, tregon për një mbizotërim të plotë të përfaqësisë së pilotuar të ekipit të Zonës së Parë Operative.
Shqipëria e Veriut dhe posaçërisht Shqipëria Veriore dhe Veri perëndimore ishte plotësisht e përjashtuar nga vendimmarrja, për shkak formacionit të ndryshëm politik dhe kulturorë të tyre me pjesën e Shqipërisë që kishte pranuar, i ishte bashkangjitur, ose ishte pajtuar me organizatën komuniste në drejtim të vendit.
Me datën 7 nëntor 1945, FD shpalli 108 kandidatë për 82 vende, nga të cilët 27 përshkruheshin si “kandidatë individualë” brenda FD. Nga 108 kandidatët, 29 ishin anëtarë të Këshillit Antifashist dhe Këshillit të Frontit Demokratik, 22 ishin anëtarë të vetë Këshillit të FD, ndërsa 28 ishin edhe anëtarë të Këshillit, 28 nga ato ishin komunistë të mirënjohur, ose anëtarë të vjetër të ish FNÇ.
Kuptimi i kandidatit individual ishte krejtësisht fals, përderisa shumica e tyre ishin anëtarë të njërit prej këshillave, ose në të dy së bashku. Shkodra, qendra e opozitës hipotetike ndaj qeverisë, kishte vetëm 6 kandidatë nga 15 vende që ishin nga këshillat dhe 9 ishin kandidatë të panjohur. Asnjë parti opozitare nuk kishte paraqitur kandidatë. Për masën e popullit shqiptar këto zgjedhje përbënin një fenomen shumë kurioz politik, që nuk krijonte as një lloj mësimi mbi demokracinë dhe nuk kishin as kuptim lirie. Regjimi në pushtet konsistonte në pjesën më të madhe, nga gjysëm studentë të shkolluar jashtë, që kishin ardhur në pushtet përmes forcës.
Termat e përdorur për listat e kandidatëve në procesin e mashtrimit të pluralizimit:
.
Deputetë të epokës komuniste sipas gjinisë
Deputetë të epokës komuniste sipas gjinisë

1.Këshilli i Madh Antifashist. Kjo ishte asambleja aktuale e qeverisë shqiptare. Nga Komiteti Antifashist Nacional Çlirimtar i formuar në Labinot në korrik 1943, një Këshill i Madh Antifashist, i përbërë nga një presidium prej 30 anëtarësh dhe 250 delegatësh, u formua në Përmet në maj 1944. Kjo qe Qeveria e parë e Përkohshme e Shqipërisë me një anëtarësi të reduktuar në 18 anëtarë. Parlamenti i Ri do të kishte vetëm 82 anëtarë. Këshilli i Madh Antifashist kështu rridhte drejtëpërdrejtë nga lëvizja e rezistencës e kohës së luftës, e cila në teori ishte një organizatë jo partiake dhe e lidhur bashkarisht mbi bazën e bindjeve antifashiste. Në praktikë ajo ishte një njësi e zgjedhur prej FD.

2.Fronti Demokratik. Ky ishte emri i dhënë së fundmi prej votimit të gushtit 1945, Frontit Nacional-Çlirimtar të kohës së Luftës, që vinte nga Lëvizja Nacional-Çlirimtare. Këshilli i Përgjithshëm përbëhej nga 80 anëtarë. Megjithëse ishte e njohur gjithandej si fakt, që PKSH (zyrtarisht organizuar prej Moskës, nëpërmjet komunistëve jugosllavë, në nëntor 1941), ishte zemra e qëndrueshme e FNÇ, kjo lëvizje ishte shpallur përherë zyrtarisht që përfaqësonte elementët antifashistë në vend, pavarësisht bindjeve politike. Mirëpo, pozicionet kyçe në këtë organizatë i kishin komunistët.
3.Këshillat e Prefekturave: rridhnin nga njësitë administrative të ndërtuara gjatë luftës për të organizuar, rekrutuar dhe propoganduar në të mirë të FNÇ.
4. Këshillat e Sindikatave. Edhe Kongresi i Sindikatave, që zhvilloi punimet në këtë kohë, shpalli natyrën e tij të hapur komuniste.
5. Kandidatët Indipendentë brenda Frontit Demokratik: ishin anëtarë të FD që nuk ishin përzgjedhur prej Partisë së Frontit Demokratik për një zonë zgjedhore dhe kishin shpallur kandidaturën, gjoja për llogari të vet.
Se mos deshironi te dini edhe emrat?!
Janë të njejtët mbiemra të një pjese të politikanëve të paketës kontrolluese, pronarët e konsorciumeve private që marrin para publike, që po vendosin sot para në emër të demokracisë, kanë vendosur rininë fluturake si kandidatë për deputetë, ata që po ngrenë në piedestalin e Përfaqësisë së Sovranit, një listë personazhesh që hipotekisht nuk kanë për të bzà.
Burimet:
1. AQSH, Fondi 14, Viti 1945, Proces Verbal i Mbledhjes se Planumit IV të KQ të PKSh i mbajtur me 17 tetor 1945;
2.PRO.FO.371.48085, R 20292/46/90, BMM Albania, Memorandum Considerations Affecting Free Elections in Albania, 23 November 1945.
3.US Foreign Relations, 1945, Volume IV, 875.00/11-2845, The Acting Representative in Albania (Fultz) to the Secretary of State, Tirana, November 28, 1945;
4. PRO.FO.371.48086, R 21328/46/90, Reports on Albanian Elections, Mr. Broad to Mr. Bevin, Caserta, 12 December 1945, Enclosure, BMM, Albania: report on the Election in Albania, by D.A.P. Hodgson, Brigadier, Commanding British Military Mission, Albania, 4 December, 1945.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.