back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Giaccomo Leopardi – L’infinito – sjellë në shqip prej Ernest Koliqit, Lazër Shantojes, Arshi Pipës, Nikollë Dakajt, Zef Schiro di Maggios dhe Jozef Radit

Gazeta

Giacomo Leopardi (1798-1837)
Giacomo Leopardi (1798-1837)

Giaccomo Leopardi

L’infinito

(Në 8 përkthime Ernest Koliqi, Lazër Shantoja, Arshi Pipa,

Nikollë Dakaj, Zef Schiro di Maggio, Jozef Radi,

Kristaq Jorgo, Max Rakipaj, Remzi Osmani)

Leopardi asht nji poet fort i dashtun për italianët dhe shumë prej poezive të tij janë në fondin e artë të poezisë jo vetëm italiane po edhe ma gjanë…
Vendlindja e tij, Recanati, asht jo fort larg prej qytetit ku unë jetoj prej 20 vitesh, kështu shpia e tij, rrugicat e tij, fqinjët e tij, dashnitë e tija tashma janë pjesë e nji kënaqësie që unë e kam marrë n’vazhdimsi të çdo vizite në Qytetthin e Leopardit, e në veçanti, ajo kodra e ambël ku Leopardi dilte dhe shkruente vargjet e veta.
Poezia “Pafundësi” asht shkrue te kjo kodër, dhe vargu i famshëm i saj: “Sempre caro mi fu quest’ermo colle” asht shkrue me gërma të mëdha sa mund të lexohet edhe prej dhjetë kilometrash larg.
Kjo poezi asht përkthye prej meje dikur, po s’asht se isha fort i kënaqun prej saj, dhe flente diku e tretun mes fletësh…
Para pak ditësh, në murin e poetit Agron Tufa, zbulova se kët poezi të famshme e kishin përkthue edhe katër penda fort të nderueme të letrave shqipe, duke fillue prej Ernest Koliqit, Lazër Shantojës, Arshi Pipës dhe Nikollë Dakajt… çuditnisht të katërt të mallkuem prej letërsisë zyrtare shqipe… e meqë edhe unë e kisha pothuej të kryeme kët punë, thashë pse mos!? Ku janë katër le të bahen pesë… Nuk bahet nami… dhe në kët renditje të leximit asht kënaqësi e madhe me vërejtë se sa bukur sjellet fjala shqipe e gegnishtes me rrokë edhe sfumaturat ma të holla të shpirtit leopardian…
Nji lexim të kandshëm!
jozef radi, 12 maj 2017
.
Leopardi - Sempre caro mi fu quest'ermo colle,
Leopardi – Sempre caro mi fu quest’ermo colle, (foto radi)

L’infinito

poesia originale di Giacomo Leopardi

Sempre caro mi fu quest’ermo colle,
e questa siepe, che da tanta parte
dell’ultimo orizzonte il guardo esclude.
Ma sedendo e mirando, interminati
spazi di là da quella, e sovrumani
silenzi, e profondissima quïete
io nel pensier mi fingo, ove per poco
il cor non si spaura. E come il vento
odo stormir tra queste piante, io quello
infinito silenzio a questa voce
vo comparando: e mi sovvien l’eterno,
e le morte stagioni, e la presente
e viva, e il suon di lei. Così tra questa
immensità s’annega il pensier mio:
e il naufragar m’è dolce in questo mare.
.
Pamja qe shtrihej para Kodres ku shkruante Leopardi
Pamja qe shtrihej para Kodres ku shkruante Leopardi (foto radi)

Pambarimi

(sjellë në shqip nga Ernest Koliqi)

Prorë e pëlqeva kët kodrín’ vetare
edhe kët gardh, qi i a ndalin shikimit
mâ të madhën pjes’ të horizonit t’fundëm.
Por tue ndêjë e tue vrojtun, t’pambarueme
hapsìna përtè saj edhe heshtìna
mbinjerzore e ‘i qetsì shum e shum t’thellë
përfytyroj me mênd e n’to mue zêmra
disì m’frigohet. E tue qên’ se erën
ndëgjoj tue frushulit’ nepër kto lândë,
un rrij e krahasoj gjith’ at heshtì
t’pasosun me kët zâ dhe m’përkujtohet
amshimi, t’shuemet stin’ dhe koha e sotme
gjallë, e zhurma e saj. Kështu mêndimi
mue n’at pamatësì kryekput më mbytet:
e mbytja m’asht e ambël në kët dêt.
.
Dom Lazer Shantoja (1892-1945)
Dom Lazer Shantoja (1892-1945)

Të pambaruemit

(sjellë në shqip nga Dom Lazër Shantoja)

Daj e desha kët kodër vetmitare,
e njikët gardh, qi të malbrêzit megjet
e mbrame bukur gjatë i a mbyll’ shikimit.
Por ndêjë e tue soditun, hapësina
të pambarueme përtej tij, dhe heshtime
përmbinjerzore, e t’thellë tejèt qetí
un trilloj n’menden t’ime; ku mue zêmra
më merr gati trishtim. E sikur erën
ndîj kah fërshllon nëpër kta lisa, at heshtje
un t’pambarueme shkoj tue krahasuemun
me njikët zâ: dhe përkujtoj t’amshuemit,
edhe stinat e vdekuna, e të tashmen
e t’gjallë, e të saj kumbon. Kështu mbytet
mendja e ime në kët pamatësì:
e m’u përmbytun në ket dè me kande.
Tomori, 21 qershor 1942
.
Arshi Pipa student në Itali
Arshi Pipa student në Itali

Pâkufini

(sjellë në shqip nga Arshi Pipa)

Gjithmonë e dashun qe për mue kjo kodër
vetmitare e ky gardh qi horizontin
s’e lên me e pá veç për nji copë kah fundi.
Por kúr rrij e sodis, të pakufishme
hapsina përtej tij dhe mbinjerzore
heshtje dhe nji qetí e pámbarim
trilloj ndër mend, kah zêmra gati m’ndalet
prej frige. E kúr veshtroj erën qi tash
gjethet e pêm’ve bân me frushullue,
at heshtje pá mbarim shkoj me kto zâne
tue krahazue. E përkujtoj amshimin,
stinët e vdek’na e t’soçmen, ktê të gjallën,
me jehonën e sáj. Ashtu mendimi
te kjo pamatuní humbon e birret.
Dhe t’âmbël m’vjen të mbytunit n’kët’ dét.
.
Nikoll Daka
Nikoll Dakaj

Pambarimi

(sjellë në shqip nga Nikollë Dakaj)

Përherë e desha kët kodër vetmore
edhe kët gardh, që larg e larg shikimit
hovin ia pret me pàm n’anë të përtejme.
Por, kahë rrij e kundroj, të pambarueme
hapsí tej soje e heshtje mbinjerzore
e nji qetí, atje ku asht ma e thella,
unë marr me mendë; e gadi-gadi zemrën
ma pushton friga. E, kah tue fërshllyem
erën ndigjoj përmes këtyne landve,
unë at heshtí t’pafund me kët fërshllimë
vê ball për ball: e m’kujtohet amshimi,
e stinët që kanë vdekë edhe kjo e tashmja
e gjallë e zani i saj. Kështu mendimi
m’rrin tue ba not në kët pamatuní;
e zemra m’heë me hupë në kët farë deti.
.
L'infinito... fac simmile
L’infinito… fac simmile

Pafundsia

(sjellë në shqip nga Jozef Radi)

Sa e dashtun m’asht kjo kodërz vetmitare
e njajo gardhiqja që kqyr n’tana anët
e tej n’horizont shikimin ma ndal.
E kah rri e kqyri e kundroj, n’njat hapsin’
të pamatë përtej së cilës, rrijnë heshtjet
mbinjerzore e ma e thella paqe, ù
ndër mendime t’mia shtirem, sikur
zemrën ma pushton trimnia. E njashtu si
erë ma kande me fërshllye midis pemsh,
e njat heshtje të pakufijë e njat zà
shkoj tuj’ krahasue: e m’shfaqet amshimi,
edhe stinët e vdekuna, edhe e tashmja
e gjallë, edhe njaj zani i saj. E njashtu zhytë
n’shpirt pafundësie mendimet m’vërshojnë:
e gja mà t’ambël se m’u mbytë n’kët detë s’ka.
.
Kristaq Jorgo
Kristaq Jorgo

Pafundësia

(sjellë në shqip nga Kristaq Jorgo)

Próre-e dashtun më qé kjo kodr’e shkrete,
Edhé ky gardh, që thue të gjitha anët
E t’largtit horizont prej sysh më fshihte.
Por tue ndejun e kqyrun përmbi té,
qiej t’pasosun dhe tejnjerëzore
heshtima e qetësinë ma të thellët
unë përftyroj në mend, aq sa për pak
mue zemra më shtanget. E teksa erën
ndij t’shushrijë mes ktyne bimve, unë kté
t’pafundëme heshtimë me këte za
rri tu’ e përqasun: e m’vettín Tej’jeta
dhe të vdekunat stinë, edhé e tashmja
e gjallë, dhe tinguj t’saj. Kështu n’këté
pafundësi më tretet krejt mendimi:
edhé përhumbja-e ámbël m’asht n’kte det.

Zef Schiro di Maggio
Zef Schiro di Maggio

T’pasosmi –

Sjellë n’arbërisht nga Zef Schiro di Maggio*

Nga her’e dashur m’kle kjo kodr’e fillme
e kjo ferrishtë, çë për aqë pjesë
të t’sprasmit horizont vështrimin nxier.
Por tuke ndenjur dhe kundruar, t’pasosur
lloke matanë t’saj, dhe mbinjerëzorë
heshtje dhe të stërthellë qetësi
ù në mend kryenj: aty ku te për pak
zemra më regëtin. E sapo erën
ndienj të frynj’ ndëpër kto pem’, ù atë
të pakufishme heshtje me kët zër
vete tue qasur: dhe kujtonj t’pasosmin,
e të vdekurat stinë, dhe t’pranishmen
e t’gjallë, e tingllin e saj. Kështu në ktë
stërgjerësi përkridhen mendtë time
e t’përhumbem ësht’ ëmbël në ktë dejt.
.
*P.s. Dje pasngrëni (8 tetor 2016), ujur te terraca jime, me përputhjet yjore e tokësore të mbara, m’erth ashtù vetiu të recitoja litisht L’Ifinito e tuke e recituar litisht zura fill vetiu t’e prirja arbërisht. L’Ifinito poezia më e kthjellët e gjithësisë!  Këshill për kë zgleth arbërisht: tërtyp mirë çdo fjalë e rrumbullakose, pa ngut, e kërko përputhje yjore e tokësore çë ngë mërzitjën.
Maksim Rakipaj
Maksim Rakipaj

Pafundsi

Sjellë në shqip nga Maksim Rakipaj

Më pëlqen kjo kodër e veçuar,
ky gardh që nga çdo anë të shohësh
edhe horizontin syrit ja fsheh.
Por kur ulem duke kundruar të pafundmet
hapësira matanë saj, mbinjerëzoret
heshtje, këtë qetësi kaq të thellë
dhe bëj sikur mendohem; ku për pak
zemra pa frikë më rri. Dhe erën mbaj vesh
si ndër gjethe shushurin, unë këtë heshtje pafund
me atë zë e krahasoj; e përjetësia më vjen ndërmend,
kohët që mbaruan, e tanishmja
është gjallë, është zëri i saj. Kështu në këtë
pafundësi, mendimi im zhytet,
ëmbëlsisht më vjen në këtë det të mbytem.
.
Prof. Resmi Osmani
Prof. Resmi Osmani

Pafundësia

sjellë në shqip nga Remzi Osmani

Përherë e dashur për mua kjo kodrinë e vetmuar,
Edhe ky gardh, që m’ia pengon shikimit,
Më t’madhen pjesë të horizontit të fundëm.
Por duke qëndruar e vrojtuar të pambaruarën
hapësirë, përtej saj, dhe heshtjen mbinjerëzore,
Me një qetësi shumë e shumë të thellë,
Unë sjell në mendje. E prej saj zemra, disi për pak më stepet.
Meqënse erën ndiej, duke shushuritur
gjetheve ndër këto pemë,
Krahasoj gjithë atë heshtje të pasosur, me këtë zë
Dhe më kujtohet përjetësia,
Stinët e shkuara, të vdekura dhe të sotmet,
të gjalla e të potershme. Kështu, midis tyre mendimi,
Në atë pafundësi, krejtësisht m’zhytet:
E mbytja më është e ëmbël në kët’ det.
2019

 

 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.