Jeta e re Nr. 1 2017
Numri i Parë për këtë vit i Revistës “Jeta e Re”
Me një vëllim prej 400 faqesh, posa ka dalë numri i ri i revistës letrare të traditës “Jeta e re”.
Ky numër fillon me shkrimtarin tonë të njohur Ramiz Kelmendin, i cili vdiq më 11 janar 2017, në Prishtinë. Në shenjë kujtimi e nderimi, ky autor, në një hapësirë prej 50 faqesh, është prezantuar me shkrimet “Origjina ime etnohistorike”, “Treshet e mia”, me tregimet “Abrakadabra” dhe “Tregim fantastik”, me shkrimin diskursiv “Aspekte të shprehjes komike në art”, pastaj me intervistën me titullin “Atdheu më ka lënduar”, për të përfunduar me tekstin e kritikut Ali Aliut “Tri etapa krijuese të një prozatori”.
Rubrika e prozës nis me “Me ditët e braktisjes” të autores italiane tashmë shumë të njohur, Elena Ferrante. Isabell Alende vjen me tregimet “Më e harruara e harresës” dhe “Toska”, Musine Kokalari me “Kolla e vdekjes”, Eqrem Basha me “Baladë dashurie” dhe Majlinda Bregasi me “Te guri i Bdekut”.
Rubrika e poezisë sjell një numër autorësh të huaj të shquar, si Li Po, Juan Gelman, Pier Poalo Pasolini, Linda Hogan dhe Janis Ricos.
Me nga një cikël poezish janë prezantuar autorët tanë: Alket Çani, Halil Matoshi, Erenestina Gjergji-Halili, Bardh Frangu, Petrit Ruka dhe Ardiana Salihu.
Elena Ferante vjen me intervistën me titullin “Letërsia që u përshtatet shijeve të lexuesve është letërsi e degraduar”, në të cilën autorja sjell gjëra interesante nga përvoja dhe procesi krijues i saj. Ndërkaq në rubrikën Dossier për këtë numër është përzgjedhur Etgar Keret, shkrimtar i njohur izraelit, tashmë i përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës. Keret është prezantuar me shkrimin “Si shkruaj”, me tregimet “Taksisti”, “Vendlindja imagjinare”, ”Deri në fund të dunjasë”, “Ngjitësi i çmendur”, “Shiva” dhe “Papritur, dera trokiti”, me intervistën me titullin “Nëse vërtet mund ta kuptosh se çfarë po ndodh, në njëfarë mënyre, duhet të ndihesh i dëshpëruar”, për të përfunduar me një vështrim të Rebecca Abrams-it për pozën e Keret-it.
Rubrika e kritikës nis me tekstin “Narracioni në poezi dhe dramë” të autorëve Peter Huhn dhe Rog Somner dhe vazhdon me “Koha dhe narracioni” të Paul Ricouer-it, “Praktika poetike” të Charles Bernstein-it, “Rrëfimi” të E.M. Froster-it dhe “Mashtrues në një kostum dritash” të Michael Chabon-it”.
Shkrime serioze dhe me shumë interes në këtë rubrikë kemi edhe nga autorët tanë. Kështu, Kujtim Rrahmani është prezantuar me tekstin “Musine Kokalari – Vetëm një fustan”, Vehbi Miftari me “Etnoletra”, Aleksandër Zoto me “ Eqrem Basha ose lavdia e të rëndomtëve”, Alma Dema me “Mbledhësit e përrallës shqipe nga Dozon te Elsie” dhe Mimoza Hasani me “Komunikimi i letërsisë dhe i gjuhës shqipe ma atë bullgare”.
Përkthyesit që kontribuuan për këtë numër janë: Bajram Karabolli, Gëzim Aliu, Alfred Beka, Alket Çani, Arben Idrizi, Erion Karabolli, Ismail Ismaili, Sazan Kryeziu, Kujtim Morina, Meliza Krasniqi, Romina Mio, Rrahime Gashi dhe Demë Topalli.
Treshet e mia Interviste me Ramiz Kelmendin… Homazh
-Tri arrestimet e mia: 1. 24 mars 1946 /”Tërst je nash!”/ në Pejë, 2. 25 maj 1955 në Beograd /Hrushçovi e Bullganjini, Xhavit Shabani dhe 3. “Apeli i 215 intelektualëve”.
-Tre etërit e mi: Babai gjenetik Jakup Rugovci, Masar Murtezai, babai im i gazetarisë dhe Esad Mekuli babai im i letërsisë.
-Tri vendlindjet e mia: Peja, Ulqini dhe Prishtina.
-Tri letrat më të këqija në jetë: Nuk dua t’i kujtoj.
-Tri dosjet e mia: UDB-ja, Sigurimi dhe Vehapi.
-Tri dorëheqjet e mia: 1. Shtëpia Botuese “Rilindja”, 2. Teatri Popullor Krahinor dhe “Faik Konica”.
-Tri dashuritë e mia: Libri, gazeta dhe televizioni.
-Tre shkrimtarët e mi më të parë: Fishta, Migjeni, Nonda Bulka.
-Tre shkrimtarët e mi më të mirë dje: Sterjo Spasse, Haki Stërmilli dhe Mustafa Greblleshi.
-Tre shkrimtarët e mi më të mirë sot: Ismail Kadareja, Fatos Kongoli dhe Agron Tufa.
-Tri romancieret e mia: Elvira Dones, Klara Buda dhe Flutura Açka
-Tri poeteshat e mia: Mimoza Ahmeti, Mimoza Ahmeti dhe Mimoza Ahmeti.
-Tre kritikët e mi: Rexhep Qosja, Hasan Mekuli, Vehap Shita.
-Tri tregimet e mia: “Rrëfimi i studenteshes”, “Abrakadabra” dhe “Ahmet Koshutani”.
-Tri radiodramat e mia: “Kur kositen livadhet”, “Kur kositen livadhet” dhe “Kur kositen livadhet”.
-Tri përkthimet e mia më të mira: “Procesi” i Kafkës, “Shaka- ja” e Kunderës dhe “Daullja e llamarintë” e Grasit.
-Tre përkthyesit e mi më të mirë: Noli, Robert Shvarc dhe Amik Kasoruho.
-Tre fejtonet e mi: “Polemika në letrat shqipe”, “Letërkëmbimi” dhe “Dashuria e malësorës”.
-Tre librat e fëmijërisë sime: “Pse?”, “Gremina e dashurisë” dhe “Lulja e kujtimit”.
-Tre drejtorët e mi më të mirë: Ymer Pula, Ramadan Vraniqi dhe Gjon Shiroka.
-Tre kryeredaktorët e mi më të mirë: Masar Murtezai, Asllan Fazliu dhe, më i pari – Sedat Dida.
-Tri postet e mia: drejtor i Teatrit Popullor Krahinor, drejtor i Botimeve të “Rilindjes” dhe dekan i Fakultetit të Gazetarisë “Faik Konica”.
-Tre fëmijet e mi: Migjeni, Visari, Nita.
-Tri “nopranlëqet” e mia: Që s’di të them “Jo!”, që s’di të rrifem, që s’e dua terrin.
-Tri gjëra që nuk dua t’i kujtoj: Një “shok”, një “mik” dhe një “dashamir”.
-Tri “të meta” që pata: 1. Zemra e jo truri, 2. “Shyqyr që nuk linda femër!” dhe 3. Që nuk rraha asnjë “njeri”.
-Tri “mëkate” që s’i pata: duhani, alkooli dhe bixhozi.
-Tre “stripat” e mi ë fëmijërisë: “Tre ogursëzët”, “Miki Maus” dhe “Flash Gordon”.
-Tri banesat e mia: ajo e Shaban Domit, ajo e “Rilindjes” dhe “Te Katër këmbët”, në qendër.
-Tri qytetet e mia puro shqiptare: Shkodra në Shqipëri, Gjakova në Kosovë dhe Tetova në Maqedoni.