back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Kanë frikë se dielli rrëmbyeshēm zbret mbi ty… cikël poetik nga Puntorie Muça-Ziba

Gazeta

Shkrimtarja Puntorie Muça - Ziba
Shkrimtarja Puntorie Muça – Ziba

Kanë frikë se dielli rrëmbyeshēm zbret mbi ty...

cikël poetik nga Puntorie Muça-Ziba

Kur zverdhen ditët

Kur ditët zverdhen
të gjithë fshajnë
të gjithë tërbohen
frika sëmbon në palcë motre,
atë vendi-vend se zë.
Ajo kërcëllen gishtërinjtë deri në palcë:
ah, edhe ti kopil Bruto
që kurrë s’pate kurorë
në shtrat dafinore
i rrethuar
me lukuni egërsirash
me shpirtin kashtë e byk
boshatis rrugët
i fryen prushit
dhe braktis atë fije drite
në sy të paqës së brishtë…
Ore ti kopil Bruto
që gdhihesh në hotele luksoze
dhe gëlltit odatarin,
të shitoftë zana e pyllit tim!
Eh, ti që deri dje
me kandrra ke shtruar darkën,
na paske mbetur
t’i rrasësh turinjtë
e ta fusësh hundën në pellgje klorofili
e të dëshirosh
që unë të vdes për pak ajër
me sy të vakët
mbi kokrra vese.
Po sikur të na rrok dergja e syve
po sikur në pellgje klorofili të japim shpirt,
ku do të futen lakuriqët e tu
që në zgrip gremine si hu janë ngul…
 
Të gjithë fshajnë
të gjithë tërbohen
vetëm motrën vendi-vend se zë.
.

Udha e dalldisë

Vibroi zemra nga kumt’i largët
ajri rrahu flokët e thinjur
në asht sëmbuan fjalët e tij:
“Do vi dhe unë në tokën mëmë
të zbraz kujtime kur rigon shi
do gërvisht qiellin me thonj të lodhur
t’rikthej të njomën miqësi.
Gufoi e s’pëlciti zemra ndër vite
kapur në eter drejt një beteje.
Marr hov ta thyej hënën hënuar
mos t’na mësyshon ndonjë çift i ri
para se të prehemi në tokën e fildishtë
që dikur s’e preknim me sy.”
Tingujt hyjnor dalë nga zemra
sikur më bënë një varr nën bli,
vesha këmishën endur në veg
s’doja të vdes akoma për ty.
Të prita natën në guvë të errët
ku puthen rrugët në tunel të ri
ah, ti më erdhe me shumë dalldi.
Në ankth të prekjes u fute si rrufe
dantellat e bardha mbetën n’gishtërinj.
Shumëçka u ndrydh nëpër një jetë
na ishte tretur aty nën sy.
Nga lëndinë lotësh përzier me shi
brenda tunelit që na paqëtoi
nisëm të këmbenim mall e dashuri,
fytyrë ngrysur mbetem ngujuar
në dheun e shkriftë të nënës Shqipëri.
Tiranë, 2017
.

Epilogu i Betejës së Maricës (1371)
Epilogu i Betejës së Maricës (1371)

Një copëz histori

Ditë të lume nuk shikove kombi im,
mbase nëna i shkrehu mallkimet
kur s’mbante vath në vesh.
Funerali buzëmavijë
shkiste rrugë më rrugë
si me dalë prej zgafellës
nga del një predhë.
I vdekuri mbeti i shkishëruar
pa varr
e kortezhi i pa shuguruar.
Asnjë trim s’polli Judbina
asnjë
të gjithë mbufaten maleve me minj
e malet s’bëzajnë.
Ah, ç’na u futën në dert
bijtë e shembëlltyrës,
mbase nëna i shkrehu mallkimet
kur s’mbante vath në vesh
e tradhëtari tagjitej me bijtë e tij.
Vetëm zgalemët bisht bigëzuar
hapën kraharorin karshi stuhisë
që ua hodhi dritën në zgarbë.
.

Ditë e ëndërrt

Papritmas vetëtiu pranvera
rigoi shi, erdhën tërmete
ikën zogjtë botës së larme,
s’mbeti flatër shpirti nën strehë…
Në dallgë përrenjsh
u mbytën ofshamat e nënave
fytyrë vyshkura si me dalë nga morgu.
Mbeti nishan një copë marxhë e qelbur
në tokën e bukës së kombit.
Vjershëtorja përkëdhelte erën jugore
dhe varg pas vargu
mbi gjethet lakuriqe pranverore
ndjellte lirinë filigrane.
Djemtë trojanë pinin raki në kovaçhanen e fshatit
dhe ia mbathën sytë vidës laramane
që puthte pranverën e shirave dhe tërmeteve.
Ajo nuk dëshiroi të thith ajërin e huaj
rrugëve të botës jallane.
.

Për ato

Figura grash
formë bajameje,
gjunjëprera kërkojnë diellin
kur si grashine në grykë
u ngec fryma e jetës,
ngaqë i shkelën n’besë ata me frak.
Ato vajtojnë veten me ligje,
loti u bëhet breshër mbi qerpikun fije-fije
në shtratin e ftohtë.
Vajin nuk ua dëgjon
as gruaja besnike e burrit gjarpër,
as i bukuri i mrizave, dëllinjave, daullexhinjëve…
O turmë sehirxhinjsh
mos ju rrini para e pas
grave fytyrëlyera me vaj bajamesh
që tempullarët shtinjakë ua thajnë jetën,
kur ato numërojnë nekrologjet
e skenaristëve gojëshqyer
që e hanë botën nga inati.
Veleshtë, 28 prill 2017
.

Zijadin Sela
Zijadin Sela

Afri gjaku

(Legjendës së demokracisë Zijadin Selës)
 
Aromē jete më erdhi
andej nga dejtë e nënēs
kur i miri i Drinit
një natë pranvere
me sy që shkrepëtinin
në shtëpinë e ligjeve
rrotullonte kometet
me fjalë të njerëzishme
me mushtin e një aksiome.
Profeti i një paqeje
zgjaste shikimin
mes poteresh
të atyre që e kishin gjak në sy
gjakun e trimit
derdhur në dyshemenë e ligjeve,
gjakun e sojit tim
në një qelizë të vetme mbushë me histori.
.

Homeri - British Museum
Homeri – British Museum

Sytë e Homerit

(Ulërijnë çaprazët
nga frika se t’mirën dritë dielli ua ke marr
kaltrinë e qiellit n’grushtë po e mba.)
Përmes syrit tënd të përgjakur
pash të paqmen botë Homeri i mirë
kur dita e hajthme zbriti
mbi mitin e këmishës bardhë borë
që mbeti në ashtin e pëllëmbës
së buzëdrinases kur fërkonte me dorë
njollat e plazmës kuq
dalë damarëve tu.
 
Ulërijnë çaprazët
nga frika
se t’mirën dritë dielli ua ke marr
kaltrinë e qiellit n’grushtë po e mba.
Ata u përplasën zgrip
në piskun e vapës
xhuxhë kanë mbetë
s’mbledhin mendtë në gji
të marrosur nga dehja
janë zehru
nga një kup vrerë në gardhe të vjetra kanë vjellë.
Le të digjen brenda gjakut tënd të trazuar
se nadje të kanë bishtnu.
I mblodha gurët e kalldrëmeve
Homeri i mirë
me ua mbyll shikimet çaprazëve
se po të msyshojnë
udhës tënde të mbarë.
Këto ditë të hajthme të kësaj pranvere
sytë në tokë ju kanë piku
gjakun tënd kur e kan pa
hije terri mbi sy ju ka ra,
kanë frikë se dielli rrëmbyeshëm zbret mbi ty.
Prej barkut të nanës së Drinit doli gjama
çdo fije floku e saj
gjarpër u rrit
gjarpër që fishkëllen
e t’bëhet mburojë…
Me helm le ta ngjyejnë bukën çakejtë e tu
se ujët, gurët, fushat me gjakun tënd janë la.
Kurmi t’u mboll mes lulesh të bukura
Homeri i mirë,
hëna e dielli mbi supe po të fle
se hove zgjimi po merr.
ah, hove zgjimi po merr…
.

Përhitje

Skllave më kanë bërë
ca ëndrra të shpeshta,
të gjallë e të vdekur dhunëtar
me tërkuzë zhuke n’duar
më godasin në kurm.
Ç’janë këto ëndrra të vrazhda
që më vënë dhunë
gafil më zënë
dhe tingulli n’fyt më ngec
e arma s’më shkrep.
Ato më heqin zvarrë
hendeqeve të ngushtuara të ditëve
e më ftojnë në misticizmin mesjetar.
Eh, gjumit gjumë
mos i thënça kurrë.
.

Shpjegim

Pa mistifikime për atë Zot
Ma kanë skllavëruar shpirtin ca ëndrra të shpeshta
ku të gjallë e të vdekur vijnë me tërkuzë zhuke në duar
dhe ushtrojnë dhunë fizike mbi mua.
Ç’janë këto ëndrra që më zënë gafil,
më heqin zvarrë hendeqeve të ngushtuara
të ditëve të sotme e më ftojnë në misticizmin mesjetar.
Këtij gjumit tim, mos i thënshin gjumë.
Puntorie Ziba

Shënime për Autoren

Puntorie Muça – Ziba, u lind në Strugë në vitin 1954. Shkollën fillore e kreu në Veleshtë, të mesmen në Strugë, kurse Akademinë Pedagogjike, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Shkup.
Deri më tani ka botuar:
.

Poezi për të rritur:

“Rruga e mjellmës” – 1987
“Sodisin yjet” – 1990
“Kuku” – 1977
“Rapsodi udhëtarësh” -1995
“Suita e lënduar” – 2002
“Suita ime” “Mojata svita” – në gjuhën Maqedone – 2000
“Vega” – 2006
“Edhe qielli mbetet i kaltër” – 2011
“Lulesyri” – poezi anglisht-shqip-maqedonisht – 2013
.

Poezi për fëmijë:

“Yllkat bisedojnë me meteorë” – 1994
“Xixëllonjat luajnë valle natën” – 2007
.

Pjesë dramatike për fëmijë:

“Aventurat e princit Ujkan” – 1999
.

Puntorie Ziba - Ndergjegja e Pleshtit - Roman
Puntorie Ziba – Ndergjegja e Pleshtit – Roman

Tregime për të rritur:

“Shtatë vjet pritje” – 1974
“Te logu i cucës” – 1998
“Mjedra e egër në malin e thatë” – 2003
.

Pjesë dramatike për të rritur:

“Motrat me shirit të kuq” – e inskenuar në Shkup dhe në Teatrin Kombëtar, Tiranë1993 -1994.
“Dorotea” e botuar – 1998 në revistën “Stili”
“Udha e ikjes” – çmimi i tretë në konkursin “Buzuku” , Prishtinë. Botuar – 2007
“Nuk martohem kësaj vere” – 1999
“Zonja me celular” – Monodramë – e botuar në revistën “Jehona”
“Ahengu i grave të qytetëruara”– e botuar në revistën “Jehona”
“Djajtë e netëve të fundit” – e botuar në revistën “Jehona”
“Harta sekrete” – komedi
.

Romane:

“Vjeshtë totemesh” – 2007
“Emma Jazzi” – 2009
“Unë, dhuna dhe Emma Jazzi” – 2009
“Gjurmë dhe ishuj” – roman, 2012
“Ndërgjegjja e pleshtit” – roman, 2016
.
Puntorie Ziba - Ne Ditet e Naimit
Puntorie Ziba – Ne Ditet e Naimit

-Disa poezi të autores, u përkthyen në anglisht, rumunisht, frengjisht, gjermanisht dhe në gjuhën arabe dhe u futën nëpër disa antologji të botuara në Londër, Bruksel, Bukuresht, Damask etj.

-Mirënjohje – Çmimi i tretë në takimet e Poeteshave në Kosovë –Vushtrri 1995
-Mirënjohje për pjesëmarrje si dhe Çmimi i dytë në Takimet e Poeteshave Shqiptare në Kosovë-Vushtrri 2008
-Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi” – Mirënjohje nga Kuvendi i tretë i Grave të Shquara të Kombit Shkup, 2004
-Çmimi: “Hija e penës” për gjurmë në letërsi, nga Shoqata e artistëve “Pushkin” Teovë, 2008
-Mirënjohje dhe çmim për poezi në Festivalin e poezisë të Vllehëve në Maqedoni “Konstantin Belimaçe”- Shkup, 2001
-Çmimi i tretë në konkursin “Buzuku” për dramë për të rritur. Prishtinë, 2007
-Mirënjohje Diplomë nga Klubi i Shkrimtarëve në Botë “Drita”.
Dhe:
Shumë çmime tjera në konkurset letrare për poezi dhe tregime në edicionin e botimeve të “Flakës së vëllazërimit” në Shkup.
-Mirënjohje: “Libri më i sukseshëm mes dy takimesh”, nga Takimet e Pedagogëve krijues maqedonas dhe shqiptarë, në Republikën e Maqedonisë – Shkup,1996.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.