back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Kur gjeta emrin e Gjyshit, gjeta Rrënjët e mia në Perëndim

Gazeta

Kozeta Zylo 2010
Kozeta Zylo 2010

Kur gjeta emrin e Gjyshit… gjeta Rrënjet tona në Perëndim…

Intervistë me publicisten dhe poeten e Këze Kozeta Zylo

Novruz Xh. Shehu (Nacional 30 korrik 2013)

Ju jeni nga Mezhgorani i Tepelenës, një trevë traditash. Çfarë kujtimesh pikante ju ndjekin nga vendi i prindërve tuaj? Po. Unë jam nga Mezhgorani. Kam lindur në Tepelenë dhe jetuam për pak vite, pasi babain e transferuan dhe e çuan si kryetar kooperative për fshatrat Mezhgoran dhe Peshtan, në periudhën e komunizmit… Punoi për disa vite me ndershmëri dhe me një miqsi të pandarë me gjithe fshatin, por më vonë e hoqën me urdhër “nga lart”!!! Kreu punë të rënda në kooperativë së bashku me nënën (Pastë paqe!) e të tjerë gra e burra. Puna e tyre me përmasat e skllavit, pothuaj e papaguar është një nga brengat që më dhëmb vazhdimisht.
Im at, veteran i Luftës Antifashiste, megjithëse me ndershmëri të përhershme, edhe sot është i pastrehë…
Por është fakt se prindërit e mi dhe gjithë fshati, mbasi punonin në vapë e acar, në tufan e të shoqëruar nga blerimi, brenda botës shpirtërore mbanin vend për librin. Ishin dhe janë miq të mëdhenj të dijes. Kjo kulturë në kushte tejet të vështira, dëshmon për vitalitet, inteligjencë natyrale, prirje e ngjitje këmbëngulëse drejt së panjohurës.
Kjo aftësi është pothuaj genetike, duke pasur parasysh faktin se pikërisht tek ky vendbanim mes gurëve (“Mesguras”, emri autokton shndërruar nga sllavët në “Mezhgoran”, në shekujt IX-XXI), janë tre kroje me emrat: i Erës, i Diellit, i Hënës, që sjellin pranë emrat e Perëndive Pellazge, një pasaportë e identitetit në mijëvjeçar.
Në lidhje me kujtimet pikante, dua të them se shoqëria e shkollës fillore, më ndjek në çdo vend të Amerikës, në jo pak moment të meditimit… Sa më shumë rritemi, aq më shumë dëshirojmë të kthehemi tek periudha kur ishim të vegjël, si dega e pemës mbi lastarët.
Jam futur në shkollë në 5 vjeçe, në klasën e parë. S’e harroj kurrë ditën e parë si dhe mësuesit Zoin, Naimin, apo të tjerët. Prindët më mësonin poezi dhe t’i recitoja. Në shtëpi më kishin ngritur një skenë provizore. Kur isha gati, më hipnin mbi valixhen e madhe të gjyshit, që kishte sjellë nga Amerika, si tip sepete me ngjyrë të artë, paksa e lartë… Nuk shkoja në shkollë pa kaluar provën para prindërve… Këtë mënyrë të thjeshtë, por jo pak të rëndësishme, e kujtoj edhe tani. Me mbesën time Dean, improvizoj skenën. Zakonisht përdorim shkallët brenda dhomës, në vend të podiumit…, kur ajo është gati për ndonjë varg.
Kapja e xixëllonjave është një motiv tjetër lirik që mund ta krahasoj përveçse me fëmininë, si moshë dhe me Mezhgoranin si vend.
Mandej krijonim një botë të tërë tonën në rrethin e fëmijëve. Merrnim qershitë e kuqe dhe i vendosnim në vesh.., në vend të vathëve… Improvizonim lojën me litar, duke u hedhur, pranë portës së shtëpisë sime. Nga porta e gurtë gjatë lojërave, kam ende një shenjë në ballë, ku një shoqja ime, natyrisht padashje, më lëshoi majën e çengelit të portës. Më rrodhi gjak. U mblodhën gratë e mëhallës. Më vendosën bimë dhe ma lidhën me shami… Ai nishan i mbetur, ndoshta është një mesazh hyjnor, për të mos ta harruar kurrë vendlindjen.

Rrjedha e Vjosës
Rrjedha e Vjosës

Babai përveçse pasionin për librat, kish pasion për rritjen e bletëve. Kishim disa koshere. Më ka pëlqyer shumë marrja e mjaltit në ditët e bukura të verës. Prindërit vendosnin kokoret dhe tymosnin drejt piteve, të shmangnin pickimin. Zhaurima e bletëve ish një koncert në një kompozim magjik. Ato këndonin në fluturim e sipër dhe mandej rridhte mjalti nga shtrydhja e piteve në makinë… Nëna u servirte mjaltë atyre që vinin, apo kalonin në rrugë… Krijohej një farë feste në këtë lartësi të gurtë, ku jo shumë larg ecte lumi i Vjosës.
Mbledhja e sherebelit është një motiv tjetër që s’mund ta harroj. Ngriheshim herët, shkonim pas prindërve, u ngjiteshim zallishteve ku bleronin kaçubet dhe këpusnim gjethet e i vendosnim në futane… Këndonim këngë dhe në një farë mënyre sfidonim izolimin apo at varfëri të tejskajtë…Njerëzit gjenin mënyra të mbijetonin e të jetonin… Ende më dhëmb fakti që gruri prodhohej në fshat dhe e konsumohej në qytet!!! Një fshat me traditë blegtorale vuante për pikën e qumështit… Rroba e re ishte një ëndërr… Tani jam në vendin më të përparuar e demokratik të rruzullit, me të gjitha kushtet, por motivet e fëminisë s’mund t’i shmang dhe as dua t’i shmang… Dhimbjen s’mund ta shmang, dhe s’përpiqem ta shmang… Remarku pëshpërit nga universi i tij: “Lumturia nuk gjendet asnjëherë në momentet kur ne e jetojmë, atë e bëjnë magjike vetëm kujtimet tona”.
Mezhgorani është quajtur nga shumë njerez si fshat me kulturë, djep personalitetesh? Po, për fshatin tonë thuhej “derë e kurbet”, emigrim, vazhdimisht emigrim. Nuk ka shtëpi në Mezhgoran që mos të ketë patur emigrantë: në Francë, Amerikë, Greqi etj., dhe disa prej tyre mbaruan universitetet më të njohura… Ata që shkuan në Francë dhe Amerikë sollën kulturë franceze mendimin më të përparuar dhe Lirinë që e mbajtën brenda shpirtit. Mjaft prej tyre, ashtu si edhe im gjysh, sollën nga Vatra e Amerikës mjaft libra, një pjesë të të cilave ua mbanin në doganë.
Kryesisht, emigrantët e Francës sollën me vete parimet e iluminizmit dhe kjo ishte një nga arsyet që në vitet 20-të të shekullit që shkoi, fshati i Mezhgoranit u bë epiqendra e mësuesve që u përhapën në të gjithë trevën e Tepelenës.
Dhe jo vetëm kaq. Për të pasur me vete një fragment nga Franca, një rrugeje të fshatit ja vendosën emrin “Bonaparti”, në nderim të heroit të famshëm… Arkitektura e shtëpive të gurta ishte dykatshe, me gurë të gdhendur, brenda oborresh me mure të lartë, që të jepnin imazhin e aristokracisë perëndimore të shkrirë në gurin dhe motivet autoktone.
Mezhgorani është pjesë e Tepelenës, e cila ka nxjerrë burra të përmasave botërore, që kanë rrezatuar ndjeshëm jo vetëm në historinë dhe kulturën kombëtare: Ali Pashë Tepelena (1740-1822), Selam Musai (1860-1920), Sten Dragoti (1932), pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan, aktualisht regjizor i famshëm me përmasa botërore, të cilin kam pasur nderin ta intervistoj në Manhattan.
Në kuadrin e personaliteteve të mëdha të Tepelenës dhe të Shqipërisë hyjnë nga Mezhgorani: Fehmi Bej Mezhgorani (1874-1930), i cili ka kryer studimet në Zosime dhe në vitin 1909, ka qënë kryeredaktori i gazetës “Zgjimi”, duke dhënë kontribut të shquar në vigjilje të Pavarësisë. Sami Mezhgorani, ka dhenë kontribut të shquar në çështjen patriotike shqiptare. Një grup i tërë mësuesish, kanë hapur jo vetëm shkollën shqipe në Mezhgoran, por janë shpërndarë e kanë hapur mjaft shkolla shqipe në tërë trevën e Tepelenës në vitet 30-40. Sejfulla Malëshova (1890-1971), me nënën nga kjo trevë, ka kryer shkollën fillore në Mezhgoran. Ai arriti të bëhej personalitet nga më të shquarit e kulturës dhe politikës shqiptare, disident dhe përkthyes i Zgalemit, me përmasat e përkthimit nolian.
Dr. Përparim Tepelena (1931-1966) një studiues dhe mjek i shquar arriti të zbulojë dhe të mbrojë disertacionin me vlerat e Ujit “Glina”, uji më i famshëm në Shqipëri e ndër tre ujrat mineralë më të famshëm në kontinentin europian. Ana Jakushenko (Tepelena), është studiuese e shquar në Moskë etj. që mund të vendosen denjësisht në panteonin e personaliteteve të Shqipërisë.

Vjosa... pranë Mezhgoranit
Vjosa… pranë Mezhgoranit

Cili është arsimimi juaj si dhe aktiviteti pedagogjik e shoqëror? Mbarova arsimin e lartë për mësuese e gjuhës dhe e letërsisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani.
Ushtrova profesionin e mësuesisë në gjimnazet e Tiranës, pasi ishja e martuar qysh studente dhe kisha një bebe: Valbonën, e cila më krijoi kushte për të punuar në Tiranë pranë bashkëshortit tim Qemalit, i cili në bazë të rezultateve ishte mbajtur mbasi mbaroi Universitetin e inxhinierisë në Institutin e projektimeve të Ushtrisë, po në Tiranë.
Letërsia dhe mësuesia kanë qenë pasioni im i përhershëm. Ato më kanë bërë të komunikoj lirshëm me nxënësit e t’ju krijojë hapësirën e nevojshme për t’u lidhur me botën e artit. Në përvojën time kisha kuptuar se sa më ngurtë dhe pa nerv të komentosh aq më e akullt dhe shokuese do të ishte ora e mësimit për të rinjtë. Në klasë harroja çdo problem familjar a shoqëror dhe bëhesha pjesë e nxënësve, e mesazheve letrare, artistike, shoqërore e pedagogjike dhe ua transmetoja me kujdes, në mënyrë të natyrshme për t’ua bërë pjesë të personalitetit të tyre.
Krijohej një miniteatër me nxënësit, ku aktrimi mësues-nxënës ishte në harmoni, në rezonancë të plotë, duke patur jo pak herë parasysh thënien e poetit të famshëm Robert Frost: “Ka dy lloje mësuesish: ata që jua mbushin me shtëna dhe ju trembin aq shumë sa që s’mund të lëvizni, dhe ata tjetër që ju stimulojnë dhe ju bëjnë të hidheni në qiell…!”
Vetë lënda e letërsisë të vë në lëvizje, të jep jetë… Në gjimnazin “Çajupi”, ku punova, lëvizja, jeta arrihej përmes aktivitete të traditës si p.sh. orët letrare, gazeta “E ardhmja” etj. Spektaklet për Miss “Çajupi” s’ka se si të mos të quhen pjesë e rrezatimit të etikës dhe estetikës së letërsisë dhe artit. Nga ky gjimnaz dolën dhe fituan tre misse konkuruese në Miss Shqipëria: Monika Zguro, Juela Meçani, Vilma Papajani (ish nxënësja ime për katër vjet në kujdestari).
Kam marrë pjesë rregullisht në studiot që u organizuan rreth projektit për zhvillimin e arsimit në Shqipëri nga CDU, seminare që drejtohej nga amerikanë dhe një vajzë e re intelektuale plot energji Blerinda Idrizi.
Në jetën politike u përfshiva me Partine Demokristiane e cila u krijua menjëherë pas PD dhe PR-s gjatë përmbysjes së diktaturës, nga intelektualë të zotë si Prof. Gjergj Ndoja, Inxh. Franc Marku, etj… U zgjodha sekretare e PDKSh-s dhe drejtova gazetën “Ora e Shqipërisë”, për të cilën ju jam mirënjohëse gjithë demokristianëve të Shqipërisë që ma besuan këtë detyrë në Kongresin e saj të parë që u mbajt në Tiranë në vitin 1994.
Kur ka qenë puthja juaj e parë dhe çfarë keni ndjerë në takimin e parë të buzëve të partnerit. Natyrisht ju keni qenë në epiqendër të djemve shumë herët mbasi keni qenë shumë e bukur. Thonë se ju quanin Helena e Trojës për flokët e verdhë dhe sytë e kaltër.
Desha të dija për puthjen e adoleshencës, më magjikja dhe natyrisht më e fshehta… A ja tregove dikujt? Është pak rast unikal, por puthja ime e parë e adoleshencës ka qenë me bashkëshortin tim, me të cilin s’u ndava për tërë jetën. Ka qenë krejt rastësi njohja me të, ndërsa unë ishja në vitin e parë në Pedagogjiken e Fierit, ai vazhdonte inxhinierinë në Tiranë nga kontigjenti i ushtrisë. Puthjen e parë s’ia tregova askujt, por takimet me të morën dhenë se ai vinte nga Tirana dhe më takonte fshehtas… Kështu  filluan thashethemet, na “spiunuan” te drejtoresha e shkollës, e cila thirri me urgjencë prindin tim… Sidoqoftë marrëdhëniet tona mbetën mjaft serioze dhe nga më romantiket e jetës sime… Ish drejtoresha e shkollës, (Bubulina Mici, motra e Fatos Arapit, bashkëshortja e shkrimtarit Aristotel Mici), pasi u njoh zyrtarisht me Qemalin, (i cili kur u emërua në Institutin e Projektimeve si inxhinier, kishte fatin të kishte në zyrën e tij një mikeshë të Bubulinës, Jolandën), do të na e bënte më të lehtë marrdhënien tonë.
Letrat me njeri-tjetrin sa poetike po aq dhe me nektar dashurie, ngelen një arkivë e familjes sonë, që të sjellin shumë humor… po dhe lumturinë e një kohe që s’mund të quhet kurrë e largët…
Në lidhje me epitetet Helena e Trojës, Libera, Kleopatra për brunet etj, ishin të kohës për shumë vajza, ose siç jepen dhe sot pa masën e duhur, ku ka rrezik të dali e gjithë Shqipëria “Miss Bota”!
Ju patët një karrierë jo të vogël së bashku me bashkëshortin. Si i ndihmuat proceset demokratike në përmbysjen e diktaturës dhe cilat qenë arsyet që shkuat në Amerikë? Është e vërtetë që po ecnim relativisht mirë. E mbështetëm me kulturë demokratike dhe sakrificë gjithë procesin e rrëzimit të diktaturës, grevën e urisë së studentëve, ku brenda grevës kishim mikun e familjes sonë prof. Mehdi Shehun, një intelektual plot kulturë dhe kundërshtar i hapur i regjimit. Kemi qenë në gjithë demonstratat që u zhvilluan deri në rënien e bustit të diktatorit dhe të komunizmit, ditë që u nisëm nga sheshi i studentëve, ku me altoparlant na drejtoi drejt sheshit kryesor aktorja e njohur Yllka Mujo. Eh sikur të kisha pasur një aparat fotografik për t’i pasur si relike atë ujin me ngjyrë që derdhën mbi ne makinat e policisë duke filluar para TVSh-s. Apo video thirrjet: “Policia është me ne, policia është me ne!..” Kam lexuar në emër të gjithë mësuesve të Tiranës telegramin në mbështetje të grevës së urisë së studentëve në Pallatin e Kulturës në Tiranë, që drejtohej nga Ylli Vejsiu.
Për të gjitha këto bashkëshortin tim e transferuan nga Ministria e Mbrojtjes, pasi ishin me gishta demokratët që ishin shfaqur publikisht, duke e çuar shef katedre në Akademinë Ushtarake, jo se ishte vend i keq, por u detyruan si rezultat i kualifikimit që kishte, pasi kishte dhënë gjithë provimet e dizertacionit dhe kishte vetëm mbrojtjen e temës. Vendi i punës e kërkonte kualifikimin pasuniversitar!!
Edhe pse bashkëshorti im në kohën e demokracisë punoi në disa institucione të larta, si shef katedre në Akademinë Ushtarake për lëndët inxhinierike, pas kësaj në Korpusin e Paqes pranë Ambasadës Amerikane, ndërkohë kishim edhe autoshkollën tonë private, ku kishim punësuar inxhinierë dhe disa specialistë për makinat… Po e ndjenim se ishte e pamundur jetesa, ngase vendi po shkonte drejt luftës civile… Në ’97, plasën demonstratat nga studentët në Vlorë, firmat piramidale dhe shumë të tjera po sillnin erën e luftës… Liderët e dy partive kryesore ishin në luftë për jetë a vdekje me njeri-tjetrin… Ne ishim të bekuar se e kishim vizën për në Amerikë qysh në Maj të 1996, po akoma s’e kishim vendosur. Në 26 shkurt të 1997-ës, dy ditë para se të mbyllej aeroporti, e vendosëm… dhe u larguam drejt Amerikës! …Ishte e dhimbshme, e tmerrshme të ikje, të ikje sa më shpejt, ndërsa pas shihje se po shkatërrohej gjithçka, po hapeshin depot e armëve, po vriteshin njerëz të pafajshëm… Cili shqiptar s’do të ikte nëse kishte vizën në xhep? Kjo ikje ka qenë nën stuhinë e tragjedisë që po kërcënonte vendin tonë…
A i kërkuat rrënjët e të parëve tuaj si emigrantë atje dhe çfarë ndjesie provuat? Familja ime kishte kohë që kërkonte gjyshërit si nga nëna dhe babai në Amerikë si Hamit Veis Mexhgorani, Muhamet Veis Mexhgorani dhe Shaban Muçi nga Beçishti i Tepelenës (ky i fundit është xhaxhai i nënës sime).
Gjyshi im Hamit Veis Mexh(zh)gorani, kishte ardhur në Amerikë në fillim të shekullit të kaluar, por ishte e pamundur ta gjenim, ngase nuk dispononim asnjë dokument të shkruar. Atë ditë që gjeta emrin e tij, ishte nga ditët më të gëzueshme të jetës, sepse ndjeva rrënjët e trungut, gjeta gjyshin tim aq të dashur dhe fisnik, gjeta gjurmët e tij këtu në Amerikë, rrënjët e pemës sonë në Perëndim…
Gjyshi u kthye në Shqipëri me libra të Fan Nolit, ku disa prej tyre ia sekuestruan në doganë. Që ditën që kam shkelur në Amerikë, gjyshi më dilte në ëndërr… kudo! Që javën e parë, në vitin e mbrapshtë të 97-s, pa u ambientuar ende me Amerikën, doja të shkoja te Statuja e Lirisë për të gjetur në mur edhe emrin e gjyshit tim.

Tepelena... e parë nga Vjosa
Tepelena… e parë nga Vjosa


Shumë përpjekje, shumë kërkime, edhe me vajzat e mia edhe me babanë… shkuam disa herë së bashku, por mundimi qe i kotë, ngase mbiemrin, gjithë emigrantët e asaj kohe e shkruanin me emrin e fshatit nga vinin. Kështu ata shkruanin përpos emrit të babait dhe Me(xh)zhgorani, që në fakt ishte e shkruar me xh jo me zh siç e dinim nga drejtshkrimi… Një ndjenjë ngazëllimi më përshkoi, kur para syve në kalendarin e motit të vitit 1912, të Fan Nolit publikuar në uebin e Vatrës, lexova që një grup i madh mezhgoranasish, kishin paguar për Vatrën. Gjej rast të falënderoj Prof. Peter R. Priftin, At Arthur Liolinin dhe z.Naum Prifti, të cilëve u shkruajta për gjetjen e gjyshit dhe për gjithë emigrantët mezhgoranas që mbështetën kauzën e Nolit…
Prof. Peter R. Prifti, në përgjigjen e letrës së tij, si ish sekretar dhe editor i Diellit në kohën e Nolit, dhe personalitet i shquar i Kombit më shkruante: “Sikundër popujt kanë nevojë të dinë për historinë e kombit të tyre, ashtu dhe njerëzit kanë nevojë të dinë për pjesëtarët e familjeve të tyre që kanë “humbur”, qofshin ata prindër, gjyshër, vëllezër, motra, etj. Kanë nevojë të zbulojnë rrënjët e tyre familjare. Ti je një nga këta fatmirë, që ia arrijnë qëllimit”.
Pak e habitshme, që ju arritët së bashku me bashkëshortin dhe vajzat tuaja të ngrinit televizionin në gjuhën shqip “Alba Life” dhe dy shkolla shqipe. Jemi habitur jo vetëm ne, por edhe komuniteti shqiptar në Amerikë…
Vërtet, si mundët? Po të jesh në Amerikë, s’është  aspak e habitshme të realizosh ëndrrat që ke… Nëse ke vullnetin, pasionin, përkushtimin dhe punën pa orar dhe pa kushte për çfarë kërkon të realizosh. Si gjithë emigrantët, në fillim përballesh me vështirësi të mëdha, sidomos kur je pa dokumentat, por fati ynë ishte që vajzat i sollëm si “exchange student” në shkollë të mesme në Amerikë dhe po vazhdonin universitetet, ndaj nuk patëm probleme të kësaj natyre. Pra ishim më të lirshëm. Ndërsa bashkëshorti kishte ardhur i përgatitur totalisht sidomos gjuhën e njihte mirë…
Arritja, ndoshta ndodhi edhe nga profesioni i mirëfillte si mësuese e letërsie. Kam qenë gjithmonë ëndrrimtare dhe besoja në realizimin e tyre (edhe pak fluturim!!). Ky lloj ëndërrimi më sjell pranë fjalët e nobelistit Anatole Franc: “Për të arritur gjëra të mëdha, nuk duhet vetëm të veprosh, por edhe të ëndërrosh, jo vetëm të bësh plane, por edhe të besosh”. E kam pasur ëndërr të bukur artin, poezinë, TV-n, dhe pse një copëz e këtyre më ishte realizuar në Shqipëri, nga vajza e vogël Klodiana, atëhere adoleshente, e cila ishte drejtuese e emisionit për fëmijë tek “Pafi” në TVSH. Duke pasur një përvojë disavjeçare si bashkëpunëtore e TV Kultura Shqiptare, me producent Adem Belliun, që e falënderoj, ndërsa Qemali mbaroi për programim kompjuteri në një kolegj në Amerikë, i cili doli valeditorian (studenti më i mirë), ne ishim të gatshëm për shumë gjëra teknikisht dhe profesionalisht.
Kështu vendosëm të hapnim TV “Alba Life”. Pasi u trajnuam për më shumë se një vit nga TV amerikan në Staten Island, New York, u licensuam ligjërisht, dhe filluam transmetimin e emisioneve.
Emisioni i parë ishte për Shkollat Shqipe, shkolla që i hapëm ligjërisht me leje nga Bordi i Edukimit të Nju Jorkut. Ndërkohe që jepnim mësim në shkollën shqipe dhe po punonin shumë për të sjellë fëmijë dhe për t’i mësuar ata. Duhet të kuptojmë se nxënësit e lindur këtu e kanë mjaft të vështirë të folurën shqip… Por bashkëpunimi plot kulturë me mësueset që kanë qenë bashkë me ne, e ka bërë më të lehtë… Gjithashtu dhe bashkëpunimi me Z.Amir Suka që është drejtori i programit në TV, ka bërë që ne të të realizojmë punë të devotshme. Pra, përvec vullnetit, bashkëpunimi ka sjellë sukses.
Pastaj vazhduam më tej me hapjen e shkollës tjetër në Brooklyn dhe emisionet u shfaqen me orë më të zgjatura, e me ditë më shumë. Ndërkohë tani jepen emisione dhe në paketën digitale TV Alb.

5 vjetori i Alba Life
5 vjetori i Alba Life

Cilët janë disa nga personalitetet e shquara që keni intervistuar? Kam pasur fatin të bashkëpunojë qysh në fillim me gazetën e mirënjohur “Illyria”, “Dielli”, TV Kultura shqiptare… më vonë me TV Alba Life… Kam intervistuar shumë personalitete, ku mund të përmend disa prej tyre si:
 Stan Dragoti, Regjisor i Hollivudit, Prof. Peter R. Prifti, At Artur Liolin, Prof. Sami Repishti, Dr .Elez Biberaj, Prof. Shenasi Rama, ish Kongresistin Joe Dioguardi, Këshilltarin James Vacca, Avokatin Sabri Gjoni, Mark Gjonaj, Fotografin Fadil Berisha, Tony Dovolani, Ermira. Çunmulaj, Amir Suka, Dritan Mishto, Ruben Avxhiu, Eduard Dilo, Viktor Martini, Lek Pervizi, Grid Rroji, Sali Berisha, Arta Dade, Teuta Arifi, Ibrahim Kolari, Avokatin Steven Kaufman, Dr. Gjon Bucaj, Dr. Gani Abazi, Agim Shehu, Pëllumb Kulla, Naum Prifti, Novruz Shehu, Fatos Kongoli, Gjekë Marinaj, Ramiz Gjini, Adnan Mehmeti, Dalan Luzaj, Skifter Këlliçi, Pirro Loli, Petrit Ruka, Demir Gjergji, Hajro Ceka, Aurela Gaçe, Entela Barçi, Bledar Maqellara, Diana Zerega, Richard Lukaj, Gani Perrolli, Blerim Cami, Petrit Lumaj, Ken Biberaj, Emin Egriu, Edmond Xhani, Petrika Melo, Lindita Tole Mezini, Ylli Baka, Sokol Asllani, Taulant Hoxha, Sali Bollati, Kadrije Pronjo, Ibrahim Kolari, John Hodgson, Peter Lumaj, Klerikët Dom Pjetër Popaj dhe Edin Gjoni, Joshua Martson, Andamiano Murataj, Dhimitri Ismaili Valona, Roland Uruçi, Herion Mustafaraj, etj…
Cili është vlerësimi për televizionin, shkollat shqipe që ju drejtoni, së pari nga shteti amerikan po edhe nga shqiptarët? Si Bord i TV Alba Life sapo festuam 5 vjetorin e tij. Në këtë 5 vjetor, morën pjesë shumë personalitete të shquara të politikës, artit dhe kulturës, organizata të mirënjohura, Konsulli i Përgjithshëm z.Dritan Mishto dhe qindra njerëz të thjeshtë që i shohin rregullisht emisionet në TV. Gjithashtu dhe bashkëpunimi me median si gazeta e mirënjohur “Illyria”, Kultura Shqiptare, TV Alb apo Shqiptarë të Amerikës, e kanë bërë edhe më të lehtë përhapjen e kulturës dhe lobimin e çëshjtes kombtare. Pjesmarrja e gjerë e tyre është vlerësim për punën e Bordit të TV Alba Life, ndërkohë kemi marrë një sërë çmimesh nga organizata të ndryshme të Diasporës. Në këtë 5 vjetor, përmes një video-mesazhi përshëndeti edhe Kryetari i Bashkisësë Nju Jorkut, Michaele Bloomberg, një personalitet i shquar botëror, i cili falenderoi për punën që po bën TV Alba Life në Amerikë.
Keni botuar disa vëllime me poezi. Ku e keni marrë frymëzimin dhe a është poezia për ju një domosdoshmëri apo një pasion i çastit që duhet të hidhet në shkronja? Kam botuar katër vëllime me poezi dhe një libër me esse dhe kritikë letrare, të botuara më parë në gazeta të ndryshme. Ndërkohë kam në proces dy libra të tjerë… Por dua të theksoj se poezia është dashuria ime, në tërë parametrat e imagjinueshme… pas saj… vijnë essetë…
Po librat dhe shkrimtarët i vlerëson koha, gjykatësja më e pakompromentueshme…
Natyra e vendit ku kam lindur, ma ka dhënë këtë mision magjik e pothuaj hyjnor. Nata e mëndafshtë nën Hënën e bukur, midis malit lirik të Trebeshinës dhe Shëndellisë, ku mund të gjendej dhe gjilpëra në kashtë, rënia e lehtë e borës nën ndriçimin e magjishëm të rrezeve të saj, kanë qenë mahnitëse dhe ma mbajtën përjetësisht peng botën time shpirtërore.
Këtu në Amerikë, me natyrën e vendlindjes në kujtesë, citoj Pablo Nerudën: “Unë jam rritur në këtë qytet, poezia ime ka lindur në mes të kodrës dhe lumit, ajo mori zërin e saj nga shiu, dhe si lëndë drusore, ajo kalonte veten në pyje…”
Bukuria dhe shpirti mezhgoranas më kanë mbajtur dhe më mbajnë në gjendje dehëse për tërë kohën, ato janë melhelm për jetën dhe për poezinë…
New York, 20 Korrik 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.