Kjo nuk është poezi,
janë thjesht ca shënime të mikes sime, Elda Filipeu
për të shtrenjtin e saj, babane: Fotaq Filipeun.
I kisha lënë diku sepse më pëlqente shumë kjo sinfoni e saj
e një bije të vetme për prindin e saj të shtrenjtë.
Kush e ka njohur nga afër muzikantin Fotaq Filipeu,
e kupton sa te merituara janë këta rreshta që ua kalojnë vargjeve
dhe sa krenar do të ishte cilido prind i kësaj bote
që një fëmijë të shkruante pak rreshta, si këto të mikes sime Elda!
jozef radi
Dashuri për babanë tim
nga Elda Filipeu
Askush s’mund ta besojë sa shumë e kam dashur tim atë!
Kemi qenë si shokë edhe pse me aq diferencë mes nesh…
E doja shumë babanë tim, shumë… Më shumë se shumë…
Pse nuk ishte vetëm babai im, ai ishte vëllai im, ishte miku im më i mirë…
Ai ishte shoqja ime, motra ime, mamaja ime, i dashuri im…
Ishte gjithnjë ajo gjëja më shumë…
Nuk di nëse është e mundur më shumë se kaq…
Sepse ai dinte të më jepte aq shumë butësi,
aq shumë mirësi, aq shumë ngrohtësi, aq shumë dashuri…
Tim atë e doja deri në dhimbje, e doja më shumë se shumë!
Vuaja vuajtjet e tij, vuaja fatin e tij, vuaja zotësitë e tija të vrara…
Prandaj një pjesë e thellë e imja vdiq me ikjen e tij…
Një pjesë e imja ende sot vuan vuajtjet e tij, një pjesë e imja iku me ikjen e tij…
E doja shumë babanë tim… E dua akoma njëlloj, shumë…
Ndoshta tani mbase më shumë… se shumë.
Dhjetor 2015,