back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Botticelli dhe Kërkimi i Hyjnores… nga Ilir Seci

Gazeta

Sandro Botticelli - Lindja e Veneres
Sandro Botticelli – Lindja e Veneres

Botticelli dhe Kërkimi i Hyjnores…

nga Ilir Seci

…Tue kundrue ekspozitën –
“Botticelli dhe Kërkimi i Hyjnores”
nji ekspozitë e hapun me 15 Prill 2017,
Muzeun e Arteve të Bukura në Boston,
(Museum of Fine Arts Boston).
Sandro Botticelli - Zgjedhja e Parisit
Sandro Botticelli – Zgjedhja e Parisit

Stili i veçantë i mjeshtrit italian Sandro Botticelli, me figurat e zhdërvjellta plot jetë, që gjallnojnë ndër pëlhura, pat mbrritë me u ba simbol i Rilindjes Italiane dhe veprat e tij mbrritën me qenë nga ma të njoftunat në botë. Botticelli asht nji prej mjeshtrave që ka naltësue ma së shumti figurën e femnës në tanë artin figurativ botnor, prej Shën Mrisë së Virgjën e deri te Venusi, në tanë artin e tij, femna asht përjetësue si mishnim i Hireve, Finesës, Elegancës dhe Bukurisë. Mjeshtri Sandro Botticelli, që ka pasë si mecenë, (mbrojtës dhe përkrahës), familjen e fuqishme Mediçi, ka qenë i njoftun në pjesën ma të madhe jetës së tij, me përjashtim të vjetëve të mbramë të jetës, kohë kur pat lanë përgjysë, pa përfundue disa nga pikturat e tij, nji fazë kjo mjaft dramatike e jetës së tij. Deri në vjetët e mbramë, Mjeshtri krijoi pandërpremje, imazhet e Zojës së Shenjtë, imazhet e miteve të lashtësisë ku gjithëherë dolën në spikamë figurat e prajshme të realizueme prej tij, figura engjëllore që kajherë janë në kontrast të plotë me kohën e trazueme në të cilën u pikturuen, në kontrast me vuejtjet e përditshme të vetë autorit.

Sandro Botticelli - Minerva dhe Centauri
Sandro Botticelli – Minerva dhe Centauri

“Botticelli dhe Kërkimi i Hyjnores” – asht nji ekspozitë e hapun në Muzeun e Arteve të Bukura në Boston, (Museum of Fine Arts Boston), nji ekspozitë që shpërfaq pikërisht ndryshimet në stilin krijues të gjigandit “Rinascimentos”, Sandro Botticellit, ekspozite ku shpërfaqet ajo landë krijuese e nxjerrë në pahun e kontekstit te ndryshimeve socio-politike që ndodhen në Firence gjatë kohës së tij, ngjarje që gati e patën fshi e zhdukë përgjithmonë edhe vetë krijimtarine e këtij mjeshtri gjigand.

Nji gja interesante lidhun me këtë ekspozite asht se, pavarësisht nga fama e madhe e piktorit, kjo asht ekspozita e parë e madhe e veprës së Botticellit realizue në Shtetet e Bashkueme të Amerikës.
Sandro Botticelli - Virgjnesha dhe Fëmija (Madona e Librit)
Sandro Botticelli – Virgjnesha dhe Fëmija (Madona e Librit)

“Botticelli dhe Kërkimi i Hyjnores – asht nji ekspozite që mblodhi bashkë 15 piktura nga Sandro Botticelli, marrë me hua nga e famshmja “Galleria degli Uffizi”, në Firence, nga disa kisha dhe muzeume në Itali si dhe nga muzeume tjera si, Muzeu Isabella Stewart Gardner dhe Muzeu i Artit të Harvardit. Në ekspozitë paraqitej edhe nji version i Venusit të famshëm të Botticellit, realizue diku nga vjetet 1484-1490, vepër kjo e marrë hua nga Galleria Sabauda e Torinos, vepër që ekspozohet për herë të parë në Shtetet e Bashkueme. Ne këtë kryevepër asht paraqitë njeni nga dy versionet ekzistuese të Venusit që Botticelli ka pikturue mbas kryeveprës “Lindja e Venusit” (1486), e cila gjindet në Firence në Galerinë Uffizi. Piktura e Venusit e ekspozueme në Muzeun e Arteve të Bukura në Boston paraqet Venusin të vetme, tue qendrue në të famshmen “contrapposto pose” të njoftun prej Artit Italian ku figurat jepen të hepueme pse peshën kryesore të trupin e kanë lshue mbi njanën kambë. Perëndesha asht e qetë, medituese, me flokët e gjata të mbledhuna që lshohen mbas shpine dhe i mbrrijnë deri nën brez. Kjo asht poza e paraqitun te “Lindja e Venusit” nji kryevepër e Botticellit e realizueme në kulmin e karrierës së tij, mendohet se ka qenë porositë nga familja Medici si nji dhuratë martese, sepse në atë kohë, pikturat e Botticellit me temë mitologjike, me figura perëndish të zhveshuna ishin shumë të kërkueme. Ma vonë në jetë, mjeshtri i kapluem nga devocioni fetar i pat denoncoue bash këto vepra si “Pagane” dhe disa studiues mendojnë se edhe mund t’i ketë shkatërrue shumë prej këtyne pikturave të tij me subjekte pagane.

Sandro Botticelli - Virgjnesha dhe Fëmija me Shën Gjon Pagëzorin
Sandro Botticelli – Virgjnesha dhe Fëmija me Shën Gjon Pagëzorin
Botticelli leu në Firence, në vjeten 1445, dhe studioi nën drejtimin e mjeshtrit Fra Filippo Lippi. Botticelli vjen në kohën e kulmit të Rilindjes, tue kenë bashkëkohës me Pietro Perugino, Domenico Ghirlandaio, Filippino Lippi, (djali i Fra Filippo-s), Cosimo Rosselli, Andrea del Verrocchio dhe Leonardo da Vinci. Botticelli pat gëzue patronazhin e Familjes Medici, falë përkrahjes së tyne, në mesin e viteve 1480, Botticelli pat pikturue edhe nji cikël afreskesh për Kapelën Sistine. Mirëpo fati i Botticellit ndrroi kur Familja e fuqishme Medici u përzu prej Firences dhe sekti fetar apokaliptik i Fra Girolamo Savonarolas mori kontrollin e qytetit. Savonarola siç dihet ishte mbështetës i nji vizioni puritanik të shoqnisë dhe profetizoi ardhjen e nji përmbytje të madhe biblike në kjoftë se njerëzit nuk e shpëtonin veten nga tana mëkatet laike si dhe nga jeta me lukse të tepërta. Asht kjo kohë kur Botticelli bjen nën ndikimin e Savonarola-s dhe bahet pasues i zjarrtë i tij, duke braktisë punimet me tematike mitologjike. Në fakt si shkruejnë disa studiues, na kurrë nuk kena me e ditë saktësisht se çfarë kryeveprash si “Lindja e Venusit’”, mund të kenë përfundue në flake në këtë fazë të jetës së Mjeshtrit.
Sandro Botticelli - Virgjnesha dhe Fëmija
Sandro Botticelli – Virgjnesha dhe Fëmija

Ekspozita “Botticelli dhe Kërkimi i Hyjnores”, difton bash njato ndryshimet në stilin e piktorit, mbasi ai pat hjekë dorë nga mënyrat e tij tokësore të pasqyrimit në art dhe nisi me u përfshi me zell në pasqyrimin e temave fetare. Nji nga subjektet ma të preferueme të Botticellit ka kenë, “Virgjnesha dhe Fëmija”, që asht e paraqitun në kët ekspozitë. Përdëllimin e tij fetar, mjeshtri ma së ploti e ka paraqitë në punimin “Kryqëzimi Mystik”, (realizue rreth vitit 1500, pikturë e marrun hua nga nga Muzeu i Arteve të Harvardit), vepër ku theksohet nji ndjenjë krejt e ndryshme nga fryma e fillimeve, ma të errta, tue diftue me nota apokaliptike në pikture mësimet e Savonarolas të vitit 1498, mbi përmbytjen biblike. Krishti i kryqëzuem, ka në sfond nji re të zezë tymi që ngrihet e errët mbi qytetin e Firences, nji kumt i qartë mbi mëkatarët e zhytun ne mëkate.

Studiuesit kanë shkrue se në vjetët e fundit të jetës, Botticelli rrnoi në nji vorfni ekstreme. Sikur mos të ishin përkujdesun Medicet për të, shkruejne disa studiues, mjeshtri do kishte vdekë urie. Mbas vdekjes së Mjeshtrit me 1510, punimet e Botticellit u harruen dhe ky mjeshtër gjigand nuk u trajtue deri në shekullin e 19-të, kohë kur u zbulue nga mjeshtrat Dante Gabriel Rossetti dhe John Everett Millais, të cilët u mahnitën prej artit të tij. Mbas shekullit të njizetë emni dhe fama e Botticellit mbrritën aty ku u takonte, aq sa midis viteve 1900 dhe 1920, për mjeshtrin Botticelli janë shkrue ma shumë libra se për çdo piktor tjetër.
Ekspozita “Botticelli dhe Kërkimi i Hyjnores”, që asht hapë me 15 Prill 2017, në Muzeun e Arteve të Bukura në Boston, dhe ka me qenë e hapun deri me 9 korrik 2017.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.