Lym Alla dhe… oficeri i Kufirit…
nga Adriatik R. Dosti
Rrinim një natë të bukur fundgushti në verandën e një Hotel – Restoranti në Shkup me të madhin dhe legjendarin e bardhëebluve të futbollit shqiptar Prof. Myslym Allën! Ishim: unë, Ali Mema, Prof. Lymi dhe Enver Shehu… Pasi kishim ardhur për një ndeshje miqësore Tirona – Vardari me ftesë të kampiones së Maqedonisë… Vardarit të Shkupit…
Duke diskutuar e folur gjatë për ndërhyrjet e politikës në sport dhe të njerëzve inkompetentë… ku Lymi ka histori të mrekullueshme, sa gazmore po aq edhe tragji-komike… Në një moment duke vënë buzën në gaz na drejtohet…
-Ehhh… ç’më kujtut nji histori të bukur në Pogradec…
…Sapo isha thirrë për me drejtu për së dyti Kombtaren… Ishte viti 1972. Po pinim nji kafe me Prof. Ilia Shuken, te Turizmi i vjetër, e po diskutonim për ndeshjen e radhës me Republikën Demokratike Gjermane, që n’atë kohë pothuajse ishte në kulmin e saj…
Kur… hop-hop, na vjen dikushi që me sa dukej njihej me Shuken, pasi u përshëndetën dhe u përqafuan …dhe kërkoj të ulej e ta pinte kafen me ne!
Më panë në sy… sikur kërkuan aprovimin tim, dhe unë u thashë ok, pa problem… Por jo me ndejtë gjatë se kemi bisedë pune e nuk është se thjesht po rrijmë të pijmë kafe.
Pasi filloi ta rrufiste kafen, ”mysafiri” nisi të cicërojë e të na japë leksione për futbollin…
Jo po pse luani kështu e nuk luani ashtu… jo po pse fut ketë e nuk fut atë në formacion… jo po pse nuk e nxjerr në sulm filanin por e mban të lidhur në mesfushë… jo pse ke grumbulluar këtë e ke lënë jashtë atë etj etj…
E dëgjova për nja 5 minuta, dhe me thonë të drejtën me iku tepeleku i kokës.
.
Me atë gjuhë jo që s’guxonte dot kush të komunikonte me mua… por as që kisha lejuar dikë, as tek Tirona e as në Kombëtare të më fliste në atë farë feje.
-Çfarë pune bon ti mor shok… domethonë çfarë zanoti ke… e pyeta me nervin bomun kaçurrel…
-Unë jam Oficer i Ushtrisë Popullore… Oficer kufiri! – m’u përgjigj menjëherë. A thua se po më thoshte se sapo jam dipllomuar për trajner futbolli!
-Nigjo mor çun… ju drejtova pasi nuk besoj se duhet të ishte më shumë se nja 30 vjeç, – E di çke ti?! Futbollin na e le neve të diskutojmë mua dhe Ilian se që të dy kemi bo nji hale shkollë për këtë zanot…
-Ti mor gjalë, (djalë në dialektin tironas) hik ne ruj kufinin… se ke po na hy nonji revizionist jugosllav nga ata të Titos e ke po na gje me brekë nëpër kom… se helbete mund të jemi duke bo ndonjë seancë stërvitje… Ene ty po t’gje belaja masanej, se ne këtu na ke… në punën e zanotin tonë. Ene mos harro hudh një sy e vre (shiko në dialekt tironas) ene andej ka Komandanti… se osht këtu me pushime e larg qofte se po na e gje gjo… se oficerat e kufinit na qenkan kthy në trajnera e specialista futbolli…
Po arrita unë me m’dhon men nji oficer se si duhet me lujtë Kombetarja apo Tirona ime… m’paska hor (honger dialekt tironas) dreqi me kohë e qekam bo për ke 17 (pavioni i të çmendurve). Nigjove… nigjova thuj…!!
Tani o xhaba… maroje at kafe… e të boftë mirë… e ke t’pagume prej meje… e na le rehat n’punë tonë…
Oficeri u skuq e u bo flakë m’surrat… por nuk bzojti (foli – dialekt tironas)… ene kafen s’e maroj… po u çu ne hiku… ka sytë – komët…
Këtë episod na tregoi atë natë gushti të gati 20 e kusur viteve ma parë… i modhi Lym Alla…
Dhe nuk e di pse m’u kujtua kjo histori këto ditë tek u ndeshëm me largimin e De Biazit por edhe me sharlatanizmin e një spoti elektoral Pro-PS… të dy prej lojtarëve më të mirë të Kombetares shqiptare… Hysaj dhe Sadiku… ku fjala Turp… do të ishte minimumi i ndonjë lloj etiketimi të mundshëm…
15 qershor 2017