back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Kujtesa e Mjegullës (Tiranë 2000) – Jozef Radi Cikel poetik me 12 poezi (1987-1994)

Gazeta

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

Kujtesa e Mjegullës – Jozef Radi (Tiranë 2000)

Cikel poetik me 12 poezi (1987-1994)

Ky cikël poetik asht shkëputë nga libri im “Kujtesa e Mjegullës”, botue në vitin 2000.
At kohë sapo kisha nisë jetën e emigrimit, por poezitë u përkasin viteve 1985-1999. Duke pasë mardhanie hermetike me shtypin letrar, për arsye që tashma dihen, më qe mbledhë aq shumë material sa s’dijsha si me u sjellë me vargjet e mia. Për paradoks, ciklin tim të parë poetik, e pata botue në nji revistë arbëreshe: “Katundi ynë”, në vitin 1991.
E paraqes sot këtë cikël, mbasi ndjej mjaft dhimbje për librin “Kujtesa e Mjegullës”, pse m’u desht me përmbledhë në të mjaft, poezi mbështetë veç mbi kriterin kohor, gja e cila sot, jo vetëm s’më pëlqen fort po edhe më trishton disi.
Libri në fjalë po redaktohet mbi kritere ma rigoroze dhe po shihet si mundësi e nji antologjie të arthshme…
Edhe pse kanë kalue 25 deri në 30 vite, në shumë prej ktyne poezive ka nji trazim e dhimbje të thellë që vlen për sot e përgjithmonë! Kjo me len me kuptue, se diçka mundet me mbetë prej krejt këtij mundimi, edhe pse koha e as kritika, s’kanë pasë fort ngé me u marrë me poezinë (me temen hiç e hiç)… Tash rashë n’dorë tuej me m’lexue… po veç mbas votimit!!!!!
Lexim të kandshëm miq, dashamirë t’mi e t’poezisë!
Jozef Radi, 24 qershor 2017
.
Jozef Radi - Kujtesa e Mjegulles (2000)
Jozef Radi – Kujtesa e Mjegulles (2000)

Iu luta barit…

Iu luta barit
t’mos bleronte
kah ecnin kalimtarët,
iu luta
po bari heshti,
për kundër lutjeve të mia
ai bani të vetën,
bleroi e s’reshti
dhe flokët e tij të buta
ndër shoje këpucësh mbetën.
 
Tash rrin strukë rranjëve
tuj pritë hapat m’u shterrë
e me blerue
lutjet e mia të shkeluna.

1987

.

Shpëtojeni Venecien

Shpëtojeni Venecien!
Qytetin që humb nga pak në puthje të detit
perlën që peshqit nën velza e mshehin
me e shëtitë thellë në blu të harresës
 
Shpëtojeni Venecian.
qytetin pulëbardhë të gurit pa flatra
qytetin gondol, qytetin andërr,
qytetin që vuen prej detit
e që pa detin vdes
 
Shpëtojeni Venecien!
Gjithmonë do t’jetë nji qytet
që vuen t’mos e humbë tokëdetin e vet!
Ndoshta nji ditë në det të dëshpërimit
ndonjeni prej nesh ka me u ndje Venecie
nën kthetrat e klithmës,
po ka me dalë me siguri dikush prej jush
e n’ulërimë ka me thirrë:
Shpëtojeni, shpëtojeni Venecien!!
1987
.
Paul Signac - Venezia - Canal Grande
Paul Signac – Venezia – Canal Grande

N’ditët e rrëzimeve të mia

N’ditët e rrëzimeve të mia
i jam lutë Zotit
mos me m’zhytë ma thellë,
i jam lutë diellit n’perëndim
për nji fashë drite
nga fundjeta e nji dite
mbi ballë t’ma lidhë…
1990
.

Festa e vdekjes

Vdesim përditë nga pak
e s’mund ta presim vdekjen
pos si festë.
 
Eja t’vdesim nji cope.
Le të jena edhe ne
n’festën që askush s’na thrret,
le t’i çlodhim marritë tona prej fjale e mllefi
le t’i bashkojmë urat e këputuna
e t’rilindim prej andrrash të djeguna,
eja t’i rrshqasim kësaj bote
ku aq pak vend ka mbetë
me jetue njerëzisht,
e ku askush s’na pengon me vdekë
si duhet.
1990
.

Apokalips

Bota u përgadit kapele
të mbetunve pa krye.
 
N’arkivole pafund
monton hekura dhe muzgje
e ato shfaqen të frikshme si blinda..
 
Në kët vorbull çmendie
dikush m’cerriti n’telefon:
“Jetoj n’harmoni të plotë
me pjesën teme të vdekun!”
(Unë s’di ç’ka t’baj me t’gjallët e mi!)
 
Bota u përgaditi krye të hekurt
njatyne që ju ka mbetë veç kapelja.
1990
.

Ditë ankthi

Kjo ditë
e ngushtë si kthinë,
na ngujue njaty
asnjiherë ma shumë se vetëm.
 
Mbrenda saj rrimë,
gatuejmë, hamë,
flejmë, presim lajme me tru t’lamë,
aty puthena, dashunojmë,
shuejmë netë t’përvlueme afshi
shkruejmë mureve të zbrasta
grindje e marrëzi t’arta,
po asnjiherë ma shumë se vetëm.
 
Zhytë n’langje të kësaj dite,
askush s’e mban mend
braktisjes së mitrës.
Lindëm, pse askush s’desht
me i dështue fatkeqsitë e veta,
dhe befas kjo botë u gjet
fytas me viktima.
 
Tash jetojmë si kopé vetmish
n’ankthe ditësh mbetun ndër kthina,
përgjojmë, spiunojmë
shkruejmë letra anonime vetvedit,
si klysh qensh luejmë me bishtin,
po asnjiherë ma shumë se vetëm…
1990
.
Kujtesa e Mjegullës 2000
Kujtesa e Mjegullës 2000

Frikë prej asaj që asht dhe s’asht

A frynë ndoj fill shpresë
njaty ku perëndon dita juej?
Njaty ku muzg asht e muzgu s’asht
ku livadhet rrzohen n’shplakë të flladit
e kalben heshtas n’peshë të vetvedit?
 
A asht ndokush prej jush
që u jep kah ernave të marra
kah të fryjnë e kah t’mos fryjnë,
dhe karavelat tona t’stërlodhuna n’pritje
ma së fundi të mbrrijnë?
 
A shihet ndoj gjurmë plaku andej pari
që mbjell hije pemësh e lule për të palindun,
që n’egërsi të natës epshore
sjell imazhe të kristalta foshnjash?
 
A ka me dalë ndokush prej nesh burrë
që s’i erdh ndot pse qëlloi burrë?
 
(Ndoshta edhe ka me dalë
po nata me kundrat e grisuna
rreth vedit sillet e përsillet
mbytë në frikë
prej asaj që asht dhe s’asht
s’gjen shtegun kah iket.)
1991
.

O bij të heshtjes dhe durimit

O viktima të heshtjes dhe durimit
o bij të britmës deri n’çmendì,
o nipa të frikës dhe mashtrimit,
o skllevën t’gjunjzuem nën dhunë
të këtij shekulli me fasadë lirie,
o zogj të krenarisë dhe poshtnimit
mplakë ndër gjurmë heronjsh të zbehun
dhe njasaj s’nesërmes që s’mbrriti kurrë,
o engjuj krahëhumbun n’grykësi të krimit
ejani, çlodhuni n’kujtesën teme të vrazhdë,
n’barakën time pa mure, pa dyer, pa çati,
askush s’ka me ju përgjue n’andrrat e unta,
as njato rrugë mundimesh t’pafundme
prej heshtjes në heshtje
askush s’ka me ua sosë…
 
O Sizifë kohnash moderne,
o nipa të heshtjes dhe durimit
Mos harroni: pasosmënisht
rreth jush kanë me u vërtitë
tentakulat e krimit!
1991-1997
.

Tmerri ikjes

Ikim vëlla, ikim
këtu rakinë e pijnë me opingë
e vdesin n’se mikun n’gosti
s’e gjejnë viktimë.
Këtu sharrojnë barkun e natës
me krisma t’marra, me qeshje e zgërdhime,
mandej i mbledhim gzhojat nëpër terr
e me to u fryjnë melodive…
 
Ikim vëlla, ikim,
këtu tymi shkon teposhtë
e rrugët e ngushta s’çojnë askund,
këtu asgja s’ka emnin e vet,
ata që mbjellin janë krejt pak
e ata që duen me korrë, pacak…
 
Ikim vëlla, ikim
e mos u lodh hiç me m’bindë,
kët trishtim t’ambël s’e gjejmë
as kah perëndon e as kah lind.
 
Ikim vëlla, ikim
shi bjen mbrenda nesh
jashtë nesh stuhi…
1991
.

Ditëvrasësit

Këtu asht e kotë me trokitë,
lodhesh n’pritje e s’të përgjigjet kërkush,
sa herë dera hapet t’rrejnë me patjetër
e n’se ti me patjetër u përplas nji rrenë
t’respektojnë, e ta hapin kanatën tjetër.
 
Dhe dita merr teposhtën ndër llume filxhanesh,
prrenj fjalësh lshohen teposhtë pa mbrritun askund
këtu s’lodhet askush
s’vrami ditë me rrahse mizash,
e n’pritë profecive t’karrierës u rrinë,
tuj ngrohë pritueshëm shpirtna e shpresa
pa lëvizë nji dekik prej shiltesh t’kahershme.
 
N’këto dyer
si porta kështjelle
asht e kotë me trokitë,
njaty, veç gjuha e shkelmit mund flitet!
1993
.
 Asgja s’ka me ndodhë n’se shpirti yt s’ngjit naltsitë e flakës

Asgja s’ka me ndodhë n’se shpirti yt s’ngjit naltsitë e flakës…

Vdekja e verës

Vera vdiq mbramë papritun.
Stuhija u kujdes n’imtësi
me i shlye gjurmat e saj.
Hareja e stinës pezull
i lypte nji fill frymë flladit
dhe frutat e pambrrime prisnin
ndër degë të shqyeme andrrash.
 
Vera vdiq mbramë ndër sy të ndezun.
Asnji pemë e blertë
n’çorodinë e dhimbshme t’ikjes,
asnji shpend shtegtar n’qiell,
asnji fjalë malli ndër buzë
veç nji kaktus si puthje e gjembtë
shkulte për këmishe stinën e zjarrmit.
 
Si gjithçka e vdekshme shkoi edhe kjo verë.
Gjurmat e stinës shëtitë deri n’marrì
Ne s’ditëm me e mshehë,
tash s’po dimë me e ndalë hikjen e saj,
as rrokullimën e diellit n’horizont
as bulshitë e fyejve të erës mbas shpine.
 
Vera vdiq mbramë papritun.
Përlotja e saj i la t’hidhta buzqeshjet
puthjet e prushta i ktheu n’kujtime.
Shkoi njashtu si re e shprishme mbi det të trazuem
lamtumirë e pakthim ndër brigje vetmie.
Tash kufoma e saj shëtit ndër shpirtnat
e krejt njatyne që e deshtën ma fort
e ndoshta t’parët kanë me e harrue…
1993
.

Asgja…

Asgja s’ka me ndodhë
n’se shpirti yt
s’ngjit naltsitë e flakës, asgja!
Ditët kanë me mbetë po njato
ndoshta pak ma t’zbehta, ndoshta pak ma gri
prej smogut t’kësaj jete të çmendun
që kurrë s’u ngì me lodhjet tona.
 
Veç kur gjanat t’nisin me u harrue,
atje përfund greminës ke me prekë
mrekullinë e kohnave magjike
kur ndjeheshe tempull
e s’ishe veç kasolle.
 
Asgja s’ka me ndodhë
n’se flaka jote
s’ngjitet naltsive të shpirtit, asgja!
(Veç viti i brishtë ka me e ndje
njat ankthin e ditës ngjitun si bisht,
kur gjanat t’nisin me u harrue).
Mandej, gjithçka ka me u përsjellë
ndër ecejake t’veta,
e diku n’mure t’zhgarravina kujtimesh
kanë me u shfaqë do fosile shpirtnash andrrimtarë
tuj ndjekë ndër shkretina dashnie
mirazhe t’marra oazesh…
1994

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.