back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Në gjurmë të kangës popullore “Fryni era e u çel taraba” nga Ndoc Selimi

Gazeta

Ndoc Selimi ne Prizren
Ndoc Selimi ne Prizren

Në gjurmë të kangës popullore “Fryni era e u çel taraba”

nga Ndoc Selimi

“…Kur ia vuna thikën burrit
thashë se m’dolën vllaznit prej vorrit…”
populli
 
Eshtë kënga më dramatike në hakmarrje që motra ban për jetën e vëllezërve të vrarë në pabesi. Kjo këngë me titull “Fryni era e u çel taraba” e kënduar në masë prej pjesës më të madhe të shqiptarve në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, ka një histori tepër të dhimbëshme. Halili dhe Musa ishin kundërshtarë të Portës Lartë dhe sipas ligjit ishin shpallë në kërkim kundrejt një pagese për kokat e tyre.
Bejte Syla një i afërm me Vezirin e Shkodrës ishte martuar me Hajrijen, motrën e vëllezërve kryengritës që thuhej ishte bijë Kastrati. Bejta, dhandrri i shtëpisë, ban planin për dorëzimin e kunetërve kundrejt shpërblimit që do të merrte duke i thirrur në shtepi dhe prerë në besë ata. Halili dhe Musa pranojnë ftesën miqësore si dhe për të parë të motrën e nipin, por mbasi Bejta u kthen darkë dhe vëllezërve të shkujdesur në shtëpinë e motrës nuk u shkon ndërmend tradhëtia që mund t’u bënte miku, kishin dorëzuar armët sipas zakonit te dera e shtëpisë. Pa arritë të çohet sofra e darkës, shtëpinë e rrethon Avdi Aga me treqind sejmenë (jeniçerë) dhe dy vëllezërit arrestohen. Menjiherë ata e kuptojnë hilen dhe kërkojnë armët e veta, por miku ua kishte fshehë. Mendojnë se në këtë komplot bënte pjesë edhe e motra prandaj e akuzojnë:
“N’qafë na paç ti mori motër/Ty mos t’leftë ma djal në votër/si na rrejte na solle n’Shkodër.”
Motërzeza e pafajshme dhe pa më të voglin dyshim në këtë ngjarje u betohet vëllezërve dhe në këngë thuhet:
“Mos m’leftë djal e mos m’leftë çikë/këtë punë motra s’e ka ditë.”
Halilin e Musën i përshkon shpata dhe hejbet e kuajve mbanin kokat e vëllezërve të prerë në besë duke ikur drejt Stambollit për t’u vendosë mandej në “Kamaren e Turpit” në “Sheshin e Gjakut” në Stamboll.
Nga ana tjetër motra mendon të hakmerret për gjakun e tyre. Gjithë ato ditë e netë ajo nuk e jep veten derisa gjen rastin kur i shoqi po flinte. Ajo merr një hanxhar dhe e pret në qafë burrin dhe po me këtë betim i kthehet të birit (o të bijëve), ku edhe ai po flinte dhe e lë edhe atë të vdekur.
“Kur ia vuna thikën burrit/thashë se m’dolën vllaznit prej vorrit
Kur ia vuna thikën djalit,/thashë se m’dolën sytë e ballit…”
Kjo është preludi i kangës, apo ndoshta balada e kthyer në legjendë.
Sa të vërtetë ka ngjarja brenda dhe a ka ndodh në Shkodër vërtetë, apo importuar nga Stambolli?!
Një ngjarje të tillë ia tregon një shqiptar Edith Durhamit në kuvertën e anijes që po lundronte drejt Londrës, por personazhet e tragjedisë ishin njerëz të thjeshtë dhe se motra ishte prej Mirdite. Ajo shkruan më vonë: “Gojëdhëna më ogurzezë dhe më dramatike për vëllain është në shqip… këtë e gjejmë ne vajtimin e Antigonës (Sofokliu shën. im) kur e marrin për ta groposë të gjallë vetëm pse kishte varrosë trupin e vëllait nxjerrë jashtë ligjit”. ( E. Durham “Për fiset dhe zakonet e ballkanasve! botimi shqip fq. 185).
Në vajtim Antigona thotë se po të më vdiste burri, do gjeja një tjetër, po të më vdiste djali, do bëja një tjetër. Por vëlla nuk mund të bëhet më, se nënë e babë janë në qiell e unë jam tash një motër e vetme. Ja përse vendosa të nderoj ty vëllai im…
Historiani austriak Jozef von Hammer thotë se: “Osman Pasha kishte marrë urdhër nga Sulltan Mahmudi që të zinte e të vriste të gjithë jeniçerët shqiptarë që kishin marrë pjesë në kryengritjen e Stambollit të 22 shtatorit në vitin 1730, ku më kryesorët në këtë kryengritje ishin dy shqiptarë me origjinë nga Manastiri të quajtur Halil Patrona dhe Musli Besha, për të cilët ishin venë shuma të mëdha për kokat e tyre…”
Aty thuhet se u vranë 12 mijë jeniçerë shqiptarë dhe se 5 mijë ishin arratisë e kthyer në Shqipëri e rrethina.
Në një studim të imtë që ka bërë studiusi Ahmet Qeriqi për këtë temë, ngjarja nuk ka ndodhë në Shqiperi, por në Stamboll.
Sipas gjasave kanga është thur po atje nga shqiptarë apo dervishër dhe më vonë ka udhëtuar për në Shqipëri, ku më shumë se kudo prerja e mikut në bukën e vet ishte gjesti më i randë në historinë e krimeve e dënuar në ekstrem nga kanunet dhe pikërisht këtu gjeti menjiherë shtratin e vet dhe u përhap me shpejtësi e shpesh duke ndërruar vend-ndodhje, por jo personazhet dhe bukëprerjen. Ajo i qëndroi kohëzgjatjes mbi tre shekullore duke përshkruar zonat kryesisht në Kosovë, Shqipëri të Mesme, Shkodër e Veri.
.
Studiuesi Ahmet Qeriqi
Studiuesi Ahmet Qeriqi

Kjo kangë është kënduar nëpër dasma e grumbullime herë me çifteli e herë majekrahu duke i kujtuar mikut edhe njiherë besën, ku brenda saj bënte pjesë edhe nusja që po nisej për në shtepinë e burrit.

Në një variant tjetër thuhet se më 25 nëntor po të vitit 1730 (kur kishte ndodh kryengritja), Sulltan Mahmudi Parë, edhe pse kishte premtuar faljen e kryengritësve, ndër këta edhe Halilit dhe Musës, të cilëve u kishte premtuar një detyrë të lartë në krye të luftës së jeniçerëve, ai organizon kapjen dhe vrasjen e tyre në pabesi. Sulltan Mahmudi urdhëron që Halili, Musliu dhe 24 jeniçerët më në zë shqiptarë të shkojnë në pallatin perandorak për të marrë divizën ushtarake. Aty u bëhet prita dhe njëfarë Halil Pehlivani, rival i Halil Patronës organizon vrasjen pas shpine të jeniçerëve duke filluar nga i fundit derisa i erdhi radha dy prijsëve.
Historiani Ahmet Qeriqi thotë se: “Prejardhja e Musës dhe Halilit, sipas të gjitha varianteve që janë shënuar në Kosovë thuhet se janë nga Mramori, një fshat i njohur në Malësinë e Gollakut.” (A. Qeriqi “Kënga e trimërisë në margjinat e historisë” studim, 10/05/2017)
Duke u mbështetur te Enciklopedia angleze, varianti Halil Patrona, thuhet se “…admirali Halil Arnauti banonte në brigjet e detit Marmara me flotën e tij të dikureshme, derisa u zu rob në Budapest dhe së bashku me Musli Beshin ishin arratisur e vendosur në Beograd e më vonë në Nish, ku kishte përgatitë një kryengritje, për të cilën dihet fare pak…”.Po të analizojmë kangën ku thotë se:
“Çou Halil se Avdi Aga,/ me treqind sejmenë përmbrapa,/ tan n’opanga pa çorapa…”. Pra tanë në opanga pa çorapa. Kjo dukuri shfaqej te jeniçerët sa herë ishin të pakënaqur nga pagesa etj. dhe ktheheshin të populli i varfër e bashkoheshin me të, bile ndonjiherë edhe duke vjedhur e grabitur. Të tillë jeniçerë mbante edhe Halil Patrona (bile edhe ai vetë kishte shkuar njëherë te Sulltani pa çorape në një takim të thirrur). Të tillë jeniçerë organizon edhe Avdi Aga, i cili si personalitet, bënte pjesë në mesin e katër vezirëve të mëdhenj së bashku me myftiun e Stambollit dhe Damad Ibrahimin.
A. Qeriqi bën pyetjen “Yskydari i Stambollit, apo Shkodra jonë?!”
“Kryengritja e Halil Patronës është zhvilluar në Stamboll, në vendin e quajtur “Sheshi për Mish”, ku tuboheshin jeniçerët sa herë revoltoheshin. Ata u binin kazanëve të mishit si paralajmërim për zemrimin e tyre. Po në Stamboll ndodhej edhe Sheshi i Yskydarit, vëndrezidenca e vezirëve dhe e kreut të luftës. Kujtojmë se Shkodra jonë turqisht quhet Yskydar.” – thotë autori Qeriqi.
Gjithësesi kjo kangë tashmë ka marrë autorsinë plotësisht shqiptare dhe i përket repertorit shqiptar duke hyrë kështu në fondin e artë të kangëve tona popullore dhe në kohën që është thurë e kënduar, me parë edhe sot ajo sjell mesazhin e qartë dhe të plotë: Pabesia dhe prerja e mikut nga cilido, ka ndëshkime të rënda morale, bile dhe me gjak. Ajo është kundër kodit të nderit kanunor të thellosur brenda shpirtit shqiptar ku “Shtëpia e shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut”
.
Halil Patrona
Halil Patrona

Pjesë nga kanga “Fryni era u çel taraba”

Fryni era u çel taraba/n’kamb Halil se Avdi Aga
me treqint sejmen përmbrapa/tan’ n’opanga pa çorapa.
Musa i vogël asht çue n’kambë/kërkon armët ku i ka lanë
msheh na i ka ai miku mbramë.
Mori motër e zeza motër/kurre mos t’left ty djal në voter
qysh na rrejte na solle n’Shkodër.
-Mos m’lefte djalë e mos m’leftë çikë/kët’ punë motra s’e ka dijtë.
Hajt Halil ti vlla i motrës/ t’i pres unë gjaksit e Shkodrës.
Shkoi një muej e shkuen do ditë/Preu të shoqin me gjith’ t’bijtë:
-Kur ia vuna thikën burrit,/sikur m’dolën vllaznit prej vorrit,
kur ia vuna thikën djalit,/sikur m’dolën sytë e ballit.
2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.