back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Të gjallë e të dekun bashkë… nga Elona Çuliq

Gazeta

Elona Çuliç
Elona Çuliq

Të gjallë e të dekun bashkë…

nga Elona Çuliq

***

Ky shkrim asht i nji vajze të quejtun Elona Çuliq, të cilën unë nuk e njof… Sot ajo ka mbrritë në tavolinën teme të punës, përmes djalit të nji mikut tim, të cilin për dreq as atë s’e njof (si duhet!!… megjithse filli i njoftjes diku asht!) Pra, u banë disa mosnjoftje të mbledhuna bashkë… po mosnjoftja ma magjike, asht ajo përthithja e pandjeshme që ka fryma e këtij shkrimi brilant,  arti e ksaj vajze të quejtun Elona, e cila ka marrë përsipri me kompiuterizue do blloqe fletoresh “me kuadrata” ku ndryhet bashkë me magjinë e nji bukurshkrimi vepra “Të fyem e të poshtnuem” e Dostojevskit, përkthye hapsanave komuniste prej Nazim Saitit. Si duket ai trupin e kishte të burgosun në Burgun e Burrelit, po jo shpirti i tij shpend lirie… Kjo vajzë s’e ka marrë përsipri kët pune njashtu thjesht, e n’mënyrë mekanike kët, e me e “hjekë qafet” si thuhet, po asht mundue me e bartë shpirtin e këtij artisti, (që kurrë s’mundi me e shfaqë vedin n’at përmasë që ai e kishte n’vetvedi) dhe me e pru njashtu gandull ndër ne… Nejse, mos t’harrojmë se Nazimi asht përpjekë mjaft, e diçka ka mujtë me e qitë në dritë nga terri i hapsanave të paprecedente shqiptare…
E falenderoj kët dorë delikate vajze, që lexon shumë ma përtej asaj çka shkruejnë gishtat e lehtë të saj… e na e bjen kaq natyrshëm e magjishëm ket dhimbje burgu përmes shkrimit të saj… j.radi
6 gusht, 2013

Nazim Saiti 1963
Nazim Saiti 1963

Kur u njofta me përvuejtjet e viteve në Burgun e Burrelit, nuk kisha si mos me u gëzue që përkthimet e tij të veprës së Dostojevskit, ma në fund po çliroheshin nga fletoret e vjetra me kuadrate, shkruem me një kaligrafi qelibar. Aq e pastër dhe e kjarte ishte ajo kaligrafi, saqë gjatë leximit më përfytyrohej ai, i dobët, me fytyrën e vrame  e rrasun mbrenda kuadrateve të fletores që shkruente me vëmendje, me kujdes, pa asnji, asnji gabim drejtshkrimor a gramatikor. Unë nuk e kam njoftë at njeri, por ndiej se kam humbë shumë! Dhe jo vetëm unë, por edhe familja e tij, njerëzit e afërm apo të njoftun, madje edhe kojshitë, edhe roja e pallatit përbri kanë humbë, apo shitësja e bukës në cep të pallatit, që prej kohësh nuk e ndig’jon ma shprehjet “faleminders”, “të lutem” dhe “ditën e mirë”. Dyqanet e bukës frekuentohen ma së shumti nga njerëz që e rrumbullakosin kafshatën e mbijetesës me numra. Kështu nji shitës bukë ndigjon vetëm: 1, 2, 3… e kështu me rradhë. Që mos ta humbi fillin, po thosha se kam humbë shumë që s’e kam njoftë N. por amá mos t’ju duket e çuditshme, kur them se e kam njoftë nëpërmjet kaligrafisë së saktë deri në dyshim, të pastër deri në habi, e të kujdesshme deri në përmallim…
Dhe nuk ekzagjeroj aspak kur guxoj të them se ia kam msue edhe huqet për korrektësi, apo hapin e lehtë n’valëzimet e gërmave n’mbrendësi të kuadrateve të fletores. Për mos me thanë që e përfytyroj edhe tuj dredhë ndonji cigare, ashtu kambturqisht e tuj u gajasë me Ivan Matveiçin e burgosun n’krokodilin “e shkretë”.  Apo tuj i shkà butësisht dorën flokëve t’mëndafshta të Elena Ivanovnës, a tuj ngacmue me ironi kryefortsinë e Polina Aleksandrovnës kumarxheshë. Tana këto e shumë të tjera mundem me i përfytyrue, sikur i ka jetue edhe ai, ngujuem në nji dhomë muret e së cilës edhe sot duhet t’jehojnë psherëtimën e atij lapsi që ngutshëm rrëfehej ndër fletore.
Të tillë efekt grishës ka ky njeri i panjoftun, që tuj kenë i burgosun e brengosun mundi me çlirue shpirtin e tij e me ju lanë trashëgimni t’bijve të vet edhe neve dëshminë se: “mund të na privojnë nga liria fizike, por kurrë nga ajo shpirtnore, sepse vetëm shpirti nuk din me heshtë”!

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.