Shqiptarët e larguar me eksodin e 2 korrikut 1990
nga Kastriot Dervishi
Qeverisja e Shqipërisë prej komunistëve dhe pasoja e saj, i kanë shkaktuar Shqipërisë eksodet më të mëdha në historinë e vendit. Këto eksode filluan në fundin e vitit 1944 dhe vazhduan në formë të dukshme apo të padukshme në gjithë vitet e tjera. Shkak bazë ka qenë persekutimi politik dhe fukarallëku ekonomik që sjellin regjimet komuniste (bashkë me pasojat dhjetravjeçare të tyre).
Sot, në përkujtim të eksodit të 2 korrikut 1990 (u larguan më 13 korrik 1990), ngjarjes që turpëroi regjimin kriminal komunist në sytë e gjithë botës, por bëj të ditura disa informacione.
Evidentimi i shqiptarëve të larguar me ambasadat ka qenë në fillim shumë i vështirë për vetë regjimin komunist. Informacioni u sigurua me vonesë, vetëm pasi u nxorrën pasaportat e atyre që u larguan. Kjo tregonte ndër të tjera punën e dobët të organeve të Sigurimit të Shtetit (fakt që e përmend edhe Ramiz Alia në një mbledhje të atyre ditëve).
Në fillim, në regjistrin përkatës u shënuan 4.691 persona të larguar. Më pas kjo shifër shkoi në 4.764 dhe në fund në 4.785 persona. Raporti më i saktë gjendet në informacionin që Ministria e Punëve të Brendshme i dërgon Byrosë Politike të KQ të PPSH-së më 20.11.1990, tek i cili mbështeten të dhënat e mëposhtme.
.
Origjina e shqiptarëve të larguar më 13 korrik 1990, sipas rretheve:
Tirana – 3.905 persona
Durrësi – 455
Shkodra – 139
Kruja – 49
Elbasani -43
Fieri – 40
Lushnja – 35
Vlora – 27
Korça -16
Berati – 16
Peshkopia – 14
Lezha, 9
Kukësi – 7
Gjirokastra – 6
Saranda – 5
Erseka – 3
Mati – 3
Tropoja – 3
Përmeti – 2
Pogradeci – 2
Skrapari – 2
Tepelena – 2
Librazhdi – 1
Mirdita -1
Sipas ambasadave të shteteve:
RFGJ – 3.172
Itali – 809
Francë – 547
Turqi – 73
Poloni – 52
Çekosllovaki – 51
Hungari – 40
Greqi – 29
Jugosllavi – 6
Egjipt – 6
Bullgari – 5
.
Gjendja shoqërore e të futurve në ambasada
nga 4.785 shqiptarëve (4.477 nga qyteti dhe 308 nga fshati):
-1.509 të rinj, nxënës të shkollave 8-vjeçare e të mesme
-59 studentë
-123 me arsim të lartë
-2013 me arsim të mesëm
-1974 me arsim 8 vjeçar (përfshi fëmijët)
-230 nëpunës
-2296 punëtorë
.
Të dhëna të tjera:
-749 të papunë
-695 të dënuar (419 një herë; 128 nga dy herë dhe 148 tri herë)
-855 persona në evidencat e Sigurimit (d.m.th. si kontingjente, përpunim aktiv 2A, kontroll operativ 2B, etj)
Bashkëlidhur fleta e aplikimit për pasaportë e z. Gëzim Peshkëpia (ish i dënuar politik) në ambasadën Gjermane, ditët e korrikut 1990.