back to top
11.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Papa Klementi i XI dhe Lutja e Tij e përbotshme…

Gazeta

Papa Clemente i XI (Gjon Françesk Albani)
Papa Clemente i XI (Gjon Françesk Albani)

Papa Klementi i XI

dhe Lutja e Tij e përbotshme…

Gjon Françesk Albani, siç u thirr në pagëzim, lindi më 23 korrik 1649, në Urbino të Italisë. Si kreu shkollimin e plotë në Romë, falë aftësive të tij, ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës kishtare: së pari si sekretar i kanonikëve (1687), më pas si kardinal (1690), e së fundi si i 261-ti pasardhës i Shën Pjetrit (23 nëntor 1700). Pati një papni të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet Francës e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur kundër papatit. E përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krijuan pas Traktateve të Utrehtit, të Ratsadit e të Badenit (1712-1714) ku u caktuan normat për ndarjen e Evropës. Më pas iu desh të përballonte një rrezik tjetër: atë të pushtimit turk.
Dha një kontribut të shquar në fushën teologjike, duke luftuar herezitë e kohës; në fushën kanonike e liturgjike, duke kontribuar për përkryerjen e riteve lindore të kinezëve e malabaritëve; në fushën e misionit, duke dendësuar veprimtarinë misionare në Mesdheun Perëndimor, Persi, Indi e Kinë.
Krenar për prejardhjen e tij shqiptare, u interesua nga afër për fatet e vendit të të parëve. Emri i papës Albani mbeti në historinë e Shqipërisë si për organizimin e Kuvendit të Arbënit (1703) e për botimin e Akteve të tij në shqip e latinisht, vepër me rëndësi të dorës së parë për traditën tonë letrare, ashtu edhe për kontributin që dha në përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare. I dha kështu Dheut të të Parëve ndihmesën e tij të çmuar për të hedhur hapin e parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të popullit, që rënkonte në errësirën e thellë të pushtimit, një rreze drite, që t’ia ndriçonte shtegun drejt lirisë. Kjo rreze, si shumë të tjera më pas, nisej nga Froni i Shën Pjetrit, ku në atë kohë qe ulur Gjon Françesk Albani.
 
Papa Klementi XI - Giovanni Francesco Albani
Papa Klementi XI – Giovanni Francesco Albani

Lutja e Përbotshme e Papa Klementit të XI

Përktheu Lluka Qafoku

(Gjon Françesk Albani, shqiptar, Papë nga 1700 deri në 1721)

O Zoti im, besoj tek ty, forcomë besimin; shpresoj tek ty, siguromë shpresën; të dua, dyfishomë dashurinë; pendohem se kam gabuar, shtomë pendimin.
Të adhuroj si parimin tim të parë, të dëshiroj si qëllimin tim të fundit; të lavdoj si mirëbërësin tim të përhershëm; të thërres për ndihmë, si mbrojtësin tim sovran.
Denjo të më drejtosh me mënçurinë tënde, të më përmbash me drejtësinë tënde, të më ngushëllosh me shpirtmadhësinë tënde, të më mbrosh me fuqinë tënde.
Të përkushtoj, o Zoti im, mendimet e mia, fjalët e mia, punët e mia, vuajtjet e mia , që tani e tutje, të mendoj për Ty, të flas per Ty, të veproj si Ti, të vuaj për Ty.
Dua atë që do Ti, sepse e do Ti, siç e do Ti, aq sa e do Ti.
Të lutem, o Zot, të më ndriçosh zgjuarsinë, të më përflakësh vullnetin, të më pastrosh trupin, të më shenjtërosh shpirtin.
Më ndih o Zot, të më vijë keq për gabimet e shkuara, të zotëroj në të ardhmen tundimet, të mposht ngasjet e mia të ndyra, të praktikoj virtutet e gjendjes time.
Më mbush zemrën me dashurinë për mirësinë tënde, me armiqësinë për të metat e mia, me dhëmbshurine për fqinjin tim, me neverinë për botën perverse.
Paça për zemër bindjen ndaj eprorëve, ndihmën ndaj deprorëve, dobinë për miqtë, faljen për armiqtë. Sundofsha sensualitetin me vetposhtërimin, kopracinë me lëmoshën, zemërimin me ëmbëlsinë, përtacinë me vetmohimin.
Bëmë te pjekur në këshilla, të qendrueshëm në rreziqe, të durueshëm në prova, të thjeshtë në sukses.
Bëj, o Zot, të jem i vëmendshëm në lutje, i përmbajtur në të ngrënë, i zellshëm në punën time, i qendrueshëm në vendimet e mia.
Ju kushtofsha kujdesit për të ruajtur të pastër zemrën, modeste veshjen, formuese bisedën, të rregullt sjelljen.
Mbeça syhapur për të sunduar natyrën, për të pasuar Hirin, për të zbatuar ligjin tënd dhe për të merituar shpëtimin.
Mësofsha prej teje, o Zoti im, sa e vogël është gjithshka tokësore, sa e madhe është ajo që është qiellore, sa të shkurtëra janë gjërat e kohës, sa të pavdekshme janë ato të përjetësisë.
Më bëj të gatshëm për vdekjen, të druaj gjykimin tënd, të shpëtoj nga ferri, të fitoj parajsën.
Për Jesu Krishtin, Zotin tonë.
Amen.
.
(përkthyer nga teksti kanonik nga Lluka Qafoku para vitit 1990,
botuar tek gazeta “Koha Jonë”, 4, 1992)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.