back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

A dini gja për Liverpool-in? nga Ilir Seci

Gazeta

Seci në Liverpool me "Bandën e të Katërtve"
Seci në Liverpool me “Bandën e të Katërtve”

A dini gja për Liverpool-in?

nga Ilir Seci

Qyteti i Liverpoolit, padyshim asht nji nga qytetet ma interesante të mbarë botës. Liverpool asht themelue si qytet në vjetën 1207, vjetë kur Mbreti John pat lëshue “Kartën Mbretërore” për me krijue qytetin, kartë që atëbotë asht shkrue në latinisht. Liverpool ka qenë quejtë “Qyteti i Dytë i Perandorisë”, dhe ka pasë mbrri me eklipsue edhe Londrën për tregti n’ato kohna.
Si nji port mjaft i randësishëm dhe historik i Mbretnisë së Bashkueme, Liverpooli pat ngërthye në vedi krejt vlerat e ishujve britanike. I populluem nga anglezë, irlandezë, uellsianë dhe skocezë, ky qytet plot gjallni dhe jetë mbrriti me i dhanë botës kaq shumë në muzikë e në sporte.
.

"Albert Dock" naten (foto Ilir Seci)
“Albert Dock” naten (foto Ilir Seci)
E kush nuk ka ndie për ekipin e famshëm në futboll Liverpool FC, kush nuk ka ndie për dashninë që kanë banorët e këtij qyteti për futbollin, sportin ma popullor të globit.
Irlandezët me humor e quejnë qytetin e Liverpool-it, “Kounti i 33-të i Irlandës”, (33-rd county of the Republic), pse nga djersa dhe gjaku i emigrantëve irlandezë në këtë qytet dolën mjaft sportistë dhe artistë që ma vonë i dhanë za krejt Liverpool-it… Mjafton me përmendë grupin ma të famshëm muzikor që ka këndue ndonjiherë në planetin tonë “The Beatles”, ata djem ishin me origjinë irlandeze…
Liverpool asht histori dhe aktualitet, asht andërr dhe realitet, asht prova se njerì n’se don me ba diçka duhet me ravgue, duhet me u rrëke fort dhe ia del mbanë…
Qyteti i Liverpool-it asht vlerësue si nji nga Vendet e Trashëgimisë Botnore, (nga UNESCO), siç janë përgjat bregut në Albert Dock, “The Pier Shef” dhe deri në “Stanley Dock”, zona nëpër lagjet historike tregtare “Ropewalks”, zona në “St. George’s Quarter”, dhe mrekullia arkitekturore në “St. George’s Hall”. Plotësisht i merituem ky vlerësim kur kem parasysh se nëpër udhët e Liverpool-it njerì mundet me admirue arkitekturë mahnitëse tue fillue prej shekullit të 16 deri në stilet moderne të ditëve të sotme, arkitekturë që shpalosë historinë e pasun të këtij qyteti.
.
Liverpool - me sy artisti (Ilir Seci)
Liverpool – me sy artisti (foto Ilir Seci)

Liverpool asht qyteti që ka numrin ma të madh të muzeumeve dhe galerive të artit jashtë Londrës. Shumë muze dhe galeri arti gjinden në zonën “Albert Dock”, si “Muzeu Detar Merseyside”, “Muzeu Ndërkombëtar i Skllavërisë”, afër stacionit të Lime Street, në “St. George’s Quarter” asht “Shtëpia e Muzeut Botëror”, ku gjinden thesare nga tanë bota pjesë e gjetjeve te marinarëve anglezë nëpër botë. Galeria e Arteve ëalker në Liverpool asht Galeria Kombëtare e Veriut të Anglisë dhe ka mbrenda nji nga koleksionet ma të mira të artit europian, dhe renditet e dyta, mbas Galerisë së Londrës. Në kët qytet asht edhe Muzeu i Artit “Tate Liverpool”, shumë i njoftun që nuk ka nevojë për prezantim – ka organizue ekspozita të mëdha ndërkombëtare të artit modern, duke shfaqë punën e mjeshtrave nga Tracey Emin deri te Picasso. Në Liverpool ka galeri fotografike që stimulojnë fotografinë si një formë arti duke organizue ekspozita sfiduese dhe zbavitëse.

Asht mjaft interesant fakti se Liverpool ka kenë gjithëherë qytet ristar, (novator), ka kenë qyteti i parë në botë që ka hapë Bibliotekë Publike që jepte libra me i marrë me veti jashtë ndërtesës, në shpi. Ka kenë qyteti i parë në botë që ka hapë nji shkollë të mjekësisë tropikale. Liverpool-i asht i pari qytet në botë që ka pasë nji konsull amerikan. Në numrin e rekordeve të këtij qyteti hyn edhe fakti që asht i pari qytet në Mbretninë e Bashkueme që ka hapë shkollë për të verbrit.
Dhe… kjo që do shkruejmë tash asht krejtësisht edhe pse e ditun, prap duhet me u përmendë, në “Librin e Rekordeve Guinness”, (“Guinness Book of Records”), Liverpooli mban vendin e parë si “Kryeqyteti botnor i Muzikes Pop”. Kët kunorë Liverpool e ka marrë prej artistëve të shumtë me origjinë nga Liverpool, të cilët kanë mujtë me krijue kangë-hite ma shumë se çdo vend tjetër. Dhe këtu bahet fjalë për shumë artistë jo vetëm për legjendat e Liverpoolit, katër artistët e grupit “The Beatles”, djemtë që ia ndryshuen përgjithmonë fytyrën muzikës botnore.
Liverpool, korrik 2017
.
Liverpool i pare nga lart... (foto Ilir Seci)
Liverpool i parë nga lart… (foto Ilir Seci)
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.