back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Pesë poezi nga Havzi Nela (1934 – 1988)

Gazeta

Havzi Nela...
Havzi Nela… poeti

Pesë  poezi nga Havzi Nela (1934 – 1988)

Kur të vdes

Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”
A e dini se çfare kam hjekë
Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kërkoni me ma gjetë,
Thoni: “Ai, urreu mizorin”.
Thoni: “Dheu s’ka me e tretë!”

Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuetje e dërmoi”.
Thoni se: Ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët, lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritë ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”
Thoni: “Për njerzinë këndoi,
E për vete mbajti zi”.

Thoni se: E qorroi terri
Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.
Thoni se: E trishtoi tmerri
E të shtypunit i tha: “Çohu!”

Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue.
Mbi vorr tim me gur’e ferra,
Nji tufë lule me ma lshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur t’a ngushëlloni,
Thoni: “Gjallë kurkush s’ka mbetë!”

Dëshmia e dënimit e Havzi Nelës
Dëshmia e dënimit e Havzi Nelës

(Poezite e internimit në Arrën…)

O Liri, O Vdekje

Nuk them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
S’e duron robninë zemra e nji trimi?!

Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,
Kët s’ia fali vetes, kjo m’ban me u mendue.

Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtyp bukë, me u rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.

Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk due.
Me durim e shpresë nuk due të vdes.
Si jeta dhe vdekja duhen meritue.

S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri
Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.
Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!
Liria më thërret, vdekja nuk më tund.
Arrën, nandor 1987

Letra që la Havzi Nela ne kufi.
Letra që la Havzi Nela ne kufi.

Nuse më dhanë robninë

Jo or jo, njizet vjet burg nuk u mjaftuen
S’u ngopën ushunjzat, xhelatët mendjemarrë;
Më ndoqën kamba-kambës, lakun ma shtrënguen
Më ndoqën gjithë jetën, pse jo deri në varr!

Ma hoqën përgjithmonë, të shtrenjtën, lirinë,
M’i hoqën të gjitha, kot kam mbetë i gjallë
Shtëpinë ma rrënuen, nuse m’dhanë robninë
M’lanë pa vajzë pa djalë, m’lanë të qaj me mall.

Gjithë jetën vetmue, larg prej njerzve t’mi
S’paç me kë lazdrohem, kujt t’ia them nji fjalë
Trup e shpirt plagosun, s’gjeta kurrë qetësi,
Sot në moshë të shkueme, maleve kam dalë.

Nëpër male t’Arrnit, pa anë e pa fund,
Në kto shkrepa e thepa që s’ke ku ve kambën
M’përplasën, më rrëzuen, ma randë se gjithkund,
Më rrëzuen mos me u çue, o Zot banu gjamën!

E prap s’kanë të nginjun, xhindosen kur m’shohin,
Thue se u zuna fronin, u prisha humorin,
Më vrejnë me inat e fort mirë më njohin,
Nuk më thyen kurrë, jetën krejt ma nxinë.
Arrën, tetor 1987

Havzi Nela - Poezi te zgjedhura
Havzi Nela – Poezi te zgjedhura

Malet e Arrnit

Male dhe male dhe male gjithkund
Male të pasosun pa anë e pafund;
Gjithkah hedh vështrimin veç shkëmbinj e male
Kodra e lugina, me bjeshkë, prroje, zalle.

Vendi i thatë, pak ujë, rrallëkund sheh burime,
Rezervuarë të gatshëm që mbledhin vërshime,
Përgjojnë bagëtinë e mjerë, etjen me ua shue,
Jo gjithmonë knaqen, i gjejnë bosh, shterrue.

Lisa të mëdhenj, viganë, çojnë kryet përpjetë
Sikur prekin qiellin, përleshen me retë.
Lisa gjithfarlloj, të moçëm, shekullorë,
Lisa që u bajnë ballë stuhive n’shi e n’borë.

Lisa që nuk i shtruen as rrufetë e qiellit,
Lisa që rriten e plaken, kërkojnë dritën e diellit,
I mposht, i lëshon përdhé dora e sharrtarit
Zvarrë i çon traktori si kufomat drejt varrit.
Arrën, nandor 1987

Arrnit me arna

Arrën të thonë dhe me arna je
Syni s’të sheh tjetër veç shkëmbinj e male.
Shkëmbinj, thepa e grepa, ma shumë gurë se dhé,
Arrnor, ti në shekuj vendit tand iu fale.

Mbi themele t’fortë vendose shtëpinë
Nji copë arë nën të, koshin e pak misër.
Si burim jete ti kishe bagëtinë,
Mish e bulmet pate, me ta bleve drithin.

Shit andej e blej këndej, veten ke arnue
Nuk ta pati kush lakminë, n’ato kohë hardalle.
Me mund e me zor, me t’keqe ke jetue,
Siç jetohej jeta dikur në këto male.

Për shumë gjana vueje, për bukë e për krypë
Për sapun e gaz, për rrugë, ujë e dritë;
Nuk t’i sillte kush, vinin veç me t’lypë.
Gjithë jetën mbas tufe, natën e bane ditë.

Pagueje e s’pagueje “të dhjetë” e “xhelep”
Pagueje “xhelepin”, por e kishe mallin,
Kur u thoje: “S’kam”, s’turreshin me t’rjepë,
S’i doje, as të donin, vetë e qaje hallin.

U përmbys e vjetra, erdhën kohë të reja,
Qytetnim e dije u ngjitën mbi maja,
Po mbi malet tua s’pushoi kurrë rrufeja
Nuk t’u hoqën dertet, e keqja, belaja.

Bagëtin krejt t’i morën, shekat mbetën bosh,
Çoban i të tjerëve u bane, o arrnor,
T’lanë nji lopë për bishti, gomarin balosh,
S’të mbeti as mali, veç sopata n’dorë.

Këputesh, dërmohesh, tan ditën e gjatë,
Pesë lekë t’paguejnë, “Kaq – thonë – jepka vendi”.
Burrat morën malin, në parcela gratë,
Punojnë e robtohen veç për bukë thatë.
Arrën, tetor 1987

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.