back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Ramadan Sokoli në “burgun e togës” nga Osman Xhatufa

Gazeta

Prof. Ramadan Sokoli (1920-2008)
Prof. Ramadan Sokoli (1920-2008)
“…për t’i përshkruar
gjithë ato vuajtjedhune mizore,
duhet ngjyer penda
në gjakun e plagëve…!”
ramadan sokoli

Historia e titullit professor 

Historia e titullit të tij Profesor e ka zanafillën në korrespondencën e tij me kolegët e studiuesit e shquar të huaj në shumë vende të botës që i drejtoheshin me: “I nderuari Prof. Sokoli,” apo “I respektuari Prof. Sokoli,” ose thjesht “I dashur Profesor”.
Por njerëzit që lexonin e survejonin korrespondencën e tij përpara se ta lexonte ai vetë, krijuan padashje vetë sagën. Ishin ata atje që paraqiteshin si kolegë, “miq”, administratorë, redaktorë, profesionistë filluan instinktivisht ta thërrisnin në ambjentet e artit shqiptar “Profesor Ramadani”. E ndërsa njerëzit dashamirës e admirues të veprës së tij profesionale nuk mund ta thërrisnin veçse në mënyrën më të natyrshme një kapacitet intelektual, artistik, pedagogjik e profesional si ai, e kishin për nder e krenari të sfidonin Akademinë e Shkencave Shqiptare që e injoronte e nuk kishte kurajon t’i akordonte zyrtarisht titullin “Profesor”. Kjo tingellon pa dyshim ironike e cinike kur ndërkohë etnomuzikologët, artistët, albanologët e huaj i referoheshin, citonin e rendisnin në bibliografinë e veprave të tyre emrin dhe punimet e Ramadan Sokolit, e flisnin e shkruanin me admirim e respekt për kolegun e tyre shqiptar. Ata të gjithë ishin me titull Profesorë e jepnin leksione e mbanin ligjërata në instutucionet më me emër në botë. Ndërkohë kur Harvard, Oxford, Yale, Berkley-California, Stanford, Library of Congress, British Museum, kalonin peripecira nga më të ndryshme për të gjetur e futur në koleksionin e tyre librat e Ramadan Sokolit, ai në Shqipëri injorohej, dhe emri e vepra e tij nuk futej as në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. (gazeta shqiptare)
.
Profesor Ramadan Sokoli
Profesor Ramadan Sokoli

Ramadan Sokoli në “burgun e togës”

 nga Osman Xhatufa

Menjëherë mbas çlirimit, qyteti i Shkodrës, me tradita të hershme kulturo-artistike, që i kishte dhënë aq shumë artit dhe kulturës kombëtare, do të ishte qendra e parë e goditjeve të figurave intelektuale nga regjimi komunist. Qysh në vitet e para të kalvarit komunist, do të ndaloheshin veprat e At Gjergj Fishtës, nën pretekstin se nxit urrejtjen e “vëllezërve jugosllavë”. Do të fillojë një gjenocid i paparë ndonjëherë. “Vrasjet, burgosjet apo internimet e elitës së intelektualëve të kombit tonë, përpjekjet e një pjese tjetër, kulturocidi masiv deri në shkallët më absurde, ishin metastazat e kancerit komunist, që po i futej në trup kombit tonë. Do të eliminoheshin, Lazër Shantoja, Vinçens Prennushi, Qemal Draçini do të dënoheshin dhe do të provonin të tjera tmerre dijetarët e nderuar si Pjetër Mëshkalla, Justin Rrota, gjuhëtarët e shquar e me emër në Evropë, Gjon Shllaku, helenist, Ramadan Sokoli e shumë të tjerë: ajka e intelektualëve të asaj kohe”. Këtë fat të hidhur të burgjeve dhe internimeve komuniste do ta provonte jo vetëm Ramadani, por pothuajse tërë familja e tij.
Më 9 shtator të vitit 1946, plasi kryengritja e Postribës, e cila shtyp me dhunë e me gjak. Mbas dhjetë ditësh, në shtëpinë e Ramadan Sokolit vjen një operativ i sigurimit, vetë i dytë dhe i thanë se e kërkonin në Degën e Punëve të Brendshme vetëm për një fjalë…! E shoqëruan deri në godinën e lartpërmendur dhe aty i komunikuan se ishte i arrestuar. Pasi e kontrolluan dhe nuk i gjetën gjë, e regjistruan dhe e dërguan në godinën “Burgu i togës” (në ish-konviktin “Malet tona”). Pas një jave e morën për ta dërguar në selinë e Degëve të Punëve të Brendshme. Në oborrin e brendshëm të kësaj ndërtese, ku ishte selia e Degës së Punëve të Brendshme, Ramadan Sokoli pa me sytë e tij disa të burgosur fatzinj, të torturuar dhe të lidhur mbas një peme. “O Zot, çfarë llahtari kam parë!”, – tregon Ramadani. “Ishte me të vërtetë një tragjedi rrëqethëse shekspiriane. Në atë gjendje dëshpërimi dhe depresioni, siç isha unë, m’u duk vetja sikur po plandosesha në një humnerë të pafund. U trondita aq shumë, sidomos kur pashë tim vëlla, Ibrahimin, që ishte dënuar disa muaj më parë dhe e kishin sjellë këtu nga “Burgu i Madh”. Përgjat kokës së tij të qethur, i dukej një viaskë plage e shkaktuar nga një goditje me shufër hekuri, më vonë aty prunë dhe babanë tim plak. Të tre burrat në kthetrat e sigurimit. Po përse…? Deri atëherë nuk kisha parë asnjë njeri në çastet e vdekjes. Pikërisht, në atë oborr të Degës së Punëve të Brendshme, pashë rastin e parë, kur një roje ia shkrepi karikatorin djaloshit Osman Kazazi, duke e plandosur përtokë. Po aty te dera e jashtme e atij oborri, një kapter vrau avokatin Myzafer Pipa. Megjithëse në kohën e “Pushtetit Popullor”, zyrtarisht thuhej se torturat ishin të ndaluara me ligj, kjo gënjeshtër mund të përgënjeshtrohesh fare lehtë nga dëshmitarët okularë.
Pas gjashtëmbëdhjetë muaj trysnie mendore dhe shpirtërore, plot vuajtje dhe tortura të tmerrshme, më nxorën gjoja në gjyq, pa avokat mbrojtës. Ajo farsë gjyqësore, zhvillohej në njerën nga mjediset, që më parë kishte shërbyer si kuzhinë e françeskanëve. Aty ishin edhe njëmbëdhjetë të rinj të pandehur për t’u gjykuar, dy vajza dhe nëntë djem. U lexua aktakuza për të gjithë të pandehurit, pa fakte konkrete, mbështetur plot shpifje dhe trillime të kurdisura përmes kërcënimesh, rrahjesh dhe torturash të ndryshme.
Ata gjyqtarë, pa asnjë fije vullneti e drejtësie dhe pa asnjë cilësi njerëzore, nuk synonin të nxirrnin të vërtetën në shesh, po kërkonin me çdo kusht dënimin tonë.
U lexua pretenca, ndërsa dënimi ynë ishte paracaktuar nga regjia kobzezë. Mua më dënuan me 5 vjet burg, ndërsa dënimi i atyre të rinjve ishte shkallëzuar nga dy deri në pesëmbëdhjetë vjet. Kur më nxorën prej andej dhe më mbyllën përkohësisht në një dhomë tjetër, mësova prej bashkëvuajtësve të pranishëm për vdekjen e tmerrshme të Qemal Draçinit, shokut tim të ngushtë. Deri atëherë isha përpjekur të qëndroja me shpirt mes dhëmbëve, i paepur, por kur dëgjova atë kumt të zi, më kaploi një pikëllim i papërmbajtur. I ngashëryer pa masë, doja të klithja e të shfreja, ndërsa lotët më rridhnin çurg”.
Vuajtjet e burgut, do të lenë mbresa tepër rrëqethëse e tronditëse në kujtesën e këtij intelektuali, saqë as vdekja nuk ia shlyen dot.
Ramadan Sokoli tregon: “Më rrëqethet mishi kur kujtoj varrosjen për së gjalli në burg, kur lëngoja e dergjesha midis jetës dhe vdekjes nënkreja më shëmbëllente me gur varri; më rrëqethet mishi kur kujtoj netët pa gjumë, duke dëgjuar rënkimet dhe klithmat e lemerisura të bashkëvuajtësve, në tortura. Ndoshta për t’i përshkruar gjithë ato vuajtje dhune mizore, duhet ngjyer penda me gjakun e plagëve”. Por, megjithatë, gjeni i prejardhjes së tij familjare, për të mos u mposhtur dhe ligështuar para forcave të errësirës, i ka dhënë gjithmonë besim dhe kurajë Ramadanit, për të njohur forcat e vetvetes dhe për t’u ngritur mbi urrejtjen dhe egërsinë e kësaj shëmtie.
Si një mrekulli ai, ia ka dalë me u mbijetue burgjeve të një diktature, për të cilën brezat mund të mos besojnë, ose edhe mund të na përbuzin, duke na quajtur qyqanë. Madje, nëpër ato qeli, ku vdekja herë-herë kërkohej si luks, Ramadan Sokoli gjente vullnetin me mbledhë gojëdhëna prej malësorëve që ishin “rasur” në burg për shkaqe që nuk përputheshin kund me asnjërin prej kodeve të tyre të lashtë të qëndresës e të dinjitetit.
Në burg, Ramadani lexonte shumë, për të zgjeruar njohuritë e tij, apo mblidhte pjesë nga folklori, merrej me pikturë, me gdhendje druri, qëndisje etj. Një pjesë e objekteve të pikturuara, apo të gdhendura në dru, apo të qëndisura, i mban edhe sot si relike të kohës së burgut, në studion e tij. Ramadan Sokoli dënimin e burgut e bëri pjesërisht në Shkodër dhe në Kampin e Bedenit (rrethi i Kavajës).
.
Ramadan Sokoli dhe Rexhep Munishi
Ramadan Sokoli dhe Rexhep Munishi

 ***

Viti 1946, do të shënojë fundin e jetës normale për familjen e Sokolëve dhe fillimin e një jete plot ankth e tmerr. Po t’i mbledhësh bashkë janë 82 vjet burgje e internime për tërë pjesëtarët e familjes së Sokolëve, të cilët nuk u mblodhën kurrë më bashkë në shtëpinë e tyre atnore.
Në vitin 1952, vjen në Tiranë, ku punon si instruktor pranë Filarmonisë Shqiptare. E pushojnë nga punë pa asnjë shkak, duke i shkruar në librezën e punës këto fjalë: “Pret marrëdhëniet financiare”. Pasi largohet nga Filarmonia, në vitin 1953, me shumë vështirësi, emërohet dhe punësohet si shef muzike pranë Shtëpisë së Kulturës në Tiranë. Edhe aty pushohet nga puna (pa asnjë motivacion), megjithëse veprimtaria e tij ishte tepër e dendur si organizator festivalesh, përmes së cilës dolën shumë talente si: Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi, Xhavit Xhepa etj., interpretues dhe ekzekutues të shkëlqyer të këngëve popullore të Shqipërisë së Mesme. Së fundi në vitin 1954, emërohet mësues në liceun artistik “Jordan Misja”.
Me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kërkuan ta zbonin nga Tirana, por një urdhër i dytë e anuloi të parin. Në atë kohë, ai, bashkë me Gaqo Avrazin, Zef Grudën dhe Koço Uçin, hartuan dhe ngritën platformën për ngritjen e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ky projekt iu dërgua Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës si dhe Komitetit Qendror të PPSH-së për miratim.
Pas miratimit dhe ngritjes së këtij ansambli, udhëheqësi artistik i asaj kohe, kompozitori Çesk Zadeja (Artist i Popullit), i kërkoi Ramadanit përpunimin e disa këngëve popullore, të cilat ai ia miratoi. Por, fatkeqësisht, asnjë nga ato nuk u përfshi në programet e koncerteve të ansamblit, jo vetëm në kohën e Çeskut, por as më vonë, kur udhëheqës artistik u bë Tish Daija (Artist i Popullit). Me sa duket “lufta e klasave” e ndiqte këmba-këmbës Ramadan Sokolin.
(Marrë nga gazeta standart, 11/03/2008)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.