Si u krijua Akademia e Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë?
Në urdhërin e lëshuar nga Kryeministria që i përket vitit 1972, qysh në kokë thuhet: “Të krijohet Akademia e Shkencave, e cila të kontribojë për ndërtimin e shtetit socialist dhe zhvillimin e shkencës socialiste në frymën dhe metodologjinë e filozofisë marksiste-leniniste”. Pjellë dhe zbatim i kësaj direktive të shtetit stalinist shqiptar, Akademia e Shkencave, e pagëzoi veten po atë vit me masakrën mbi gjuhën shqipe, duke imponuar hibridin e të ashtuquajturës “Gjuha e unifikuar standarde”, ose “gjuha letrare” – një krijesë e kontenstuar gjerësisht në të gjitha nivelet shkencore, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjithë aktiviteti i kësaj Akademie, deri në rënien e diktaturës ka qenë jashtëzakonisht i dëmshëm, sidomos në shkencat antropologjike e humanitare, duke sjellë një përçarje të pariparueshme me keqkuptimet dhe mitet antishkencore në frymën nacionalkomuniste.
Kryesisht, trashëgimia e rëndë që u la brezave ASH përqendrohet në këto sfera, lehtësisht të vërtetueshme, të jetës shpirtërore dhe publike:
a)Në shkencat historike, Akademia krijoi një përçarje të thellë mes shqiptarëve, duke ndërtuar një perceptim polarisht të ideologjizuar, ku principin qëndror të lëvizjes historike e përbën miti i “luftës së klasave” dhe roli vendimtar i Partisë Komuniste dhe Partisë së Punës me shokun Enver Hoxha në krye. Çdo e vërtetë tjetër historike – përjashtohet ose denigrohet.
b)Në shkencat filozofike dhe propagandistike, Akademia u përqendrua në një aktivitet të sforcuar e artificial për glorifikimin e figurave kombëtare dhe të huaja, kryesisht të përfshira në lëvizjet komuniste. Aktivet, seminaret, konferencat shkencore dhe sidomos botimet e veprave të Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit etj., e po ashtu botimet speciale të estetikës së m-l, të Plehanovit, Lunaçarksit; sulmet profane kundër artit modernist, etj., vetëm se e bëjnë demonstrative njëanshmërinë. Akademia nuk qe e zonja të mund të krijonte, së paku, një traditë të mendimit materialist-dialektik, që ne të kishim një traditë të tillë, duke nisur nga Demokriti e deri tek neomarksistët.
c)Politika gjuhësore antishkencore e Akademisë, nëpërmjet mutantit “gjuha e njësuar”, përjashtimi i paskajores si kategori gramatikore, përqendrohet në tendencën e kolonalizmit kulturor brendashqiptar.
d)Akademia e Shkencave krijoi një situatë përçarjeje, diskomunikimi e diskriminimi në Letërsinë shqiptare, duke izoluar dhe përjashtuar nga komunikimi pjesën më të vyer të repertorit të teksteve tona letrare. Ajo përjashtoi dhe nxorri jashtë komunikimit krijuesit më të rëndësishëm të gjuhës dhe letërsisë shqipe si Zef Skiroin, Faik Konicën, At Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Anton Harapin, At Justin Rrotën, Mitrush Kutelin, Arshi Pipën, Martin Camajn etj, duke ndërhyrë në proces dhe duke e deformuar atë. Lufta e klasave qe kriteri orientues dhe nga kjo politikë, letërsia shqipe ka patur një dëm të pallogaritshëm.
Atëherë, pyes, përse dhe me ç’arsye duhet mbrojtur me kaq pathos Akademia e Shkencave? Çfarë shkence u solli ajo studiuesve dhe brezave të rinj? Cila qe metodologjia dhe qëllimi i Akademisë, përveç konsekuencës ndaj dekretit të Kryeministrisë që e legjitimoi?