Kush kopjoi: Maks Velo apo Iris Elezi!?
nga Najada Elmazi
Roli themelor i artit është të ngacmojë ndërgjegjen shoqërore, të qartësojë shpirtrat dhe t’i bëjë njerëzit të mendojnë, të mendojnë përtej së përditshmes dhe paragjykimeve të tyre. Arti në këtë pikë i ngjan ylberit që shkakton mahnitje dhe shfaqet rrallë. Por arti mund të degradojë dhe të bjerë deri në atë pikë sa të harrojë misionin e vet, madje të kthehet në të kundërtën, pra të nxisë mohimin e së vërtetës dhe së drejtës; e në vend që të prodhojë mahnitje dhe katarsis, ja del të legjitimojë padrejtësinë.
Rasti i dytë i ngjan vjedhjes së veprës së autorit Maks Velo nga regjisorja Iris Elezi në filmin “Bota”. Plagjiatura është diçka krejt tjetër nga përngjasimi në art dhe nuk ka se si një artist, shkrimtar apo gazetar profesionist të mund t’i ngatërrojë me njëra-tjetrën. Në rastin konkret, kemi të bëjmë me një plagjiaturë të pastër dhe lehtësisht të kuptueshme, mjafton të vësh përballë njëri-tjetrit disa elementë të novelës dhe filmit.
Veprën “Klubi Karavasta” z. Velo ja ka dhënë vetë me dedikim regjisores Iris Elezi që ta lexojë. Ai shprehet i pashpresë në këtë betejë për të drejtën e autorit, sepse në film ka shumë institucione mbështetëse (nga Kosova, Italia, etj.), që nuk duan të mbajnë përgjegjësi konkrete. Artistët shqiptarë vjedhin në mënyrën më të paturpshme, sepse nuk i kritikon dhe nuk i ndëshkon kush. Vjedhja sipas tij, është bërë legjitime: ne vjedhim në teatër, në film, pikturë, kudo…
.
Për më tepër, filmi ka dhe producentë të fuqishëm si Qendrën e Filmit me drejtor Ilir Butkën dhe “Era” Filmin. Askush nuk flet hapur në publik apo në media, ndërsa nëpër kafe, takime, telefonata, shumë e pohojnë plagjiaturën, duke i dhënë te drejtë Maks Velos. Po ne jemi shoqëria e maskave, hipokrizisë dhe interesit, që nuk ka guxim të thotë të vërtetën, megjithëse kjo është një çështje që ju përket të gjithë artistëve dhe krijuesve. Sigurisht, që zgjidhjen do ta japë procesi gjyqësor që është duke u zhvilluar, por ata artistë të famshme të mëdhenj që flasin plot kompetencë duke e denoncuar regjisoren, përse nuk e thonë këtë me zë të lartë? Kur vetë arti konformohet me gënjeshtrën, humbet forcën e vet. Dhe ky është problem më i madh se sa vjedhja e një vepre.
Po le të shfletojmë veprën dhe do të vëmë re se në faqen e 9-të të novelës autori shkruan: “Baraka e kafenesë ishte e veçuar si një lumturi e trishtuar…”. Në film na paraqitet kjo barakë kafeneje e veçuar, në mes të një toke të djerrë, të kënetës së Karavastasë, por tashmë me emrin “Bota”. Në këtë qytet, kjo kafe ishte gjithë bota, lumturia, gumëzhimat dhe thashethemet e njerëzve përplaseshin aty. Në mënyrë figurative kjo kafene e vogël, kjo lumturi e veçuar ishte gjithë bota e banorëve. Ja pra, një metaforë artistike me të cilën regjisorja Iris Elezi titullon filmin “Bota”.
Le t’u kthehemi sërish fjalëve të autorit në libër, në faqen 11: “Po Mesasi ishte pa histori, pa legjendë. Kishte vetëm një ngjarje qe nuk i hiqej nga mendja dhe fëmijët e vegjël e mësonin nga gjyshet. Nuk ishte legjendë, ishte ngjarje e vërtetë. Ishte mbytja në kënetë e Elsës në vitin 1972…”
.
Edhe tek filmi “Bota” është mbytur në kënetë një femër, po në atë periudhë. Dhe i gjithë filmi është xhiruar në këtë frymë, në këtë platformë, fillim e mbarim sipas novelës. Bedati i mplakur me pleq e plaka të braktisura. (Të rinjtë kërkonin të iknin, të largoheshin. Shpresa dhe jeta ndodheshin jashtë këtij qyteti të izoluar pa mure. Edhe në fund të filmit personazhi largohet me biçikletën e vetë nga ky burg jetësh dhe fatesh për ta rinisur atë diku larg. Ato rrugë të ngushta dhe të gjata të cilat janë po njësoj si në film dhe në libër).
Këtë gjetje kaq interesante të z. MaksVelo, çdo kineast do ta kishte dëshiruar e zhvilluar akoma më tej, deri tek hedhja me mjeshtëri në celuloid. Çdokush prej artistëve që marrin tema nga historitë e romaneve apo veprave të artistëve të tjerë, duhet të tregojnë të paktën një ndjenjë mirënjohjeje. Do të ishte e udhës që qysh në krye të filmit të shkruhej: Mbështetur në motivet e novelës “Klubi Karavasta” të shkrimtarit MaksVelo.
Ngjashmëria nuk është e pranishme vetëm te linjat kryesore, por është tërësisht e çuditshme kur në film ndien aromën e tokës së tharë, shpirtin e veprës dhe psikologjinë e personazheve. Kamera ndalet gjatë në këto plane në film: “Heshtja në qiell ishte e rëndë si një hije gri e ndarë në shirita. Toka ishte e errët me një përzierje ngjyrash kafe të errët, të zezë plumbi dhe një gri e shndritshme që ishte krijuar nga mineralet e thara të kripës. Toka kur nuk prodhon bëhet egërsirë” (fq. 10).
Një përshkrim tjetër piktoresk i shkrirë me gjendjen emocionale dhe psikologjike të personazhit, i cili qëndron me kurriz në një karrige, e pastaj plani ndalet gjatë në horizont duke u fokusuar nëpër skuqjen e qiellit gjatë perëndimit. E kështu vazhdon agimi, koha që kalon.
Ndërsa në libër shkruhet: “Kjo ishte hapësira e askujt, fati i askujt, lumturia e askujt, brenga e askujt. Ajo puthej dhe zgjatej bashkë me horizontin, dallohej ditën dhe zhdukej, posa fillonte të errësohej, si një komit i harruar, vetëm… Në mbrëmje dielli i madh perëndonte mbi ca kodra të ulëta në fund të tokës së heshtur, të ngurtë e të plasaritur si toka e misrit (fq. 10 dhe 11)”.
Përveç këtij përshkrimi që ndihet në këto plane të filmit, përshfaqen edhe disa ngjashmëri të tjera: furgoni që vihet re edhe te vepra edhe te filmi; makina Benz që shfaqet në film dhe benzat për të cilët flet dhe autori z. Maks Velo; çalamani që shet brisqe dhe sende te tjera është një karakter që shfaqet në gjithë veprën (ndërsa në film kthehet në një të pastrehë, lypsar).
Dy linja jo pak të rëndësishme që përshkruajnë fundin e veprës si dy dukuri fatkeqe në jetën e shqiptarëve janë lekët e fajdeve në firmat piramidale, ku shqiptarët humbën shpirtin dhe jetën e tyre; si dhe armët e rrëmbyera që cenuan fatet e njerëzve. Edhe në film një thes me lekë bëhet intriga e konfliktit ku ndodh diçka e papritur; protagonistja vritet nga një armë. Mund të jetë rastësi, por gjithsesi në fq. 70 thuhet: “Revole, pushkë, kallashë… Zëri u dëgjua i dobët, era e çonte larg…”.
.
Një shëtitje, ecje me biçikletë në atë rrugën karakteristike që ka novela, ashtu si dhe te spoti i filmit; një shëtitje në fillim të filmit dhe në fund, ku plani ndalet gjatë, nga aktorja protagoniste. Një gjendje, mendim, trishtim, një lumturi e personazhit, një liri, filozofi ashtu si dhe në libër.
“Për mua të ecësh është lumturia më e madhe, asgjë nuk e krahasoj me ecjen… sepse ecja është lëvizja më normale e njeriut; njeriu e ka filluar nga ecja, ajo i ka dhënë tërë fakultetet e tjera dhe vëzhgimin dhe zhvendosjet e largëta dhe njohjen dhe dëshirën për të menduar (fq. 56)”.
Objekte, linja, trille, etj., që huazohen nga vepra, ku disa zhvillohen, e disa tjetërsohen rrugës, disa të marra shabllon dhe të pazbërthyera. Të paktën të kishte më elegancë dhe imagjinatë për t’i çuar më tej.
Për ta mbyllur, edhe ne po marrim hua nga novela e z. Maks Velo disa rreshta, por duke e cituar, pa e vjedhur, kopjuar, apo cënuar:
“Ka ca njerëz që e bëjnë çdo gjë kaq në mënyrë të natyrshme, sa nuk arrin të kuptosh dot… pastaj janë mjeshtra për të përfituar nga ndryshimet… Fluturojnë lehtazi si zogjtë në qiell dhe zbresin atje ku nuk ta pret mendja… I humbur është gjithmonë njeriu i ndershëm… këtë mësova nga jeta…”.
Problemi i vetëm është se nëse njeriu i ndershëm humbet, arti humbet, gjithashtu humbet e gjithë shoqëria bashkë me të. Prandaj kërkohet pak guxim intelektual për të denoncuar të keqen dhe për t’u ndarë prej saj.
http://boldnews.al/2016/06/24/kush-kopjoi-maks-velo-apo-iris-elezi/