Peshkopi Irine Banushi – (1906-1973)
Tregime të jetuara për të përndershmin
Peshkop të Manastirit të Ardenicës
Njeriu dhe Peshkopi Irine Banushi
nga Jozef Radi
Kush ka jetuar në Lushnjen e fundviteve ’60 dhe fillimviteve ’70, e ka të pamundur të mos e ketë hasur nji burrë të bëshëm, të pastër, të paqëm e të vetmuar, një njeri që pakkush i fliste e që shumkush e përshëndeste, një burrë i fisëm, i lartë, që ato pak fjalë nëse t’i thoshte i lëmonte me nji gegnishte të ambël. Njihej si Peshkopi i Ardenicës… dhe qe Njeriu që pat shpëtuar Manastirin e famshëm nga tërbimi propagandistik i Partisë kundra fesë, me autoritetin e urtësisë, kulturës dhe mirësisë së tij…
E kam ndeshur hera herës në ato vite, po një skenë më ka mbetur e gdhendur në kujtesë…
U takuan rastësisht një ditë me babanë… dhe babai e pyeti: “Si shkonte, si i kishte hallet?!”, “Lene mos e pyet Lazër, çka me të thanë!” dhe i ngriti sytë dhe dyja duart nga qielli dhe i tundi dy herë… që sikur desh të thoshte: Vetëm, Zoti na shpëtoftë!
Iku shpejt nga jeta, do ta kujtoja… me ate gjestin e tij me duart drejt qiellit, Peshkop Irineun, fisniku i një bote të padenjë…
.
Irineu…
nga Elda Filipeu
Irineu.. i lartë, i pashëm, i mirë, i mençur… kështu e kujtonte im atë… Ishte me karrocë, me mua bebe, dhe takohen në Lushnje. Lumturohet, gëzohet kur shikon që Filipeu më në fund ishte bërë baba më ngriti lart, dhe ashtu, me mua në duar, i thotë babait që beben do ta pagëzoj unë…!
Fotaqi gëzohet, frikesohet, e dëshirojnë shumë të dy me mamanë, si ortodoksë të mirë që ishin… dhe, duke parë majtas, djathtas… me frike si gjithmonë, i thonë: – Po!!
Nuk e di si ishin njohur, në burg në Burrel ndoshta; në Kolonjë, mbase kur Filipeun e sollën në fillim të viteve ’60. në Lushnje… nga Gaqo Mosko mbase, mbase edhe nga Hekuran Zhiti, të dy miq të tim eti…
Nuk ishin miq; nuk mund të ishin në ato kohra të llahtarshme, por Filipeu e çmonte, e donte, e vlerësonte! Dhe ishte reciprokisht kjo… dhe, sigurisht kjo i bënte më shumë se miq!
Jozef, sa mirë që ke vënë një fotografi të tij… unë nuk e njihja… Dhe kështu, një natë mes frikës, gëzimit të dy prindërve të mi, dhe gëzimit, gëzimit të madh të tij që përsëri… përsëri edhe pse kishat s’ishin më… Ai, Irineu, pagëzonte vajzën e Fotaqit!!! Më pagëzoi në shtëpinë e Gaqo Moskos. Babai gjithmonë më thoshte, me atë mënyrën e tij, të ëmbël… me sytë e tij gjithë mirësi… që shkëlqenin:
-Elda, ti je pagëzuar nga Irineu, nga Peshkopi!! Dhe Ai u bë edhe nuni im..
Kujtoj shpesh, ne bisedat me time ëmë të flisnin për Irineun… Ne tonet e tim eti ndjehej simpatia e madhe… vlerësimi, dashuria..
E shikoj tani këtu… isha akoma shumë e vogël kur ai u ngjit në qiell, e shikoj… dhe vura duart, pastaj buzët në ekranin e kompjuterit…
Jozef, nëpërmjet teje edhe unë e përqafova…
.
Njeriu i rrallë Irine Banushi
nga Ilir Zhiti
Ish Peshkopin e Manastirit të Ardenicës, pasi kishte lënë detyrat fetare me urdhër arbitrar të Qerverisë Komuniste, dhe patën dhëne një punë të rëndomtë si magazinier furnizues në Ndërmarjen e Ndërtimit të qytetit te Lushnjes.
Unë e njihja nga larg intelektualin dhe ish Peshkopin e Manastirit të Ardenicës dhe gjithmonë ushqeja respekt edhe nga fjalët e e babait tim që e vlerësonte dhe respektonte shumë. Një ditë më hoqi rruga nga ndërmarrja e ndërtimit dhe u drejtova nga vendi ku e dija se kishte një palo zyrë-magazinë Peshkop Irineu, tashmë i deklasur nga shteti komunist dhe për fat e gjeta brenda! Pasi u përshendetëm më tha:
-Ilir, po ju kundroja nga xhami duke ecur dhe nuk e pandehja se do drejtoheshit nga unë, ju faleminderit o njeri i mirë!
-Nuk kini pse më falenderoni, juve ju respekton i gjithë populli i thjeshtë në fshat dhe qytet, i kini lënë vend vehtes me mirësjelljen dhe korrektësen tuaj, por jo të gjithë guxojnë t’ju afrohen prej frikës së spiunëve dhe komunistëve bastardë. Iu çel fytyra dhe m’i shtrëngoi duart me shumë ngrohtësi duke më transmetuar të fala për prindët e mi…
Kur shkova në banesë u transmetova prindërve të falat e tij duke i pyetur nëse e kishin takuar ndonjeherë?
-Po m’u pergjigj babai (Hekuran Zhiti). Kur e urdhëruan të hiqte veladonin dhe kamillafin dhe ta linte manastirin e Ardenicës ai pësoi një krize të tensionit të lartë të gjakut dhe e shtruan në repartin e Pathollogjisë. Unë mora time shoqe dhe megjithëse nuk e kishim takuar as edhe njëherë i shkuam dhe i bëmë një vizitë në spital. Atij ju bë zemra mal. Ishte shumë i pikëlluar, por nuk e jepte veten, megjithatë na tha:
-Vetëm tani po e kuptoj se sa gabim fatal kam bërë që nuk krijova familje, por do bëj si do bëj.
Ju faleminderit o njerëz të mirë dhe t’ju rrojnë fëmijët e gjithë ç’ju do zemra…
.
Peshkopi i Manastirit të Ardenicës
nga Prenjo Imeraj
Në pikën më kulmore të vargkodrave që shtrihen nga dalja e qytetit të Fierit deri në Divjakë, midis fushës së Myzeqesë në lindje dhe fushës së Libofshës në perëndim, midis një pylli të lashtë me bredh dhe dushk, vendoset Manastiri i Lashtë i Ardenicë, i mbetur qysh nga koha byzantine dhe në të cilin, sipas Historisë që na ka lënë Marin Barleti, pat vendosur kurorë Gjergj Kastrioti Skënderbeu me bashkëshorten Andronika Arianitin në gjysmën e parë të shekullit të 15, emërtuar sipas emrit të fshatit Ardenicë, që ndodhet aty pranë. Ishte koha kur sapo ishte shtypur nga tanket e ushtrisë sovjetike revolta antikomuniste e Pragës e vitit 1968 dhe shteti komunist shqiptar i alarmuar se mos “dallgët” e asaj revolte arrinin deri në Shqipërinë socialiste, filluan stërvitjet intensive edhe me forcat rezerviste civile. Batalioni Sanitar i Brigadës 20, që ishte edhe kryesorja në rrethin e Lushnjes përbëhej nga personeli shëndetesor i Spitalit të Rrethit, Poliklinikës së qytetit, Qendrës Sanitare dhe Dispanserisë Antituberkulare. Në të katër anët e tij, Manastiri rrethohej me pyje masivë të ndërprerë vetëm nga fushat e zonave lindore dhe perëndimore. Rreth 300 metra më poshtë, në faqen lindore të tij, në mes të pyllit ndodhej një rrafshnaltë me luadh me bar të njomë natyral, të cilin komanda e gjeti me vend,të kryenim stërvitjen rreshtore. Gjatë një pushimi të shkurtër, ne me Doktor Ihsan Çabej dhe Doktor Agim Koçillarin, duke bërë shetitje në anë të luadhit gjetëm një shpellë shtufore të maskuar nga shkurret me hyrje të gjerë të maskuar dhe të pa ndriçuar në thellësi.
Informuam ndërmjetësin e stërvitjes të dërguar nga Ministria e Mbrojtjes, oficerin madhor Xhevdet Hakani dhe duke përfituar nga njohja e Doktor Çabejt me Kryepeshkopin e manastirit Irenè Banushi, shkuam të tre për t’u informuar lidhur me tunelin. Unë nuk kisha rastisur të takohesha me Kryepeshkopin, po kisha dëgjuar fjalë mjaft të mira si njeri i sjellshëm dhe i kulturuar, se se ishte me origjinë nga Shkodra dhe se manastiri kishte një bibliotekë mjaft të pasur. Këmbanorja e Manastirit ishte mjaft e lartë dhe dukej nga shumë larg, por në brendësi manastiri qe i rrethuar me mure të lartë guri dhe me një derë gjigande me dru të pëpunuar e të ngjeshur. Oborri ishte shumë i madh, i shtruar me kalldrëm të vjetër dhe në mesin e tij ndodhej një pus i thellë pa kapak dhe me ujë në thellësi. Fasada ishte dy katëshe ndërsa kulla e këmbanës e lartë sa për gjashtë kate, e ndërtuar me blloqe guri të skalitur dhe këmbanore e hapur në të katër anët. Pasi ngjisje pesë shkallë të gurta dilje në sallonin e fasadës të ndarë portale me blloqe guri, ku na priste peshkopi i nderuar, gjithënjë duke qeshur. Pa kamillaf dhe pa rason e priftit dukej i veshur me një kostum të zi të lloit françeskan dhe vetëm një qafore e bardhë tek jaka tip gjimnastorke e dallonte si klerik. Me flokë të thinjura e me mjekër të moderuar gjithashtu të thinjur, në një fytyrë me lëkurë të bardhë, me sytë e vegjël zhbirues po na buzëqeshte ambël, duke belbëzuar “mirë se kini ardhur” na drejtoi nga zyra e tij e madhe aty pranë. Një tavolinë e gjatë me karrige druri të përpunuar e me mbështetëse të larta dhe për rreth bibliotek gjigande, ku përveç librave fetare, ku predominonte gjuha serbokroatishte ku ai kishte studjuar, na, tha se dispononte edhe enciklopedinë e madhe në gjuhën Italishte.
-Kur më emëruan peshkop të këtij manastiri, na tha, nuk e kisha menduar se do e vija në vijë bibliotekën e Manastirit, por më ndihmuan mësuesit e zonës, sidomos Petro Muzaka nga Bubullima, një burrë i zgjuar e aktivist i fesë ortodokse. Gjeta mjaft libra të vjetëruar sidomo në gjuhët Greqisht, Turqisht, Persisht, Gjermanisht, Italisht dhe Frëngjisht dhe ato i kam sistemuar në rafte në depon e bibliotekës dhe këtu në zyrën time mbaj ato ma të përdorshmet. Pasi na qerasën me një bardhak llallë të freskët, aty mësuam se Manastiri kishte edhe ekonominë e tij ndihmëse me lopë, dele e me kopështin me pemë e perime gjithëfarësh. Duke marrë kafen tradicionale, e pyeti Kolonel Xhevdetin se pse ishim munduar dhe mandej filloi të tregojë për shpellën: -Nuk është shpellë natyrale, – tha, – por tunel i ndërtuar qindra vjetë më parë, për t’u mbrojtur nga dyndjet e Barbareve dhe hordhive te Perandorise Osmane. Dhe ai tunel rreth 300 metra i gjatë, me dy daljet lindore dhe perëndimore përshihet në hartën topografike të manastirit, por ka edhe disa oxhake anësorë, për të maskuar dhe dy dalje sekrete, të cilat unë nuk i kam eksploruar kurrë dhe na paraqiti hartën e vjetër të skicuar me dorë me një bojë kafe në kuqerremtë. Atë tynel na e kanë kërkuar repartet xhenjere të ushtrisë popullore, të cilët, me sa di unë, e kanë pastruar dhe e përdorin në raste të veçanta, por nuk e di nëse i kanë eksploruar dy daljet sekrete, pasi hartën nuk iu a kemi dorëzuar, është pasuri e Manastirit. Peshkopi i nderuar na përcolli me përzemërsi dhe kolonelit i bëri shumë përshtypje urtësia e tij gjatë bisedës. Vendosëm ta eksploronim tunelin qysh atë ditë pas stërvitjes me të gjithë efektivin e batalionit sanitar, për të dalë në anë tjetër perëndimore, prej nga ishte më afër kampi i fushimit tonë, duke evituar kështu pjerrinën e theksuar të anës lindore. Pas asaj stërvitjeje më pat rënë rasti disa herë të përshëndetem me Peshkopin e nderuar, në rrugë, në spital dhe në poliklinikën e qytetit dhe gjithë herët me përzemërsi, pasi ai njeri ishte shumë i thjeshtë, i sajdisur dhe i miredukuar dhe mbi të gjitha tepër i përmbajtur.
.
Feja harmonizon jetën e Njerëzve
(Sipas tregimit të Doktoreshë Vasilika Imeraj – Karajani)
Ishte viti 1966, dhe unë isha e vetmja mjeke e shërbimit të rojes për gjithë spitalin, duke mbuluar përveç urgjencave që mund të vinin nga jashtë edhe të sëmurëve të Pathollogjisë, Pediatrisë, Infektivit dhe Maternitetit.
Rreth orës 22:30 isha duke kryer kontravizitën në katin e dytë e shoqëruar nga infermjeria e shërbimit Anastasi Shabani. Kishte ende edhe 30’ që të fikeshin dritat e dhomave të sëmurëve sipas rregullores të sëmurëve për gjumë dhe një pacient i moshuar me pamje fisnike ishte duke lexuar një libër voluminoz në gjuhë të huaj. Pasi kontrollova kartelat e tre të sëmurëve që po flinin të qetë dhe nuk gjeta probleme për porosi të veçantë, u drejtova nga pacienti i përqëndruar në leximin e librit voluminoz duke e pyetur.
-Kini ndonjë ankesë të çastit, hirësia juaj? Pacienti me pamje elokuente la librin mbi komodinë dhe duke rregulluar syzet më pyeti butësisht: -Kam nderin të njihem me Doktoreshën?
-Jam mjeke e shërbimit të rojës, Vasilika e repartit të Pediatrisë…
-Po ai mbiemri tek Bluza bardhë, është i juaji?
-Është bashkëshortia e Doktor Prenjos, u ndie infermjere Anastasia! -Pa shih, kush na qenkërka, gëzohem! Ju i përkitni fesë Kristiano-Orthodokse, apo jo? Dhe ma do mendja jini lidhur në bangot e Universitetit?
-E drejtë, dhe të them të drejtën kam patur ca telashe me prindët e mi, por tashmë ç’do gja asht sheshuar dhe tim shoq e përfillin si djalin e tyre, pasi unë nuk kam vëlla…
-Keni ba shumë mirë, doktoreshë dhe feja s’ka pse të prishet, sepse ay asht edhe funksioni kryesor i fesë: “t’harmonizojë jetën e njeriut si na e ka lanë Ati ynë…!
Unë e falënderova dhe pasi urova për natë të qetë, dola nga dhoma, për të vazhduar kontrollin nëpër të sëmurët e tjerë. Kur Vasilika mbaroi punë me drejtorin në raportin e saj, në mbledhjen e mëngjezit, e njoftova se vajzën tonë e kisha dorëzuar në familjen e Sinjarëve dhe në gjendie të mirë, dhe u ngjita lart drejt pavionit të Pathollogjisë, për t’u marrë me të sëmurët, që kisha në përkujdesje.
Peshkopi po më priste buzagas tek hyrja e pavionit. I urova mirëngjesin dhe ai pa mbaruar mirë, m’u drejtua tërë përzemërsi:
-A merrni dot me mend se, me cilën jam njoftë mbramë?
-O oh, – ia ktheva, – si duket kini takuar atë kauren time?!
-Po, – më tha, -vetëm ushqehuni pak ma mirë, se ishte shumë e dobët fizikisht!
-E ç’ta duam dhjamin hirësi, kush ka pa hajër prej tij? Ja, psh. Ju jini më i moshuar dhe trupin e kini “qefull” dhe sigurisht i bani kujdes vehtes; për atë po vuajmë edhe ne me time shoqe dhe e shoqërova deri në dhomën e tij nr. 5, në katin e dytë.
Prishja e kishave dhe e xhamiave me urdhën të diktatorit, ishte një mënxyrë e vërtetë: Kisha orthodokse e qytetit të Lushnjës, qe një mënxyrë e vërtetë. Priftin e shërbesës së kishës: Jani Katron e përzunë arbitrarisht një grup të rinjsh, të urdhëruar nga dikush, kur ai plak i gjorë, atë e kishte edhe banesë për vehten e tij. Me veladonin dhe kamillafin e tij të uniformës fetare doli në rrugë duke mos ditur se ku të shkojë. Unë rastësisht e ndesha në rrugën e makinave në drejtim të Institutit të Kërkimeve Bujqësore. Isht ditë e vrenjtur me një erë të fuqishme, por të ngrohtë. Jani i gjorë, pa kamillaf, me flokë të rrallë e mjekër të gjatë, të shpupurisur; ndërsa veladoni i zbërthyer i valëvitej sa andej këndej dhe i ndjekur nga një turmë fëmijësh që po e tallnin, si duket të mësuar nga ndokush, ikte kuturù. M’u dhimbs pa masë, por nuk mund t’i afrohesha për t’i thënë qoftë edhe një fjalë të vetme. E vetmja gjë që munda të bëj për të, u fola fëmijëve urtë e butë për ta lënë të qetë dhe nga që më njihnin u bindën. Më nuk e takova kurrë njeriun e mirë Jani Katro, i cili ishte me origjinë nga Vlora, dhe ne me një mikun tim kishim luajtur dikur edhe letra e lojra llogjike me të në kishë. Më thanë se mjekrën dhe veladonin ia kishte hequr të nesërmen dhe u zhduk pa lënë gjurmë nga qyteti ku kishte ardhur përpara 30 vjetësh si telefonist. Edhe Priftin e Bishqethmit e njihja, si prift simpatik, gjithnjë i veshur me veshje fetare shik dhe një mjekër të bukur pasi e kisha pacient. Nuk u habita fare kur e gjeta një ditë si punëtor në mirëmbajtjen e rrugës. Për priftin e Shënavlashit mësova se ishte mbyllur në shtëpi me vite të tëra derisa vdiq, pasi i dukej heqja e mjekrës më e rëndë se vdekja. Peshkopi i Manastirit të Ardenicës Irine Banushi kishte edhe mendjen e ndritur edhe kulturën e lartë për t’i kuptuar drejt situatat politike. Duke e mposhtur sedrën, ishte nga të parët që mbasi e larguan nga Manastiri, ai hoqi mjekrën dhe mustaqet, rrobat kishëtare i la në vend dhe mbasi veshi rrobat civile iu drejtua Komitetit Ekzekutiv të Rrethit për pune. I dhanë një punë të rëndomtë, si punëtor krahu fillimish, si furnitor magazine pak ma vonë, dhe së fundi llogaritar i parë në Ndërmarrjen e Ndërtimit, ku edhe banonte. Duke qenë afër spitalit e kisha ndeshur disa herë gjatë rrugës, duke shkuar në pune. Ashtu i veshur me pantallona dhe jelek te zi me këmishën e bardhë, gjithmonë me atë pamje fisnike dhe krenare, me ecjen tërë kujdes, sido që nuk qëndronte kurrë për t’na takuar. Na njihte mirë dhe nuk donte kurrsesi të na përgojonin, derisa pas disa vjetësh e sjellin në Urgjencën e Spitalit të sëmurë rëndë dhe Doktor Vasil Kuli, natën e përcolli me autoambulancë drejt Tiranës.
.
Biografia e Peshkopi Irine Banushi (1906-1973)
18 gusht 1906 – Lindet në Shkodër Ilia Banushi, më vonë i pagëzuar Imzot Irineu.
1925 – Mbaroi katër klasa të gjimnazit klasik ndër françeskanë.
1931 – Përfundon studimet në Seminarin Orthodhoks të Cetinjës.
1938 – Diplomohet në Teologji, në Universitetin e Beogradit.
1938 – Emërohet mësues në Seminarin Kombëtar Orthodhoks “Apostull Pavli”, në Tiranë, dhe njëkohësisht mësues i gjuhës latine dhe i historisë pranë Gjimnazit të Shtetit.
1939 – Arrestohet nga pushtuesit fashistë dhe më pas internohet në Itali.
1940 – Lirohet dhe kthehet në Shqipëri si i papunë.
1941 – Riemërohet në vendin e mëparshëm.
30 janar 1942 – Hirotoniset hierodhjakon, në Manastirin e Shën Naumit.
31 janar 1942 – Hieromonak dhe arkimandrit.
1 shkurt 1942 – Hirotoniset Episkop i Apolonisë.
8 mars 1942 – Pritet mjaft ngrohtë nga besimtarët orthodhoksë të Tiranës.
12 korrik 1945 – Emërohet episkop në Dioqezën e Gjirokastrës, por pushteti komunist nuk e lejon të shkojë.
28 tetor 1946 – Arrestohet nga regjimi komunist.
17 prill 1947 – Dënohet me 5 vjet burg.
28 prill 1949 – Amnistohet dhe menjëherë shtrohet në senatorium, sepse në burg sëmuret rëndë nga turbekulozi.
1949 – Izolohet në Manastirin e Shëna Vlashit, në Durrës.
1950 – Nuk lejohet të marrë pjesë në Kongresin e 3-të të KOASH.
22 gusht 1952 – Regjimi komunist e arreston për së dyti.
9 prill 1953 – Dënohet përsëri me 5 vjet burg për mosbindje ndaj pushtetit komunist.
25 gusht 1957 – Lirohet dhe internohet në Manastirin e Ardenicës.
7 shkurt 1967 – Shpëton Manastirin e Ardënicës nga shkatërrimi dhe më pas e detyrojnë të zhvishet nga çdo detyre fetare dhe lejohet të banojë në Lushnje, ku punon si llogaritar, por sëmundjet nuk e lënë të qetë.
18 nëntor 1973 – Dërgohet urgjent në Tiranë, i sëmurë rëndë.
25 nëntor 1973 – Ndërron jetë në shtëpinë e mbesës.
Marre nga http://www.forumishqiptar.com