back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Dy rrugë ka: O ikim, o ikim! nga Enkeleda Ristani

Gazeta

Enkeleda Ristani
Enkeleda Ristani

Dy rrugë ka: O ikim, o ikim!

nga Enkeleda Ristani

Dy rrugë ka: O ikim, o ikim!
Përtej të gjitha formulave atdhetare që fryjnë zjarrin e shuar, (gacat kanë vdekur), e vërteta është se Shqipëria nuk bëhet. Madje, Shqipëria nuk se është bërë ndonjëherë.
Në të gjitha pushtimet që kanë ndodhur, çlirimi s’ka ardhur nga ne, por nga shkaqe të tjera.
“Shqipërinë e mori turku i vu zjarrë
Shqipëtar mos rri por duku, shqipëtar…!”
“Shqipëtarët” nuk dukeshin… dhe poeti përpiqej të ndizte sedrën e shqiptarit, që të them të drejtën nuk e di për çfarë funksionon, apo ka funksionuar!
Të ikim. Të ikim se s’jemi të zotë për asgjë. Na burgosin, na shajnë, pështyjnë, përdhosin, përdhunojnë, na lënë pa bukë, pa arsim, pa mundësi për t’ia dalë të përditshmes, na japin paga qesharake minimale, me të cilat nuk mund të paguhet as shtëpia me qira, na japin përkrahje kinse sociale me të cilën as ajrin nuk blen dot, na vdesin nëpër spitale dhe familjarët e të sëmurëve edhe më shumë, na çmendin e na nxjerrin nga çmendinat për të vrarë, na qorrojnë me rrugë për të gjetur vdekjen, na rjepin lëkurën me taksa dhe na kallin tmerrin me policët “në mbrojtje të qytetarëve”, na turpërojnë përpara të huajve që shohin të çuditur si rrekemi ta kapim veshin në mënyrën më të pamundur, kur e mundura është para syve të tyre, na vdesin pak nga pak me të gjitha tipet e plehrave, prodhim për Shqipëri, së pari me të ngrënë e të pirë e pastaj ç’t’u vijë dore e veshi, na flasin si të jemi trushpëlarët që jemi, nëpër foltore parlamentesh apo fushata elektorale shajnë kundërshtarin me gjithë të zezat e ne kënaqemi për “guximin”, pa menduar se ç’duan këta plehra me këto njëmijë të zeza aty ku janë, na dërgojnë nëpër gjyqtarë për të na rjepur lëkurën e Odiseut pa asnjë Itakë, na dëbojnë masivisht me lloto tokash të premtuara dhe ekzile azilantësh të pëgërë e të pasigurt, na detyrojnë të ndërrojmë emrat për grekun, por të mbetemi shqiptarë se greku na e ka pasë përherë me hile, na detyrojnë të prostituojmë në të gjitha format, edhe në ato të kamufluarat me “dinjitet”, na detyrojnë të përleshemi për dava by… dhe tallin b…ën me historinë tonë që s’dimë si t’ia rrëfejmë një të huaji, na detyrojnë të mbjellim hashash… por të mos e tymosim se harxhohet, na detyrojnë të mos besojmë askënd, të mësojmë gënjeshtra që s’ka bir kurve që i zbërthen, e sidomos, sepse duhet t’i besojmë edhe vetë, na shkatërruan fëmijët, na detyrojnë të humbim busullën në edukimin e fëmijëve, na bombardojnë veshët me komerc, sytë me botox, hundën me erë plehrash që shiten për kulturë, na detyrojnë të vrasim artistët, ose t’i lemë të vrasin veten para nesh, na detyrojnë që “këpucët e Lulit të vocërr” dhe “Molla e ndalueme” të jenë përherë aktuale…
Nuk i kam numëruar të gjitha, e di, por ne pastaj jemi të ligj, gjakprishur, sahanlëpirës, mosmirënjohës, imoralë, agresivë, kriminelë, vëllavrasës, indiferentë, të pafuqishëm, kontrabandistë, krefbishtas, lyejrrotas, hiena, maskarenj, pijanecë, lypës e kusarë dhe gjithë të zezat…
.
shpirti ynë gjembor...
shpirti ynë gjembor…
Të ikim.
Kjo ndoshta është ëndrra më e madhe edhe për ta, të na e shpërndajne hirin e të mos na njihet me fara (hiç fare!), t’ua zbrazim tokën së cilës i bëjme hije kot, e kot sa i rëndojmë përmbi.
O ikim, o ikim – dy rrugë janë.

(si sot, 2016)

 
#ShqiperiaqedhjeuKonica

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.